Këtë të shtunë u prezantua programi i BE dhe BERZH për transformimin e turizmit në Shqipëri. Vlera e programit kap shifrën e 100 milionë Eurove. I pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se Shqipëria nuk do ishte i njëjti vend që është sot pa mbështetjen e BE  dhe BERZH.

Shqipëria nuk do ishte i njëjti vend që është sot pa mbështetjen e BE  dhe BERZH. Janë me dhjetëra projektet që janë mundësuar për ne falë mbështetjes së BERZH, sikundër është mëse e vërtetë që projekti që lancojmë sot është një projekt i përbashkët mes BE dhe BERZH.

Kjo marrëveshje e re do t’i shkojë si një mbështetje më shumë programit tonë transformues është dhe një shprehje kuptimplotë e besimit të këtyre institucioneve përmes rrugës urbane dhe rurale.

Sigurimi i vijësisë së transformimit është esencial. Dua vetëm të vë theksin tek fakti se programi do vazhdojë të mbështesë transformimin e Korçës, Beratit, Fierit dhe sigurisht do të nxisë transformimin e Shkodrës, kur projektet janë shpalosur.

Nuk bëhet fjalë për një fond që do shkojë vetëm për infrastrukturën, apo ujin, bëhet fjalë për një fond që do të shkojë për programe të integruara dhe do i bashkëngjitet dhe fondeve të tjera që janë vënë qoftë nga Banka Botërore, apo buxheti i shtetit, apo edhe nga Banka Gjermane për Zhvillim. Doja të nënvizoja që programi adreson dhe komponentin e trashëgimisë kulturore dhe agroturizimin dhe agropërpunimin që e bën drejtpërdrejt Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural një pjesë integrale të zhvillimi të këtij programi”.

Kreu i qeverisë tha gjithashtu se turizmi në Shqipëri është rritur ndjeshëm.

Në nga BERZH nuk kemi përfituar vetëm mbështetje financiare por edhe sugjerimet e duhura në kohën e duhur. Ministri super optimist (Blendi Klosi) dha një shifër të saktë të painjektuar nga dopingu. Në 5 vite kemi dyfishuar numrin e turistëve dhe besoj se kemi pasur një rol jo të vogël në këtë rritje të konsiderueshme. Kemi rritje krahasuar me një vit më parë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka paralajmëruar ndëshkime për gjitha ata që abuzojnë me sigurinë ushqimore.

Rama ka theksuar se dënimi mund të shkojë deri në 10 vjet burgim nëse veprimtaria e paligjshme bëhet në bashkëpunim.

Sipas Ramës ata që kërcënojnë shëndetin e qytetarëve të Shqipërisë, do të përballen me heqjen e lirisë së ushtrimit të aktivitetit dhe lirisë individuale.

“Produktet tona bujqësore janë plotësisht të shëndetshme dhe për këtë mjafton një fakt. Në 300 mijë tonë produkte bujqësore të transportuar në 2018 drejt BE-së, nuk është kthyer asnjë gjë, për shkak të cenimit të standardeve Evropiane ushqimore, por ka individë dhe subjekte që kryejnë krime kundër shëndetit, kundër njeriut”, ka thënë Rama.

Kryeministri Rama ndër të tjera ka theksuar se kjo vepër deri më tani është ndëshkuar vetëm me gjobë, por kjo nuk do të ndodhë më kështu.

“Ia kanë hedhur në 30 vjet me gjoba që s’janë asgjë, por kjo nuk do vazhdojë më kështu. Këto forca të së keqes që kërcënojnë shëndetin tonë dhe të fëmijëve tonë, do t’ju hiqet e drejta e lirisë së ushtrimit të aktivitetit dhe lirisë individuale”, është shprehur kryeministri Rama.

E enjtja është dita e Parlamentit, por tashmë është edhe dita e protestës së opozitës me bllokimin e rrugëve me mos bindje civile.

Zhvillimet e fundit politike kanë krijuar një dinamikë të re, por edhe pikëpyetjet për zgjidhjen e këtij ngërçi janë shtuar.

Për të folur në lidhje me këtë situatë por edhe për aktualitetin politik i ftuar sot në Top Talk ka qenë gazetari dhe publicisti Frrok Çupi.

Gjatë intervistës, gazetari u shpreh se cikli i Partisë Demokratike dhe LSI-së ka përfunduar. Sa herë që PD ndodhet në situata të tilla përdor dhunën, por tashmë situata ka ndryshuar dhe se shqiptarët nuk e duan dhunën.

“Fakti që opozita nuk ndodhet në Parlament, do të thotë se ka defekte shumë të mëdha. Vendimi i opozitës për bllokimin e rrugëve, do të thotë se ka disa qëllime të tjera. 

Opozita si PD dhe LSI kanë mbyllur ciklin e tyre politik, po funksionojnë me mjetet e tyre, ku njëra është përdorimi i dhunës, me detyrimin për t’u koracuar si parti sepse nuk zhvillohet më tej, ose për tu kthyer si qen roje për një gjë tjetër. 

PD e ka mbyll ciklin për shkak se prej vitit ’92 kur ka ardhur në pushtet ka humbur pushtetin në 4 muaj. 

Ka ardhur në pushtet në fund të marsit dhe në korrik nuk është votuar më nga shqiptarët, në masën 90%. 

Dhe pas kësaj PD e mbylli ciklin, përdori mjete e tjera, praktikisht përdori dhunën. Në momentet kur PD ka vdekur, e kam fjalën për ciklin, ka dalë prej saj nëpërmjet dhunës dhe tani është kthyer tek vetja. 

Shoqëria ka ndryshuar shumë dhe nuk e pranon më dhunën”, u shpreh Çupi.

Sipas publicistit, dhuna politike është njësoj si terrorizimi, vret 3 veta por frikëson 3 miliardë.

Tre ditë pas grabitjes së bujshme në Rinas, është ndaluar në Elbasan një person që dyshohet se ka lidhje me ngjarjen.

Mësohet se personi i ndaluar është me inicialet A.H, ish punonjës policie në Elbasan, përcjell ReportTv.

Ai dyshohet se ishte i përfshirë në grabitjen e bujshme në pistën e avionit të Rinasit.

Sipas informacioneve të para shtetasi me iniciale A.H dyshohet se është një nga 5 grabitësit e Rinasit.

Nga ekspertiza që është bërë rezulton se nga telefonatat që kanë bërë autorët ky ka komunikuar me ta dhe ka elementë të bashkëpunimit.

Rusia reagon pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se “Kosova është Shqipëri”. Përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, Kremlini e quan të papranueshme deklaratën e Ramës.

Rusia sipas saj nuk mund të rrijë pa folur, sidomos kur Rama, siç theksoi Zakharova, e bëri të qartë se Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk është një “plan B” por “një plan A”.

“Menduam se mbase nuk ishte përkthyer mirë deklarata e tij, ndaj e verifikuam disa herë. Kryeministri shqiptar e lidhi implementimin e këtij plani me diskutimet aktuale mbi korrigjimin e kufijve në kuadër të procesit të negociatave dhe arritjes së një marrëveshjeje finale mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne konsiderojmë se retorika të tilla janë krejtësisht të papranueshme. Kjo është një çështje që ka të bëjë me shkeljen e integritetit territorial të Serbisë dhe statusin e Rajonit Autonom të Kosovës”, u shpreh Zakharova.

Këtë ne e shohim si shkelje të rezolutës 1244 të Këshillit të sigurimit të OKB-së, vazhdoi zëdhënësja e cituar nga mediat serbe e ato kosovare, që më tej kërkoi edhe reagimin e Perëndimit për “plane të tilla gjeopolitike”.

Zakharova theksoi edhe një herë se pozicioni i Rusisë mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës, mbetet i pandryshuar

Deputetët e Partisë Socialiste kanë miratuar me votat e tyre projektligjet në rendin e ditës. 72 vota pro kanë marrë edhe dy vendime shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me strukturën e dy institucioneve të reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Projektligjet kanë kërkuar votim me shumicë të thjeshtë votash, të cilat mazhoranca socialiste i ka.

Ndonëse jashtë parlamentit opozita protestonte, në sallë deputetët e majtë kanë vazhduar të mbajnë fjalimet e tyre mbi projektligjet e parashikuara. Nuk kanë munguar edhe deklaratat për djegien e mandateve nga ana e opozitës. Ministrat dhe deputetët socialistë kanë nënvizuar se të gjithë ata demokratë që ndjehen të papërfaqësuar do të përfaqësohen nga Partia Socialiste në Kuvend dhe nga qeveria Rama. Mbledhja e konferencës së kryetarëve ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet të martën e ardhshme.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje sot partive të opozitës që të distancohen nga skenarët e dhunës që po përgatiten sipas saj për protestën e ditës së enjte.

Policia thotë se partitë do tentojnë të futen me forcë në sallën e Kuvendit.

Deklaratë e Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit në zbatim të ligjit “Për tubimet”, si dhe në mbështetje të së drejtës së organizmit të tubimeve paqësore të qytetarëve, ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës së njoftuar nga subjektet politike të opozitës, për datën 21 shkurt 2019.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si edhe paprekshmërinë e institucioneve gjatë kohës së zhvillimit të protestës.

Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë.

Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit, u bën apel në radhë të parë organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues. Po ashtu Policia e Shtetit u bën apel të gjithë atyre që duan të ushtrojnë nesër lirinë e tubimit dhe të drejtën e protestës, që të mos përfshihen në asnjë rast e për asnjë arsye në veprime të dënueshme ligjërisht.

Policia e Shtetit e siguron opinionin publik, se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune. Po ashtu, janë marrë të gjitha masat për identifikimin dhe skedimin e çdo individi që do të evidentohet si shkelës i ligjit, si edhe për ndalimin e për nxjerrjen e çdo shkelësi përpara drejtësisë.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për bllokimin e disa rrugëve që lidhen me vendin ku do zhvillohet protesta, si dhe për kontrollet e shtuara përgjatë akseve rrugore kombëtare, që ajo është e detyruar të zhvillojë, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe të vetë protestës.

Ftohen të gjithë qytetarët që kanë informacione me rëndësi, të kontaktojnë në anonimat në numrin e telefonit pa pagesë 112, ose në Komisariatin Dixhital.

Plani i Bashës dhe partive të tjera opozitare për të djegur mandatet ka mundësi të dështojë për shkak të një procedure ligjore të cilën nuk e kanë parashikuar.

Burime zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thanë se procedura e djegies së mandateve bëhet në këtë komision në mënyrë individuale dhe jo “en block” në bazë të Kodit Zgjedhor, shkruan shqiptarja.com.

Pra çdo deputet i opozitës duhet te paraqesë letrën e dorëheqjes në Kuvend. Kuvendi ka 30 dite kohë për të lajmëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

KQZ fillon zëvendësimin e deputetëve që lanë mandatin me kandidatët që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 duke i marrë një nga një sipas renditjes në lista për çdo qark.

Lista e Partisë Demokratike rezulton të jetë me 194 kandidatë, nga të cilët fituan vetëm 43, që do të thotë se ka 151 kandidatë që mund të zëvendësojnë 43 të ikurit.

Normalisht pjesa e sipërme e listës përbëhet nga kandidatë më besnikë të partisë që logjikisht do të respektojnë linjën e partisë, ndërsa pjesa e poshtme, shpesh mbushet nga partitë me figura dytësore.

Janë pikërisht disa nga këto figura që përballë rrethanave të paparashikueshme në momentin e kandidimit për të fituar një vend si deputet, mund të prishin planin e Bashës duke pranuar mandatin. Në këtë mënyrë, jo vetëm do të merrnin një rol politik dhe social që as nuk do ta kishin menduar, por edhe një rrogë mujore dhe një seri përfitimesh të tjera shumë të kënaqshme deri edhe një pension si deputet.

Edhe pse politikisht vendimi i Bashës vazhdon të ketë peshën e tij, praktikisht mund të ndodhë që Partia Demokratike të vazhdojë pa dashje të ketë në parlament përfaqësuesit e vet, duke i kthyer kështu legjitimitet formal Kuvendit.

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, ndryshe nga grupi parlamentar i kësaj partie, nuk mendon që të djegë mandatin e tij.

Në një intervistë për gazetën “Bulevard” në Durrës, Koka është shprehur se nuk ka asnjë motiv për të djegur mandatin.

“S’kam motiv për të djegur mandatin, por do të qëndroj në LSI”, ka deklaruar Koka.

Ai nuk ka qenë as në mbledhjen e grupit parlamentar të LSI-së nga i cili u mor vendimi për djegien e mandateve, gjë që e pranoi edhe Monika Kryemadhi.

Situata në LSI nuk është aq e qetë, pasi edhe disa deputetë të tjerë nuk kanë pranuar djegien e mandateve, por në fund i janë nënshtruar vullnetit të Kryemadhit.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas vendimit të djeshëm të Lulzim Bashës për t’i kërkuar grupit parlamentar të djathtë djegien e mandateve.

Në një intervistë për median italiane Corriere Della Sera, kreu i qeverisë thotë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe as ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Qeveria tranzitore, zgjedhjet e parakohshme dhe një parlament i ri i dalë nga këto zgjedhje janë kërkesat që opozita e bashkuar parashtroi edhe në protestën e së shtunës para kryeministrisë, e cila degjeneroi në dhunë.

Për gazetarin italo-shqiptar, Leonard Berberi, Rama thotë se Kuvendi e ka shumicën e garantuar, dhe se përfaqësuesit e mazhorancës janë të zgjedhur nga vota popullore.

Kontratën e ka me shqiptarët që  e kanë votuar – shprehet Rama – i cili thekson se do ta respektojë atë deri në fund.

Intervistën e plotë mund ta lexoni KETU