Bardhyl Mahmuti-Iniciativa serbe për krijimin e të ashtuquajturit “Mini-Shengenin e Ballkanit Perëndimor” ka qëllim diametralisht të kundërt me parimet e BE-së për krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë të shteteve të kësaj pjese të Evropës ku do të sigurohej lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave, e shërbimeve dhe e kapitalit.

Vetëm disa ditë pas takimit të tretë, të mbajtur në Tiranë, të Aleksandar Vuçiqit, Edi Ramës dhe Zoran Zaevit, ku ishte ftuar edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, forcat politike në Mal të Zi, që janë nën dirigjimin e Beogradit njëlloj si Lista Serbe në Kosovë, u ndërmorën aksione të shumta me qëllim të destabilizonin këtë vend. Aksionet e orkestruara nga shteti serb nuk u kufizuan vetëm në territorin e Malit të Zi, por më 2 janar të këtij viti, ata sulmuan ambasadën e Malit të Zi në Beograd.

Të rikujtojmë se në tetor të vitit 2016, me qëllim parandalimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, Serbia, struktura serbo-ruse u përpoq të organizonin grusht shtet në këtë vend. Në procesin gjyqësor kundër pjesëtarëve që ishin të përfshirë në këtë komplot, Aleksanar Singjeliq pranoi publikisht se oficerët rus Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov i kishin dhënë “katër herë 25 mijë euro dhe dy herë nga 50 mijë euro” për qëllimet e lartpërmendura.

Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov u dënuan në mungesë me 15, përkatësisht 12 vjet heqje lirie. Ndërkaq 12 pjesëtarët e tjerë të grupit u dënuan me dënime të larta heqje lirie.

Zhvillimet në Mal të Zi ilustrojnë në mënyrën më të mirë të mundshme logjikën që mbretëron në Serbi, kur bëhet fjalë për shtet e saja fqinje. Për Serbinë vlerat europiane të lëvizjes së lirë të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitalit shihen si mundësi për të realizuar projekte që janë në kundërshtim me vlerat europiane. Nëpërmjet marrëveshjeve që priten të nënshkruhen në Beograd gjatë muajit janar 2020, Serbia synon të sigurojë mundësinë e lëvizjes së papenguar të njerëzve të caktuar me misione politike, veprimtarinë e papenguar të shërbimeve sekrete ruso-serbe, futjes së papenguar të “mallrave” të caktuara dhe “qarkullimin e kapitalit” të “Shishmakovëve”, të “Popovëve” dhe të popëve të tjerë për të destabilizuar tërë rajonin. “Mini-Shengeni” serb ka vetëm këtë qëllim.

Nga Edi Rama -Dua të flas për Shengenin Rajonal, si një nga prioritetet tona dhe nuk e fsheh dot që më kanë lënduar shumë miq kosovarë, ndjekës të kësaj faqeje, as nuk mundem dot të rri pa ju thënë si fillim, se unë, për asnjë çmim, në asnjë rast dhe për asgjë në këtë botë, nuk e tradhtoj popullin tim, vendin tim, njerëzit e mi. Dhe kur unë them popullin tim, nuk kam parasysh vetëm popullin e Shqipërisë po edhe të Kosovës; kur them vendin tim, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë po edhe Kosovën; kur them njerëzit e mi, nuk kam parasysh vetëm shqiptarët në Shqipëri, po edhe shqiptarët në Kosovë.

Unë tradhtar, o motra e vëllezër nga Kosova? Po si, kur, pse dhe për cilën arsye tjetër në botë përveç arsyes së mosarsyes të atyre që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë të vërtetat e thjeshta të një procesi publik, transparent, politik e ndërkombëtar, të nisur këtu e pesë vjet më parë! Me sa duket të tjerët kanë një zotësi që unë nuk e kam dhe dinë ta luajnë me sukses publik, rolin për mua të neveritshëm të mëmëdhetarit të flaktë, të patriotit të përvëluar, të shqiptarit që digjet për flamur e vret për atdhe, thjesht sapo flitet për shkjaun.

E di që momenti është gjithnjë me ta, kur luhet me emocione e me rrena patriotike) dhe kur plagët e paharrueshme të së shkuarës, preken djallëzisht për të ndezur zjarrin verbues në sytë e njerëzve të prekur nga e shkuara tragjike. Por koha jo, kona nuk është me ta, koha është me të drejtën dhe me të vërtetat që mund të mbulohen apo të deformohen përkohësisht, po kurrësesi nuk mund të treten e të zhbëhen.

Shengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse mesa duket kur vjen puna tek bashkimi i forcave për ta qeverisur Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri. Po shyqyr që janë të bashkuar bukur mirë madje, pa dallim partie e madje edhe me do ustallarë në Tiranë, për ta hedhur Kosovën kundër “vëllaut të Vuqiqit” në Shqipëri, duke i’a prishur gjakun dhe errur sytë njerëzve në Kosovë, me dokrra patetike e me rrena patriotike. Shengeni Rajonal nuk është as një plan serb për të pushtuar ekonomikisht rajonin, siç thonë disa që Kosovën e kanë fushë për lojën e tyre politike, teksa Kosovës po i’a marrin fytyrën e po i’a tresin respektin në sytë e miqve të paçmueshëm amerikanë dhe europianë, pa të cilët shteti i Kosovës nuk do të kishte lindur dot kurrë. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme, se sa t’i dëgjosh ata miq pazëvendësueshëm, të thonë se sot politikanët në Kosovë, dinë çka duan për vete, po nuk dinë çfarë duan për Kosovën!

Shengeni Rajonal nuk është jo e jo, mos e dhëntë kurrë Zoti i shqiptarëve, as ndonjë program a marrëveshje për të amnistuar krimet e regjimit gjakatar të Milosheviçit. Për të harruar Reçakun. Për të pafajësuar agresorin e djeshëm, e për të ndaluar betejën politike me Serbinë për pranimin e realitetit dhe njohjen e Kosovës shtet sovran. Kush i thotë këto e shumë poshtërsi të tjera të këtij rendi, ku hyn edhe poshtërsia e madhe që unë paskam dashur të ndaj Kosovën, ose është krejt i paaftë për ta çuar përpara me sukses betejën politike me Serbinë ose është krejt i nginjur me çka ka përfituar prej Kosovës dhe s’do më hiç, asnjë dhimbje koke për të ardhmen e popullit, se të vetën mbase e ka siguruar ndoshta për shtatë breza. Ose edhe të dyja bashkë ndërsa kush u beson atyre që e mbushin ajrin mes nesh, me këtë soj helmi patriotik, gabon.

Shengeni Rajonal është një domosdoshmëri historike sot, kur beteja jonë por jo vetëm e jona, shqiptarëve por krejt vendeve të këtij rajoni, është zgjerimi i hapësirës së lirisë së lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet e kapitalet. Veç ata që s’duan ta shohin a s’dinë të lexojnë, nuk e kuptojnë se Shengeni Rajonal është rruga e vetme për Shqipërinë e për Kosovën, që të thyejmë barrierën kufitare mesveti dhe të garantojmë liri të plotë lëvizjeje mes të dyja të shteteve, për njerëzit, për mallrat, shërbimet e kapitalet. Shengeni Rajonal nuk sjell asgjë të re në aspektin e marrëdhënieve politike mes Serbisë e Kosovës dhe as në aspektin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë e Serbisë, në raport me Kosovën. Qëndrimi ynë në këtë drejtim as ka lëvizur, as nuk lëviz. Ne jemi një dhe kemi të njëjtin qëndrim. Pikë.

Unë besoj fort se Shengeni Rajonal, jo vetëm nuk e dëmton Kosovën në betejën politike me Serbinë, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, të drejtë e të plotë për njohjen saj nga Serbia po përkundrazi, e ndihmon. Kush ndër zotërinjtë që i fryjnë këtij zjarri kundërshtie është kundër Shengenit Rajonal, sepse parasheh pasoja ekonomike negative për Shqipërinë e për Kosovën, thjesht nuk di çfarë flet. Ndërsa kush është kundër Shengenit Rajonal, për shkak të së shkuarës duhet pyetur se si e ndihmoka Kosovën, vetëpërjashtimi nga një nisëm që ka të paktën pesë vjet, që diskutohet dhe dakordësohet përgjatë procesit të Berlinit, ku Kosova ka qenë gjithnjë e pranishme në nivelin më të lartë e ka qenë gjithnjë dakord në tryezë?

Ne, Shqipëria, kemi arritur ta bindim Serbinë, po po, unë kam arritur ta bind Presidentin e Serbisë, që as të mos e kushtëzojë tryezën me asgjë që na ndan ne me Serbinë për Kosovën dhe që e ndan Kosovën me Serbinë, as të mos pretendojë që Shqipëria dhe Kosova, të mos e bëjnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë të njerëzve e të mallrave në kufi, në rast se Kosova nuk pranon të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë në të njëjtën kohë. Ditën që Serbia nuk do t’i qëndronte kësaj pike themelore, s’do kishte më tryezë ku Shqipëria të merrte pjesë për këtë proces.

Kjo do të thotë që Shengeni Rajonal na jep ne, Shqipërisë dhe Kosovës mundësinë të bëjmë atë që nuk e kemi bërë dot për vite të tëra, sepse jo vetëm Serbia, po as Uashingtoni e Brukseli nuk na e kanë lejuar kurrsesi, madje na janë hedhur në fyt sa herë e kemi përmendur: Hapjen e kufirit mes nesh dhe krijimin e një zone të vetme ekonomike. Tani ndjesë po nëse flasim me argumente e jo me emocione, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument të vetëm racional kundër këtij projekti rajonal të mbështetur pa rezervë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ashtu sikundër ende nuk e kam gjetur në historinë e post-konflikteve të përgjakshme, në Europë e nëpër botë, ndonjë rast kur arritja e paqes ka ardhur me retorikën e luftës e me të sjellurit si në luftë, vite të tëra pasi lufta ka mbaruar e armët i’a kanë lënë vendin politikës dhe diplomacisë.

Bashkimi Europian vitin e ardhshëm do të vendosë 1.2 miliardë euro në mbështetje të bashkëpunimit rajonal. Po edhe pa këtë, rritja e bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrja e të dyja shteteve shqiptare në këtë dimension të ri bashkëpunimi, është një premisë më shumë që të rritet jo vetëm ekonomia e vendeve tona, por që të përmirësohet edhe klima e përgjithshme e të krijohen kushte më të favorshme për vetë dialogun mes Kosovës e Serbisë. Madje unë personalisht as nuk e dyshoj fare, se sa më shumë ne të përfshihemi, së bashku, Shqipëri e Kosovë, në dimensionin rajonal, aq më shumë fuqizojmë dimensionin e realitetit tonë ndërkombëtarisht edhe në sytë e Serbisë dhe aq më shumë ndihmojmë veten, në rrugën drejt njohjes së plotë e përfundimtare të Kosovës nga të gjithë.

Siç e thashë në fillim, ne nuk kemi kohë për të humbur në asnjë drejtim. Tërmeti ishte një shtysë e fortë për të gjithë ne, që të prodhojmë më shumë energji pozitive e të shpenzojmë më pak energji negative. Mundësitë janë të gjitha për t’u shfrytëzuar, jo për t’u humbur dhe asnjë mundësi për të zgjeruar rrugën e të ardhmes, nuk mund të humbet në emër të së shkuarës”, tha Rama.

Bedri Zenel Islami-Si duket, koalicioni aq i pritur deri më tani për qeverisjen e Kosovës, mes VV të prirë nga Albin Kurti dhe LDK-së së Isa Mustafës, do të ketë vështërsi të mëdha, të cilat , edhe pse duken se kanë të bëjnë thjeshtë me postin e presidentit, janë shumë më tepër se kaq.

Një koalicion që mund të krijohej , më shumë nga inati se nga arsyeja, nuk paska qenë edhe aq i lehtë. Probleme të mëdha, të vjetra e të reja, që ishin e janë mes tyre, po rizgjohen./

Mendimi politik i shpallur i Kurtit është ndryshe në dsa raste dhe e kundërt në shumë raste të tjera me mendimin politik të LDK-së.

Fillesat e dy forcave politike janë të ndryshme, devotshmëria është e ndryshme, sprova në pushtet është, po ashtu , e ndryshme.

VV është një forcë politike militante, ku janë në shumicë të rinjtë dhe shumë prej tyre vijnë nga familje me një traditë të njohur çlirimtare.

LDK është një forcë politike oportuniste, ku në shumicë ishin të ardhur nga Lidhja Komuniste e Kosovës dhe ku vizioni dhe idetë jan shndrruar në pazare politike.

Por, e gjitha është çështje e forcave politike, të cilat kishin përballë tyre një qeveri që duhej larguar dhe e larguan, por, si duket, pa mundur të formojnë një qeveri të veten.

Kurti paralajmëron, si është pritur , se qeverinë e re nuk e mandaton dhe as nuk e pret rrugëhapjen nga presidenti, por nga LDK-ja.

isa Mustafa i kthen përgjigjen ekuivoke, ” bëje qeverinë nëse ke numrat”, por votat nuk ka ndër mend të ia delegojë.

Presidenti i Kosovës, Thaçi, i bën ftesë dy herë në një ditë liderit që ka fizuar zgjedhjet dhe pritet të jetë shefi i qeverisë sëardhshme dhe , ai futet në lojë.

Njeriu që bëjnë sikur nuk e llogaritin dhe për vendin e të cilit duket se po prishen ujditë, e njeh lojën e filluar dhe, nuk do të habitesha, nëse pas murit të lojës, është vetë ai.

Kurti nuk mund të bëjë asgjë, as qeveri, as pushtet, as të realizojë idetë e tij , nëse kabineti i tij nuk kalon në parlamentin e Kosovës. Kështu si janë punët, nuk do të kalojë.

tre muaj pas votimeve figura e tij nuk është më e para…loja përtej saj ka ndikuar në imazh dhe kjo nuk po ndodh rastësisht.

Kërkesa e VV për numërimin e votave të ardhura nga Serbia , po ashtu, nuk është shenjë e mirë në mendimin politik të shqiptarëve të Kosovës. Duket si një shenjë kompromisi.

Nga ana tjetër, LDK-ja, e dyta, me një deputet më pak, e njeh lojën e Thaçit, se ka qenë vetë pjesë. I shton edhe lojën e saj që rrugë ka përtej Kosovës dhe bën bllokadën e saj.

VV tregoi një akt force – zgjodhi kryetarin e parlamentit. Konjufca është emër i mirë, babai i Glaukut, Sherif Konjufca është ndër atdhetarët e njohur në Kosovë, por kjo nuk do të thotë se ishte zgjidhja më e mirë e mundshme. I hap rrugë pazareve të tjera, po aq sa sjell në skenë presidentin. Jo më kot ai ftoi Kurtin për të nisur mandatimin. Në 15 ditë Kurti ose do të dështoj , ose do të bëjë lëshime të mëdha në krijimin e qeverisë.

Në rastin e parë do të jetë përsëri në opozitë.

Në rastin e dytë do të humbë shumë nga idealizmi i tij.

Të vjetrit thonin dikur: ” Mos e thaj burimin e vjetër, pa të nxjerrë ujë burimi i ri”.

Kurti i mbylli të gjithë rrugët e tjera, duke menduar se LDK ishte rrugë e mirë.

Është shpejt për t’u penduar, por më mirë tani se shumë më vonë.

Paternalizmi në politikë është i dëmshëm.

Njeriu që nuk e llogarit kundërshtarin e tij, shpejt do e kuptojë se ka nxituar.

Të gjithë po shpejtojnë drejt presidencës dhe, duke shpejtuar, harrojnë se njeriu që është atje, sa do i prapshtë të jetë, nuk e ka ndër mend të ikë pa e luajtur lojën e tij.

Bardhyl Mahmuti-Në samitet që u mbajtën në Berlin (28 gusht 2014), në Vjenë (27 gusht 2015), në Parisi (4 korrik 2016) dhe në Trieste (13 korrik 2017) përfaqësuesit më eminent të BE-së u përpoqën të mbanin të hapur perspektivën evropiane për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjën.

Është plotësisht e vërtetë se në përputhje me nivelin e takimeve, në të gjitha këto samite shteti i Kosovës është përfaqësuar me udhëheqësit e institucioneve të veta.

Në të gjitha këto takime u tha në mënyrën më të qartë të mundshme se “ardhmëria e shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është investim strategjik për paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet të Europës në tërësi”. Nga ky këndvështrim, “ata përshëndetën angazhimet që shtetet e Ballkanit Perëndimor të promovojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë regjional”.

Pjesëmarrja  përfaqësuesve të institucioneve të shtetit të Kosovës në këto takime ka qenë në përputhje të plotë me orientimet politike të vendit tonë për integrim në BE. Të përmenden “darkat dhe drekat që udhëheqësit e Kosovës paskëshin ngrënë me përfaqësuesit e Serbisë gjatë këtyre takimeve”, ashtu siç bën z. Edi Rama dhe tellallët e tij /gazetarë që janë futur në paketën e “ligjit antishpifje”, janë manipulim i neveritshëm. Të gjithë ata që përmendin takimet paraprake, të udhëhequra nga BE-ja, dhe fajësojnë udhëheqësit e Kosovës se gjoja “kanë futur vendin në rrugë qorre dhe kanë izoluar Kosovën” pse nuk morën pjesë në tri takimet e “Mini-Shengenit” serb, janë vënë në shërbim të fshehjes së realitetit dhe përhapjes së gënjeshtrave.

Përhapja e gënjeshtrave dhe fajësimi i udhëheqësve të Kosovës për mospjesëmarrje në takimet që nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e filluar nga BE-ja nuk është asgjë tjetër pos strategji e shfajësimit të palës serbe.

E vërteta qëndron në faktin se iniciativat e BE-së për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor u minuan nga serbët e Bosnjës. Të rikujtojmë se edhe gazetarët që sot hungërojnë kundër “hipokrizisë së politikanëve të Kosovës”, më 6 korrik të vitit 2019 publikuan lajmin se “Për shkak të ‘ftesës denigruese’, Thaçi refuzon ftesën e Dodik për në Samitin e Sarajevës”. Në shkrimet që publikuan këtë lajm thuhet në mënyrë të qartë se “kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik ka thënë se Hashim Thaçi nuk është ftuar në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që do të mbahet në Banja Llukë, por si përfaqësues i Prishtinës” dhe se “Dodik ia ka bërë të qartë Hashim Thaçit se ai duhet të kuptojë që Kosova është pjesë e Serbisë”.

Nuk ka turp më të madh sesa të fshihet ky fakt dhe të fajësohen udhëheqësit e Kosovës pse nuk marrin pjesë në takime të tilla.

As z. Edi Rama e as tellallët e tij nuk mund ta fshehin faktin se refuzimi i pjesëmarrjes në këtë samit nuk ishte futje e “Kosovës në rrugë qorre” nga ana e udhëheqësve të Kosovës, por qëndrim në përputhje të plotë me interesat e shtetit të pavarur të Kosovës. Të mos harrojmë se në atë kohë, edhe Kryeministri i Shqipërisë e refuzoi pjesëmarrjen në samitin e Banja Llukës dhe për këtë veprim askush nuk e akuzoi z. Edi Rama se “po e futë Shqipërinë në rrugë qorre”. Përkundrazi! Solidarizimi me Kosovën ngjalli një simpati të madhe te qytetarët e Kosovës.

Në të njëjtën periudhë kohore kur kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik i kujtonte Hashim Thaçit se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe e ftonte të merrte pjesë në samitin e Banja Llukës “si qytetar i Prishtinës”, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev doli me qëndrime të njëjta. Në intervistën dhënë “Kurir TV” të Serbisë, Zoran Zaevi mohoi gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët, deklaroi se gjoja “Kosova është zemra e Serbisë dhe se aty është historia e Serbisë” dhe përsëriti qëndrimin e vet kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Në përputhje të plotë me pikëpamjet e lartpërmendura, më 24 dhjetor 2019 Zoran Zaev deklaroi: “Kosova mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbinë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë”.

Ndryshimi i rregullave të lojës që ishin vendosur nga BE-ja dhe përpjekja për t’i imponuar Kosovës kushte të papranueshme është njëra anë e medaljes. Anën tjetër të medaljes e përbëjnë përpjekjet ruso-serbe për grusht-shtet në Mal të Zi dhe mbështetja e forcave maqedonase që janë kundër BE-së dhe kundër NATO-s. Strategji ruse ka për qëllim të krijojë zonën e saj të influencës në këtë pjesë të Europës Juglindore dhe ta kthejë në digë kundër BE-së dhe NATO-s.

Takimet në Novi Sad, në Ohër dhe në Durrës nuk janë vazhdimësi e samiteve që u mbajtën në Berlin, në Vjenë, në Parisi apo në Trieste. Madje edhe vetë z. Edi Rama e titullon publikimin si “Takimi i 3-të Rajonal për Ballkanin Perëndimor”.

Takimet që filluan në Serbi dhe që do të përmbyllen në Serbi nuk janë asgjë tjetër pos një ambalazh i ri i projekteve të vjetra. Për këtë veprim që nuk ka përkrahjen e fuqive të mëdha të BE-së dhe të SHBA-ve, në intervistën ekskluzive për emisionin “Stav” të TV O2, të datës 23 dhjetor 2019, Aleksandar Vuçiq deklaroi se “Edi Rama ka treguar një guxim që rrallë shihet te politikanët ballkanas. Unë e di sesa është e rrezikshme dhe aspak naive kur u kundërvihesh të mëdhenjve evropianë apo të tjerë”.

“Kushdo qoftë që e ka përmendur apo kërkuar bashkimin të Ballkanit dhe të ballkanasve, ai e ka pësuar. Edhe mbreti Alekdandar edhe Svetozar Markoviqi e kanë pësuar në mënyra të ndryshme (…) Mbreti Aleksandar Karagjorgjeviq ka qenë një njeri mjaft i dijshëm dhe jashtëzakonisht i guximshëm. E akuzojnë se ka vendosur diktaturën në kohën kur e ka shpëtuar shtetin që e ka formuar dhe ka mbrojtur të drejtën e serbëve që të jetojnë në një shtet. Ka rrëfimet, për të cilat nuk kemi fakte, se Zhorzh Klemanso (Georges Clemenceau) i ka thënë që ta vizatojë deri ku është Serbia e Madhe dhe ta marrë atë territor. Edhe pse një gjë e tillë nuk dëshmohet me asgjë, shumica e serbëve kanë qëndrim negativ ndaj mbretit Aleksandar Gjorgjeviq, pikërisht për këtë arsye. Ka qenë plotësisht e qartë se ka qenë e vetmja formë shtetërore që ka mundur të krijohet, ku serbët do të jetonin në një shtet. Dhe për herë të parë një gjë të tillë ka arritur ta bëjë mbreti Aleksandar së bashku me serbët e asaj ana të Drinës dhe të Danubit (…). Dhe për atë e ka vrarë organizata ku kanë qenë ustashët si Ante Paveliqi, VMRO-ja por bullgare e Vlado Çernozemskit, shërbimet sekrete italiane, angleze dhe të vendeve të tjera. Si ka mundur të jetë i keq për Serbinë kur të gjithë kanë dashur ta likuidojnë?!”.

Në ndërhyrjen e gazetarit Milovan Jovanoviq se “kritikuesit e Mini-Shengenit thonë se ky projekt parasheh krijimin e Jugosllavisë së Re, në Prishtinë flitet se po bëhet Serbia e Madhe, ndërkaq në Serbi thonë se je duke bërë Shqipërinë e Madhe” Aleksandar Vuçiq deklaron në formë sarkastike: “Të gjithë e kanë kuptuar! Mendoj se ajo është mirënjohja më e mirë për iniciativën tonë”.

Po, po! Në Kosovë të gjithë  kanë kuptuar se në kohën kur shteti serb u heq nënshtetësinë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjes, me qëllim që t’i shpallë si apatrid, presidenti serb Aleksandar, njëlloj si dikur mbreti serb Aleksandar, përpiqet të heq kufijtë e shteteve përreth, që serbët të jetojnë në një shtet. Në këtë kontekst, z. Edi Rama duhet të sqarojë pse pranoi të shkonte në takimin e Novi-Sadit në Serbi, atje ku nuk ishte ftuar Kosova, dhe pse ka pranuar të bëhet tellall i një projekti që Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë.

Aleksandar Vuçiq sqaroi qëllimet politike të “Mini-Shengenit” serb. Ndërkaq, propaganda për krijimin e të ashtuquajturës “zonë e lirë e qarkullimit të kapitalit” nuk është asgjë tjetër, pos zhurmë për të fshehur qëllimin e vërtetë të krijimit të një “zone” ku do të qarkullojnë lirshëm paratë e pista, ku “kapitali” i grumbulluar nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni do të shitet si “investim i jashtëm”.

ATYRE QË U BËNË BAJAT duke sharë e mallkuar pa hesap këtu këto ditë, në emër të Kosovës sipas tyre, dy fjalë po u them:
Më së pari, sinqerisht uroj edhe për ju gëzuar Krishtlindjet e Vitin e Ri!
Ju kam ndjekur me keqardhje në rrekjen tuaj, për të më kryqëzuar si “tradhëtar”, “të shitur”, “bërllog”, madje “qen i keq” e bile edhe “djall” dhe çfarëdo tjetër gjuhës suaj, lëshuar pa fre i ka ardhur për mbarë. Faleminderit!
Tani një pyetje po ju bëj, si “vëllau i Vuqiqit”, juve o “atdhetarë”, që atdheun e dini në këto raste thikë në majë të gjuhës, për të prerë dhe mundësisht për të vrarë:
Si mendoni Ju, “vëllaut tim” serb i pëlqen më shumë që Kosova të vijë në tryezë a të mos vijë?
Ju’a them unë që mos lodheni ta mendoni: Të mos vijë fare!
Sepse duke mos ardhur në tryezë Kosova nuk flet dot, nuk dëgjohet dot, nuk ndikon dot dhe as nuk fiton dot asgjë! Ndërsa piskamat Tuaja ndaj meje, i dëgjoj unë jo ai! Madje askush tjetër, as Shtetet e Bashkuara e as Bashkimi Europian, që e mbështesin pa rezervë atë tryezë dhe e duan Kosovën bashkë me të gjithë në tryezë, nuk i dëgjojnë ato piskama dhe hiç aspak mirë nuk mendojnë për mungesën e Kosovës.
Mua mallkimet e ofendimet Tuaja, sado Ju të hidheni përpjetë, nuk më bëjnë dot as tradhëtar e as Esat Pashë, ashtu sikundër lëvdatat e komplimentat në raste të tjera, nuk më bëjnë hiç asfare, as hero e as Ismail Qemal! Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe e thashë mu në Pallatin e Serbisë, shqip, atë që mendoja e që mendoj sot e gjithë ditën për Kosovën. Kosova është shtet sovran dhe Serbia duhet ta njohë si shtet, sepse është edhe në të mirën e saj të çlirohet nga fantazmat e të shkuarës. Pikë!
Kur u nisa atëherë për Beograd nuk latë fjalë të ulët pa më thënë. Kur u ktheva nga Beogradi, nuk latë lëvdatë të tepërt pa më dhënë. Po për mua ishte njësoj, sepse unë isha i njëjti edhe kur shkova edhe kur u ktheva, siç jam edhe sot. E njësoj si atëherë edhe sot, unë bëj atë që kam bindje se është e drejtë për vendin e për kombin tonë. Thjesht si shqiptar jo si hero, as si tradhëtar jo e jo!
Lëvdatat e sharjet e rastit, nga një vesh më hyjnë e nga tjetri më dalin të them të drejtën. Jam mësuar me to dhe e di mirë që koha dhe historia nuk lexojnë gazeta e portale, as nuk ndikohen nga analistë e nga rrjete sociale. Dhe koha e historia do të flasin nesër drejtë, e do t’u japin hakun të drejtëve dhe të shtrembërve të sotëm. Të tjerat janë llafe të sotme që i merr era e nesërme.

Deri dje, pa u hapur ky proces që sharjet, mallkimet e fabrikimet harrojeni se e ndalin, Shqipëria dhe Kosova s’kishin asnjë shans që ta hapnin kufirin mes tyre. Zero! Sot kjo është një mundësi reale pikërisht sepse edhe “vëllau serb”, siç e quani ju Presidentin e Serbisë, kur kujtoni se po më qëlloni për vdekje me gjuhën e bërë thikë, e ka pranuar lirinë e lëvizjes së njerëzve në rajon si një prej qëllimeve madhore të tryezës. Pa kushte! Që do të thotë se kur ne të hapim kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, nuk ngrihet dot as ai dhe as kushdoqoftë tjetër, të verë kujën për rrezikun e “Shqipërisë së madhe”.

Kur të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të ulemi në tryezë për të vijuar bashkëpunimin, tash po e shihni vetë çka sot po ju’a shpjegoj e rishpjegoj më kot, duke marrë mbrapsht ato që hidhni mbi mua kot më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju.
Sot e lemë me kaq, se është ditë Krishtlindjesh dhe po e mbyll me një përqafim për të gjithë ju nga unë, që vëllazërisht ju uroj çdo të mirë me këdo ju do zemra, e sa më shumë dritë në shpirt e në mendje secilit prej jush, për veten e për Kosovën dhe krejt kombin tonë natyrisht

Nga Bardhyl Mahmuti– Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev përgënjeshtrojnë Edi Ramën: “Europa nuk e përkrah “Mini-Shengenin”, ndërsa Kosova nuk është ftuar si shtet i pavarur”

Për të fshehur të vërtetën, se zanafilla dhe takimet e të ashtuquajturit “Mini-Shengen Ballkanik” nuk janë asgjë tjetër, pos THIKË PAS SHPINE Kosovës, në konferencën me gazetarë që pasoi takimin me Aleksandar Vuçiq, Zoran Zaev dhe Milo Gjukanoviq në Tiranë, z. Edi Rama u kujtoi gazetarëve, se në të kaluarën “udhëheqësit e Kosovës kanë ngrënë dhe kanë pirë nëpër tryeza, darka e dreka pune, me palën serbe”. Më tej vazhdoi deklaratën: “Në kohën që SHBA-ja dhe i gjithë Bashkimi Europian sot janë këtu në tryezë, së bashku me të gjithë të pranishmit, Kosova mungon. Nuk mungon sepse nuk është ftuar, nuk mungon sepse unë apo ne këtu kemi ndryshuar ndonjë qasje apo opinion në raport me të drejtën e saj të pamohueshme për të qenë e njohur edhe nga Serbia dhe nga të gjithë, por mungon, sepse ka hyrë në një rrugë qorre, në një rrugë pa rrugë, dhe prej disa kohësh po i bie vetes, po humb respekt, po humb mbështetje dhe po humb reputacion”. Për të plotësuar mozaikun e tablosë së konstruktuar nga ai, z. Edi Rama u kujton gazetarëve, se në të kaluarën “udhëheqësit e Kosovës kanë ngrënë dhe kanë pirë nëpër tryeza, darka e dreka pune, me palën serbe”.

Dy ditë pas gënjeshtrave, që kanë për qëllim të fshehin të vërtetën dhe të fajësojnë Kosovën pse refuzon të luajë ritmin e valles së njohur serbe “Zhikino Kollo”, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nxori në shesh një pjesë të së vërtetës.

Në intervistën ekskluzive për emisionin “Stav” të TV O2, të datës 23 dhjetor 2019, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera, deklaroi: “Nuk kemi përkrahjen e shteteve më të fuqishme europiane për “Mini-Shengenin”, sepse europianët nuk dëshirojnë t’i shohin ballkanasit që të përcaktojnë vetë fatin e tyre; ata gjithmonë dëshirojnë të jenë tutorë (…)”. Edhe pse në Serbi akuzohet se ka krijuar “Shqipërinë e Madhe”, ai konsideron se “mirënjohja më e madhe për “Mini-Shengenin” është ajo, që në Prishtinë e akuzojnë se ka krijuar Serbinë e Madhe”. Në fund, Aleksandar Vuçiq shprehet i lumtur, që “është duke ndërtuar një hapësirë ekonomike, në të cilën ndërmarrjet serbe do të punojnë pa u penguar”.

Deklaratat diametralisht të kundërta nxjerrin në shesh, se dikush është duke gënjyer sa i përket përkrahjes europiane për “Mini-Shengenin Ballkanik”. Të shohim nëse z. Edi Rama do ta akuzojë presidentin serb për “gënjeshtar dhe të paditur klasik”, apo do të pranojë që gënjeshtra për gjoja përkrahje europiane të “Mini-Shengenit” është sajesë e të “gjithëdijshmit” Edi Rama. Sidoqoftë, përpjekjet e z. Edi Rama për të ironizuar me “darka e dreka” praninë e udhëheqësve të institucioneve të shtetit të Kosovës në takimet ku kanë qenë edhe përfaqësues të shtetit serb, pa përmendur faktin se ato takime janë mbajtur me ndërmjetësimin ndërkombëtar, nuk janë asgjë tjetër, pos përpjekje “moderne” për të ambalazhuar “gënjeshtrën klasike”. Nëse z. Edi Rama dëshiron të luajë rolin e naivit, atëherë duhet të ketë të qartë një gjë, njëherë e përgjithmonë: në Kosovë e njohin fare mirë gjenezën e idesë “Ballkani-ballkanasve” dhe akuzat e stilit, se gjoja “shtetet e Perëndimit dëshirojnë të luajnë rolin e tutorit në Ballkan”. Udhëheqësit e Kosovës kanë pranuar të ulen ballë për ballë me përfaqësuesit e Serbisë vetëm me ndërmjetësimin e shteteve të demokracive perëndimore, që ndërhynë për të ndërprerë barbarinë serbe në Kosovë. Përndryshe, pa ndërmjetësimin e tyre, është tërësisht e papranueshme ulja në tavolinë me ata që nuk dëshirojnë ta shohin se Kosovën dhe Serbinë i ndan një hendek i madh, i mbushur me eshtra fëmijësh, grash, pleqsh, plakash dhe shqiptarësh të moshave të ndryshme, që u vranë gjatë gjenocidit që shteti serb kreu në Kosovë; Kosovën dhe Serbinë i ndan një hendek i mbushur me tmerret e mbi 20 mijë femrave shqiptare, që përjetuan dhunën seksuale; Kosovën dhe Serbinë i ndan një hendek i madh vuajtjesh të rreth 1 milion shqiptarëve, që u poshtëruan dhe u dëbuan gjatë zbatimit të spastrimit etnik, si formë specifike e gjenocidit.

Urat e mirëfillta për ardhmërinë e kësaj pjese të Europës mund të ndërtohen vetëm nga gurët e shtëpive të rrënuara, që bartin me vete ngjyrat e tmerrit që përjetoi populli shqiptar i Kosovës. Vetëm ura të kësaj natyre, që nuk harrojnë viktimat e gjenocidit, mund të ngjallin shpresa se historia në dimensionin e saj tragjik nuk do të përsëritet kurrë.

NË “MINI-SHENGENIN BALLKANIK” KOSOVA NUK ËSHTË FTUAR SI SHTET I PAVARUR

Reagimet e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kundër nismës rajonale pa praninë e Kosovës, e detyruan Zoran Zaevin të nxjerrë në shesh se në çfarë cilësie ftohet Kosova në këto takime. Në deklaratën e tij të 24 dhjetorit, kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, deklaroi: “Kosova mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbinë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë”.

Edi Rama dhe Zoran Zaevi duhet ta dinë, se Kosova nuk është “pjesë e një problemi të pazgjidhur”, por është shtet i pavarur dhe i njohur nga shumica dërmuese e shteteve të Bashkimit Europian dhe të Kombeve të Bashkuara, në mesin e të cilave është edhe Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë Veriore (në atë kohë me emër tjetër).

Nuk mund të ketë fyerje më të madhe për shtetin e pavarur të Kosovës, sesa kur ftohet në cilësinë e një vendi që është gjoja “pjesë e një  problemi të pazgjidhur me Serbinë”. Edhe më e rëndë është akuza e z. Edi Rama, se gjoja “Kosova mungon në takime të tilla, sepse ka hyrë në një rrugë qorre, në një rrugë pa rrugë”. E vërteta është krejt ndryshe nga gënjeshtrat që përhap z. Edi Rama: qëndrimi i Kosovës që të mos futet në “rrugë qorre dhe në rrugë pa rrugë”, të cilën e kanë trasuar Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Soros dhe sorrat e llojit të tyre, është vendimi më i mirë për t’u mbrojtur nga thikat pas shpine. Kosovës nuk i duhet “respekti” apo “mbështetja” e atyre që e ftojnë në marrëveshje, ku heqja e kufijve, praktikisht, do të legjitimonte preambulën e Kushtetutës së Serbisë, në të cilën Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë.

Kosova nuk do të sakrifikojë ambiciet për t’u integruar në Bashkimin Europian, për “mini”-projektet, ku Kosova shihet si pjesë e problemeve që vazhdon t’i sajojë Serbia.

Bardhyl Mahmuti-Mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë!

Gjatë takimit me Aleksandar Vuçiq, Zoran Zajev dhe Milo Gjukanoviq dhe në konferencën me gazetarë që pasoi këtë takim, z. Edi Rama i quajti udhëheqësit e Kosovës “të paditur klasikë, që e kanë futur Kosovën në rrugë qorre, në rrugë pa rrugë dhe barrikadë qorrash” vetëm për arsye se nuk pranuan të ishin pjesë e sajesës që quhet “Mini-Shengen”, që atij i duket “i ngushtë”, sepse qenka mësuar me “maxi”!

Në këtë kontekst ai u mundua të mbajë një ligjëratë se si duhet të sillen politikanët e Kosovës në rrafshin diplomatik dhe kërcënoi se gjatë gjithë kohës që do të jetë në pozitën politike që ka, nuk do të lejojë askënd të cenojë të ardhmen e projektit në fjalë, që e prezanton si të ardhme të vetme të popujve të Ballkanit Perëndimor.

Përveç fyerjeve drejtuar udhëheqësve të Kosovës, z. Edi Rama i dha të drejtë vetes të fyejë të gjitha ata që u japin hapësirë mediatike qëndrimeve që nuk i pëlqejnë atij dhe i cilësoi se “mbllaçitin mediatikisht gënjeshtra”! Mungoi vetëm kërcënimi me ligjin antishpifje!

Së pari, është një e vërtetë e pakontestueshme se z. Edi Rama nuk është personi i duhur për të mbajtur ligjëratat se si duhet të sillen politikanët në rrafshin diplomatik. Përkundrazi. Ai është shembull se si nuk duhet të sillet një burrë shteti. Po marr një shembull konkret që ilustron këtë fakt. Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA Edi Rama i dha vetes të drejtë ta cilësojë “Donald Trumpin si turpi i Amerikës”! Kur Donald Trumpi fitoi, ai i “mbllaçiti” fjalët e veta dhe deklaroi publikisht: “Unë s’jam manual se si duhet të flasë një kryeministër”. Këtu Edi Rama kishte plotësisht të drejtë: deklaratat e tij të papërgjegjshme dëshmojnë se ai është “i paditur klasik” në fushën e diplomacisë.

Së dyti, edhe pse nuk është “manual se si duhet të flasë një kryeministër”, është e pahijshme ta cilësojë dikë si “gënjeshtar”, përderisa as vet nuk thotë të vërtetën.

Është tërësisht i pavërtetë pretendimi i Edi Ramës se gjoja ideja e “Mini-Shengenit” paskësh qenë ide e tij! Një numër i madh shkrimesh kanë nxjerrë në shesh rrënjët serbe të kësaj ideje dhe unë nuk do t’i përsëris. Nëse Edi Rama këmbëngul ta fshehë origjinën serbe të këtij projekti, atëherë do të jetë i detyruar të sqarojë pse takimi i parë i këtij projekti u mbajt në Serbi dhe pse në këtë takim, ku u përcaktuan rregullat e lojës, nuk u ftua askush nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës nuk mund të vinin të paftuar në atë takim, edhe pse Edi Rama, me përvojën e tij, do të kishte gjetur ndonjë kombinim si puna e asaj ftesës së “gruas së Bilalit”. 

Për sa kohë që z. Edi Rama nuk e thotë të vërtetën lidhur me origjinën serbe të këtij projekti dhe për sa kohë pretendon se ai ka qenë ideator që takimi i parë të mbahet në Serbi, pa praninë e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, nuk duhet të çuditet nga reagimet që vijnë nga Kosova. Përkundrazi! Z. Edi Rama, të cilit i duket vetja i “gjithëdijshëm modern”, duhet ta dijë se për politikanët e Kosovës, sado të “paditur klasikë” që t’i duken atij, është tërësisht e qartë se projektet e sajuara në Serbi kanë ritmin e valles serbe, “Zhikino Kollo”, dhe nuk kanë nevojë për ftesat e siguruara nga Edi Rama, në stilin e “Bilalit”.

Së treti, përpjekja e z. Edi Rama për të krahasuar përvojat e popujve që kanë qenë në luftë dhe që kanë ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatshme me kontekstin e Ballkanit Perëndimor është manipulim i pastër.

Nuk ka nevojë të jesh “i dituri modern”, për të qenë i pajisur me njohuritë, se ai që shohim sot si Bashkim Europian, nuk është asgjë tjetër pos një proces që u mundësua, pasi Gjermania pranoi përgjegjësitë e veta për Luftën e Dytë Botërore, u kërkoi falje të gjithë popujve që u kishte shkaktuar tragjedi të shumta dhe u angazhua të riparonte dëmet e kësaj lufte. Në Ballkanin Perëndimor është e kundërta. Serbia jo vetëm që nuk u ka kërkuar falje popujve ndaj të cilëve ka kryer gjenocid dhe nuk ka pranuar përgjegjësinë për krimet që ka bërë në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë, por ajo vazhdon t’i mohojë të gjitha krimet e saj.

Sa i përket analogjisë ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Serbisë së Millosheviqit, ministër i Informacionit i të cilit ishte miku i Edi Ramës Aleksandar Vuçiq, do të citoj intelektualin serb, Mirosllav Filipoviq: ““Është vështirë të gjendet institucion kombëtar, që të jetë munduar ta ruajë popullin serb nga kryerja e krimeve. Në veçanti është e vështirë të gjenden institucione që nuk e kanë nxitur popullin serb të kryejë krime. Ku ka qenë Akademia e Shkencave, ku ka qenë Kisha, ku ka qenë Universiteti, ku kanë qenë partitë politike? Çfarë ndodhi me Kishën, e cila paralajmëroi se do t’i hapë dosjet e krimeve serbe në Kosovë? Ku mbeti paralajmërimi i Kishës se në emër të popullit serb do të pendohet dhe do të kërkojë falje nga viktimat tona? (…) Në perëndim, Millosheviqin që moti e kanë quajtur “Kasap të Ballkanit” dhe e kanë krahasuar me Hitlerin. Gjermania e kohës së para Luftës së Dytë nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve të ‘90. Kur Hitleri filloi të çartet dhe t’i ngjajë një kafshe të tërbuar, e braktisën një numër intelektualësh, shkencëtarësh dhe artistësh më eminentë të popullit gjerman. Edhe pse Serbinë e Millosheviqit e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë “nga dora serbe” e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë, do të thotë të kërkohet nga ata që ta pranojnë fajësinë e tyre”. (Miroslav Filipoviq, “Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet”).

Së katërti, takimi i Tiranës nuk ishte asgjë tjetër, pos një maskaradë e llojit të vet, që i mundësoi Aleksandar Vuçiqit, Joseph Goebbels-it të Ballkanit, të tallet në mënyrën më të rëndë të mundshme me popullin shqiptar.

Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon të shprehë “keqardhje për “fëmijët mrekullueshëm durrsakë, për prindërit dhe për gjyshërit e tyre që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti”, një person që ka qenë pjesë e pushtetit që përgatiti, zbatoi dhe u përpoq të fshehë krimin e gjenocidit në Kosovë, gjatë të cilit u vranë 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 femra shqiptare dhe mbi 10 mijë shqiptarë të të gjitha moshave.

Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon nga një person që ka qenë pjesë e pushtetit që gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë shkatërroi 100589 shtëpi shqiptarësh, 88101 stalla dhe objekte ndihmëse, 358 shkolla, 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka, 220 objekte të kultit fetar (xhami, teqe, tyrbe dhe kisha) dhe që mohon krimet e bëra kundër shqiptarëve në Kosovë, të deklarojë  se “Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim për të ndihmuar me një vlerë domethënëse parash, që do t’u mundësojë 100 familjeve shqiptare të kenë një kulm mbi kokë”.

Në fund, z. Edi Rama duhet ta ketë të qartë se asnjë fizkulturë e gjuhës nuk mund ta fshehë diellin me shoshë: nuk është refuzimi për të marrë pjesë në një valle me ritmin e “Zhikino Kollos”, ajo që pengon ndërtimin e urave për një të ardhme të begatshme të Ballkanit Perëndimor, por mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë, si parakusht për ndërtimin e marrëdhënieve të reja në këtë pjesë të Europës.

Nëse vërtet do të zbatohej një “ligj i mirëfilltë antishpifje”, atëherë z. Edi Rama do të duhej të përgjigjej për shpifjet e rënda ndaj atyre që nuk pranojnë “ftesat e stilit të gruas së Bilalit” për të luajtur vallen e orkestruar nga Beogradi!

Nga Enver Robeli-Kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçic mund të ketë mbetur i kënaqur me qëndrimin e tij të sotshëm në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia hapi atij portat për të marrë pjesë në të ashtuquajturin samit i liderëve të Ballkanit perëndimor. Vuçic dukej si politikan që ia do të mirën rajonit, ndërsa Edi Rama merrej rend me rend me politikanët e Kosovës – njërin e quante gënjeshtar, tjetrin hipokrit, një tjetër të pasinqertë e kështu me radhë. Mungoi vetëm edhe ndonjë sharje me nënë.

Vuçic nuk kishte nevojë të fliste fare. Rama po grindej edhe me gazetarët shqiptarë në përpjekje për të mbrojtur një samit, i cili u mbajt pa asnjë arsye urgjente. Vuçiqi e luajti rolin e «njeriut të paqes», ndërsa mikpritësi i tij qortonte si problematikë politikanët e Kosovës. Lehtësia me të cilën u amnistua Vuçici ishte e padurueshme, por jo aq e papritur.

Politikanët me tendenca autoritare shpesh arrijnë në një pikë kur nuk dëgjojnë asnjë kritikë, sado e bazuar të jetë ajo. Edi Rama i është afruar kësaj pike. Terrenin e ka ende të hapur. Sepse opozita shqiptare pothuaj nuk ekziston. Sepse Partia Socialiste është një turmë që i bën amin liderit, pa guxuar ta kundërshtojë. Mediat? Tepër të pafuqishme për të pasur ndikim në opinionin e gjerë.

Është e paimagjinueshme që Vuçic të flasë për politikanët serbë jashtë Serbisë ashtu siç foli Edi Rama për politikanët e Kosovës. Për ndonjërin prej tyre ai mund të ketë edhe të drejtë, por konfliktet me politikanët në Kosovë kryeministri i Shqipërisë nuk duhet t’i thellojë për të mbrojtur një takim me Vuçicin. Është bukur cinike që kryetarit të Serbisë t’i jepet mundësia që Tiranën e Durrësin t’i shfrytëzojë si arenë për t’u dukur si politikan që investon në pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal.

Si aktor i paskrupullt dhe popullist i rryer Vuçici tha se qeveria e tij do të ndajë edhe mjete financiare për të përkrahur të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Në Durrës kryetari i Serbisë – falë naivitetit apo budallallëkut të qeverisë së Tiranës – tregoi fytyrën e tij «humaniste» – vetëm pak ditë pasi ishte tallur me shqiptarët e masakruar nga qeveria, ministër i së cilës ka qenë Vuçic në fund të viteve ‘90.

Këto mund t’i duken Ramës gjëra krejtësisht minore, por në të vërtetë janë zhvillime shqetësuese, sepse shpalosin mungesën e një koordinimi politik mes Tiranës dhe Prishtinës, që tashmë ka një traditë të neveritshme.

Nuk mund ta quash patetike një gazetare që kujton faktin se Serbia ka vrarë mijëra civilë shqiptarë të Kosovës dhe për këto krime nuk janë dënuar as një për qind e fajtorëve. E kaluara e përgjakshme nuk mund të shikohet si kapitull i mërzitshëm që po na e zë rrugën për t’u miqësuar me serbët dhe për të bashkëpunuar me ta.

Po, pse jo bashkëpunim në shumë fusha, por ky bashkëpunim nuk mund të bëhet duke u shtirur sikur nuk ka ndodhur asgjë. E keqja e nismës për të ashtuquajturin «mini-Schengen ballkanik» është se Serbisë i jepet shansi të prezantohet si faktor stabiliteti, ndërkohë që është shteti që e destabilizon Ballkanin qe 30 vjet – në Bosnjë përmes nacionalistëve serbë, në Kosovë përmes një partie që e ka themeluar vetë dhe përmes grupeve kriminale dhe parapolitike, në Maqedoninë e Veriut përmes agjentëve (a nuk ishte një agjent serb këmbë e krye në parlamentin maqedonas kur bandat e Nikolla Gruevskit rrahën e përgjakën politikanë maqedonas dhe shqiptarë?)

Distanca që mban Mali i Zi me Serbinë edhe në nismën e «mini-Schengenit ballkanik» ka të bëjë me rolin destruktiv të Serbisë në Mal të Zi. Në tetor 2016 një grup kriminelësh serbë (me gjasë të dirigjuar nga shërbimet ruse) u futën në Mal të Zi për të rrëzuar me dhunë pushtetin legjitimin dhe për të vrarë liderin malazez Millo Gjukanoviq. Kisha Ortodokse Serbe në mënyrë konsekuente mohon identitetin malazez.

Edi Rama me gjasë beson se duke u shtirur se po angazhohet për bashkëpunim rajonal do t’ia zbusë zemrën presidentit francez Emmanuel Macron dhe bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të nisin së shpejti. Ky është një kalkulim i gabuar, sepse për aq kohë sa Shqipëria mbetet shtet i pakonsoliduar, me politikanë që më shumë polarizojnë dhe shkatërrojnë e vjedhin pothuaj çdo gjë se sa që ndërtojnë, rrugën e Tiranës drejt Europës nuk e hapin samitet e shpifura në Novi Sad, Ohër apo Durrës.

Për aq kohë sa nga Shqipëria ikin oficerë të lartë policie, sepse kanë denoncuar baronët e drogës të lidhur me politikanë socialistë dhe për aq kohë sa deputetë socialistë marrin guximin të kërcënojnë hapur denoncuesit e krimeve të regjimit komunist, për aq kohë sa shërbëtorët e diktaturës ndihen të sigurt dhe madje avancohen në funksione, Shqipëria do ta ketë të vështirë të ndryshojë imazhin e saj në Europën Perëndimore.

Këtu Shqipërinë nuk e shpëton as Vuçici. As planet për lirinë e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve nga Serbia në Shqipëri dhe anasjelltas. Vuçic tha se në të ardhmen shqiptarët mund të punojnë në Serbi. Shumë mirë.

A do t’u digjen punëtoritë apo dyqanet atyre shqiptarëve që do vijnë në Serbi falë largpamësisë politike e ekonomike të Ramës dhe Vuçicit? Apo ndoshta do të goditen si shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë që kanë biznese në Serbi dhe sa herë që ka ndonjë dalldi nacionaliste, ata duhet të struken diku për të shpëtuar kokën nga grupet radikale të afërta me Vuçicin.

Në mediat sociale Edi Rama tani është tradhtari i ditës. Në kacafytjet ndërshqiptare, siç dihet, nuk ka masë. Pa i minimizuar gabimet e Ramës, sepse ato janë të mëdha, megjithatë kritikat nga Kosova në adresë të tij shpeshherë janë hipokrite.

Politikanë të Kosovës të nivelit më të lartë janë takuar me Vuçicin jo vetëm në Bruksel, por edhe në festa krejtësisht private në shumë kryeqytete të Europës. Raporti mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçicit është më i ngushtë se ai mes Ramës dhe Vuçicit.

Në vitin 2013 marrëveshja me Serbinë në parlamentin e Kosovës është miratuar nga 89 deputetë. Kosova, siç dihet, ka pranuar që shtetasit e saj nëpër Serbi të lëvizin me letërnjoftim, sepse pasaporta ia acaron nervat policit serb – për këtë kapitullim nuk mund të akuzohet Edi Rama. As për pranimin e bashkësisë së komunave serbe, të shpallur pastaj si antikushtetuese.

Nuk ka faj Edi Rama as për qeverisjen e keqe të Kosovës. Dikur ka qenë në modë afrimi me Serbinë. Vraponin njerëzit e PDK-së me kërthi në krah për të dalë në fotografi me politikanë të Serbisë. Vraponin komandantë për të takuar njerëz të Vuçicit, të cilët janë shefa të nëntokës në veri të Kosovës. Figura të cirkut politik të Kosovës takoheshin me njerëzit e Vuçicit nëpër jahte. E te cirku i jahtit janë bashkë pastaj të gjithë: Thaçi, Rama, Haradinaj e plot e përplot të tjerë.

Imer Mushkolaj– vend se të ndihet keq për gjithë çfarë ka bërë në qeverisje – kryesisht bashkë me PDK’në, LDK po sillet si fituese absolute e zgjedhjeve dhe si të mos kishte qenë asnjëherë në pushtet. Pazaret si ato me Hashim Thaçin, tash po provon t’i bëjë me Albin Kurtin. Gjithçka po kushtëzon me karrigen e presidentit. Ata që veten e quajnë institucionalistë, po sillen si tygjarë politikë.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të sillet si fituese e zgjedhjeve, pavarësisht se ka pësuar humbje. Zyrtarët e saj në paraqitjet publike vështirë pranojnë të kenë humbur dhe zakonisht thonë se janë partia e dytë, me një deputet më pak se Lëvizja Vetëvendosje. Madje shfaqen aq arrogantë në arsyetimet e tyre në raport me arritjen e koalicionit qeverisës, sa të krijohet përshtypja se janë fitues absolutë dhe se asnjëherë më parë nuk kanë qenë në pushtet.

Po të ishte parti normale dhe institucionaliste, siç ka dëshirë të vetëquhet, po të ishin zyrtarët e saj të ndërgjegjshëm, do të duhej të reflektonin dhe të paktën të merrnin përgjegjësinë për qeverisjen e partisë ndër vite.

Po të ishte parti e përgjegjshme, disave prej zyrtarëve të saj do të duhej t’iu vinte turp se në çfarë gjendje e kanë sjellë vendin duke bashkëqeverisur me PDK’në, duke e kapur shtetin sipas marrëveshjes për ndarjen e pushtetit.

Po të ishte parti institucionaliste nuk do të bllokonte krijimin e institucioneve të reja, Kuvendit e Qeverisë, me kushtëzimin për karrigen e presidentit, vetëm se dikujt iu ka tekë të akomodohet në të pas Hashim Thaçit.

E kushtëzimi për presidentin nuk përmendej para zgjedhjeve, e as menjëherë pas tyre. Kandidatja e LDK’së për kryeministre dhe nënkryetarja e partisë, Vjosa Osmani, deklaronte publikisht dhe me kompetencë para zgjedhjeve se posti i presidentit nuk do të duhej të bëhej pjesë e pazareve ndërmjet partive. Isa Mustafa, ndërkaq, pas zgjedhjeve thoshte se arritjen e marrëveshjes për koalicion nuk do ta kushtëzonte me postin e presidentit. Por gjithçka ndryshoi më pas. LDK kushtëzon krijimin e koalicionit qeveritar pikërisht me këtë post. As parimore as e ndershme – nëse ende ka parime e ndershmëri në politikë. Përvoja ndër vite ka treguar se LDK’ja nuk i ka asnjërën nga to.

* * *

Mund ta kuptoj dëshirën e Isa Mustafës dhe kujtdoqoftë tjetër për të synuar postin e presidentit. Mund të jetë edhe legjitime. Por nuk mund ta kuptoj as Mustafën dhe askënd tjetër që të bllokojë marrëveshjen e koalicionit me kushtëzimin për të marrë këtë post.

Më 6 tetor qytetarët kanë votuar për përbërjen e re të Kuvendit, që më pas zgjedh qeverinë. Ata nuk e kanë dhënë votën për president. Është e pafalshme që vendi të futet në krizë politike, për

shkak se një parti dëshiron të akomodojë në një pozitë, pas një viti e gjysmë, kryetarin ose ndonjë zyrtar tjetër të saj.

Vetëm tash pasi i ka humbur zgjedhjet, edhe pse po sillet si fituese, LDK’së i ka ardhë ndërmend se nuk paska besim të mjaftueshëm ndërmjet saj dhe Vetëvendosjes. Nëse është kështu, pse atëherë para zgjedhjeve kjo parti deklaronte se do të bënte koalicion vetëm me Vetëvedosjen. Në emër të këtij premtimi mori edhe vota. Nëse ka munguar besimi i ndërsjellë para zgjedhjeve, atëherë LDK nuk është dashur të jep premtime të tilla.

Kushtëzimet e LDK’së tash mund ta humbin edhe atë pak besim që ekziston ndërmjet dy partive. Por, nëse partitë duan zgjidhje të situatës së krijuar, ajo mund të arrihet. E rëndësishme është të krijohen Kuvendi dhe Qeveria. Mund ta arrijnë ujdi edhe për presidentin pastaj, por jo kjo çështje të bllokojë arritjen e marrëveshjes.

Por LDK, si e rryer ndër vite me pazare të tilla, dëshiron ta rezervojë ulësen e presidentit, edhe pse nuk është e sigurt se më 2021 do të mund t’i sigurojë votat për ta zgjedhur atë.

* * *

Zyrtarët e LDK’së bëhen nervozë kur ua përmend të kaluarën. Zakonisht thonë se duhet shikuar përpara. Por LDK’së duhet përmendur sa më shpesh të kaluarën, sepse është kjo parti përgjegjëse, thuajse sa PDK’ja, për situatën në të cilën gjendet vendi.

Është kjo parti që ndër vite ka fituar vota duke u viktimizuar, duke akuzuar SHIK’un për plot të zeza, edhe për vrasjen e zyrtarëve të vet, e pastaj duke e zgjedhur ish-shefin e SHIK’ut kryeparlamentar e Hashim Thaçin president.

Siç e ka bërë pazarin me Thaçin, Isa Mustafa po provon ta bëjë pazarin edhe me Kurtin. Pazar që e nxori në tavolinë atëherë kur thuajse ishte e kryer puna e koalicionit.

Për mosarritjen eventuale të marrëveshjes përgjegjësinë nuk e ka vetëm Vetëvendosja, por edhe LDK’ja e cila elektoratit të vet i ka premtuar se do të bëjë koalicion me këtë parti. Përndryshe, më parimore dhe më e ndershme do të ishte të thoshte se nëse nuk fiton, do të mbetej në opozitë. Por LDK’ja nuk i ka asnjërin nga këto virtyte. Shfaqet edhe humbëse, edhe krenare.

Bardhyl Mahmuti-Polarizimi i qëndrimeve të LVV-së dhe LDK-së lidhur me përfshirjen apo mos përfshirjen e postit të presidentit të shtetit në marrëveshjen për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 kanë krijuar një kontekst politik që është duke futur krijimin e institucioneve në një rreth vicioz nga i cili vështirë të dilet pa ndryshime rrënjësore në mënyrën e funksionimit.

Nga njëra anë, ky kontekst karakterizohet me këmbënguljen e LDK-së që në këtë marrëveshje të përfshihet dhe të përkufizohet qartë edhe çështja e presidentit dhe vendosmëria e kësaj partie të shkojë në opozitë nëse nuk realizon ambiciet e veta.

Nga ana tjetër, LVV-ja është kategorike të mos i japë LDK-së “gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër” dhe për këtë është e gatshme të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, sepse, përkundër mandatit që i takon të negociojë për krijimin e qeverisë, kjo parti politike përjashton kategorikisht mundësinë të krijojë qeveri me partitë e PAN-it.

Pikërisht nga tërësia e qëndrimeve të lartpërmendura është krijuar rrethi vicioz me të gjitha paradokset që e karakterizojnë. Nëse LDK-ja ose LVV-ja nuk ndryshojnë qëndrimet e tyre, atëherë ky rreth vicioz do të shndërrohet në humnerë të cilës askush nuk mund t’ia sheh fundin.

Për të zhbllokuar këtë situatë LDK-ja duhet të heq dorë nga kushtet që lidhen me funksionin e presidentit ose LVV-ja të heq “vijat e kuqe” që ka vendosur ndaj PDK-së, AAK-së dhe NISMËS Socialdemokrate. Në të kundërtën, të gjitha përpjekjet janë të kota. Madje, të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme pa ndryshuar qëndrimet e lartpërmendura nuk është asgjë tjetër pos shpenzime të kota të parasë publike, të energjive njerëzore dhe tallje me popullin