Maqedonia e Veriut është vonuar me ratifikimin e marrëveshjeve nga procesi i Berlinit. Ato janë nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar dhe sipas informacioneve të Institutit për Demokraci, Qeveria ende nuk i ka dërguar në Kuvend. Sipas marrëveshjeve, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të njohin letërnjoftimet, diplomat universitare dhe kualifikimet profesionale të njëri-tjetrit. I pyetur për vonesën e ratifikimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk është i njoftuar me detajet, por kundërshton mundësinë e prapavijës politike.

“Ajo që është shumë domethënëse për marrëveshjet e Procesit të Berlinit është se marrëveshjet që nënshkruhen aty janë praktikisht të depozituara në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, pra nuk ka ndonjë gjë politike, por me siguri procedurale apo teknike”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

“Si depozitues i tre marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara në kuadër të procesit të Berlinit, i bëjmë thirrje Qeverisë që sa më parë t’i dorëzojë ë Kuvend dhe Kuvendi të gjejë forcë t’i vendos në rend dite për ratifikim sa më shpejt të jetë e mundur, me konsensus. Përkushtimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve duhet të tregohet në veprim, veçanërisht në procese që varen nga proaktiviteti dhe efikasiteti i institucioneve shtetërore”, thonë nga Instituti për Demokraci.

Nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ishte e para që ratifikoi të tre marrëveshjet, e ndjekur nga Kosova. Në Serbi marrëveshjet tashmë janë në procedurë parlamentare dhe së shpejti do të jenë edhe para deputetëve në Mal të Zi. Ngecja e vetme është në Bosnjë- Hercegovinë për shkak të procedurës së komplikuar. Sipas anketës së fundit telefonike të Institutit për Demokraci të realizuar në nëntor të vitit të kaluar me 1005 të anketuar, ka mbështetje të lartë të qytetarëve për përfitimet e nismës rajonale. Shumica dërrmuese prej 80% e qytetarëve e konsiderojnë si tërheqëse mundësinë e punësimit në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, hapja e kufijve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor konsiderohet e dobishme nga 85% e të anketuarve, ndërsa mundësia e përdorimit të arsimit të tyre në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor shihet pozitivisht nga 84% e qytetarëve. /Alsat.mk

Maqedonia e Veriut “mban flamurin” në Ballkan si vendi më i palumtur. Sipas raportit të lumturisë të realizuar nga Instituti “Gallup” vend renditet i 87-ti në listën e 137 shteteve. Pranë Maqedonisë së Veriut janë Venezuela, Kongo dhe Ukraina në vendin e 92-të. Nga vendet fqinje në Ballkan, Shqipëria është më afër Maqedonisë në vendin e 83-të, Bullgaria në vendin e 77-të, Bosnjë- Hercegovina në vendin e 71-të, Greqia në vendin e 58-të, Serbien në vendin e 45-të, ndërsa Kosova është në vendin e 34-të. Raporti është bërë në bazë të sondazheve të ndryshme të kryera në shtetet përkatëse. Janë marrë parasysh gjashtë faktorë, duke përfshirë “Lirinë për të bërë zgjedhje të jetës”, “Perspektivat për një jetë të shëndetshme”, “Bujarinë e njerëzve”, “Perceptimin e njerëzve për korrupsionin”, “Mbështetjen sociale të ofruar nga shteti”, “Prodhimin e Brendshëm Bruto” dhe një faktor të quajtur “Distopia dhe qëndrueshmëria”. Vendet më të lumtura në botë mbeten Finlanda dhe Danimarka dhe shtetet e tjera baltike apo shtetet në Evropën veriore.

“Bullgaria është në favor të integrimit të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, por me kusht që të respektohen të drejtat e bullgarëve atje”, kështu tha të hënën ministri i jashtëm në detyrë, Nikolay Milkov.

Ai foli për mediat gjatë rrugës për në Shkollën e 16-të Ndërkombëtare Dimërore për Diplomacinë, të mbajtur nga Instituti Diplomatik dhe Ministria e Jashtme për diplomatët e huaj nga BE, Evropa Juglindore dhe rajoni i Detit të Zi.

Ai gjithashtu tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një çështje me rëndësi të menjëhershme për Bullgarinë “sepse është mjedisi në të cilin Bullgaria ekziston dhe ndjek politikën e saj të jashtme”, u tha ministri gazetarëve.

“Ne kemi një qëndrim parimor në mbështetje të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe do të ishte më mirë që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, por në të njëjtën kohë duhet të ndodhë në përputhje me parimet dhe mekanizmat, të vendosura dhe të caktuara nga BE”, tha Milkov.

Ai nënvizoi se Bullgaria është në mbrojtje të të drejtave të “bullgarëve në këto vende, të njerëzve që kanë vetëdije bullgare dhe ndihen bullgarë në zemër”.

“Këto gjëra nuk shkojnë kundër qëllimit të integrimit të shpejtë të Ballkanit Perëndimor. Krejt e kundërta: respektimi i të drejtave të njeriut, të drejtat për shoqërim, luftimi i gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes, janë të gjitha kriteret për anëtarësimin e këtyre vendeve drejt BE-së”, tha Milkov.

Në lidhje me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Milkov u shpreh se Bullgaria ka një qëndrim të qartë, i cili bazohet në atë që ka vendosur BE-ja për Shkupin dhe mbështetet në “propozimin francez ose evropian”, për ta parafrazuar atë.

Ai shtoi se propozimi në fjalë është pranuar nga të gjitha vendet anëtare, përfshirë Bullgarinë dhe nga Kuvendi i Shkupit. “Kur të plotësojnë kushtet, rruga për anëtarësim do të hapet”, shtoi ai./BTA

Me 2100 amendamente VMRO-DPMNE-ja do të bllokojë 4 ligjet që janë në Kuvend dhe me të cilat parashihet rritja e rrogave të gjykatësve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit gjyqësor dhe të Këshillit të prokurorëve. Nga partia opozitare thonë se nuk është kundër rritjes së rrogave por shtojnë se kjo masë duhet të jetë e fundit në kuadër të reformave që pushteti duhet të ndërmarrë në sektorin e drejtësisë.

“Siç duket, ky është shpërblimi i qeverisë për besimin e mjerë prej 3% që kanë qytetarët te sistemi i drejtësisë. E pyesim qeverinë, a do të nënkuptojë gjyqësor më të mirë, prokurori më të mirë, reduktim të procedurave burokratike dhe zgjidhje më të shpejtë të konteksteve gjyqësore, kjo rritje e rrogës së prokurorëve dhe gjykatësve? Përgjigjet janë të qarta edhe për ne, edhe për gjithë opinionin. Në vend se qeveria t’i përveshë krahët dhe më në fund të fillojë me reforma konkrete dhe reale në gjyqësor, pushteti mendon se me zgjidhje të këtilla at-hok do t’i rregullojnë mangësitë e tij”, tha Draganço Eftimov, VMRO-DPMNE.

Në ditën e dytë të vizitës në Danimarkë, kryetari i Komunës së Tearcës z. Nuhi Neziri, mori pjesë në koktejin e organizuar nga konsullata e Kosovës në Danimarkë me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kryetari Neziri u prit nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, i cili mbulon edhe Danimarkën, z. Faruk Ajeti, nga konsujt e Kosovës në Mbretërinë e Danimarkës, z. Valdrin Grainca dhe Mentor Halilaj me të cilët shkëmbyen informacione dhe dhurata të ndërsjella.

Kryetari Neziri po ashtu u pritë edhe nga Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Danimarkë, z. Faton Bejta, me të cilin biseduan për punën e ambasadës dhe shërbimet e tyre ndaj qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët jetojnë në Danimarkë.

Në mbrëmjen festive ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA në Danimarkë z. Alan Leventhal, Ministri i Drejtësisë së Danimarkës Peter Hummelgaard etj.

Kryetari Neziri u takua edhe prof. Toe Magnussen, aktivist shumëvjeçarë i çështjes shqiptare, Niels Henrik Hooge, ish ushtarë i UÇK dhe autorë i librit “Kosova”.

Po ashtu takime miqësore kryetari Neziri pati edhe me përfaqësues të Shoqatave Shqiptare në Danimarkë , aktivistët, Nevzat Qamili, Bardhyl Islami, Ibrahim Xhemajli, Nderim Ibrahimi, Mujë Berisha, asambleist i Komunës Lolland Falster.

Takime miqësore pati edhe me përfaqësuesit e Shoqatave Shqiptare në Suedi, Murat Koci dhe Xhevat Jusufi.

Takimet intensive të Kryetarit Neziri vazhduan edhe me afaristët e mirënjohur shqiptarë në Danimarkë, vëllezërit Servet dhe Neset Ismani, pronarë të disa restoranteve në qendër të Kopenhagës, Zeqa Haziri pronarë i zinxhirit të restoranteve BUKA në Kopenhagë, Dulla Elmazi afarist në fushën e ndërtimtarisë, si dhe pronarin e Burek Hause në Malmö z. Milaim Makolli

Kryetari Neziri sonte vazhdon agjendën e takimeve edhe me diasporën shqiptare që vijnë nga Komuna e Tearcës.

Për mediat shqiptare nga Danimarka, Adnan Aliti

Zbulimi i një pllake antike pranë zonës së varrezave të vjetra në Karposh të Shkupit, mbi të cilat ndër të tjera dallohet emri Dardani ka ngjallur debat në Maqedoninë e Veriut.

Zona e zbulimit, ku aktualisht po bëhen ndërtime, konsiderohet si arkeologjike, ndaj studiuesit e institucionet kanë pasur reagime të forta për ndërprerjen e punimeve dhe konservimin e artefaktit.

Shkak i debateve janë bërë, krahas rëndësisë historike që mendohet të ketë ky artefakt, edhe pretendimet fillestare, për mos ndalim të punimeve, duke rënë ndesh me ligjin e trashëgimisë.

Kundrejt këtyre pretendimeve Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Arian Asllanaj, ka siguruar se pllaka do të pastrohet e më tej ruhet në Muzeun e Maqedonisë, ndërsa do të angazhojë më tej edhe studiuesit për të arritur në përfundimet e duhura.

Ndërkaq reagimet e interpretimet për këto artefakte kanë qenë të shumta.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare të Shkupit, ku në faqen zyrtare, përmes një njoftimi vinte theksin për mostrajtimin e vlerave arkeologjike, si pronë private.

“Këto ditë në media po qarkullon një lajm se në qytetin antik të Scupi-t po kryheshin gërmime arkeologjike dhe se janë zbuluar dy stela, ku në njërën prej tyre qëndron mbishkrimi DARDANUS. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përkatësisht Departamenti i Kulturës Materiale të ITShKSh-së, rithekson faktin që Scupi ishte qendra e mbretërisë Dardane dhe për këtë dëshmojnë edhe gjetjet e shumta arkeologjike në këtë lokalitet. Një ndër problemet kryesore që paraqet ky rast i fundit, është se si ka mundësi që në zonën e mbrojtur me ligj bëhen ndërtime moderne, duke mos respektuar Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Paluajtshme Arkeologjike. Prandaj ne kërkojmë që të dalin publikisht të gjithë institucionet që kanë dhënë leje për një ndërtim të tillë, si dhe të ndërpriten të gjithë punimet të cilës do natyrë në zonën e qytetit antik Scupi. Njëkohësisht, bëjmë thirrje që sa më shpejt këto stela të dërgohen në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë së Veriut, sepse çdo vonesë do të ndikojë për krijimin e dyshimeve për abuzime të mundshme”, shkruan në njoftimin e ITShKSh.

Në një njoftim të bërë në faqen zyrtare të Muzeut Virtual të Tetovës, përfaqësuesit treguan për përpjekjet e organizatës “Huta”, që merret me mbrojtjen e trashëgimisë, që të merreshin masat e duhura për mbrojtjen e kësaj pjese të trashëgimisë.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët dhe mediumet që sot me datë 22.02.2023, ne si organizatë jo-qeveritare për kulturë dhe mbrojtje të trashëgimisë shpirtërore e kulturore ‘HUTA’ Tetovë, kemi dorëzuar kërkesë deri tek Kryetarja e Qytetit të Shkupit znj. Danela Arsovska dhe Kryetari i Komunës së Karposhit z. Stevço Jakimovski, dy organe kompetente për të ndaluar punimet në këtë lokalitet arkeologjik. Ftojmë të gjithë qytetarët dhe mediumet që të shpërndajnë këtë kërkesë, që të ndalohen punimet sa më shpejt, dhe të sigurohet vendi për zbulime të mëtutjeshme!”, ka njoftuar organizata “HUTA”.

Sipas historisë, Dardanët ishin fis ilir që shtriheshin në mesin e Ballkanit, kryesisht në Kosovën e sotme dhe rrethinën e saj dhe ata ishin fisi themelues i Mbretërisë së Dardanisë rreth shekullit IV p.e.s.

Ndërkohë, profesor Ylli Rijani në një intervistë është shprehur se pllaka e cila u gjet dy ditë më parë nuk është nga shekulli VI-të sepse aty nuk ka shënim dhe nuk daton ai shekull.

“Pllaka nuk është nga shekulli i Vl-të, por diku nga shekulli ll-të. Dikujt i intereson shek.VI sepse e lidh me ardhjen e sllavëve”, tha Ylli Rijani.

“Antikorrupsioni 2030: Sfidat aktuale dhe të ardhme kundër korrupsionit

  • “Instituti për Demokraci (ID) do të mbajë tryezën e rrumbullakët me titull “Antikorrupsioni 2030: Sfidat aktuale dhe të ardhme kundër korrupsionit”.

“Qëllimi i konferencës është prezantimi dhe diskutimi i një analize parashikuese të skenarëve të mundshëm në të cilët do të zhvillohet korrupsioni dhe lufta kundër korrupsionit deri në vitin 2030 dhe si do të përballen institucionet me sfidat e ardhshme. Analiza është përgatitur në bashkëpunim me institucionet kryesore kundër korrupsionit në vend dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si pjesë e procesit të planifikimit strategjik për përballimin e sfidave që sjell lufta kundër korrupsionit”, theksojnë nga Instituti për Demokraci.

Në ngjarjen janë ftuar përfaqësues nga Qeveria, Kuvendi, Këshilli inspektues, Enti Shtetëror i Auditimit, Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Komisioni rregullator për energjetikë, Drejtoria doganore, Drejtoria për polici financiare dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, dhe përfaqësues të Platformës së Organizatave Civile për luftën kundër korrupsionit.

Konferenca organizohet si pjesë e projektit “Inkurajimi i debatit publik për anti-korrupsion” qëllimi i të cilit është të mbështesë procesin e reformave në Maqedoninë e Veriut duke fuqizuar agjendën e reformave në fushën e sundimit të ligjit. Për të arritur këtë qëllim, projekti parasheh bashkëpunim dhe konsultim me të gjithë aktorët përkatës. Projekti mbështetet nga Fondi Kombëtar për Demokraci.

Në spitalin privat të kardiologjisë “Zhan Mitrev” dyshohet se kryhen operacione me anomali më të rënda në zemër te fëmijët deri në 1 vjeç, por pa mjek të licencuar për këtë lloj të ndërhyrjeve kirurgjikale, shkruan Alsat.

Dyshimet u shpalosën nga hulumtimi i radios Evropa e Lirë. Reparti u hap në vitin 2019 pasi një ekip i Klinikës së kirurgjisë shtetërore të fëmijëve i udhëhequr nga Vlladimir Çadikovski, i vetmi i licencuar kardiokirurg për fëmijë, ishte zhvendosur në spitalin “Zhan Mitrev”.

Por, Klinika vazhdoi me veprimtarinë duke marr edhe pëlqimin e Ministrisë Shëndetësisë se i përmbushë kushtet.

“Ligji për Kujdesin Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut përcakton kushtet për themelimin, fillimin e punës, kryerjen e veprimtarive të kujdesit shëndetësor dhe zgjerimin e veprimtarisë së institucionit shëndetësor. Sa i përket personelit të kërkuar, thuhet vetëm se institucioni shëndetësor duhet të ketë një numër të caktuar të punëtorëve shëndetësorë në varësi të llojit të aktivitetit shëndetësor, përkatësisht specialistit, askund në ligj nuk përmendet termi sub-specialist”, thuhet në Ligjin për Kujdesin Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut.

Spitali “Zhan Mitrev” më 14 gusht të vitit 2019 ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për ofrimin e listës së shërbimeve shëndetësore, ndër të tjera, për kirurgji kardiovaskulare pediatrie për personat e siguruar deri 18 vjeç, duke ditur se në vend lindin mesatarisht 100 fëmijë në vit me anomali në zemër.

Çmimi për operacione në spitalet private për fëmijët nga 1-18 muaj është rreth 16 mijë euro. Ndërsa për foshnjat deri në 28 ditë, është së paku 2,000 euro. Në “Zhan Mitrev”, në tre vitet e fundit, sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, janë kryer 77 operacione kardiovaskulare te fëmijët nën 1 vjeç. Kjo do të thotë se spitali privat ka arkëtuar të paktën 1 milion e 240 mijë euro nga të siguruarit për këtë periudhë vetëm për këto operacione.

“Megjithëse ‘Zhan Mitrev’ mban epitetin e klinikës disa reparte vitale për të mbajtur legjitimitetin e këtij primati, nuk janë aktive. Ndërsa spitali kardi-kirurgjik i fëmijëve ku foshnjat i bëjnë operacion, por kardio kirurgu i vetëm i fëmijëve me licencë nuk është i punësuar në këtë Klinikë dhe për këtë arsye Komisioni Shtetëror anti-korrupsion ka hapur lëndë për të hetuar në rast se ka shkelje ligjore”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit konfirmuan se ligji mundëson që në rrjetin e institucioneve shëndetësore, të veprojnë edhe ata që kanë vetëm leje pune, por jo licencë dhe gjatë hapjes së një spital klinik nuk nevojitet licencë për mjekë të specializuar. Efekti i kësaj, sipas konstatimit të Komisionit është funksionimi i një klinike pa licencë dhe pa mjekë të licencuar.

Ndërkohë, në prokurori vazhdon hetimi ndaj mjekut Zhan Mitrev për shkak të dyshimit për mashtrim me pacientë. Sipas prokurorisë, dyshohet se ka mashtruar pacientët e trajtuar me Covid-19 me metodën e hemo filtrimit duke paraqitur fakte të rreme, me qëllim që spitali i tij të përfitojë para në mënyrë të parregullt./ Alsat.mk

Qeveria nuk ka reaguar aspak pas deklaratës së ambasadores së SHBA-së në Shkup Kejt Meri Bërn e cila vendosi gishtin te korrupsioni, nepotizmi dhe jotransparenca si sfida kryesore që pengojnë vendin në rrugën e zhvillimit, shkruan Alsat.

Edhe një ditë pas kësaj deklarata, nuk ka reaguar as zv/kryeministrja për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska, post i cili në mandatin e kaluar mbante edhe epitetin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit të lartë.

Alsat drejtoi pyetje në LSDM, si e shohin ata deklaratën e ambasadores. Partia më e madhe në pushtet nuk u përgjigj në konferencën për shtyp por na premtoi përgjigje me shkrim. Deri në këtë moment, nuk kemi marrë asnjë koment nga ana e tyre.

Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja thanë se deklarata e Bërns vetëm konfirmon akuzat e opozitës.

“Ky është vetëm konfirmim nga partnerët tanë strategjik se kur është LSDM-ja në pushtet, në Maqedoni lulëzon krimi, korrupsioni dhe nepotizmi. Sa më shpejt që LSDM-ja të ikë nga pushteti, aq më shpejt krimi dhe korrupsioni dhe nepotizmi do të jenë e kaluar kurse Maqedonia do të bëhet vend demokratik”, tha Ivica Tomovski, VMRO-DPMNE.

Ambasadorja Bërns ishte direkte në kritikat e saj gjatë firmosjes së marrëveshjes për grant me Ministrinë e Financave.

“Ne e dimë se një nga sfidat më të mëdha është korrupsioni, i cili minon qeverisjen e mirë dhe saboton konkurrencën ekonomike. Ne e dimë se kjo do të jetë një sfidë sepse mungon llogaridhënia, transparenca. E gjithë kjo ka potencialin ta pengojë Maqedoninë e Veriut nga rruga e përparimit të saj. Zyrtarët qeveritarë duhet t’u përgjigjen këtyre sfidave, të përmbushin pritshmëritë e publikut dhe standardet e anëtarësimit në BE”, u shpreh Krejt Meri Bërns, Ambasadore e SHBA-së.

Bërns kishte një deklaratë tjetër kritike muaj më parë, kur tha se besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor në vend është vetëm 8%. / Alsat.mk

Maqedonia e Veriut ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme 30 ditore në sektorin e energjetikës. Ky vendim do të hyjë në fuqi për muajin shtator, ky hyjnë në fuqi edhe masat e reja të qeverisë për kursimin e energjisë elektrike.

Pjesë e masave janë edhe detyrimi i institucioneve të shtetit të ulin faturat e energjisë elektrike deri në 15 %.

Vendi po përballet me krizën energjetike për shkak të thatësirës, ndërsa qeveria ka caktuar fonde nga buxheti për të ndihmuar kompanitë të prodhojnë dhe blejnë energji elektrike.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka propozuar që gjendja e krizës të vazhdohet deri në 2023.

“Kuvendi dhe deputetët kanë të drejtë të vazhdojnë gjendjen e krizës në sektorin e energjetikës. Propozoj që gjendja e krizës të vazhdojë aq sa është dhe sezoni i ngrohjes”, tha Bekteshi.