Kosova do të bashkohet në rrjetin energjetik të Shqipërisë nga muaji prill i vitit të ardhshëm, sipas një marrëveshje të nënshkruar të hënën, duke i dhënë fund varësisë nga rrjeti i Serbisë, autoritetet e së cilës reaguan me zemërim.

Të hënën në Tiranë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST), nënshkruan Marrëveshjen për themelimin e Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në një njoftim të KOSTT-it thuhet se “operimi si Bllok Rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dy sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”.

Njoftimi citon kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it Ilir Shala , të ketë thënë se “kjo është marrëveshje historike për Kosovën meqë deri më tani ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese serbe (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut)”.

Mospajtimet rreth ndarjes së pozitave kryesore në udhëheqjen e institucioneve të reja si dhe përplasjet politike nga e kaluara, sipas analistëve politikë, mund të shihen ndër arsyet pse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po e kanë të vështirë ta finalizojnë marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës.

Ndonëse të dy partitë tashmë kanë deklaruar se janë dekoruar 100 për qind për programin qeverisës dhe numrin e ministrive, në momentin kur lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa i filluan negociatat për ndarjen e pozitave udhëheqëse, bisedimet u ndërprenë për të vazhduar gjatë javës.

Njohësit e zhvillimeve politike, konsiderojnë se ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka ende mospajtime për çështje të caktuara.

Naim Rashiti, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka dakordime mes dy partive që pritet ta formojnë qeverinë, por ka edhe shumëçka që ato nuk janë pajtuar.

“Realiteti është që përkundër vullnetit të madh për të bërë një qeveri, një koalicion, marrëdhëniet nga e kaluara këto dy parti nuk i kanë pasur të mira dhe reflektojnë në procesin e ndërtimit të koalicionit. Megjithatë këto dy parti nuk kanë alternative tjetër veç se të arrijnë një marrëveshje mes veti”, tha Rashiti.

Bazuar në dakordimet fillestare, Vetëvendosje besonte se do të marrë nën drejtim pozitën e kryeministrit dhe pesë ministri. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës, pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe pesë ministri. Ndërkaq dy ministri u mbeten komuniteteve pakicë, një komunitetit serb dhe një tjetër komuniteteve joserbe.

Por, në këtë rrafsh mbetet pezull pozita e presidentit të Kosovës, e cila nga pranvera e vitit 2021 do të mbetet boshe pas përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Zyrtarët e LDK-së nuk e kanë fshehur se duan që ta sqarojnë edhe pozitën e presidentit të ardhshëm me marrëveshjen eventuale Kurti – Mustafa (Vetëvendosje – LDK).

Rashiti thotë se jo të gjitha pozitat kushtetuese do të duhej të ishin pjesë e negociatave për marrëveshje politike ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike.

“Koalicioni është për të ndarë apo për të formuar qeverinë e jo edhe postet e tjera kushtetuese, siç janë posti i presidentit e të tjera. Besoj se këto tema do ishte dashur të ndodhin në kohen kur t’iu vjen radha. Kjo ka të bëjë ende edhe me pasigurinë e votave në kuvend për formimin e qeverisë”, tha Rashiti.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se marrëveshja e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ndodhi sepse kjo e fundit e kushtëzoi marrëveshjen me postin e presidentit.

“Marrëveshja për koalicion nuk u lidh sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi marrëveshjen me pozitën e Presidentit”, është shprehur Konjufca në Pressing.

Tutje, Konjufca tha se VV’ja nuk e priste këtë kushtëzim.

“Ne nuk e kemi pritur këtë gjë sepse siç e dini ju, këto zgjedhje kanë qenë zgjedhje parlamentare dhe pas konstituimit del qeveria nga Kuvendi dhe pozita e presidentit është diçka krejt tjetër”, ka thënë Konjufca.

“Pozita e presidentit është krejtësisht e pavarur”, shtoi Konjufca.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e parë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë takim, kryetari i VV’së dhe njëkohësisht kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i njoftoi deputetët e grupit parlamentar për sfidat e reja për krijimin e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kurti në këtë mbledhje i uroi fitoren deputetëve të Vetëvendosjes.

“Nën kryesimin e kryetarit, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e parë e Grupit të ri Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Me këtë rast u shpreh urimi i fitores të gjithë deputetëve si grupi më i madh parlamentar në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Lëvizja Vetëvendosje.

Gjithashtu, Kurti i njoftoi deputetët e grupit më të madh parlamentar për sfidat për krijimin e koalicionit me LDK’në.

“Pjesë e diskutimit të mbledhjes ishte edhe procesi negociator për krijimin e qeverisë, me ç’rast kryetari Kurti i njoftoi deputetët me arritjet dhe sfidat për krijimin e koalicionit të ri qeverisës”, ka njoftuar Vetëvendosje.

Për herë të parë që nga themelimi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Oda e Avokatëve të Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili u mundëson të gjithë anëtarëve të AGK-së përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.

“OAK do të ju ofrojë përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas anëtarëve gazetarë të AGK-së në raste kur ata bëhen pjesë e proceseve gjyqësore për çështjet që kanë të bëjnë me punën e tyre, përfshirë edhe konsultat ligjore për anëtarët e AGK-së, të cilat i ndihmojnë gazetarët ta mbrojnë punën e tyre.”, thuhet në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina dhe kryetari i OAK-së, Osman Havolli.

Palët nënshkruese, përmes këtij akti, janë zotuar për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme.

Kryetarja e AGK-së, Begolli Pustina, tha se kjo është ndër marrëveshjet më domethënëse për AGK-në, marrë parasysh që shumica prej kolegëve tanë, për shkak të pagave të ulëta, privohen që ta ndjekin të drejtën e tyre ligjore për shkak të kostos së lartë financiare të mbrojtjes ligjore.

“Në një klimë të këtillë ku kemi dhjetëra raste të kërcënimeve, privimit të së drejtës së gazetarëve për ta ushtruar profesionin e tyre, mbrojtja ligjore falas ka qenë më shumë se e domosdoshme. Falënderoj kreun e OEK-ut, z.Osman Havolli i cili pati gatishmëri që në 46 vjetorin e themelimit të OEK-ut ta nënshkruajmë këtë Memorandum Bashkëpunimi.”, ka thënë pos tjerash Begolli-Pustina.

Ky është një hap më shumë në përpjekjet e AGK për t’ju dalë në ndihmë anëtarëve të vet me qëllim të krijimit të një ambienti më të lehtë të punës së tyre.

“I transformuar” dhe “pa presion” – kështu do të duket dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës në të ardhmen, sipas dy ekspertët e Ballkanit, Wolfgang Petrich dhe Edward Joseph. Ata pajtohen që demarkacioni, i cili ishte shumë temë dikur – tani pothuajse nuk është në diskutim.

Dialogu Beograd – Prishtinë për atë që mund të duket në të ardhmen , por edhe për lëvizjen e BE-së që kanë tronditur jo vetëm Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por tërë Ballkanin Perëndimor, por edhe komunitetin ndërkombëtar janë disa shenja interesante.

Joseph: Qeveria në Prishtinë duhet të presë sepse ekziston një figurë krejtësisht e re politike në lojë – Albin Kurti, të cilin nuk e kemi parë deri më tani në Kosovë apo rajon, i cili është i përqendruar në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Do të japë gjithashtu një vrull të ri në bisedime, por gjithashtu mund të ndryshojë pozicionin e presidentit Hashim Thaçi. Unë pres ndryshime në dialog, por në të njëjtën kohë nuk besoj se ajo do të zhvendosë pozicionet e veta kur bëhet fjalë për reciprocitet dhe shkëmbimin e territorit.

Petrich: Dialogut i duhet një Makeover. Para se gjithash, unë jam duke menduar për një komision të ri Evropian dhe një shef të ri të diplomacisë.

Duhet të shohim gjithashtu se cilat janë pikëpamjet e të dy palëve, Beogradit dhe Prishtinës, ku ekziston një ngërç nuk nuk ka asnjë përparim dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëhet.

Joseph: Unë jam i gëzuar që shkëmbimi i territoreve po zhbëhet si zgjidhje pasi do të ishte fatkeqësi për të dyja palët, si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Disa udhëheqës në rajon, siç është presidenti i Maqedonisë Veriore e quajtën atë “idenë më të dobët”.

Unë mendoj se do të ketë pasoja negative për serbët, për këtë arsye, njerëzit në Kosovë janë të brengosur me të drejtë. Serbia duhet ta trajtojë Kosovën me respekt dhe të bëjë marrëdhënie të qëndrueshme. Kisha Ortodokse Serbe duhet të ketë sovranitetin mbi pasuritë e saj fetare dhe gjithashtu duhet të jetë sinjal për pakicën serbe që jetën në Jug se Serbia është gjithmonë e pranishme.

Serbia duhet të mësojë nga e kaluara. Realiteti është se historia e fundit n Kosovë nuk filloi në vitin 1999, por një dekadë më herët me Millosheviqin, shpërnguljen, armatosjen e shqiptarëve… Të dyja palët duhet të merren me këto gjëra dhe të mos tregojnë gishtin njëra-tjetrës.

Petrich: Bashkimi Evropian (BE), nuk duhet të shtyjë në asnjë drejtim, por me praninë dhe ndihmën e Unionit, Beogradit dhe Prishtinës duhet të gjejnë drejtimin. Nëse të dy palët gjejnë një kompromis, bien dakord dhe vendosin diçka atëherë bëhet e mundur, përfshirë këtu edhe shkëmbimin e territorit, qasje kjo që është cilësuar e gabuar.

Fokusi duhet të jetë në atë që është më e mira për qytetarët dhe sipas mendimit tim, është më mirë të krijohet një zonë e madhe ku tregtia e lirë e mallrave dhe shërbimeve është e mundur. Në këtë kuptim “mini-shengeni” është gjithashtu ide e mirë kur bëhet fjalë për hapjen e kufijve.

Sidoqoftë, problemi demografik është më i madh se gjithçka tjetër, pasi të rinjtë largohen nga rajoni si shkak i perspektivës. Kjo duhet të ndalet.

Joseph: Unë do të pajtohesha me atë që tha Matthew Palmer, duke e quajtur këtë gabim historik, pra mospranmin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Vendim plotësisht i keq nga Emanuel Macron.

Ajo është e keqe në çdo rast dhe veçanërisht në imazhin e Maqedonisë Veriore që ka bërë hapa të mëdhenj dhe lëvizje të rrezikshme madje edhe emocionuese për qytetarët e saj.

Shpresoj se ka ende një vizion evropian për Ballkanin Perëndimor dhe Macron duhet të marrë përgjegjësi për zhvillimet negative që mund të ndodhin në rajon.

Petrich: Unë jam i hutuar nga ky vendim dhe çfarë do të ndodhë më pas. Duket e gjitha si një pretekst, domethënë, ata (BE) pretendojnë se duan Ballkanin Perëndimor dhe në fakt nuk e bëjnë. Është e njëjta gjë kur shikoni agjendën e reformave në këtë rajon, ku herë pas here vendet pretendojnë se duan reforma, dhe në fakt nuk të bëjnë.

Sugjerimi im është që rajoni të mendojë vetë se çfarë dëshiron dhe cilat vende, individualisht dhe i gjithë rajoni mund të bëjnë vetë dhe si mund të përgatisin dhe integrojnë në BE. Nga ana tjetër, unë gjithashtu besoj se BE-ja duhet të dalë me ide që t’i afrohet rajonit.

Austria ka përvojë të mirë sa i përket ekonomisë dhe në fund të fundit është se vendet që nuk janë ende të gatshme për BE mund të përdorin hapësirat ekonomike. Sidoqoftë është gjë e keqe të thuash se është një “dhomë pritjeje”.

Mini-Shengeni nuk është zëvendësues i BE-së dhe e keqja është që ajo shihet si lloj zëvendësuesi për anëtarësim. Është gjë e mirë, ka potencial dhe diçka mund të bëhet. Unë mendoj se do të kishte mbështetjen e të gjithë atyre që pretendojnë Unionin.

Lidhjet dhe reformat rajonale duhet të ndërtohen dhe zbatohen më shpejt sepse ato do të na afrojnë me BE-në pasi anëtarësimi me siguri do të ndodhë. Nëse BE nuk negocion tani me Maqedoninë e Veriut, pse nuk duhet që ky vend të bëjë atë që i nevojitet sidoqoftë.

o.j/dita

Me nderime shtetërore është pritur në Kosovë ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka nderuar ish presidentin amerikan me medaljen Urdhri i Lirisë në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe.

Clinton tha se e gjitha bota duhet të shoh Kosovën si vend të demokracisë.

Clinton: Ju keni mundësi të bëheni shembull i botës

“E gjithë bota sot, në gjithë këtë trazirë duhet ta shohë Kosovën si vend të demokracisë, i përkushtuar të përmirësohet e të rritet dhe të jetojnë në paqe me fqinjët, që është diçka për të cilën duhet të punojë çdo shtet, i madh e i vogël , brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj që e keni mundësinë të bëheni shembull i botës edhe për 20 vjet tjera”, tha Clinton.

Bill Clinton tha se është krenar që ishte president në kohën kur populli i Kosovës kishte nevojë duke theksuar se çfarë është arritur deri më sot është dhe falë vendimit të popullit kosovar për të ndërtuar shtetin, shoqërinë dhe qeverinë dhe për të ecur drejt paqes.

I pyetur për dialogun Kosovë Serbi së cili është mesazhi i Clinton, ai pati këtë përgjigje

Clinton: Kosova e meriton të jetë në BE dhe NATO

“Kosova e meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë tjetër në cilën mund të jetë çdo shtet i pavarur”, tha ai.

Në kabinetin e tij, prej ku i ndaj dekoratën Urdhrin e Lirisë presidenti i Kosovës e falënderoi Clintonin dhe SHBA-të për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

Ai e quajti ish presidentin amerikan hero të Kosovës.

“Sot pas 20 vitesh Kosova është e pavarur, gjatë tërë ketij rrugëtimi kemi ecur së bashku me ju, mbështetja juaj ka qenë jetike për lirinë pavarësinë, dhe tash në rrugëtimin euroatlantik, andaj storia e Kosovës është storie e suksesit të përbashkët. Ju jeni heroi ynë, dhe iu falënderoj shumë-shumë në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës. Duke u bazuar në kompetencat e mia si president i Kosovës, edhe si mik i juaji, sot ndaj çmimin në emër të institucioneve të Kosovës, Urdhrin e Lirisë, nuk ka çmim që mund të shpërblejë atë kontribut tuaj, është liria e vendit të Kosovës që ka reflektuar me paqe dhe stabilitet në Ballkanin perëndimor”, tha Thaçi.

Clinton ka ardhur në Kosovë mëngjesin e sotëm. Pas takimit me Thaçin ai u prit nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Clinton do të marrë pjesë nesër në manifestimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Clinton: Kosova meriton të jetë në BE dhe në NATO

Kosova meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë ndërkombëtare, ka deklaruar të martën në Prishtinë, ish-presidenti amerikan Bill Clinton. Këto komente, Clinton i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i ndau ish-presidentit amerikan “Urdhrin e Lirisë,”, për merita të veçanta për lirinë e Kosovës.

“Isha i lumtur që pasardhësi im, presidenti George W.Bush njohu Kosovën, besoj vetëm një ditë pasi ju shpallët pavarësinë”, tha Clinton.

Clinton tha se ndihej krenar që ishte president i SHBA-së në kohën kur dikush është dashur të ngritet dhe ta thotë qartë se “nuk ka më pastrim etnik në Kosovë, nuk ka më përndjekje të njerëzve prej shtëpive të tyre dhe nuk ka më vrasje të civilëve”.

Ai tha se jo vetëm SHBA, por gjithë bota duhet të jetë krenare me të arriturat në Kosovë, demokracinë e saj dhe shtet-ndërtimin.

Ai inkurajoi lidershipin e Kosovës që tani të ndërtojnë paqen brenda e jashtë kufijve të Kosovës, për dëshmuar se është shtet demokratik.

ImageFOTO GALERI
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Clinton është heroi i Kosovës dhe i shprehu mirënjohjen më të më lartë atij për vendimin historik që kishte marrë në vitin 1999 për ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.

Duke i ndarë atij “Urdhrin e Lirisë”, Thaçi tha se duke nuk ka çmim dhe as medalje që e vlerëson drejtë gjithë kontributin e madh që Clinton ka luajtur për lirinë e Kosovës dhe popullit të saj.

Ish-presidenti Clinton dhe ish-sekretarja amerikan, Madeline Albright po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që shënon edhe ditën e lirisë së Kosovës.

Kosova shënon të mërkurën, 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it. Kjo ditë, shënohet edhe si dita e lirisë apo çlirimit të Kosovës.

Si datë e cilësuar historike, autoritetet në Prishtinë kanë ftuar që të marrin pjesë në këtë jubile, edhe ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeline Albright dhe shumë personalitete tjera që ndihmuan në çlirimin e Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Një ditë më herët, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja Teknike e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, më 12 qershor 1999 filloi vendoja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 20 vjet pas kësaj ndërhyrje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it (NATO-s) janë në numër më të vogël dhe numërojnë nga 6 deri në 7 mijë ushtarë, të cilët janë të dislokuar në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Clinton: Jam ndjerë i lumtur kur Presidenti Bush njohu Kosovën

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton,është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai është dekoruar me çmimin ‘Urdhri i Lirisë, ndërkohë i pyetur nga gazetarët, ka thënë pak fjalë edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Clinton ka thënë se vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian, NATO dhe në të gjithë organizatat tjera ndërkombëtare, ku një vend i pavarur meriton të jetë.

Ndër të tjera ka thënë se është ndjerë shumë i lumtur kur presidenti George W Bush e kishte njohur pavarësinë e Kosovës dhe e kishte mbështetur Kosovën në rrugën e saj.

Ai thotë se në një situatë politike të brishtë në SHBA, çështja e Kosovës ishte e vetmja për të cilën pajtoheshin të gjithë.

“Kosova meriton të jetë në BE në NATO dhe në organizatat tjera ku një shtet i pavarur meriton të jetë. Unë jam ndjerë shumë i kënaqur kur presidenti Bush e ka njohur pavarësinë e Kosovë, dhe ka mbështetur shtetin tuaj. Në një situatë shumë të komplikuar politike në SHBA, Ju jeni një prej gjërave për të cilat të gjithë amerikanët pajtohen dhe dëshiroj që të mbeteni të tillë. Mendoj se vendi ynë do të vazhdojë të pajtohet për Kosovën”, ka thënë Clinton.

Clinton ka thënë se pavarësisht se sa është i madh një shtet, duhet punuar për paqe me fqinjët, brenda dhe jashtë kufijve.

Kryeministri i Kosovës,Ramush Haradinaj e kancelarja gjermane Angela Merkel kanë arritur në vendin ku do të mbahet edhe takimi i sotëm, raporton Gazeta Express.

Takimi pritet të fillojë për pak minuta, derisa kryeministri më parë u takua edhe me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratovic, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff, Die Grünen.

Sic ka shkruar Haradinaj në Facebook, me deputetët gjermanë kanë biseduar për zhvillimet në vend dhe në rajon si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi” ka përfunduar dje, dhe në mesditë përurohet hapja e saj nga Presidenti Hashim Thai dhe Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli.

Agjendat e krerëve shtetërorë bëjnë të ditur se Haradinaj dhe Thaçi do të jenë të pranishëm në inaugurimin e autostradës.

“Në orën 12:00, presidenti Thaçi merr pjesë në ceremoninë e hapjes së segmentit R6 të autostradës ‘Arbën Xhaferi’”, njofton Presidenca.

Në të njëjtën ditë, Kryeministri Ramush Haradinaj e pret në takim homologun e tij malazias, Dushko Markoviq. Pas takimit, ai nisët për përurim të

“Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e hapjes së Autostradës “Arbën Xhaferi’”, thuhet në komunikatët nga Zyra e Kryeministrit.

Në Han të Elezit ka plan që të shkojë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

“Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në ceremoninë e hapjes së segmentit R6 të autostradës ‘Arbën Xhaferi’”, shkruan zyra e Kryeparlmanetarit.

Hapja e Autostradës Prishtinë-Shkup po bëhet me pesë muaj vonesë. Ajo ka pasur plan që të hapet më 31 dhjetor të vitit 2018.

Autostrada po lëshohet në qarkullim, ndërsa Kosova do të paguaj ekstra Bechtel & Enka-s 54 milionë euro për shkak të vonesave të pagesave gjatë këtyre viteve kur po ndërtohej autostrada. 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u tregua shumë i ashpër me akuza ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Berisha është argat i Sllobodan Millosheviçit prej 3 dekadash, bën përçarësin e politikës shqiptare, përqafon idetë antikombëtare dhe pengon të ardhmen zhvillimore të Shqipërisë”, theksoi Thaçi në emisionin “Open”.

Saliu ka qenë gjithmonë që Kosova të jetë autonomi kulturore nën Serbinë. Ai ka pasur vullnetin dhe ka treguar angazhim që Kosova të mbetet nën Serbi”, shtoi Thaçi, duke akuzuar se “Sali Ramë Berisha ka furnizuar Millosheviçin me kallashnikovë që të vazhdonte gjenocidin në Kosovë”.