bedri_islamiBedri Islami-Një “hero” pas akshamit apo një rikthim serb
Të gjitha grupet e dënuara nga lëvizja çlirimtare në Kosovë, në të gjitha instancat ku edhe janë dënuar, deri në Gjykatën Supreme, në asnjë rast nuk kanë pasur vite të caktuara dënimi si pjesë e një lëvizje marksiste-leniniste. Nëse ndonjë prej tyre, në fakt më e vendosura, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, OMLK, deri në janarin e vitit 1982 kishte paraqitjen e jashtme si një lëvizje e ngjashme me atë që ishte në shtetin amë. Në thelbin e saj ajo ishte thellësisht nacionaliste, e këtë e dinin fare mirë të gjitha qarqet politike në shtetin serb. Pas Bashkim-Shkrirjes të të gjitha grupeve të lëvizjes çlirimtare dhe formimit të së njëjtës trupë drejtuese, ku për herë të parë do të përcaktohet edhe sekretari për problemet e luftës dhe ky do të ishte Fehmi Lladrovci, njëra ndër figurat më të shquara të saj as si formë, aq më pak si përmbajtje, do të jetë emërtimi marksist-leninist. Dhe ata u dënuan si nacionalistë, separatistë dhe irredentistë, e si do të thoshte më pas një tjetër figurë e ndritur e Lëvizjes Çlirimtare, Xhavit Hoxha, “po, kemi qenë dhe mbetemi nacionalistë e irredentistë, sepse e duam Kosovën dhe sepse guxojmë të ëndërrojmë dhe të punojmë për bashkimin me Shqipërinë”. Në fund të fundit, edhe nga lidhjet e Lëvizjes Çlirimtare me shtetin shqiptar të kohës, atyre do t’u vinte një orientim i saktë, sipas të cilit, ata duhej të hiqnin dorë nga qëndrimet ideologjike, nga glorifikimi i shtetit shqiptar dhe i figurës së Enver Hoxhës dhe duhet të përqendroheshin në lëvizjen çlirimtare.
Përse tani, pas kaq shumë viteve, “buxhovistët”, si një rrymë titiste në politikën shqiptare në Kosovë, duan ta akuzojnë Lëvizjen Çlirimtare si thellësisht të majtë dhe nëpërmjet saj t’i justifikojnë vrasjet masive, dhunën, burgosjet, torturat, shkatërrimet? Vërtet e vranë, le të marrim një shembull, Tahir Lush Berishën, 23-vjeçar, mësues i artit, sepse ai ishte marksist-leninist? Vërtet ia arrestuan nënën, Shkurte Berishën, 70-vjeçare, se i biri ishte marksist-leninist? Vallë për këtë shkak ia arrestuan të vëllezërit, Skënderin dhe Maxhunin, nuk i lejuan ceremoninë mortore dhe arrestuan edhe njerëzit që shkuan për ngushëllim? Tahir Berisha ishte një ndër të vrarët e Lëvizjes Çlirimtare, por jo i pari prej tyre dhe as i fundit.
Vërtet policia serbe, të cilën e justifikon Jusuf Buxhovi, i vrau Hasan Ramadanin dhe bijën e tij, Fitnetën, 17-vjeçare, sepse ishin, babë e bijë, marksistë-leninistë? Ata ishin pjesë e Lëvizjes Çlirimtare të zonës së Llapit, nga ishte edhe Ali Ajeti, po ashtu i vrarë nga forcat serbe, këtë herë nëpërmjet helikopterëve ushtarakë dhe, jam i bindur se as që kishin menduar ndonjëherë për marksizëm, sepse edhe në përmbajtje edhe në formë, duke qenë një ideologji që vinte nga Lindja, nga i kishin ardhur të zezat Kosovës, ishte krejt e papranueshme për to.
Interesant është fakti se akuzat më të mëdha dhe të pështira ndaj Lëvizjes Çlirimtare, si një forcë e majtë dhe që është dënuar si e tillë, i vijnë nga ish-komunistët shqiptarë në Kosovë, pjesë e Partisë Komuniste serbe, pra një aneks i saj dhe dyfish të neveritshëm. Jorastësisht, pikërisht këto forca proserbe dhe ish-komuniste do ta gjejnë përkrahjen më të ndjeshme në Shqipërinë e pas vitit 1992, do të kenë aleanca të përbashkëta dhe qëndrim, po ashtu të përbashkët dhe mohues ndaj forcave çlirimtare në Kosovë. Kjo nuk lidhet thjesht me dhëndërrimin proserb të Berishës, por me gjithë atë që ngjau aty, ku dolë në sipërfaqe dhe u ngjitën deri në majë të shtetit shumë nga ata që ishin të lidhur jo vetëm shpirtërisht, por edhe si pjesë të shërbimit të fshehtë, me shtetin serb.
Lëvizja Çlirimtare në Kosovë do ta ketë fillimin e saj të përgjakur: me vrasjen e themeluesve, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, e kjo do ta shoqërojë atë në të gjitha vitet e rritjes së saj. Ajo do të jetë Organizata së cilës, në vite të ndryshme, nëpërmjet atentateve dhe njësive speciale, do t’i vriten drejtuesit kryesorë, politikë e ushtarakë, por do të ketë edhe meritën, sepse rishtas do ta ketë forcën e duhur për një ringritje.
Për vrasjet e tjera do të flasim edhe më poshtë, duke dëshmuar se si ndodhën ato, por alibia e ngritur tani nga Buxhovi dhe të tjerë rreth e rreth tij, është alibia dhe justifikimi i vrasjeve, është marrja në mbrojtje e dhunës dhe e vrasjeve serbe, është justifikim për terrorin që ishte i pranishëm kudo, por jo në zyrën, në banesën dhe në jetën e Buxhovit.
Çfarë kërkonin këta njerëz, të gatshëm për t’u sakrifikuar, të cilët qëndronin në Kosovë edhe kur ishin të bindur se të nesërmen do të arrestoheshin?
Në përgjigjet e njëjta të 27 të burgosurve politikë, mes të cilëve emra të njohur të Lëvizjes Çlirimtare, do të theksohet se ata janë për republikën e Kosovës, se kërkesa e tyre është e drejtë dhe se këtë do ta arrijnë, “ja ma hatër, ja me luftë”.
Që në krye të herës, pas gjithë llumit që është ngritur për fare pak kohë, pas si vazhdë e “përmbytjeve të dikurshme”, unë kam vënë disa pikëpyetje, sqarimi i të cilave tashmë, edhe një herë, qenka i domosdoshëm. Le t’i shohim qetësisht:
Pse ndodh e gjithë kjo… Kush qëndron pas tyre… a është rastësi kjo sintoni e llahtarshme e shpifjeve dhe cila është e vërteta e lëvizjes çlirimtare… ishin ata nacionalistë e atdhetarë apo të shitur tek UDB-a dhe KGB-a… kush ishin në fakt të shiturit dhe kush ishin të sakrifikuarit…

Pse ndodh gjithë kjo?

Njeriut të kujdesshëm do të mund t’i kujtohej se kjo nuk është hera e parë se, mjerisht, të gjitha këto që po ngrihen sot nuk janë asgjë tjetër veçse një përsëritje e asaj që ka ndodhur që me rishfaqjen e lëvizjes çlirimtare si një staturë e organizuar dhe mllefi i tashëm nuk është asgjë tjetër veçse përsëritje në një kohë të mëvonshme, por që ka lidhje me të shkuarën. Nuk është interesant të vrojtohet se e gjithë propaganda e serbofilëve dhe e shqipfolësve, edhe kur janë intelektualë, si ishte, për shembull, Buxhovi, është e njëjtë me atë që ka derdhur shtypi beogradas. Nganjëherë detajet janë deri në imtësi, por përsëri, me gjithë shfaqjen e saj makabre, nuk ka qenë forma ajo që ka trazuar, por egërsia. Asnjëherë, në të gjithë shtypin e shkruar apo në atë medial, këta zëdhënës të shprishur nuk kanë, në asnjë të qindtën, kaq të rreptë ndaj aparatit policor serb, sa kanë qenë kundër lëvizjes çlirimtare. Që në krijimin e saj alternativa paqësore kosovare, e cila e gjeti oportune të regjistrohej në Ministrinë e Drejtësisë në Beograd, megjithëse në letër e kishin krijuar Qeverinë e Kosovës, mllefin e saj e vendosi tek ish të burgosurit politikë dhe tek ajo që i përfaqësonte, Lëvizjen Çlirimtare, e strukturuar pas Lëvizjes Popullore të Kosovës. Gazeta “Bujku”, simotra e organit famëkeq “Rilindja”, në të gjithë numrat e saj të parë hodhi po këtë vrer që hedh sot Buxhovi, e kjo nuk çudit askënd që i di ngjarjet dhe personazhet dhe mund të kujtohet se ky Buxhov nuk ishte as më shumë e as më pak, veçse sekretari i LDK-së, njeriu i dytë në atë hierarki. Lëvizja Çlirimtare, përfaqësuesit e saj u takuan atë botë me Fehmi Aganin dhe i kërkuan t’i ndalnin sulmet e shpifjet, sepse “nëse ishte për të folur, lëvizja kishte shumë e shumë më tepër të vërteta sesa kishin ata shpifje e trillime”. Agani i drejtoi tek Rugova, e pas kësaj sulmet heshtën për një farë kohe, e përsëri kjo përkon me largimin e Buxhovit dhe të disa udbashëve nga drejtimi i LDK-së. Kjo që ndodh tani është një ndihmesë më shumë për trajtimet politike e juridike që do të ketë së shpejti çështja e Kosovës për të gjithë ata që prej kohe janë vendosur kundër saj. Është në një kohë sinkron me lëvizjet politike serbe, me disa botime të sponsorizuara prej saj, me regjistrimit e vëllezërve Kariq e të tjerëve nëpër kampet e emigrantëve serbë, shumë nga të cilët nuk kanë ikur nga Kosova sepse druheshin për hiçgjë, por sepse disa ishin pjesë e krimeve dhe disa të tjerë e dinë fare mirë se janë në tokë të huaj. Dhe toka e huaj nuk të mban. Jorastësisht, disa ditë më parë, një nga vëllezërit Kariq, në Slloveni, kishte të njëjtën retorikë si kjo që po mbin në Kosovë. Duhet të jesh naiv të besosh se kjo është rastësi.

Kush qëndron pas tyre?

Përgjigjja më e shkurtër dhe më e përgjithshme do të ishte, Beogradi. Kjo i thotë të gjitha dhe nuk thotë asgjë. I thotë të gjitha sepse, që andej, mjerisht edhe sot, mbi viset shqiptare në Kosovë kanë ardhur gjithnjë akullimet e jetës dhe të politikës dhe kanë ardhur së bashku me gjakun e derdhur. Por, tashmë, si në çdo krahasim tjetër që ka çalimin e tij, edhe kjo është një e vërtetë e përgjithshme, por që ka edhe specifikat e saj.
Njëra prej tyre është edhe atë që mendohet të ndodhë: detantën politike. Para zhvillimit të ngjarjeve është një precedent: shteti kroat dorëzoi tek shteti gjerman emrin e një bashkëpunëtori të shërbimit të fshehtë të dikurshëm të saj, i cili kishte organizuar vrasjet e lëvizjes së rezistencës kroate në mërgim. dhe ka pasur disa të tilla.
Për analogji, më në fund, shteti gjerman, sidomos pas disa shkrimeve, por edhe një libri të botuar nga unë, “Lëvizja… lindje e përgjakur: ashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin”, ka ringritur disa ngjarje të tilla ndaj shqiptarëve të Kosovës. Është ringritur çështja e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, themelues të Lëvizjes Popullore të Kosovës, njëkohësisht heronjtë e parë të saj. Ringritja e kësaj çështje, por edhe e të tjerave, ka sjellë alarmin e disa nga bashkëpunëtorëve të afërt dhe të fshehtë, si janë zakonisht, të shërbimit sekret serb në falangat e shqiptarëve, shumë nga të cilët kanë qenë në Perëndim, pikërisht kur këto vrasje e të tjera si këto, kanë ndodhur. Këta bashkëpunëtorë kanë drojën e ligjshme se pas disa avantazheve që mund t’i jepen shtetit serb, mund të ketë lëshime të kësaj natyre, mund të sakrifikohen disa nga këta bashkëpunëtorë, të cilët janë edhe limonë të shtrydhur dhe nuk çojnë shumë peshë në politikën serbe, e cila, edhe në këtë rast, shumë mirë mund të fshihet pas fantazmës së përgjakur të Millosheviqit. Është i njohur fakti, apo mentaliteti serb, se për të përfituar qoftë edhe një gram në dobinë e tyre, janë të gatshëm të japin një ton me shqiptarë, aq më shumë nga ata të cilët nuk u duhen më. Duke e njohur edhe këtë mentalitet, bashkëpunëtorët e dikurshëm të shërbimit sekret serb, por edhe drojën se mund të përsëritet precedenti kroat, po rendnin për të dëshmuar se janë ende të dobishëm, si një shenjë se nuk duhet dhënë e kaluara e tyre, sepse mund të jenë të dobishëm edhe në të ardhmen.
Pra, pas tyre, më shumë se gjithçka tjetër, qëndron e kaluara, momenti kur për hir të një udhëtimi, të një shërbimi, të një vile, të një libri apo për të qenë diku në Perëndim, kanë pranuar të bëhen bashkëpunëtorë të djallit. Sepse të thuash se e kanë bërë për hir të parimeve, kjo është larg mendsh, sepse asnjëri prej tyre, duke filluar që nga më i njohuri, Selim Brosha e deri tek anonimët dhe “intelektualët”, nuk ka pasur parime e nuk mund të ketë. Shumica e të burgosurve politikë shqiptarë kanë dëshmuar bindshëm se në ditët e gjata të torturave ata më shumë janë keqtrajtuar e rrahur deri në përgjakje nga shqipfolësit sesa nga hetuesit serbë, të cilët, pasi i ndërsenin kundër tyre, rrinin në një qoshe dhe zgërdhiheshin duke parë se si shqiptarë të shitur rrihnin shqiptarë të guximshëm. Të gjithë këto, hetues, prokurorë e hetues, të strukturë për disa kohë, u rizgjuan, sepse panë se si u hapën portat për to, edhe një herë, se si një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, atë që kishte dënuar dikur në vendin e tyre, po e lejonin këtu; vunë re se edhe të tjerë, veç serbëve, kishin nevojë për afrimin e tyre dhe, doli në skenë një tip i ri udbashi, që plekste të vjetrën me të renë, si ishte rasti i Fadil Sulejviqit, i cili aq sa kishte mëkate në regjimin e shkuar, si ishte rasti i rrëmbimit dhe i zhdukjes së mjekut atdhetar, Hafir Shala, ish i burgosur politik; po aq ishte i devotshëm të ngrinte akuza dhe specifikime të sajuara ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo skotë mendon se erdhi çasti për të goditur edhe një herë, por meqë nuk kanë asgjë të re nga thesi i vjetër, ata shkundin përsëri atë miell të zi. Kundër kujt?, tashmë dihet. Ata ishin e mbeten kundër lëvizjes çlirimtare, deri në ashpërsi, deri në thelb, e këtë e shfaqën haptas, sipas një udhëzimi të caktuar, që në fillesat e shfaqjes së saj. Është e mjerueshme të lexosh sot në “Rilindja” etiketimet e forcave çlirimtare si një forcë e ultrashovinistëve të Sheshelit, pastaj si dorë e zgjatur e Serbisë, si vegël e Arkanit dhe, tani, nga mendja e Buxhovit del edhe një “xhevahir”, si njerëz të KGB-së ruse.
Vërtet çfarë ishin këta njerëz, të cilët më pas Ismail Kadare do t’i quante “dalzotësit e kombit”? Ishin vërtet “grupe terroriste” si i cilësonte shtypi shqiptar proverb, njëkohësisht media serbe, apo njerëz të vendosur për ta bërë detyrën e tyre… ishin ata dorë e zgjatur e shërbimit të fshehtë serb po atdhetarë të bindur se rruga e vetme që i kishte mbetur do të ishte lufta e armatosur? Dolën ata nga hiçi, apo ishin ngritur mbi një vizion të përcaktuar qartësisht? Ishin të panjohur dhe si ndodhi që u bënë figurat më mitike të epikës historike moderne në viset shqiptare në Kosovë? Le të vazhdojmë… (VIJON)