Ministria e Financave ka filluar përpilimin e buxhetit për vitin 2011. Por a do të përsëriten edhe këtë vit, ashtu si vitet e kaluara, lëshimet dhe diskriminimi etnik në shpërndarjen e mjeteve, mbetet enigmë që as ekspertët ekonomik, por edhe resorët përkatës nuk kanë një përgjigje të prerë. Askush nuk mund të thotë me saktësi nëse shqiptarët kësaj radhe do të fitojnë hisen e 25 përqindëshit të kulaçit buxhetor, aq sa përbëjnë në strukturën e popullsisë së Maqedonisë.
Profesori i ekonomisë në UEJL, Abdylmenaf Bexheti, detekton problemin e partive shqiptare, të cilat ndër vite nuk kanë mundur të marrin hisen e merituar nga paratë shtetërore, edhe pse shqiptarët participojnë përmes taksave në mbushjen e arkës shtetërore. Ai jep alternativa se si partitë shqiptare ta ndryshojnë procesin e përpilimit të buxhetit. “Si mënyrë e vetme për të ndryshuar procesin e përpilimin të buxhetit, pavarësisht se cila parti është në pushtet, në rastin konkret BDI-ja, si dhe çdo subjekt tjetër, do të duhej të krijonin një ‘Këshill fiskal’ që do të merret me studimet, analizat dhe krijimin e bazës fiskale si dhe projekteve konkrete për buxhete konkrete. Me një analizë dhe argumente të qëndrueshme mund të sfidoni qeveritë me disponim diskriminues fiskal ndaj rajoneve, projekteve dhe komunave shqiptare. Vetëm kjo është zgjidhje e qëndrueshme fiskale, çdo gjë tjetër është vetëm zhurme ditore politike dhe mbledhje e ‘thermave fiskale’ e jo të participimit meritor”, thotë eksperti Abdylmenaf Bexheti. Ai shprehet i rezervuar ne lidhje me procesin e përpilimit të buxhetit pasi, sipas Bexhetit, me këtë proces duhet të fillohet në pjesën e parë të vitit.
“Nëse që nga fillimi i përpilimit të objektivave fiskale nuk ka pjesëmarrje aktive në këtë proces nga partia në pushtete, sigurisht se në fazën e draftimit zyrtar të tij nuk mund të bëhen ndryshime qenësore, por vetëm ndonjë ‘kozmetikë fiskale’. Kur kemi parasysh këtë, atëherë shqiptarët nuk mund të presin asgjë spektakolare nëse ato s’kanë qenë pjesë substanciale e procesit buxhetor që nga faza fillestare kur vendosën fondamentet-objektivat fiskale për periudhën e ardhshme fiskale”, thotë eksperti ekonomik.
Kështu edhe ka ndodhur në të kaluarën, ndërkaq problem shtesë dy vitet e fundit paraqet edhe kriza globale e cila, sipas Qeverisë, ka ndikuar në shkurtimin e mjeteve për shumë projekte infrastrukturore dhe kapitale. Megjithatë, ekspertët mbeten me kritika të ashpra ndaj garniturës qeveritare, duke e akuzuar se po harxhon mjete për investime joproduktive siç është projekti “Shkupi 2014″, për të cilin zyrtarisht u tha se vitin e kaluar u dedikuan 80 milionë euro.
Ndërkohë, vitin e kaluar për ndarjen e buxhetit ashtu si edhe me rebalancin pati ankesa për shkurtime mjetesh në USHT, spitalet shqiptare, komunat dhe në sferën e kulturës. BDI në disa prej këtyre dikastereve arriti ti përmirësojë përmes rebalancit. Ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi nuk pajtohet me konstatimin se BDI-ja ka qasje inferiore në përgatitjen e buxheteve si partner i koalicionit qeveritar me VMRO-në. “Nuk pajtohem me qëndrimet që pozicioni i BDI-së në Qeveri është inferior, sepse ministrat shqiptarë dalin me qëndrime të kundërta kur debatohet për buxhetin në Qeveri. Kështu mund të themi se në buxhetin e vitit 2010 ka relativisht strukturë më të përshtatshme për shqiptarët krahasuar me buxhetin e vitit 2007″, thotë ministri Besimi. Si argument se kanë ndodhur lëvizje pozitive në dhënien e më shumë parave për projektet në buxhet, Besimi përmend faktin se edhe pse me rishikimin e buxhetit janë zvogëluar mjetet në më shumë projekte, për USHT-në është rritur buxheti. Ai si sukses përmend edhe ndarjen e mjeteve për projektin ideor për rregullimin e sheshit “Skënderbeu” në Shkup si dhe projekte tjera. “Personalisht nuk jam i kënaqur me buxhetin për shkak se do të kisha dashur që struktura për projekte kapitale të jetë më e madhe. Ndërsa, sa i përket faktit se duhet të ndahen më shumë mjete buxhetore për avancimin e projekteve nëpër vendbanimet shqiptare, mendoj se ka hapësirë që kjo të bëhet”, thotë ai. Ndërkaq, profesori i ekonomisë në UEJL, Abdylmenaf Bexhti, sa i përket çështjes se sa janë reale mjetet financiare të buxheteve të deritanishme të destinuara për realizmin e projekteve shqiptare, shprehet se nuk ka studime statistikore konkrete. “Sigurisht se buxheti për projektet që kanë të bëjnë me shqiptarët është 2 apo 3 herë më pak se sa meritojnë, apo që kontribuojnë. BDI-ja asnjëherë nuk i ka ngulfatur këto procese, tjetër është se sa ka bëre realisht, por ama nuk ka penguar mendimin dhe kritikën e lirë. Unë personalisht kam qenë dhe jam goxha i zëshëm në këtë proces dhe asnjëherë s’kam pasur ndonjë pasojë për këtë”, thotë Bexheti. Ndryshe, Buxheti i përgjithshëm i vendit është 2.3 miliardë euro.

FATMIR BESIMI
Personalisht nuk jam i kënaqur me buxhetin për shkak se do të kisha dashur që struktura për projekte kapitale të jetë më e madhe.
Ndërsa, sa i përket faktit se duhet të ndahen më shumë mjete buxhetore për avancimin e projekteve nëpër vendbanimet shqiptare, mendoj se ka hapësirë që kjo të bëhet

ABDYLMENAF BEXHETI
Si mënyrë e vetme për të ndryshuar procesin e përpilimin të buxhetit, pavarësisht se cila parti është në pushtet, në rastin konkret BDI-ja, si dhe çdo subjekt tjetër, do të duhej të krijonin një ‘Këshill fiskal’ që do të merret me studimet, analizat dhe krijimin e bazës fiskale si dhe projekteve konkrete për buxhete konkrete

Herët të flitet sa do të marrin shqiptarët
Ministria e Financave e pyetur nga “Koha” rreth përpilimit të buxhetit për vitin 2011, si dhe projekteve eventuale që do të fiton shqiptarët, është mjaftuar të thotë se është herët të flitet për këtë temë. “Është herët të flitet se sa para parashihen me buxhetin për vitin 2011 për projekte shqiptare, sepse Ministria e Financave projekton kornizë buxhetore sipas mundësive të financimit. Kjo është faza e parë dhe pastaj Ministria e financave deri të ministritë dërgon qarkore ku ministrat duhet të dërgojnë projekte që dëshirojnë t’i realizojnë”, thonë nga kabineti i ministrit të Financave, Zoran Stavrevski.