Vrasësi masiv norvegjez, tashmë i dënuari, 36 vjeçari Anders Behring Breivik, i cili aktualisht është duke vuajtur një dënimin me 21 vjet burg, nuk ka hequr dorë nga dëshira për të studiuar. Si nxënës i parregullt, ai përfundoi shkollën e mesme dhe tani dëshiron të studiojë shkencat politike.

Breivik, i cili katër vjet më parë në mënyrë brutale vrau 77 persona dhe plagosi 242 të tjerë, ka konkurruar për tu regjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Oslos, raporton Anadolu Agency (AA).

Avokati i tij Oystein Storrvik tha se Universiteti do të deklarohet më 20 korrik rreth kërkesës së Breivik.

Vrasësi famëkeq Breivik edhe dy vjet më parë ishte përpjekur që të regjistrohet në fakultetin e njëjtë, por kërkesa e tij ishte refuzuar, ndër të tjera edhe për shkak të mospërfundimit të shkollës së mesme. Ai në ndërkohë si nxënës i parregullt ka përfunduar shkollën e Tregtisë të cilën e kishte ndërprerë në vitin 1998.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike në Oslo, Dag Harald Claes tha se Breivik edhe po të pranohet nuk do të mund të përfundojë studimet sepse më shumë se gjysma e lëndëve kërkon prezencë gjatë ligjëratave dhe prezantimin në seminare dhe detyra të ndryshme.

Po ashtu edhe rektori i Universitetit të Oslos, Ole Petter Ottersen tha se Breivik gjatë vuajtjes së dënimit nuk do të mund të hyjë në kampusin universitar apo të takohet me personelin universitar dhe studentët.

Rikujtojmë se Breivik, më 22 korrik 2011, hapi zjarr në kampin veror të të rinjve në ishullin e Utoya, ku vrau 69 persona, në mesin e të cilëve ishte edhe kosovarja Lejla Selaci, aso kohe 17-vjeçe, ndërsa para këtij sulmi në afërsi të ndërtesës së qeverisë në Oslo kishte kryer sulm me bombë, duke vrarë tetë persona. Në këto sulme u plagosën 242 persona. Për këtë ai u dënua me dënim maksimal me burg prej 21 vitesh.