Bekim Kupina-Të korruptuar në mendje
Rektori Ibrahim Gashi mund edhe të mos japë dorëheqjen dhe për Kosovën kjo nuk përbën lajm. Por turpi do t’u bjerë atyre mijëra studentëve që denjojnë ta kenë një rektor të tillë. E, turpi mbi të gjitha është për shoqërinë kosovare, ngase korrupsioni tashmë ka depërtuar në mendjet tona
Tetë vjet më parë, në fund të semestrit, 25 vijuesve të studimeve master në shkenca politike u janë bashkëngjitur edhe 15 të tjerë me një vendim të shefit të Katedrës së shkencave politike, Ibrahim Gashi. Një vendim të tillë Ministria e Arsimit atëbotë e pati kontestuar.
Nëntë vjet më parë, Ibrahim Gashi ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (UP) e më pas zëdhënës i “rektorit” Arsim Bajrami, i cili në korrik të 2005-s është shkarkuar nga kjo pozitë me vendimin e Qeverisë dhe arsyetimin se në krye të këtij institucioni ka ardhur në mënyrë të kundërligjshme.
Një vit më vonë, çështja e UP-së është debatuar në një seancë të Kuvendit të Kosovës, dhe me atë rast ishte kërkuar depolitizimi i tij.
Futjen e UP-së në agjendën e legjislativit kosovar e kishte shkaktuar pikërisht ekipi që drejtonte këtë institucion, pjesë e të cilit ishte edhe Ibrahim Gashi.
Tetë vjet më vonë, sërish Ibrahim Gashi, tashti nga pozicioni i rektorit, Universitetin do ta bëjë temë debati në Kuvendin e Kosovës, afërsisht për të njëjtat shkaqe, përveçse kësaj here ai është shkaktari.
Historiani i paketuar si politikan u vu në krye të UP-së gjatë 2012-s, dhe atë disa muaj pasi që paraprakisht ishte bërë lajm në çarshi se ai do të trashëgonte në post një rektor tjetër që gjithashtu mbaroi mandatin i zhytur në disa afera.
I shkolluar për historian, Gashit nuk i bën përshtypje nëse një punim i tij është publikuar në një revistë të rreme, ndaj vetëdijshëm ai bëhet pjesë e historisë gri të këtij universiteti. Për më tepër, ai shërbehet me terminologji religjioze, duke e cilësuar universitetin të shenjtë. Por, lëre që UP nuk është i shenjtë, por skajshmërisht e ka vënë në rrezik edhe emërtimin universitet, duke rënë pre e logjikës së tezgave në të cilat shitet mall i dalë mode. Kësisoj, rektori Gashi është shndërruar në batakçi tezgash arsimore.
Gjithsesi nga këto zhvillime, Gashi jo që duhet ta lirojë karrigen e rezervuar për të, por edhe duhet t’i nënshtrohet vlerësimit profesional. Thjesht, për shkakun që një person me sfond 20- vjeçar akademik, siç pretendon të jetë ai, është dashur ta dinte se bota ka plot revista fantome. E nëse revista i paska fajet, atëherë ka një zgjidhje. Le ta bëjë publik punimin e tij dhe t’ia nënshtrojë një vlerësimi, jo vetëm të kolegëve të tij, por edhe më gjerë.
Të jesh pjesë e kuadrit universitar do të thotë të kesh kurajë të pranosh gabimet dhe të japësh llogari në proporcion me peshën e gabimit dhe jo të demonstrosh prepotencë të shtirur akademike për t’i fshehur dobësitë profesionale. Ai dhe kolegët e tij nuk kanë as më të voglën arsye për mburrje. Por, arsye për mburrje kanë kolegët gazetarë nga “Koha Ditore”, të cilët ndihmuan dhe po ndihmojnë që kjo shoqëri të ngrihet në këmbë të mbara. Në asnjë rast, Gashi apo kolegët e tij nuk kanë denoncuar asnjë veprim kundërligjor në UP, teksa këtë gjë e ka bërë KD-ja. Një gazetë mund të luftojë për një shoqëri të ndershme dhe për dinjitet profesional edhe në UP, por një gazetë nuk mund ta shpëtojë një vend nëse ekziston një pakt pothuajse djallëzor për të bashkëjetuar me krime të llojllojshme, përfshirë edhe ato akademike.
Gashi dhe kolegët e tij duhet të binden se nuk mbahet universiteti vetëm me ndarjen e çmimit “Honoris Causa” për këdo që bie andej nga kampusi universitar. Gjithashtu, nuk mbahet as me një duzinë nepotistësh, të cilët prej vitesh po e zbatojnë formulën “etër e bij”, dhe që i kanë mbërthyer disa njësi akademike të këtij universiteti. Njerëz që prej vitesh tuten nga fjala publike. Aty s`ka vend për kuadro të reja, që tentojnë të prodhojnë vlera, por, për poltronë, të cilët akronimit UP i kanë dhënë karakterin e universitetit palevale.
Është zor të identifikohet qoftë edhe një veprim i guximshëm që ka bërë Gashi gjatë periudhës prej se ka marrë drejtimin e UP-së. Asgjë nuk është parë në UP nën drejtimin e Gashit në krahasim me guximin që manifestojnë kolegët e tij gjithandej globit. Njëra nga to është Juliete Castellanos, rektore e Universitetit publik në Honduras. Sociologia dhe aktivistja Castellanos është shndërruar në ikonë kundrejt korrupsionit dhe denoncimit të karteleve të drogës. Rektorja 60-vjeçare ka arritur që punën e saj prej një intelektualeje ta nxjerrë nga katedra, duke u bërë një fortifikatë e pamposhtur e denoncimit të narkokarteleve në Honduras dhe korrupsionit që po gërryen shtetin që në spanjisht ka kuptimin e fjalës “thellësi”.
Castellanos nuk ka ngurruar që në shkrimet e saj ta godasë shtetin, pjesë e të cilit është, me gjuhën më të ashpër të mundshme, në një vend që edhe ashtu tradicionalisht është udhëhequr nga juntat ushtarake. “Hondurasi: shtet i korrupsionit”, ka shkruar Castellanos në njërin nga shkrimet e saj. Vrasja e djalit të saj 22-vjeçar nga policia e Hondurasit ka mobilizuar atë edhe më shumë në luftën antikorrupsion. “E di se njerëzit kanë të drejtë, dhe e di se çfarë duhet të bëjë dhe të mos bëjë Qeveria”, është shprehur ajo në një tekst. Guximi i saj bëri që zëvendësi i saj, Ayax Irias, ta cilësonte “specie e rrallë në një vend si Hondurasi”.
A ka specie të rralla Kosova, apo Universiteti fatin akademik e ka të qeveriset nga injorantë të komunikimit publik, të tillë që janë në listë të zezë të Washingtonit dhe hyjnë në të zezë nga Meksika në Amerikë apo të tillë që publikimet në revistat e rrejshme nuk i shohin si gafë akademike. Çfarë është dashur të ndodhte që rektori të jepte dorëheqjen. Ta vrasë dikë?!
Në një trend kësisoj, pa dyshim çështja e parë që të bie ndërmend është dilema nëse ia vlen të studiohet në UP. Edhe ashtu zërat në nivel global po rriten gjithnjë e më shumë duke i konsideruar studimet universitare si një barrë ekonomike, vlera e të cilave është e diskutueshme. Së paku, një qasje e tillë dominoi në forumin ekonomik në Davos, ku në njërën nga seancat është folur për atë nëse arsimi universitar është humbje parash.
Njëzetvjeçari Zach Sims, bashkëthemelues i “Cocoacademy”, ka lënë studimet në Columbia University për ta themeluar biznesin e tij. Ai ka bindjen se njerëzve nuk u jepen shkathtësitë e nevojshme dhe përfundojnë pas universitetit me borxhe të mëdha, duke siguruar vende pune që paguhen pak, të cilat kishin mundur t’i siguronin edhe pa diploma ose me aso të nënshkruara nga rektori Gashi.
UP-ja aktualisht vuan nga lëngata e papërgjegjësisë kolektive. Kjo shkollë nuk i fut njerëzit në borxhe, por i sakaton për një treg pune ku nuk gjejnë punë, sepse me ato diploma që marrin në plot raste nuk arrijnë ta kalojnë as testin në shumë profesione bazike. Prandaj, në një situatë të tillë duhet vetë Bordi i Universitetit të japë dorëheqjen, bashkë me rektorin. Të rishikohet pas një debati publik një pjesë e Statutit të UP-së. Ministrisë së Arsimit t`i shkëputet çfarëdo lidhjeje tjetër me UP-në, përpos asaj financiare.
Ndërkaq rektori, siç do të thoshte zëvendësi i tij për çështje mësimore, “t`i hipë maqinës” dhe të largohet që andej.
bekim.kupina@kohaditore.co