Bedri Islami-LËVIZJA DHE NJERËZIT E SAJ (7)
Në fakt, ndodhi ajo që nga udbashët nuk ishte pritur, Lëvizja Çlirimtare në Kosovë. Megjithëse e survejuar dhe e qëlluar që ditën e parë të saj, arriti të bëhej, sipas analistëve britanikë, “lëvizja guerile me rritjen më të shpejtë në botë”. Një lëvizjeje çlirimtare, për të pasur një dukuri të tillë, jashtëzakonisht impresionuese, i duhen të paktën tri gjëra themelore: vizioni që mbart, përkushtimi deri në flijim dhe njerëzit që e përbëjnë atë.Vizioni i Lëvizjes ishte i qartë që në fillim. Janë disa nga ngjarjet më themelore të Lëvizjes Popullore të Kosovës të cilat kanë përcaktuar statutin e saj vizionar. Që nga themelimi, më 17 janar 1982, e deri që ajo ka bërë shndërrimin e saj në një parti politike moderne, qershor 1999, mbi të kanë rënduar kohë të mëdha, por ka ngritur edhe evenimente historike. Jo vetëm ideja e themelimit të një strukture të vetme, nga bashkimi i grupeve dhe i grupimeve, por edhe më tej, e gjithë ajo që ka ndodhur, dëshmon për një vizion të jashtëzakonshëm, i cili shpeshherë ka qenë edhe më i rëndë sesa supet që i mbartin. Do të ketë disa stacione vizionare, të cilat kanë pasur gradualitetin e tyre: themelimin dhe ringritjen me gjithë përgjakjen, sprova për të ngritur brenda saj struktura të Partisë së Luftës nga Nuhi Berisha, Rexhep Malaj, Shaban Shala, Fehmi Lladrovci, Ali Ahmeti; procesi madhor i bashkim-shkrirjes, maj 1985, si një ngjarje madhore, thellësisht e së ardhmes, fillesa e krijimit të strukturave ushtarake, krijohet Byroja Organizative, në të cilën do të jenë të angazhuar figura të njohura, mes tyre dy njerëz të përcaktuar për ngritjen e luftës, në kryesinë e Organizatës, Fehmi Lladrovci dhe në Byronë Organizative, Xhavit Haliti. Mbledhja e Parë e Përgjithshme, në ilegalitet, jashtë vendit, Mbledhja e Dytë dhe e Tretë, përsëri në ilegalitet, por këtë herë në Kosovë. Mbledhja Konsultative e Kërçovës, e cila ka një rëndësi të veçantë historike, pasi duke sprapsur peshën e rëndë të legalitetit dhe të gjendjes së amullt, Lëvizja do të bëhet struktura e parë politike që shikon një horizont tjetër, ndryshe dhe shpesh edhe të kundërt me “pacifistët”. Mbledhja e Katërt e Përgjithshme, në të cilën ndryshimi më i zakonshëm do të ishte ndërrimi i emrit të saj, nga LPRK në LPK, ndërsa vendimet do të ishin kapitale. Përcaktohet vija e re politike e Lëvizjes, miratuar nga organi më i lartë i saj, merret vendimi për fillimin e luftës së armatosur. Është viti 1993. Në të gjithë Kosovën kanë filluar aksionet e para, strukturat e para të rezistencës janë ngritur në Drenicë, Dukagjin, Tetovë e Llap; po bëhen gati të shfaqen në jetën politike njerëzit e luftës, të cilët më pas do të njësojnë atë me ndërtimin e paqes. Krijohet grupi i rëndësisë së veçantë, në Kosovë dhe jashtë saj, përsëri emra të njohur, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Bajrush Xhemajli, Hashim Thaçi, Shaban Shala, Kadri Veseli, Elmi Reçica, ndërsa jashtë Kosovës për herë të parë do të ngrihet një grup i veçantë, i njohur vetëm për disa, rreptësisht i brendshëm, do të quhet Sektori i Veçantë dhe do të drejtohet nga Xhavit Haliti. Do të jenë aty Ali Ahmeti, Jashar Salihu, më pas Azem Syla… do të fillojë një punë titanike, e jashtëzakonshme, e kujdesshme dhe, vetë fakti se e gjithë kjo u ndërtua, si asnjëherë tjetër, e fshehtë, krejtësisht e panjohur edhe për anëtarët e Kryesisë së Organizatës, përherë e detajuar, me shtrirje gjeografike në të gjithë territoret ku banonin shqiptarët, përbën jo vetëm një mrekulli të lëvizjes klandestine, por është edhe një shuplakë për trillimet e sotme, për shpifjen udbashe se kudo kishin njerëzit e shërbimit të tyre. Të ishte kështu nuk do të kishte pasur Lëvizje Çlirimtare.
Këtë Lëvizje e bënë njerëzit e përkushtuar, të devotshëm ndaj vendit të tyre, njëkohësisht të heshtur deri në skajim. Ata e bënë Lëvizjen Popullore të Kosovës njërën nga tri gjërat më të vyera të fundshekullit të shkuar, së bashku me Lëvizjen Studentore dhe Ushtrinë Çlirimtare. Këta njerëz ishin sythi i së ardhmes. Asnjëri prej tyre nuk e dinte se e gjithë kjo do të kishte përfundimin e saj në qershorin e vitit 1999. Disa prej tyre kishin më shumë se 20 vjet kur erdhi ajo ditë. Të tjerë, shokët e miqtë e tyre, nuk arritën dot as ta presin, sepse u flijuan dhe ndërtuan mundimshëm, një epikë të re, pa të cilën shumë gjëra sot do të ishin të mangëta ose nuk do të ishin fare.
Këta njerëz, për të shkuar më tej, edhe ata që u flijuan, bëhen shenjë e manipulimit dhe e mashtrimit nga një skotë e cila, në të gjithë jetën e saj të ndërgjegjshme, nuk bëri asgjë tjetër veçse i dha mendjen, dinakërinë dhe brutalitetin e vet një pushtuesi mizor derisa e ndjeu veten pjesë të pushtimit. Do të dukej e pabesuar se mund të ndodhte një rikthim i tyre në kohët moderne. Shumëkush do të ketë menduar me të drejtë se fundi i shekullit të shkuar ishte edhe fundi i kësaj skote mjerane, por egërsisht e rreshtuar në një kamp tjetër. Do të kisha menduar shumë gjëra, mirëpo ky rikthim ishte larg mendjes normale.
Në një shkrim të mëparshëm tregova për tri njohjet e para, nëpërmjet së cilave u bëra pjesë e Lëvizjes, por do të isha i mangët në këto shënime nëse do të ndalohesha vetëm këtu. Sepse vetë rrokja e Lëvizjes ishte shumë më e gjerë dhe sepse, në fund të fundit, ne ishim një bashkësi e jashtëzakonshme, e çuditshme për shumëkënd, por jo për njëri-tjetrin.
Kur njoha të tjerët, pjesë e Lëvizjes Çlirimtare, e kuptova më saktë se përjetimi që kishte dashur Jusuf Gërvalla, në ballë dhe në këmbët e këtij populli, ishte ende i mishëruar. Njerëzit që bënë Lëvizjen, në momentet më të vështira të saj dhe burrërisht e kthyen atë nga një Lëvizje Politike, në një Lëvizje Çlirimtare dhe Kryengritje të Armatosur ishin të njëjtët që kishin ngritur dorë pas dore, gur pas guri këtë strukturë dhe që e dinin se pas çdo kthese, pas çdo momenti, mund të ishte një fat ndryshe.
Si i njoha unë, nëse do më duhej t’i bëja shpejtas portretet e tyre, vetitë që kishin më të spikatura dhe njëkohësisht që të ngelnin në mendje më gjatë se të tjerat. Unë e pranoj se ky ishte vështrimi im, i një njeriu që nuk kishte kaluar nëpër ilegalitet të thellë por, sidoqoftë, unë i përmbahesha mendimit të hershëm, se mund të jesh më objektiv nëse nuk ke me vete ngarkesa të së djeshmes.
Hashim Thaçi ishte njeriu që e dinte se çfarë donte, e kishte ditur gjithnjë, por edhe i përcaktuar në një rrjedhë, e cila, aq sa ishte e vështirë, aq ishte edhe e domosdoshme.
Ramadan Avdiu ishte i matur, i qetë, serioz, punëkryer. Një herë, në një tubim në Zyrich, rastisi të ishim në drejtim së bashku me Ali Ahmetin dhe Ramadan Avdiun, kur njëri nga salla pyeti rastësisht se si mund ta mendonim bashkimin kombëtar. Ne ishim të tre nga tri pjesë të ndryshme të Shqipërisë, njëri nga Prishtina, Ramadani, tjetri nga Kërçova, Aliu, dhe unë nga Shkodra. Ndjeheshim jashtëzakonisht mirë, mendoja me sinqeritet se kjo do të dihej të ishte Shqipëria e së ardhmes.
Xhavit Haliti ishte më i fshehti që kisha njohur, por në sensin e mirë të fshehtësisë. Njëkohësisht edhe më konkreti në punën e tij, të cilën, ashtu si kam besuar atëherë dhe si besoj edhe tani, nuk mund ta bënte askush tjetër. Ai ishte e mbetej njeriu i lidhjeve të dyfishta, në Kosovë dhe në Perëndim. Jashar Salihu ishte ndryshe. Për të mund të thosha se ai barte në vete dy pamje: atë të njeriut babaxhan, në kuptimin klasik të saj, dhe atë të gjeneralit, në kuptimin real të saj. Gjeneral i luftës ai u bë nga jeta e tij. E kam në kujtesë gjithnjë të trazuar, përherë në lëvizje, gjithë merak për luftën, saqë edhe fëmijët e tij, djemtë, ishin “untue” për të nga malli.
Xhavit Hoxha ishte mentar, i kujdesshëm dhe fisnik. Hallet që i kishin rënë e kishin fisnikëruar edhe më tej. Mehmet Bislmi ishte personifikimi i të burgosurit politik që ndërthurte fjalën e mençur, guximin për të vërtetën, njohjen e gjerë. Bilall Sherifi ishte njeriu i vizioneve dhe i ideve. Ai ishte mbi gjithçka njeriu që vizionet i bënte të njohura dhe u dilte zot atyre. Adem Grabovci ishte njeriu më i qetë në strukturat e larta drejtuese të Organizatës, që në momentin e parë i kisha besuar atij dhe më kishte besuar. Më pas njoha Hasan Ukhaxhën, padyshim më autoritari në rrjedhat e Lëvizjes, mitik, do të thosha, me breroren e njeriut të dëshmuar, të sigurt dhe bindës. Njoha Sabri Kiçmarin, “Zefin” dhe përjetova se si njeriu i ilegalitetit u bë në mënyrë të shquar diplomati i vyer. Bajram Ajetin, fjalëpakë, stoik në qëndrimin e tij. Humbja e Ali Ajetit nuk kishe ndikuar tek ai. Emrush Xhemajlin, i kudondodhur, i gjindshëm, punëkryer. Në të vërtetë fjala që do t’i përshtatej më së tepërmi do të ishte militant. Gafur Alshanin, i rregullt dhe serioz deri në detaje. Të gjitha punët ai i kuptonte dhe i ndërmerrte seriozisht. Halil Selimin, të cilin e njoha më vonë, por që ende sot mrekullohem nga mendja e tij brilante. Ai kishte gjithnjë në mendje Kosovën lindore, e kjo e bënte të afërt me Adnan Asllanin, për të cilin mësova shumë vonë se kishte qenë drejtues i Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme, në redaksinë e gazetës “Zëri i Kosovës”. Kisha miqtë e mi, Beqir Beqën dhe Bislim Elshanin; sa ishin të përbashkët, aq edhe dallonin nga njëri-tjetri, kishin të përbashkët pasionin, por kishin të veçantat e tyre. Bislimi ishte miku më i shquar i Ukshin Hotit. Ai ishte dishepulli i tij i paepur, më pas botuesi i librit të tij. Kishte gjithnjë tek ai diçka ukshiniane. Beqiri ishte më i qetë, hokatar, mikpritës i madh. Ai ishte nga ata njerëz që edhe pa qenë në luftë e perceptonte veten atje, ashtu si Xhevat Bislimi, njeriu që nuk bënte kompromis as me veten. Njëherë i pata thënë se, nëse dikur do të takohet Xhevati me Bislimin, përsëri për diçka nuk do të ishin dakord.
Bardhyl Mahmuti ishte shpërthyes, polemist i dorës së parë, njeri që fushën e politikës e njihte mrekullisht dhe do të ishte e vështirë të besohej se njeriu që në një foto të vitit 1981 është në ballë të turmës me një flamur në dorë, do të ishte disa vite më pas në bisedimet e vështira përballë Hoollbrukut, diplomatit më të shquar amerikan.
Njoha vëllezërit Muja, së pari Shabanin, njeriun që ishte kthyer nga vdekja dhe të cilit ia kishte ofruar jetën e tij Fahri Fazliu, dhe që donte ta shijonte jetën, tashmë i lirë, e po ashtu të rrëmujshmin, Shaip Muja, ndoshta më i lëvizshmi në elementët e lëvizjes. Fazli Veliun e pashë për herë të parë kur erdhi një natë në shtëpinë time. Ai ishte ndër të fundmit romantikë të Rilindjes, poet, po aq sa edhe luftëtar, i heshtur, po aq sa edhe i bisedës, njeri që e kishte bartur vuajtjen me vete edhe kur ajo nuk kishte qenë e tij.
Ilaz Kodrën e njoha nga afër. Ishte nga ata njerëz të cilët trimëria i lexohej haptas, megjithëse e fshihte. Ai ishte njeriu që fjalët i kishte të pakta, punët e sakta. Ende kam në kujtesën time, çka nuk do të hiqet kurrë, telefonata e fundit me të, dy ditë para se të vritej. Nuk kërkonte asgjë tjetër, veçse logjistikë, sepse sulmet serbe ishin bërë të ashpra. E ndjeva pikëllimin deri në shpirt për rënien e tij, së bashku me kunatën, Antigonin, një vajzë e re, bijë e denjë e familjes së saj.
Ramiz Lladrovci ishte ndryshe, sidomos ndryshe nga i vëllai, Fehmiu, por kishin të përbashkët fjalën e mbajtur, qëndresën dhe guximin. Fehmiu ishte më i qetë, Ramizi është më i rrëmbyer, por tepër i saktë, nëse kërkon të jesh i qetë për një punë, atëherë askush nuk mund të jetë më i plotë sesa Ramiz Lladrovci, i cili ka një të metë, merakun më të madh sesa duhet për miqtë e tij, edhe kur ata nuk e meritojnë atë merak. Njoha Ismet Sylejmanin. Asnjëherë nuk më kishte thënë se kishte qenë i zgjedhur në Komitetin Drejtues të Organizatës, por kjo kishte qenë një e vërtetë e ditur nga të tjerët. Në qytetin e Mynihut ishte një bërthamë e shkëlqyer e Lëvizjes. Sami Lushtaku ishte më i ndjeshmi prej tyre, nganjëherë më idhnaku, por i vërtetë deri në palcë. Abedin Rexha, po ashtu ishte pjesë e Lëvizjes Çlirimtare, por nuk ishte anëtar de jure i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Nuk e di pse i kishte mbetur pa u hedhur ai hap i fundit, ndoshta nga të gjithë shokët e miqtë e tij ishin aty, edhe ai e ndjente veten pjesë të saj.
Me Naser Idrizin dhe Sejdi Gegën ishim së bashku në Komisionin e jashtëzakonshëm të verifikimit të disa ngjarjeve dhe, veç merakut të tyre, ishte edhe kujdesi për të qenë pjesë e gjithçkaje tepër njerëzisht, pa rënduar askënd dhe pa mbuluar asgjë. Vëllezërit Buja ishin, po ashtu të ndryshëm, secili kishte të veçantën e tij. Shukriun e njoha më herët, por Agushin më gjatë dhe nëpërmjet tij kushdo mund ta shohë njeriun e devotshëm, të heshtur, mirëdashës.
Nuk u befasova kur takova për herë të parë Ramush Haradinajn. Kishim shkëmbyer letra më parë. Ai më ishte drejtuar disa herë për atë që i dukej më e përshtatshme, por kur u takuam ai ishte bërë mit, ndërsa i vëllai, Luani, e më pas Shkëlzeni, do të ishin dy nga heronjtë më epikë të luftës.
Adrian Krasniqin dhe Ilir Konushevcin, të dy pjesë të Organizatës, nuk i takova asnjëherë, i njoha nëpërmjet mikut të tyre, Qerim Kelmendit, i cili ende sot drithërohet kur tregon për jetën e tyre.
Në Kosovë takova Shaban Shalën, si i dalë nga legjendat, vazhdë e trimërisë kosovare, të dukej sikur kishte riardhur në kohët tona një ndër bashkëluftëtarët e Isa Boletinit apo të Shaban Polluzhës, e nëpërmjet tij dhe familjes Lladrovci, njoha shokët e Fehmiut dhe të Xhevës. Të gjithë ish të burgosur politikë, vuajtës, mrekullisht me shpirtin e rilindur.
Njoha të gjithë ato që duhej t’i njihja. Vetëm me njërin prej tyre nuk u takova kurrë dhe njohja ishte vetëm nga larg, Xhavit Hazirin. Ai telefononte nga Prishtina. Më thoshte se ishte “Mjeku”. Kishte marrë përsipër drejtimin e Lëvizjes në Kosovë. Ende nuk e dija emrin e tij të vërtetë. Zëri i tij vinte i avashtë, tepër i qetë, saqë nuk mund të besohej se ai ishte ende në Prishtinë. Të dukej sikur ishte në një vend të sigurt, krejt të sigurt… dhe pastaj heshti. Edhe njëherë forcat serbe e kishin rrëmbyer… kishte qenë e treta herë… nga dy burgimet e para kishte arritur të kthehej, pastaj asgjë, nuk u dëgjua më prej tij… nuk do të kthehej… do të kishte pasur të njëjtin fat si miku i tij, Ukshin Hoti.
Njohja e jetës sime është me familjen Jashari. Kush i ka njohur ata nuk befasohet kurrë me atë që ka ndodhur. Është një vazhdimësi e jashtëzakonshme, ndoshta është nga rastet e vetme në botë kur qëndresa është veti e trashëgueshme. Askush nuk e di ende se nga vinte tek ato ajo shkallë qëndrese, edhe kur ishin përballë një tragjedie epike. Ndoshta tek ato është një gjen i veçantë, i jashtëzakonshëm. Kur përfundoi lufta u kthyem së bashku në Kosovë. Një rrugë e gjatë, përtej së cilës ata do të gjenin fare pak nga ata që kishin lënë, njerëzit e afërt, më të afërtit ishin vrarë, kullat ishin djegur, bijtë e bijat e mbetur ishin diku, disa prej tyre u ishin bashkuar strukturave të luftës, të tjerët prisnin ardhjen e tyre. Nuk e di se si mund të rrinte zemra brenda kraharorit, por gjithçka tek ata ishte e qetë, ashtu si janë njerëzit që kanë bërë detyrën ndaj atdheut të tyre.
Tani, në përmbyllje të këtij cikli, do të doja t’u thosha njerëzve, ngado që janë, nga Shqipëria londineze apo nga Shqipëria e jashtme, do të doja t’u thosha: Shkoni në Kosovë, shikoni me vëmendje përmendoret, shtatoret, lapidarët, përkujtimorët e të rënëve në luftë për liri. Shikoni shtatoren e Ademit, të Zahirit, Jusufit, Bardhit, Kadriut, Rexhepit, Nuhiut, Afrimit, Fahriut, Zahirit, Fehmiut dhe Xhevës, Luanit e Shkëlzenit, Edmondit, Adrianit, Ilirit, vëllezërve Sulejmani, Ilazit dhe Mujë Krasniqit, Abedinit dhe Rasim Kiçinës, Luljeta Shalës dhe Hahir Shalës, Ali Ajetit dhe Hasan Ramadanit… dhe mendoni se të gjithë ata kanë qenë anëtarë dhe liderë të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Nëse ju, edhe pas kësaj mendoni se këta nuk kanë qenë atdhetarë, ju qofshi!
Për mua ata janë epika e kombit dhe jam i lumtur që më kanë bërë pjesë në strukturat e tyre. Nuk kam dashur asgjë tjetër prej tyre. Kam pasur më shumë sesa e kam merituar. (FUND)