Rrahjet e Brodecit
 
  Bashkimi Demokratik Shqiptar tërhoqi vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare dhe të partive politike shqiptare se zhvendosja e akuzave nga nxitësi dhe gjeneratori i krizave të vazhdueshme që është Qeveria e Maqedonisë në viktimat e politikës së diskriminimit racial do të inkurajojë politikën luftënxitëse të Nikolla Gruevskit. Fatkeqësisht, paralajmërimet tona u dëshmuan si të sakta. Qeveria antishqiptare e Shkupit, e inkurajuar nga këto qëndrime, vazhdoi me intensitet edhe më të madh.  Nën pretekstin e luftës kundër “krimit të organizuar” dhe “kontrabandës me armë” familje të shumta shqiptare bastisen dhe maltretohen nga instrumentet e dhunës shtetërore.

“Shëtitja” e arsenalit të njëjtë të armatimit nga një fshat në tjetrin dhe ekspozimi mediatik i “armatimit të gjetur” bëhet në funksion që institucioneve ndërkombëtare dhuna antishqiptare t’u paraqitet si dëshmi e efikasitetit të tyre në luftën « kundër krimit ».

Bashkimi Demokratik Shqiptar dënon Shtetrrethimin e mbrëmshëm të një pjese të fshatrave të Komunës së Zhelinës dhe terrorit të ushtruar në fshatin Novosellë.

Arrestimet dhe maltretimet e të arrestuarve, për t’i detyruar që të pranojnë veprat që nuk i kanë bërë, janë praktika të njohura të këtij shteti terrorist. Këto praktika janë dënuar në raportet e shumë organizatave qeveritare dhe joqeveritare.

Për ata që shtiren se kanë harruar praktikat e terrorit dhe dhunës që hetuesia maqedonase aplikon ndaj shqiptarëve për t’i detyruar të nënshkruajnë aktakuzat e kurdisura në kabinetet e kuzhinës antishqiptare të Shkupit po u dërgojmë fotot trishtuese të “Rastit të Brodecit” (Aneks)

Bashkimi Demokratik Shqiptar shpreh revoltën e vet kundër atyre qarqeve që kanë ra në grackë të konstruksioneve maqedonase që luftën antishqiptare të shtetit e shohin si luftë “kundër krimit”.

Me këtë sjellje nuk dëshmohet politika preventive e konflikteve. Përkundrazi. Vazhdohet me inkurajimin e nxitësit të konflikteve.

Ritheksojmë se, as ekzekutimet arbitrare të shqiptarëve, as arrestimet, e as “konfiskimi i armëve” nuk ulë tensionet. Kjo sjellje i hedh benzinë zjarrit.

Vetëm asgjësimi i politikës antishqiptare të Shkupit dhe implementimi i menjëhershëm i Marrëveshjes së Ohrit mund të hap një perspektivë të re pa konflikte në këtë pjesë të Ballkanit.

Bashkimi Demokratik Shqiptar

Kryetar

Bardhyl Mahmuti

14 maj, 2010