BDSH pro thirrjes së DioGuardit për unitet
Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) ka përshëndetur dhe është e gatshme të aktivizohet rreth nismës së ish-kongresistit shqiptaro-amerikan Joseph DioGuardi për unitet dhe platformë unike ndërmjet partive shqiptare në Maqedoni.
“Të brengosur thellësisht me situatën tragjike të popullit shqiptar në Maqedoni, i cili politikës së terrorizmit shtetëror nuk mund t’i bëjë ballë ashtu siç është i përçarë partiakisht, Bashkimi Demokratik Shqiptar përshëndet dhe mbështet plotësisht apelin e Ish-kongresistit amerikan, Joseph DioGuardi, të këtij avokati politik të Çështjes kombëtare shqiptare, që partitë politike shqiptare në Maqedoni të harmonizojnë qëndrimet e veta dhe përmes një platforme të përbashkët të mbrohen interesat kombëtare”, thekson BDSH.
“Jemi thellësisht të bindur se lërja e inateve personale të udhëheqësve të partive politike dhe koordinimi kundër politikës së koordinuar antishqiptare do të hapte rrugën drejt përfundimit të kësaj tragjedie kombëtare. BDSH është e gatshme të aktivizohet tërësisht në harmonizimin e platformës politike me qëllim të mobilizimit të tërë energjive kombëtare në funksion të realizimit të plotë të të drejtave tona legjitime. Vetëm bashkimi përreth platformës unike mund të hapë perspektiva të reja kombëtare që dalin nga logjika e bashkimeve aq të ‘dëshiruara’ dhe aq shpesh të kërkuara gjatë zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
BDSH shpreson se përballë domosdoshmërisë së koordinimit politik apeli i avokatit politik të Çështjes kombëtare shqiptare në Amerikë, Joseph DioGuardi, do të mbështetet nga të gjithë.
“Ky veprim do t’u hapte rrugën Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe të gjitha shoqatave shqiptaro-amerikane që veprimet e tyre politike të kenë peshë edhe më të madhe!”, thekson në fund BDSH