BDSH-Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, apel publik:
Të gjitha Institucioneve ndërkombëtare,
Opinionit demokratik ndërkombëtarë,
Opinionit demokratik në Maqedoni,
Organizatave demokratike në Maqedoni,
Partive politike në Maqedoni dhe në rajon,
Më 10 dhjetor 1948, 56 shtete të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nënshkruan Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.
Sot, në dekadën e gjashtë nga data e nënshkrimit të saj rikujtojmë përpjekjet për realizimin e këtij misioni politik dhe human. Rikujtojmë luftërat politike dhe mobilizimet shoqërore që shtetet të sillen në përputhje me normat dhe standardet që garantojnë jetë dinjitoze për çdo individ, pa dallim të racës, ngjyrës, gjinisë, moshës, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë ose çfarëdo forme tjetër të dallimeve ekzistuese.
Përkundër rezultateve të mëdha në përfshirjen e kësaj Deklarate Universale në legjislacionet e të gjitha shteteve të komunitetit ndërkombëtarë dhe zgjerimit të tyre me të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, realizimi praktik i këtyre të drejtave mbetet në rrafshin e idealeve që duhet të arrijnë të gjitha shtetet dhe kombet.
Maqedonia, me praktikat e veta të diskriminimit është shteti ku më së shumti shkelen të drejtat e njeriut në Evropë.
Edhe pse Maqedonia ka nënshkruar dhe ratifikuar Kartën Evropiane për gjuhët (25 korrik 1996) dhe me 1 gusht të vitit 2001 u angazhua që të zbatojë marrëveshjen që do t’i jepte fund diskriminimit etnik në këtë fushë, sot e kësaj ditë gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare dhe shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen ashtu siç janë diskriminuar që nga themelimi i këtij shteti.
Edhe pse Maqedonia ka nënshkruar dhe ratifikuar, si anëtare e Këshillit të Evropës, protokolet nr. 7 e 8 të Konventës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive fundamentale të njeriut (10 prill 1997) dhe Konventat tjera kundër diskriminimit, diskriminimi ndaj shqiptarëve vazhdon në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike.
Nëse bëjmë një pasqyrim të të dhënave do të shohim se asnjë nga parimet e kësaj Deklarate Universale nuk është zbatuar në praktikë nga autoritetet e Maqedonisë.
Në bazë të Deklaratës Universale, të gjithë duhet të realizojnë të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, të domosdoshme për të ruajtur dinjitetin e vet. Në Maqedoni kjo nuk vlen për shqiptarët.
Një tjetër parim themelorë i Deklaratës Universale konsiston në atë që asnjë njeri nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, veprimeve dhe dënimeve mizore, trajtimeve çnjerëzore dhe poshtëruese, ndërsa në Maqedoni shqiptarët ende rrihen, poshtërohen, çnjerëzohen, maltretohen, torturohen, dënohen, vriten, masakrohen me bekimin e autoriteteve politike të Shkupit duke përdorur njësitet famëkeqe “Alfa”. Në disa raste Bashkimi Demokratik Shqiptar në përputhshmëri me kërkesat e faktorit ndërkombëtarë dhe komitetit të Helsinkit, ka kërkuar shpërbërjen e këtij njësiti të themeluar enkas për të maltretuar dhe burgosur shqiptarët, por deri tani apeli dhe kërkesa jonë ka hasur në vesh të shurdhët në subjektet politike jo vetëm maqedone por edhe atyre që pretendojnë se mbrojnë të drejtat shqiptare.
Diskriminimi vazhdon në investimet infrastrukturore të shërbimeve publike, në çështjet banesore dhe në të gjitha fushat që janë kompetencë e drejtpërsëdrejtë apo indirekte e autoriteteve qendrore. Kompani të ndryshme investuese, këshillohen që të drejtojnë investimet e tyre në territoret ku nuk ka shqiptarë nën pretekstin e “mos garantimit të sigurisë” në vendbanimet me shumicë shqiptare dhe paraqitjen e pjesës lindore të Maqedonisë si “Lugina e Silikonit”.
Mbyllja e dyerve nga ana e Bashkimit Europjan dhe strukturave të NATO-s e cila shumë qartë u promovua para disa ditëve në Bruksel, e që lidhet me emrin e Maqedonisë është edhe një çështje për të cilën Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon zgjidhje të mirëfilltë.
Për këto dhe shumë arsye të tjera, në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon intervenimin energjik të demokracive perëndimore për t’i thënë ndal dhunës dhe diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni.
Në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel të gjitha medieve që të hapin një debat publik rreth këtyre çështjeve ku intelektualët, organizatat joqeveritare dhe qytetarët do të mund të jepnin mendimet dhe kontributet e tyre për të gjetur një konsensus minimal rreth këtyre çështjeve.
Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel të gjitha forcave politike shqiptare që të organizohet një tryezë për harmonizimin e pikëpamjeve dhe që të dalim me një qëndrim që emri i ri i shtetit të marrë parasysh komponentë edhe të identitetit të shqiptarëve të Shqipërisë Lindore.
Bashkimi Demokratik Shqiptar konsideron si të domosdoshme harmonizimin e qëndrimeve dhe me një zë unik t’u drejtohemi negociatorëve ndërkombëtare dhe institucioneve euro-atlantike për heqjen e diskriminimit që nga emërtimi i shtetit e deri te të gjitha institucionet shtetërore e publike në këtë shtet.
Bashkimi Demokratik Shqiptar mendon se shqiptarët nuk duhet të ngelin rob të realitetit të hidhur historik të komunitetit maqedonas dhe të fundosen në anijen e përbashkët me ato. Një emër i cili do përmbante komponentët e shqiptarëve të Shqipërisë Lindore do ishte hap i duhur drejt integrimit të Maqedonisë në strukturat e NATO-s dhe BE-së.
Çdo tendencë që të na imponohet emri që nuk ka lidhje edhe me identitetin tonë kombëtar, fsheh qëllimin për të përjetësuar diskriminimin e shqiptarëve në këtë shtet.
Bashkimi Demokratik Shqiptar
Dhjetor 10, 2009
Tetovë