Prishtinë, 28 prill – Policia e EULEX-it e ka bastisur sot Ministrinë e Transportit dhe prona të kreut të kësaj ministrie, Fatmir Limajt. Portali “Koha Net” ka raportuar se pretekst i bastisjes është dyshimi se ministri Limaj është i përfshirë në afera korruptive me rastin e disa aktiviteteve të prokurimit. Po për këtë shkak këto burime kanë thënë se janë bastisur edhe tri kompani përfituese të tenderëve të kësaj ministrie. Pa përmendur rastin konkret, Policia e EULEX-it ka njoftuar se ka bastisur sot disa lokacione, në kuadër të hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë. “Sot në orën 15:55, Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës. Kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë (PSRK)”, thuhet në komunikatën e shkurtër të shtypit të lëshuar, disa minuta pas aksionit, nga Zyra e Informacionit e EULEX-it. Zyra e Prokurorit Special në Kosovë është formuar para disa muajsh, me qëllim të luftimit të korrupsionit. Policia e Kosovës nuk ka dhënë kurrfarë informacionesh, me arsyetimin se bastisjet janë kryer nga Policia e EULEX-it. Një ditë më parë për arrestime të niveleve të larta dhe për ndërrime të reja në institucionet e Kosovës ka paralajmëruar shefi i ICO-së, Pieter Feith, gjatë një ligjërate në Universitetin Amerikan. Edhe më herët mediat patën paralajmëruar se Feith i kishte kërkuar kryeministrit Hashim Thaçi largimin e një ministri, të një dikasteri të rëndësishëm në Qeverinë e Kosovës.