Lulzim Basha duke folur gjatë takimit të prezantimit të programit nga ana e kandidates  së djathtë për bashkinë e Durrësit, Grida Duma ftoi qytetarët të votojnë drejtimin e duhur, që sipas kryedemokratit është ai i Grida Dumes, pasi drejtimi tjetër, ai që pretendon të jetë i duhuri, tha Basha është vetëm groshë.

“Pas 8 vjetëve groshë, Durrësi ka nevojë për ëmbëlsirën e vet”, tha Basha.

Basha ka akuzuar qeverinë se vetëm me 2 vjet pushtet e ka zhytur vendin në varfëri dhe mjerim ekstrem, probleme të cilat siç tha Basha, opozita i ka ndjekur gjatë këtyre muajve duke i rënë kryq e tërthor Shqipërisë nga veriu në jug.

Sipas Bashës një nga plagët më të mëdha dhe të dhimbshme për shqiptarët, që solli në 2015 eksodin e njëjtë me atë të 25 vjetëve më parë është puna dhe papunësia, për të cilën sipas tij qeveritarët nuk flasin asnjëherë gjatë fushatës pasi në 2 vjet nuk kanë bërë asgjë për ta përmirësuar këtë situatë.

“Papunësia është plaga më e madhe që ka shkaktuar në 2015 një eksod të njëjtë me atë të 25 vjetëve më parë. papunësia është e vetmja gjë për të cilën kundërshtarët tanë nuk flasin se nuk kanë bërë asgjë për ta ndryshuar këtë situatë. Puna dhe punësimi është shtyllë dhe kolonë e programit të Grida Dumës, por edhe programi ynë është puna dhe punësimi i shqiptarëve”, tha kreu i PD.