Aktivisti shumëvjeçar i çështjes  kombëtare, ish-anëtari i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe Shef i Grupit Diplomatik të saj, Bardhyl Mahmuti, në një intervistë ekskluzive për portalin vizioni.info, ka komentuar zërat që kanë qarkulluar kohëve të fundit në qarqe të ndryshme rreth një konflikti të mundshëm të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë intervistë të shkurtër për vizioni.info, Mahmuti ka folur edhe për masat preventive që duhet të ndërmarrë Kosova karshi këtij ‘kërcënimi’ që vjen nga shteti fqinj.

Vizioni.info: Si i komentoni zërat për një konflikt të mundshëm të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë?

Bardhyl Mahmuti: Për të gjithë njohësit e Ballkanit është e qartë se konflikti i Serbisë me Kosovën ende nuk ka përfunduar. Për dallim nga periudha kur ky konflikt kishte formën e luftës së armatosur me qëllim zbatimin e politikës së gjenocidit ndaj popullit shqiptar, Serbia është duke aplikuar forma të luftës speciale në përgatitje të një agresioni të ri ushtarak kundër Kosovës në përgjithësi ose eventualisht në pjesë të caktuara të saj.

Duke pasur parasysh kontekstin e ri politik tejet të disfavorshëm për shqiptarët, ku imazhi jonë është dëmtuar jashtëzakonisht shumë sidomos me krijimin e përshtypjes së shqiptarët në Ballkan janë urë për përhapjen e doktrinës së islamit politik në Evropë, rreziku është tejet i madh. Që të kuptohet shkalla e rrezikut të agresionit serbë kundër Kosovës po sjell edhe një fakt nga e kaluara e afërt. Regjimi i Beogradit ka zbatuar strategjinë e kryerjes së vrasjeve të civilëve serbë nga ana e Shërbimit Sekret dhe veshja e këtyre vrasjeve shqiptarëve. Këto aksione terroriste të organizuara nga shteti serb kanë shërbyer si pretekst për të ndërmarrë aksione kundër shqiptarëve të Kosovës. Fakti se në institucionet politike, ushtarake dhe policore të Serbisë janë njerëz të regjimit të Millosheviqit, madje edhe nga ata që kanë qenë të implikuar në krimin e gjenocidit në Kosovë, duhet të na bëjë syçelë që të shohim rrezikun permanent për kryerjen e krimeve të ngjashme si në të kaluarën me qëllim që të përdoret si pretekst për agresion kundër Kosovës.

Vizioni.info: Çka duhet të bëjmë që të ulim gjasat e këtij rreziku?

Bardhyl Mahmuti: Në rrafshin e brendshëm duhet një luftë e gjithanshme kundër qarqeve radikale religjioze, të cilat, për interesa të huaja, e kanë dëmtuar rëndë imazhin tonë kombëtar. Ndërsa në aspektin diplomatik duhet një angazhim shumë më i madh se angazhimet e bëra deri tani sepse nuk ka më tragjike kur nga një popull që ka përjetuar gjenocidin të përceptohemi negativisht nga opinioni publik ndërkombëtar.

Vizioni.info: Sa janë gjasat që të ndryshohet qasja e deritanishme?

Bardhyl Mahmuti: Fatkeqësisht sjelljet e deritanishme nuk lënë shteg për optimizëm. A ka turp më të madh se edhe në rastet kur na arrestohen komandantët e luftës çlirimtare nuk mund të gjendet një konsensus minimal në mes të deputetëve as për një rezolutë! Megjithatë, protestat për lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të Ramush Haradinajt që u organizuan në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe në shtetet e demokracive perëndimore janë një sinjal se populli shqiptar ka energji pozitive për të mbrojtur veten kur ndodhet përball rreziqeve. Kjo energji pozitive, e shoqëruar me një diplomaci aktive dhe politikë konstruktive në raport me ideologjitë e dëmshme kombëtare është garanci e vetme që mund të zvogëloj gjasat e rrezikut për agresionin serb mbi Kosovën. Pa një unitet të fuqishëm që do të bindte qarqet me peshë në institucionet ndërkombëtare se agresioni ndaj Kosovës do të ndezë flakë tërë Ballkanin, rreziku serb nuk mund të shmanget./Ilir Sefaj/Vizioni.info/