Banorët sllavomaqedonas bllokojnë Lubotenin (Foto)Rrugë të bllokuara e forca të mëdha speciale në rrugët e Butelit e Radishanit që shpijnë në drejtim të vendbanimeve shqiptare . Kjo është pasqyra e sotme një ditë pas vrasjes së 5 personave që u gjetën në këtë pjesë të qytetit. Banorët sllavomaqedonas të revoltuar kanë bllokuar rrugët në disa vende ndërsa evidente është edhe prania e forcave të shumta policore . Por edhe kjo nuk ka ndihmuar të parandalohen incidente. Disa vetura të thyera shtëpi të sulmuara me gurë është bilanci i deritanishëm i protestave të qytetarëve sllavomaqedonas.
Banorët shqiptarë të fshatit Luboten janë të shqetësuar nga bllokimi i hyrje- daljeve të fshatit, por edhe banorët tjerë shqiptarë që banojnë në lagjet e dominuara me sllavomaqedonas në Butel dhe


Radishan. Shqiptarët që jetojnë në këtë pjesë të qytetit kërkojnë mbrojtje nga policia dhe shteti.
“Ne sot morëm vesh se janë disa të vramë prej sllavomaqedonasve. Ka shtet për secilën punë. Ne kemi qenë në falje të namazit të Xhumasë ashtu që kur erdhëm prej xhumasë vetëm se kishin sulmuar por policia kishte ndërhyrë dhe i kishte ndaluar mos bëhen diçka më e madhe . Sa mendoj unë jemi në një shtet që duhet dikush me na siguruar e jo të na hyjnë nëpër shtëpia. Ka shtet i cili duhet me i zanë ata që i kanë sulmuar kurgjo tjetër nuk kam çka të them vetëm se elhamdulilah prej Allahut që nuk ka ndodhë diçka më e madhe”, deklaroi një dëshmitarë.
Viktima të sulmeve të protestuesve kanë qenë edhe gazetarët e televizionit ‘24 vesti’ të cilët nga frika nuk deshën të flasin para kamerave. Dëshmi për këtë është edhe makina e tyre e shkatërruar.


Ndërkohë rrugët në këto lagje vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga ana e qytetarëve sllavomaqedonas por edhe nga prania e madhe e njësiteve speciale të policisë, të cilët janë aty për të parandaluar ndonjë incident më të madh.