image

 Kosova nuk duhet të shihet në asnjë mënyrë si vend që gjeneron krizë dhe strehon kriminelët. Kështu tha ministri i brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi i cili me ftesë të homoleges Gordana Jankullovska qëndroi në Shkup.

Vizita e Rexhepit vjen pas incidentit që ndodhi në Radush, ku policia maqedonase vrau katër shqiptarë dhe gjeti një sasi armatimi për të cilin pretendon se vinte nga Kosova.

“Nuk dua të shihet Kosova nga ana e Maqedonisë si eksportues i armëve ilegale dhe dhunës, përkundrazi shkëmbimi i informacioneve dhe ato që i kanë Maqedonia dhe na i ofrojnë neve në kohën e duhur mundësojnë që të intervenojmë në këtë trafikim ilegal të armëve dhe formave tjera të kriminalitetit. Unë jam i bindur se edhe mund të ketë edhe brenda Maqedonisë armatim ilegal. Mendoj se tensionimi ose incidentet në njërin shtet, në mënyrë indirekte reflektohen edhe në shtetin tjetër, prandaj nuk duhet të shikohet se në Kosovë ju bëhet mikëpritje grupeve kriminele, përkundrazi, ata e kanë rrjetin e vet jo vetëm qytetarët e Maqedonisë në Kosovë por edhe me të Serbisë e Malit të Zi dhe janë mjaft të sotisfikuar” tha Rexhepi.

Nga ana e saj Jankullovska incidentetet në brezin kufitarë tha se nuk mund të destabilizojnë vendin dhe rajonin.

“Incidentet e këtij lloji, krijojnë tensione tek qytetarët dhe nuk duhet të nënçmohen, por ato nuk paraqesin rrezik për destabilizim të shkallës më të madhe as të Maqedonisë e as të rajonit me gjërë” tha kryeshefja e policisë maqedonase.

Bajram Rexhepi më tej tha se vendi i tij mbetet i përkushtuar për sundimin e ligjit. Ai poashtu tha se nevojitet hapja e më tepër vendkalimeve të reja kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës.

Jankullovska në takim i ka dhënë homologut kosovar një listë me emra të disa personave për të cilët policia maqedonase dyshon se ndodhen në Kosovë dhe merren me aktivitetet kriminale.