Bajram Fetai-Intervistë për gazetën “LAJM”
Futbollisti shqiptar, Bajram Fetai në një intervistë ekskluzive për “Lajm” tregon arsyet pse zgjodhi Maqedoninë para Danimarkës. Ai me dy nëntor do të vij në Shkup për tu pajisur me pasaportë të Maqedonisë, me qëllim që të ketë të drejtë loje për ndeshjen miqësore me Shqipërinë më 17 nëntor në Korçë. Në Tetovë do të qëndrojë vetëm tre ditë (nga dita e martë e deri të premten), pasi e presin obligimet në klubin e tij FC Nordsjælland, në kampionatin futbollit danez. Në këtë intervistë ai flet edhe për karrierën e tij të deritanishme, për shanset e Maqedonisë në Euro 2012 e tjerë.
Lajm: Bajram meqë për herë të parë flitni për një media në Maqedoni, a mund të na jepni një letërnjoftim të shkurtër tuajin?
Fetai: Po, unë jam lindur në Tetovë (është nga Gajra) para 25 vitesh. Pas një viti e gjysmë së bashku me prindërit e mi jemi shpërngulur në Danimarkë, ku jetojmë sot e kësaj dite. Karriera ime si lojtar ka nisur në B93, pastaj si 18 vjeçar u transferova në Glazgoë Rangers, ku luajta dy vite, por meqë u mërzita për prindërit e mi u ktheva në Danimarkë te Silkeborg. Tani pesë vite të fundit jam në FC Nordsjælland me të cilët sezonin e kaluar fituam Kupën daneze kundër Mitjyland, kurse unë në finale shënova gol. Fituam 2-0. Gjatë afatit dimëror do ta braktisi klubin.
Lajm: Si ndodhi ta pranoni ftesën e përfaqësueses së Maqedonisë, pasi keni qenë në kontakte permanente me Kombëtaren e Danimarkës?
Fetai: Kohëve të fundit kam qenë në dilemë të madhe se për këtë të luaj. Mirëpo, meqë Danimarka më ka ftuar vetëm në ndeshje miqësore dhe jo në zyrtare, pastaj nuk më grumbulloi në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut, si të thuash e humba durimin. Mendoj se posedoj kualitet, por trajneri Morten Olsen nuk ma dha rastin. Ndërsa, në anën tjetër më telefoni trajneri Mirsad Jonuz, i cili më ftoi të luaj për Maqedoninë. Dhe, unë pranova, sepse kjo është për të mirën tine, ngase unë dëshiroj të arrijë diçka në karrierë.
Lajm: Po të kishte ftuar Shqipëria do të pranoje?
Fetai: Nuk e di sepse nuk më kanë ftuar.
Lajm: E di se me 17 nëntor do të luani kundër Shqipërisë si mysafir?
Fetai: Po, e di. Do të jetë një ndeshje me plotë emocione, sepse unë jam shqiptar. Mirëpo, unë do të jap maksimumin për të treguar lojë të mirë, pse jo edhe të shënoj gol. Kjo është detyra ime në futboll. Dua të bindi selektorin që të jem i përfshirë edhe në ndeshje eliminatore.
Lajm: Kë e njihni nga lojtarët e Maqedonisë?
Fetai: E njoh Pandevin. Ai është një lojtarë shumë i mirë. Them se është yll i skuadrës. E respektoj si futbollist.
Lajm: Do të luani së bashku në sulm?
Fetai: Shumë mirë. Të dy jemi lojtarë të shpejt dhe teknik të mirë. Shpresoj se mund të japim diçka të bukur për Maqedoninë. Me Pandevin do të jemi tandem i ëndrrave. Ai ka përvojë të madhe sepse luan në Itali te Interi, ka fituar Ligën e Kampionëve. Unë do të mësoj nga ai.
Lajm: Në ekipin e Maqedonisë të presin edhe dy shqiptarë, Alimi dhe A. Ibraimi. A njiheni me këta dy?
Fetai: Më vjen shumë mirë që ka shqiptarë në Kombëtaren e Maqedonisë, por asnjërin si njoh. Do ta kem rastin të njihemi gjatë përgatitjeve për ndeshjen me Shqipërinë.
Lajm: Me siguri jeni diku i ndjekur rezultatet e Maqedonisë. A mendoni se i kanë humbur shanset për në KE 2012?
Fetai: Jo unë nuk mendoj ashtu. Gjasat për të arritur ndonjë sukses të mirë ende nuk janë shuar. E di se Rusia është favorite, por ne nuk guxojmë t’i humbim shpresat. Duhet të jemi optimist deri në fund.
Lajm: Dhe, në fund ku mund t’ju shohim pas FC Nordsjælland?
Fetai: Agjenti im është duke punuar për në Gjermani, por ende nuk dihet. E sigurt është se nuk do të jem më në këtë klub. Interesim kanë shprehur skuadrat nga Danimarka, Alborg, Midtjylland dhe Lingby si dhe Sauthemptoni anglez.
Legjenda: Pritet të debutoj kundër Shqipërisë: Bajram Fetai
Skeda:
Emri: Bajram
Mbiemri: Fetai
Datëlindja: 7 shtator 1985
Vendlindja: Tetovë (Maqedoni)
Pozita: sulmues
Numri në fanellë: 15
Gjatësia: 1.80 m
Klubi aktual: FC Nordsjælland
Klubet e mëparshme:
B.93, Rangers, Silkeborg IF
Kombëtarja: U19, U20 me Danimarkën
Kombëtarja A: 2 ndeshje miqësore me Danimarkën