image

 Sipas të dhënave të fundit të Institucionit të Avokatit të Popullit qytetarët në vend janë të kërcënuar seriozisht nga diskriminimi në të gjitha format e tij. Edhe pse deri tek institucioni i tij nuk paraqiten numër i madh i ankesave, sipas avokatit të popullit kjo ndodh për shkak se shpeshherë qytetarët nuk janë të ndërgjegjshëm se janë të diskriminuar, por edhe nga frika. Mehmeti thekson se kohëve të fundit forma më e vrazhdë e diskriminimit ndodh nëpër komuna, ku nëpunësit diskriminohen në bazë politike.
 
“Në institucionin e Avokatit të Popullit janë parashtruar ankesa dhe ne kemi arritur të konstatojmë diskriminime në disa baza, edhe fetare, nacionale, gjuhësore, por më i vrazhdë është diskriminimi politik në Maqedoni i cili lidhet me të drejtën e punës, posaçërisht sa i përket nivelit lokal. Është mirë që u miratua ligji për prevenimin e diskriminimit dhe që u formua trupi i cili do të kujdeset për realizimin e këtij ligji pasi Avokati i Popullit nuk mund të mbulonte sektorin privat në të cilin dukuria e diskriminimit është mjaft prezente” tha Ixhet Mehmeti, Avokat i Popullit.Por nga sektori civil shprehen skeptik lidhur me funksionimin e Komisionit kundër diskriminimit. Sipas tyre komisioni nuk është i arritshëm deri te të gjithë qytetarët.
 
“Vetë miratimi i ligjit dhe themelimi i komisionit ishte i diskutueshëm. Ajo që mendoj se Komisioni duhet të zgjidh është pamundësia e qytetarëve për të pasur qasje tek ajo. Komisioni gjendet vetëm në Shkup, kurse njerëzit që janë jashtë saj posaçërisht ata që janë të diskriminuar dhe të margjinalizuar si të arrijnë në Shkup e pastaj deri te Komisioni që të parashtrojnë ankesat” tha Koço Andonovski, Komiteti i Helsinkit.
 
Por nga ana tjetër Rizvan Sylejmani nga Komisioni për anti-diskriminim tha se ky organ është ende në fazën e parë të funksionimit dhe se po qe nevoja do të zgjerojnë veprimtarinë e tyre.
 
“Gjithsesi se ne jemi në takimet e para veç kemi vënë kontakte me organizatat që kanë përvojë dhe puna e parë që kemi kërkuar është të kemi trajnime nga përvojat e shteteve që kanë komisione të tilla që kanë rezultate të tilla. Nëse gjykojmë se është e nevojshme disperzimi, hapja e komisionit shkuarja e komisionit atje ku është bërë dëmi gjithsesi se edhe ato aktivitete do të ndërmerren” tha Rizvan Sylejmani, anëtar i komisionit anti-diskrimin.
 
Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, vendi kritikoj ashpër në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi. Ndërsa kritikohej se në propozim-ligjin e miratuar nuk u përfshi ‘orientimi seksual’. Sipas KE-së, debatet në parlament ishin kundërthënëse kurse kritikat nga shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar nuk u morën në konsideratë. Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi përbëhet vetëm nga 7 anëtarë dhe nuk ka sekretariat. Përfshirja e romëve, personave me nevoja të posaçme dhe grupeve tjera sociale në nevojë është shumë i ulët dhe se nuk është bërë asgjë për respektimin e të drejtave të grave, veçanërisht të zonave rurale, theksohej në kritikat e Komisionit Evropian për Maqedoninë