Një aeroplan luftarak rus është përplasur në një mision stërvitor vetëm disa ditë para se ai të dërgohej në forcat ajrore të Putinit.

Avioni Su-57 u rrëzua në lindjen e largët të Rusisë dhe u shkatërrua plotësisht, thanë zyrtarët.

Ai u rrëzua në pyllin e largët siberian dhe piloti kërceu nga avioni dhe shpëtoi.

Forcat ajrore të Rusisë kanë porositur 76 aeroplanë të tillë të cilët kushtojnë 140 milionë dollarë, të cilat kanë për qëllim të rivalizojnë avionët F-22 Raptor të Amerikës.

Su-57 është gjithashtu i ngjashëm me avionin kinez J-20, i cili dyshohet se është ndërtuar duke përdorur planet e vjedhura të SHBA të marra nga hakerët kinezë.

Avioni i rrëzuar ishte një aeroplan provë jo një nga ata që duhej të kalohej në forcat ajrore, sipas agjencisë së lajmeve RIA Novosti.

Banorët e fshatit Dzyomgi, rreth shtatë kilometra në veri të Komsomolsk-on-Amur, dëgjuan një ‘zhurmë të fortë’, që besohet të ishte momenti kur avioni u fut në telashe.

ATYRE QË U BËNË BAJAT duke sharë e mallkuar pa hesap këtu këto ditë, në emër të Kosovës sipas tyre, dy fjalë po u them:
Më së pari, sinqerisht uroj edhe për ju gëzuar Krishtlindjet e Vitin e Ri!
Ju kam ndjekur me keqardhje në rrekjen tuaj, për të më kryqëzuar si “tradhëtar”, “të shitur”, “bërllog”, madje “qen i keq” e bile edhe “djall” dhe çfarëdo tjetër gjuhës suaj, lëshuar pa fre i ka ardhur për mbarë. Faleminderit!
Tani një pyetje po ju bëj, si “vëllau i Vuqiqit”, juve o “atdhetarë”, që atdheun e dini në këto raste thikë në majë të gjuhës, për të prerë dhe mundësisht për të vrarë:
Si mendoni Ju, “vëllaut tim” serb i pëlqen më shumë që Kosova të vijë në tryezë a të mos vijë?
Ju’a them unë që mos lodheni ta mendoni: Të mos vijë fare!
Sepse duke mos ardhur në tryezë Kosova nuk flet dot, nuk dëgjohet dot, nuk ndikon dot dhe as nuk fiton dot asgjë! Ndërsa piskamat Tuaja ndaj meje, i dëgjoj unë jo ai! Madje askush tjetër, as Shtetet e Bashkuara e as Bashkimi Europian, që e mbështesin pa rezervë atë tryezë dhe e duan Kosovën bashkë me të gjithë në tryezë, nuk i dëgjojnë ato piskama dhe hiç aspak mirë nuk mendojnë për mungesën e Kosovës.
Mua mallkimet e ofendimet Tuaja, sado Ju të hidheni përpjetë, nuk më bëjnë dot as tradhëtar e as Esat Pashë, ashtu sikundër lëvdatat e komplimentat në raste të tjera, nuk më bëjnë hiç asfare, as hero e as Ismail Qemal! Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe e thashë mu në Pallatin e Serbisë, shqip, atë që mendoja e që mendoj sot e gjithë ditën për Kosovën. Kosova është shtet sovran dhe Serbia duhet ta njohë si shtet, sepse është edhe në të mirën e saj të çlirohet nga fantazmat e të shkuarës. Pikë!
Kur u nisa atëherë për Beograd nuk latë fjalë të ulët pa më thënë. Kur u ktheva nga Beogradi, nuk latë lëvdatë të tepërt pa më dhënë. Po për mua ishte njësoj, sepse unë isha i njëjti edhe kur shkova edhe kur u ktheva, siç jam edhe sot. E njësoj si atëherë edhe sot, unë bëj atë që kam bindje se është e drejtë për vendin e për kombin tonë. Thjesht si shqiptar jo si hero, as si tradhëtar jo e jo!
Lëvdatat e sharjet e rastit, nga një vesh më hyjnë e nga tjetri më dalin të them të drejtën. Jam mësuar me to dhe e di mirë që koha dhe historia nuk lexojnë gazeta e portale, as nuk ndikohen nga analistë e nga rrjete sociale. Dhe koha e historia do të flasin nesër drejtë, e do t’u japin hakun të drejtëve dhe të shtrembërve të sotëm. Të tjerat janë llafe të sotme që i merr era e nesërme.

Deri dje, pa u hapur ky proces që sharjet, mallkimet e fabrikimet harrojeni se e ndalin, Shqipëria dhe Kosova s’kishin asnjë shans që ta hapnin kufirin mes tyre. Zero! Sot kjo është një mundësi reale pikërisht sepse edhe “vëllau serb”, siç e quani ju Presidentin e Serbisë, kur kujtoni se po më qëlloni për vdekje me gjuhën e bërë thikë, e ka pranuar lirinë e lëvizjes së njerëzve në rajon si një prej qëllimeve madhore të tryezës. Pa kushte! Që do të thotë se kur ne të hapim kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, nuk ngrihet dot as ai dhe as kushdoqoftë tjetër, të verë kujën për rrezikun e “Shqipërisë së madhe”.

Kur të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të ulemi në tryezë për të vijuar bashkëpunimin, tash po e shihni vetë çka sot po ju’a shpjegoj e rishpjegoj më kot, duke marrë mbrapsht ato që hidhni mbi mua kot më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju.
Sot e lemë me kaq, se është ditë Krishtlindjesh dhe po e mbyll me një përqafim për të gjithë ju nga unë, që vëllazërisht ju uroj çdo të mirë me këdo ju do zemra, e sa më shumë dritë në shpirt e në mendje secilit prej jush, për veten e për Kosovën dhe krejt kombin tonë natyrisht

Nga Bardhyl Mahmuti– Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev përgënjeshtrojnë Edi Ramën: “Europa nuk e përkrah “Mini-Shengenin”, ndërsa Kosova nuk është ftuar si shtet i pavarur”

Për të fshehur të vërtetën, se zanafilla dhe takimet e të ashtuquajturit “Mini-Shengen Ballkanik” nuk janë asgjë tjetër, pos THIKË PAS SHPINE Kosovës, në konferencën me gazetarë që pasoi takimin me Aleksandar Vuçiq, Zoran Zaev dhe Milo Gjukanoviq në Tiranë, z. Edi Rama u kujtoi gazetarëve, se në të kaluarën “udhëheqësit e Kosovës kanë ngrënë dhe kanë pirë nëpër tryeza, darka e dreka pune, me palën serbe”. Më tej vazhdoi deklaratën: “Në kohën që SHBA-ja dhe i gjithë Bashkimi Europian sot janë këtu në tryezë, së bashku me të gjithë të pranishmit, Kosova mungon. Nuk mungon sepse nuk është ftuar, nuk mungon sepse unë apo ne këtu kemi ndryshuar ndonjë qasje apo opinion në raport me të drejtën e saj të pamohueshme për të qenë e njohur edhe nga Serbia dhe nga të gjithë, por mungon, sepse ka hyrë në një rrugë qorre, në një rrugë pa rrugë, dhe prej disa kohësh po i bie vetes, po humb respekt, po humb mbështetje dhe po humb reputacion”. Për të plotësuar mozaikun e tablosë së konstruktuar nga ai, z. Edi Rama u kujton gazetarëve, se në të kaluarën “udhëheqësit e Kosovës kanë ngrënë dhe kanë pirë nëpër tryeza, darka e dreka pune, me palën serbe”.

Dy ditë pas gënjeshtrave, që kanë për qëllim të fshehin të vërtetën dhe të fajësojnë Kosovën pse refuzon të luajë ritmin e valles së njohur serbe “Zhikino Kollo”, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nxori në shesh një pjesë të së vërtetës.

Në intervistën ekskluzive për emisionin “Stav” të TV O2, të datës 23 dhjetor 2019, Aleksandar Vuçiq, ndër të tjera, deklaroi: “Nuk kemi përkrahjen e shteteve më të fuqishme europiane për “Mini-Shengenin”, sepse europianët nuk dëshirojnë t’i shohin ballkanasit që të përcaktojnë vetë fatin e tyre; ata gjithmonë dëshirojnë të jenë tutorë (…)”. Edhe pse në Serbi akuzohet se ka krijuar “Shqipërinë e Madhe”, ai konsideron se “mirënjohja më e madhe për “Mini-Shengenin” është ajo, që në Prishtinë e akuzojnë se ka krijuar Serbinë e Madhe”. Në fund, Aleksandar Vuçiq shprehet i lumtur, që “është duke ndërtuar një hapësirë ekonomike, në të cilën ndërmarrjet serbe do të punojnë pa u penguar”.

Deklaratat diametralisht të kundërta nxjerrin në shesh, se dikush është duke gënjyer sa i përket përkrahjes europiane për “Mini-Shengenin Ballkanik”. Të shohim nëse z. Edi Rama do ta akuzojë presidentin serb për “gënjeshtar dhe të paditur klasik”, apo do të pranojë që gënjeshtra për gjoja përkrahje europiane të “Mini-Shengenit” është sajesë e të “gjithëdijshmit” Edi Rama. Sidoqoftë, përpjekjet e z. Edi Rama për të ironizuar me “darka e dreka” praninë e udhëheqësve të institucioneve të shtetit të Kosovës në takimet ku kanë qenë edhe përfaqësues të shtetit serb, pa përmendur faktin se ato takime janë mbajtur me ndërmjetësimin ndërkombëtar, nuk janë asgjë tjetër, pos përpjekje “moderne” për të ambalazhuar “gënjeshtrën klasike”. Nëse z. Edi Rama dëshiron të luajë rolin e naivit, atëherë duhet të ketë të qartë një gjë, njëherë e përgjithmonë: në Kosovë e njohin fare mirë gjenezën e idesë “Ballkani-ballkanasve” dhe akuzat e stilit, se gjoja “shtetet e Perëndimit dëshirojnë të luajnë rolin e tutorit në Ballkan”. Udhëheqësit e Kosovës kanë pranuar të ulen ballë për ballë me përfaqësuesit e Serbisë vetëm me ndërmjetësimin e shteteve të demokracive perëndimore, që ndërhynë për të ndërprerë barbarinë serbe në Kosovë. Përndryshe, pa ndërmjetësimin e tyre, është tërësisht e papranueshme ulja në tavolinë me ata që nuk dëshirojnë ta shohin se Kosovën dhe Serbinë i ndan një hendek i madh, i mbushur me eshtra fëmijësh, grash, pleqsh, plakash dhe shqiptarësh të moshave të ndryshme, që u vranë gjatë gjenocidit që shteti serb kreu në Kosovë; Kosovën dhe Serbinë i ndan një hendek i mbushur me tmerret e mbi 20 mijë femrave shqiptare, që përjetuan dhunën seksuale; Kosovën dhe Serbinë i ndan një hendek i madh vuajtjesh të rreth 1 milion shqiptarëve, që u poshtëruan dhe u dëbuan gjatë zbatimit të spastrimit etnik, si formë specifike e gjenocidit.

Urat e mirëfillta për ardhmërinë e kësaj pjese të Europës mund të ndërtohen vetëm nga gurët e shtëpive të rrënuara, që bartin me vete ngjyrat e tmerrit që përjetoi populli shqiptar i Kosovës. Vetëm ura të kësaj natyre, që nuk harrojnë viktimat e gjenocidit, mund të ngjallin shpresa se historia në dimensionin e saj tragjik nuk do të përsëritet kurrë.

NË “MINI-SHENGENIN BALLKANIK” KOSOVA NUK ËSHTË FTUAR SI SHTET I PAVARUR

Reagimet e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kundër nismës rajonale pa praninë e Kosovës, e detyruan Zoran Zaevin të nxjerrë në shesh se në çfarë cilësie ftohet Kosova në këto takime. Në deklaratën e tij të 24 dhjetorit, kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, deklaroi: “Kosova mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbinë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë”.

Edi Rama dhe Zoran Zaevi duhet ta dinë, se Kosova nuk është “pjesë e një problemi të pazgjidhur”, por është shtet i pavarur dhe i njohur nga shumica dërmuese e shteteve të Bashkimit Europian dhe të Kombeve të Bashkuara, në mesin e të cilave është edhe Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë Veriore (në atë kohë me emër tjetër).

Nuk mund të ketë fyerje më të madhe për shtetin e pavarur të Kosovës, sesa kur ftohet në cilësinë e një vendi që është gjoja “pjesë e një  problemi të pazgjidhur me Serbinë”. Edhe më e rëndë është akuza e z. Edi Rama, se gjoja “Kosova mungon në takime të tilla, sepse ka hyrë në një rrugë qorre, në një rrugë pa rrugë”. E vërteta është krejt ndryshe nga gënjeshtrat që përhap z. Edi Rama: qëndrimi i Kosovës që të mos futet në “rrugë qorre dhe në rrugë pa rrugë”, të cilën e kanë trasuar Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Soros dhe sorrat e llojit të tyre, është vendimi më i mirë për t’u mbrojtur nga thikat pas shpine. Kosovës nuk i duhet “respekti” apo “mbështetja” e atyre që e ftojnë në marrëveshje, ku heqja e kufijve, praktikisht, do të legjitimonte preambulën e Kushtetutës së Serbisë, në të cilën Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë.

Kosova nuk do të sakrifikojë ambiciet për t’u integruar në Bashkimin Europian, për “mini”-projektet, ku Kosova shihet si pjesë e problemeve që vazhdon t’i sajojë Serbia.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ka reaguar për nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për krijimin e projektit të ashtuquajtur “Mini-Shengen”.

Ky reagim i ASHAK-ut vjen pas një seri sulmesh të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në drejtim të politikës dhe institucioneve të Kosovës që kanë kundërshtuar një ide të tillë dhe kanë refuzuar ftesat për pjesëmarrje në një tavolinë me Serbinë.

Akademia e Shkencave të Arteve të Kosovës konstaton se një nismë e tillë ka për qëllim rrënimin e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit.

Sulmet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në drejtim të Kosovës nga ASHAK-u i shohin si një hakmarrje të paarsyeshme që ka konotacion shqetësues për të ardhmen e  raporteve Kosovë-Shqipëri.

Në reagimin e lëshuar sot nga ASHAK gjithashtu përmendet edhe fakti se si Edi Rama ka sulmuar një gazetare duke e akuzuar për ‘pyetje patetike’, në momentin kur ajo ka përmendur faktin që Serbia s’ka kërkuar falje për krimet qe shteti serb i ka kryer kundër civilëve në Kosovë.

Nga ASHAK-ut ndër të tjera thonë se një ide e tillë për ‘Mini-Shengen’ nuk mund të jetësohet duke qenë se Serbia do të ketë rol dominues aty dhe bazuar në faktin se Beogradi zyrtar vazhdon me qasje destruktive ndaj Kosovës, nuk e njeh si shtet dhe çdo ditë e lufton subjektivitetin ndërkombëtar.

Sipas ASHAK-ut, kjo është edhe një lloj hakmarrje e Ramës ndaj Kosovës.

“Duke e ditur se Kosova nuk mund të përfshihet në asnjë proces dhe në asnjë marrëveshje ku ajo nuk është e barabartë dhe ku asaj nuk i njihet shtetësia dhe sovraniteti, fyerja dhe lëndimi që iu bë asaj në takimin e fundit në Tiranë, përfshirë edhe tiradat përçmuese të kryeministrit të Shqipërisë, kap përmasat e një hakmarrjeje të paarsyeshme dhe me konotacion të frikshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Në letrën e lëshuar nga ASHK-u gjithashtu është kritikuar shoqëria civile dhe bota akademike në Shqipëri të cilët nuk kanë reaguar ndaj sulmeve të Edi Ramës karshi Kosovës.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

Të përballur me kriza të brendshme dhe me dështime të njëpasnjëshme në çështje të reformave dhe të integrimeve evropiane; me rritjen e vazhdueshme të autoritarizmit dhe të pushtetit të pakontrolluar të oligarkëve; me cenimin e pashembullt të lirisë së shprehjes dhe të veprimit opozitar; me përfshirjen e pandalur të të gjithë pushteteve në një paqëndrueshmëri institucionale, tre shtete fqinjë të Kosovës (Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria) së fundi bënë një depërtim medial në opinionin tonë me një marrëveshje që duhej të imitonte punët e rëndësishme të Europës, me të ashtuquajturin “mini-Shengen ballkanik”, duke prodhuar të vetmin efekt të dukshëm dhe të prekshëm: çrregullimin serioz të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe lëndimin e krejt ndjeshmërisë sonë rreth këtyre marrëdhënieve.

Duke e parë këtë rrethanë dhe duke vërejtur dëmin e konsiderueshëm që shkaktoi kjo nismë në politikëbërjen shqiptare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) është e shtrënguar të reagojë, duke konsideruar se nisma e propozuar nga Serbia ka prapavijë të qartë subversive dhe synon rrënimit e perspektivës evropiane të rajonit të Ballkanit, duke krijuar alternativa minuese dhe defaktorizim të potencialit politik shqiptar në këtë proces.

Duke e ditur se Kosova nuk mund të përfshihet në asnjë proces dhe në asnjë marrëveshje ku ajo nuk është e barabartë dhe ku asaj nuk i njihet shtetësia dhe sovraniteti, fyerja dhe lëndimi që iu bë asaj në takimin e fundit në Tiranë, përfshirë edhe tiradat përçmuese të kryeministrit të Shqipërisë, kap përmasat e një hakmarrjeje të paarsyeshme dhe me konotacion të frikshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Në Tiranë, bashkë me mohimin e agresionit serb mbi Kosovën, të mijëra të vrarëve e të masakruarve, të deportimeve dhe shkatërrimeve të papara, përveç që u promovua indiferenca zyrtare e Shqipërisë dhe mohimi i kësaj memorie kombëtare, duke e quajtur këtë histori të Kosovës “pyetje patetike”; edhe më i frikshëm dhe më brengosës doli të ishte reagimi i vakët i institucioneve të pavarura, i shoqërisë civile, i botës akademike dhe i mendjeve të lira të profileve krijuese, të cilët ose u shtrënguan të heshtin, ose pazëshëm mbështetën shfryrjet e egërsuara të liderit të tyre kundër Kosovës.

Po kaq i pakuptueshëm dhe thellësisht i parëndësishëm, madje i zmbrapsur dhe i pavlerë ishte qëndrimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili nuk gjeti mënyrë të artikulojë një qëndrim që do të shkonte një hap më larg se interesat e ngushta të politikës provinciale.

ASHAK fuqimisht mbështet qëndrimin se “mini-Shengeni ballkanik” nuk është i mundur në një asimetri të këtillë politike në Ballkan, me dominim të theksuar të Serbisë, duke qenë se ajo nuk njeh Kosovën dhe që çdo ditë minon dhe shantazhon progresin e saj, synon ndarjen dhe copëtimin e saj, mohon krimet dhe nuk respekton marrëveshjet e arritura dhe që është e angazhuar gjerësisht në pengimin e integrimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe duke ndërmarrë sulme të vazhdueshme diplomatike për të zvogëluar numrin e njohjeve.

Mbi të gjitha, Kosova nuk mund të përfshihet në një proces të udhëhequr nga Serbia, përderisa ajo vazhdon ta mbajë Kosovën në kushtetutën e saj si pjesë e këtij shteti dhe aq më pak të përfshihet në aleanca që shkojnë kundër interesave tona kombëtare dhe krijojnë alternativa të kundërvënies ndaj integrimeve europiane dhe euro-atlantike.

Kosova nuk mund të bëhet pjesë e aleancave që kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë zhbërjen e saj.

Historia më e re e Kosovës është histori e vlerave të civilizimit perëndimor dhe e parimeve të lirisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.

Më anë tjetër, Kosova është shtet sovran, ka subjektivitetin e saj politik, ka organet e saj legjitime dhe në asnjë rrethanë nuk mund të pranojë vendimmarrje të imponuar dhe sjellje paternaliste.

Duke u mbështetur në këto parime, ASHAK gjithnjë do të punojë dhe do të mbështesë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri në të gjitha fushat, do të bëhet pjesë e të gjitha proceseve të përbashkëta integruese dhe do të përpiqet të minimizojë dëmet që shkaktohen në këto marrëdhënie nga politikat e pamatura dhe kundërvënëse ndaj procesit normal të integrimit të ndërvetshëm.

Situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit mori një pjesë pjesë të mirë të mbylljes së vitit që po lëmë pas, por do të jetë në qendër edhe të vitit të ri që vjen.

E megjithatë kryeministri Rama tha se qeveria nuk do të lërë pas edhe prioritetet e tjera të vendosura për këtë mandat të dytë.

Duke folur pas mbledhjes së qeverisë në Golem, Rama bëri një panoramë të asaj që na pret në 2020:

“Në fillim të janarit pas Vitit të Ri do të kalojmë aktin kundër krimit të organizuar dhe KÇK dhe do të vijojmë punën me paktin e Universitetit.

Në pranverë do të jemi në kantier për Kampin Universitar. Kemi nisur procedurën për aeroportin e Vlorës.

Shumë shpejt do shpallet procedura për parkun në Divjakë, rrugën e re që do të ndërtohet nga e para Thumanë-Rrogozhinë.

Shpejt do shpallet procedura dhe për tunelin e Llogarasë. Pastaj dhe vepra të tjera si Shëngjin-Velipoja. Procesi i legalizimeve.

Shpejt kalojmë në parlament ligjin e ri për tokën. Kemi një tjetër prioritet të rëndësishëm shërbimet online, do të hyjë në proces konkretizimi që në janar me një numër shërbimesh.

Qytetarët do të bëjnë aplikimet online. Në qershor do të jetë vala e dytë dhe në 2020 do të mbyllim të gjitha sportelet.

Së fundi shengeni rajonal, një tjetër prioritet i rëndësishëm.”

Mira Kazhani tregon skandalet e Festivalit të RTSH-së: Alketa dhe Elvana kishin një dhomë ekskluzivisht më vete, Vejsiu u tradhtua nga Vera?

Që të shkojmë tek e vërteta e asaj ç’ka ka ndodhur mbrëmë në Festivalin e Këngës në RTSH duhet të hedhim dritë mbi disa fakte, të cilat ndihmojnë për të kuptuar.

Gjithçka nisi mbrëmë, me portretin dhe zërin që iu ngadalësua Alketa Vejsiut, e cila priste çdo gjë veç humbjes së Elvana Gjatës në festivalin ku një ditë me pas do e pranonte publikisht se ishte diçka mes të dyjave. Një fjalë e dhënë…

Ku e dimë ne që i dha fjalën?

Po të lexojmë me vëmendje statusin e sotshëm të producentes artistike të këtij festivali, Alketa Vejsiut, e kuptojmë.

Marrim fjalinë: “Elvana, faleminderit! Ti erdhe në këtë festival, sepse ti besove në vizionin tim”.

Vejsiu i drejtohet me nota apologjie Elvana Gjatës.

Vejsiu flet në numrin njëjës! Dhe flet për vizionin e saj!

Pra, ka pasur një premtim, një dhënie bese, një besim apriori tek juria, që si para dhe pas festivalit mbetet kosto e producentëve. Nëse thua juria ime e nderuar gjatë tre netëve, thuhet sërish e nderuar edhe nëse juria del që ka qenë e Vera Grabockës.

Që Alketa Vejsiu ishte një pro-Elvanë e tregoi edhe dhoma e zhveshjes në Pallatin e Kongreseve, ku nëse të gjithë ndanë të njëjtin ambient, për Vejsiun dhe Gjatën pati një dhomë ekskluzivisht më vete. Janë këto fakte që tregojnë se ‘tradhtia’ nuk ishte nga ana e Alketa Vejsiut, e cila nuk gabon pse ka parazgjedhur Elvana Gjatën.

Se këtu kish aleat një publik të tërë dhe prania e Britney Spears shqiptar (Elvanës) në një festival ishte prova e gjallë se çmimi s’kish garë dhe mos të bëjmë të paditurin. Alketa Vejsiu gabon kur veçon publikisht një këngëtar, sepse është ‘mama’ e festivalit dhe të paktën zyrtarisht i duhet dhënë e njëjta dashuri edhe atij që del i fundit. Gabon kur i hakërrehet jurisë. Këtë duhet ta bëjmë ne. Mjafton të mbledhësh dhe kuptohet ç’ka ndodhur.

A ka arsye të besojmë se Arilena është tradhtia e Grabockës ndaj bashkëpunëtores Vejsiu?

Arilena është një yll i dalë nga ‘X Factor’ dhe sot po të pyesë dikush për menaxherin e saj, që e thërrasin Popi, e kupton lehtë lidhjen e dyfishtë mes saj dhe regjisores Grabocka.

Si një ujkonjë e vjetër e festivaleve dhe garave, mund t’ia lejojmë vetes kalkulimin e Grabockës, e cila nuk e ka luftuar dëshirën e sinqertë të Vejsiut për futjen në festival të divës Elvana Gjata. Prania vetëm sa e rriti audiencën, madje në fund tregoi edhe ‘pavarësinë’ nga pazaret.

Një tjetër fakt tërheqës është futja e duarve në ndryshimin e rregullores së Festivalit të RTSH-së. Për herë të parë i çelet rrugë këtë vit kantautorëve të huaj, gjë që lejoi Darko Dimitrov, të talentuarit, për t’i bërë këngën Arilenës, madje edhe Erës. U lejuan me atë rast edhe dy këngë nga një tjetër kompozitor shqiptar si Adi Hila, për të krijuar një barazi.

Festivalin duam apo s’duam e bëri emri dhe klikimet e Elvanës dhe një Elvanë në Eurovizion, megjithë makinerinë dhe eksperiencën e saj, do ishte prezantim i fortë. Futja e Elvanës në këtë moshë në garë dhe gjithmonë larg festivaleve dhe garave, kishte motiv vetëm Eurovizionin.

Elvana e pati mbështetjen e publikut, jurisë ndërkombëtare, YouTube, Facebook, Instagram, të Alketës, edhe timen po deshët, por në fund ajo rezultoi vetëm dekori ideal për t’i dhënë fitoren e zhurmshme Arilenës, fitueses së pafajshme të një festivali të fajshëm.

Verbëri të ndahesh sot mes Elvanës dhe Arilenës.

Edhe diçka! Gjithmonë në lëmin e fakteve. Kurioz të bën edhe një fakt i fundit që Vejsiu e përplasi me aq emocion e krenari: 400 karriget e shtuara për herë të parë në festival, por që gjatë mbrëmjes prej tyre u thirr Arilena, Arilena…

Të tjerat, si u vesh Alketa, sa herë këndoi Alketa, cila e meritoi Elvana apo Arilena, janë rërë!

Para dy ditësh u mbajt nata finale e Festivalit të Këngës, ku fituese u shpall Arilena Ara me këngën ‘Shaj’.Ajo mori 67 pikë duke lënë pas Elvana Gjatën me 64 pikë.

Mirëpo, edhe në këtë festival u shfaqën parregullësi. Gjatë ditës së hënë, në rrjete sociale u publikuan listat e votimeve dhe u bë e qartë se kush kënd e kishte votuar. Në trupin gjykues prej tre anëtarësh nga ‘qielli’ pikën edhe dy anëtare tjera e që luajtën rol vendimtar në zgjedhjen e fituesit.

Ndërsa, disa ditë më parë prezantuesja e këtij festivali, Alketa Vejsiu kishte thënë se juria përbëhet vetëm nga tre anëtarë të huaj.

Disa ditë para se të publikoheshin këngët e 22 konkurrenteve në ‘Youtube’, prezantuesja Alketa Vejsiu kishte dhënë një intervistë në ‘RTSH’ ku flet lidhur me organizmin e ‘Festivalit të këngës’, këngëtarët dhe jurinë këtij edicioni, shkruan lajmi.net.

Në këtë intervistë ajo tregon se juria përbëhet nga tre anëtare të cilët vijnë nga ‘Eurovizioni’.

“Fitoren do e merr  ai që meriton, ai që ka performanecën ‘live’ më të mirë, materialet më të mira, dhe fituesi do zgjidhet nga juria prej 3 anëtarëve që është dërguar nga vet ‘Eurovizioni’”.

Por kështu nuk ndodhi ‘RTSH’ habiti publikun duke ia shtuar jurisë edhe dy anëtarë të tjerë, botuesen Rita Petro dhe muzikologen Mikale Minga.

Sot pas publikimit të pikëve të jurisë për 12 pjesëmarrësit në finalen e ‘Festivalit të këngës’ në opinionin publik kanë lindur debate të shumta, dhe të shumtë kanë qenë artistët që reaguan pas pikëve skandaloze që dy anëtarët e jurisë me origjinë shqiptare kishin dhënë për artistët, ku dukshëm ishte penalizuar Elvana Gjata.

Deri sa tre anëtarët e tjerë të jurisë të cilët ishin të dërguar nga ‘Eurovizion’ i dhanë pikët maksimale Elvanës, Rita Petro dhe Mikaele Minga i dhanë pikët minimale duke ia mohuar kështu fitoren Elvanës.

Nuk dihet se kush i solli këta dy emra në trupin gjykues, por edhe Rita edhe Mikaele me pikët e tyre ‘rrënuan’ votimin e jurisë ndërkombëtare, dhe kështu shkaktuan një ‘kaos’.

Gazeta Express ka siguruar një kabllogram që tregon origjinën e iniciativës që njihet si “minishengeni ballkanik”, të cilën po tentojnë ta jetësojnë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Në bazë të këtij dokumenti, prapa kësaj ideje qëndron Fondacioni për Shoqëri të Hapur i miliarderit George Soros. Në letër, ideja është hedhur nga ish-zyrtarja e lartë e State Departamentit Victoria Nuland, ndërkohë që në terren e ka shtyrë Alexander Soros, djali i miliarderit të famshëm, i cili është vizitor i shpeshtë në rajon.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vendosur t’i qërojë hesapet me Kosovën dhe përfaqësuesit të saj. Teksa po mundohet që bashkë me kolegët e tij Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ta jetësojë këtë ide, që Kosova ka vendosur ta refuzojë  për shkak të dominimit serb dhe relativizimit të shtetësisë së saj, Rama po e bën edhe manipulime të mëdha.

Ai po e paraqet këtë iniciativë duke bërë krahasime me takimet BE – Ballkani Perëndimor ku Gjermania dhe Franca si dy motorët kryesorë të unionit mbledhin ballkanasit, përfshirë Kosovën e Serbinë, për t’i mbajtur me shpresë për eurointegrimet. Manipulimi tjetër është se Rama në adresimet para gazetarëve po thotë se me refuzimin e saj Kosova po armiqësohet me BE dhe SHBA’të.

Por, nga dokumenti që e ka siguruar Gazeta Express del se kjo nuk është fare e vërtetë. Iniciativa nuk është e sponsoruar nga Amerika dhe Europa, por nga një miliarder. Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuhet se e mbështesin këtë iniciativë vetëm në parim, pasi ato inkurajojnë bashkëpunimin rajonal, por sic e kanë potencuar vetëm nëse një gjë e tillë i përfshin të gjithë. Madje edhe kur Rama ia dha lirinë Vuçiqit ta shpjegojë idenë në Paris para Macronit, Presidenti francez e kishte pyetur nëse ajo është “all inclusive”.

Në dokumentin e MPJ’së që e ka parë Gazeta Express thuhet se “kjo iniciativë është ideuar nga Victoria Nuland (ish -zyrtare e lartë në State Department), që aktualisht është e angazhuar në sektorin privat dhe është sponsoruar nga Fondacioni për Shoqëri të hapur përkatësisht nga Alexander Soros”

Më tej, në dokument theksohet se përgatitjet intensive për këtë kanë filluar  nga muaji shtator ndërkohë që rikujtohen edhe takimet e Nuland dhe Soros në Tiranë, Beograd dhe Shkup.

Dokumenti tërheq vërejtjen për rreziqet që i kanosen Kosovës në aspektin politik. Aty thuhet se Minishengeni i jep Serbisë mundësi që të dëshmohet si faktor konstruktiv në rajon pa përmbushur asnjë detyrim karshi Kosovës. Sugjerohet madje që Kosova t’i kundërvihet kësaj inciative në bashkëpunim me Shqipërinë dhe Malin e Zi për shkak se Podgorica ka refuzuar ose ka rezerva ndaj projektit. Por, sic po shihet tashmë Rama ka zgjedhur tjetër rrugë duke sulmuar Kosovën dhe duke bashkëpunuar me Vuçiqin.

“Nëse Kosova nuk reagon me kohë, ka rrezik që njohja reciproke, si produkt final i marrëveshjes Kosovë- Serbi, të zëvendësohet me qasje të barabartë në platforma të tilla. Kjo do t’i mundësonte Serbisë që rë avancoj në axhendën europiane pa e njohur Kosovën” thekson dokumenti. Aty po ashtu tërhiqet edhe vërejtja edhe për kostot ekonomike në dëm të Kosovës” theksohet në dokument.

Nisma për minishengen ka acaruar marrëdhëniet Kosovë -Shqipëri. Rama përvec sulmeve ndaj lidershipit kosovarë ka thënë se Serbia ka pranuar që kjo ide të jetësohet pa asnjë kusht, që është një dezinformatë nga ana e shefit të qeverisë shqiptare, pasi Serbia në format të tillë nuk do ta pranonte kurrë shtetësinë e Kosovës nisur madje as nga diçka elementare sic është ekspozimi i flamujve e as nuk do të mund të udhëtonin drejt Serbisë në takimet me rotative.

E pikërisht të shtunën që shkoi, kur Rama priti kolegët nga rajoni, Vuçiqin, Zaevin e Gjukanoviqin, në Tiranë ka qëndruar edhe Alexander Soros i cili muajve të fundit ka zhvilluar ‘shuttle diplomacy” në rajon duke flutuar sa në Beograd, sa në Prishtinë e Shkup.

Por si duket diplomacia e Soros nuk funksionoi. Kosova e refuzoi ftesën për të shkuar në Tiranë. Nëpërmjet një postimi në facebook duke thënë se pengesë për mospjesëmarrjen e Kosovës është Serbia e cila në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet  për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

“Rethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë” kishte shkruar Thaçi.

E në reagimin e tij Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj tha se e gjithë kjo iniciativë është e menduar që ta heq taksën 100 % që e ka vendosur ndaj mallrave serbe. Ndaj, kësaj erdhi menjëherë reagimi i Edi Ramës i cilia tha se Hardinaj është gënjeshtar.

Bardhyl Mahmuti-Mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë!

Gjatë takimit me Aleksandar Vuçiq, Zoran Zajev dhe Milo Gjukanoviq dhe në konferencën me gazetarë që pasoi këtë takim, z. Edi Rama i quajti udhëheqësit e Kosovës “të paditur klasikë, që e kanë futur Kosovën në rrugë qorre, në rrugë pa rrugë dhe barrikadë qorrash” vetëm për arsye se nuk pranuan të ishin pjesë e sajesës që quhet “Mini-Shengen”, që atij i duket “i ngushtë”, sepse qenka mësuar me “maxi”!

Në këtë kontekst ai u mundua të mbajë një ligjëratë se si duhet të sillen politikanët e Kosovës në rrafshin diplomatik dhe kërcënoi se gjatë gjithë kohës që do të jetë në pozitën politike që ka, nuk do të lejojë askënd të cenojë të ardhmen e projektit në fjalë, që e prezanton si të ardhme të vetme të popujve të Ballkanit Perëndimor.

Përveç fyerjeve drejtuar udhëheqësve të Kosovës, z. Edi Rama i dha të drejtë vetes të fyejë të gjitha ata që u japin hapësirë mediatike qëndrimeve që nuk i pëlqejnë atij dhe i cilësoi se “mbllaçitin mediatikisht gënjeshtra”! Mungoi vetëm kërcënimi me ligjin antishpifje!

Së pari, është një e vërtetë e pakontestueshme se z. Edi Rama nuk është personi i duhur për të mbajtur ligjëratat se si duhet të sillen politikanët në rrafshin diplomatik. Përkundrazi. Ai është shembull se si nuk duhet të sillet një burrë shteti. Po marr një shembull konkret që ilustron këtë fakt. Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA Edi Rama i dha vetes të drejtë ta cilësojë “Donald Trumpin si turpi i Amerikës”! Kur Donald Trumpi fitoi, ai i “mbllaçiti” fjalët e veta dhe deklaroi publikisht: “Unë s’jam manual se si duhet të flasë një kryeministër”. Këtu Edi Rama kishte plotësisht të drejtë: deklaratat e tij të papërgjegjshme dëshmojnë se ai është “i paditur klasik” në fushën e diplomacisë.

Së dyti, edhe pse nuk është “manual se si duhet të flasë një kryeministër”, është e pahijshme ta cilësojë dikë si “gënjeshtar”, përderisa as vet nuk thotë të vërtetën.

Është tërësisht i pavërtetë pretendimi i Edi Ramës se gjoja ideja e “Mini-Shengenit” paskësh qenë ide e tij! Një numër i madh shkrimesh kanë nxjerrë në shesh rrënjët serbe të kësaj ideje dhe unë nuk do t’i përsëris. Nëse Edi Rama këmbëngul ta fshehë origjinën serbe të këtij projekti, atëherë do të jetë i detyruar të sqarojë pse takimi i parë i këtij projekti u mbajt në Serbi dhe pse në këtë takim, ku u përcaktuan rregullat e lojës, nuk u ftua askush nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës. Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës nuk mund të vinin të paftuar në atë takim, edhe pse Edi Rama, me përvojën e tij, do të kishte gjetur ndonjë kombinim si puna e asaj ftesës së “gruas së Bilalit”. 

Për sa kohë që z. Edi Rama nuk e thotë të vërtetën lidhur me origjinën serbe të këtij projekti dhe për sa kohë pretendon se ai ka qenë ideator që takimi i parë të mbahet në Serbi, pa praninë e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, nuk duhet të çuditet nga reagimet që vijnë nga Kosova. Përkundrazi! Z. Edi Rama, të cilit i duket vetja i “gjithëdijshëm modern”, duhet ta dijë se për politikanët e Kosovës, sado të “paditur klasikë” që t’i duken atij, është tërësisht e qartë se projektet e sajuara në Serbi kanë ritmin e valles serbe, “Zhikino Kollo”, dhe nuk kanë nevojë për ftesat e siguruara nga Edi Rama, në stilin e “Bilalit”.

Së treti, përpjekja e z. Edi Rama për të krahasuar përvojat e popujve që kanë qenë në luftë dhe që kanë ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të begatshme me kontekstin e Ballkanit Perëndimor është manipulim i pastër.

Nuk ka nevojë të jesh “i dituri modern”, për të qenë i pajisur me njohuritë, se ai që shohim sot si Bashkim Europian, nuk është asgjë tjetër pos një proces që u mundësua, pasi Gjermania pranoi përgjegjësitë e veta për Luftën e Dytë Botërore, u kërkoi falje të gjithë popujve që u kishte shkaktuar tragjedi të shumta dhe u angazhua të riparonte dëmet e kësaj lufte. Në Ballkanin Perëndimor është e kundërta. Serbia jo vetëm që nuk u ka kërkuar falje popujve ndaj të cilëve ka kryer gjenocid dhe nuk ka pranuar përgjegjësinë për krimet që ka bërë në Bosnjë, në Kroaci dhe në Kosovë, por ajo vazhdon t’i mohojë të gjitha krimet e saj.

Sa i përket analogjisë ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Serbisë së Millosheviqit, ministër i Informacionit i të cilit ishte miku i Edi Ramës Aleksandar Vuçiq, do të citoj intelektualin serb, Mirosllav Filipoviq: ““Është vështirë të gjendet institucion kombëtar, që të jetë munduar ta ruajë popullin serb nga kryerja e krimeve. Në veçanti është e vështirë të gjenden institucione që nuk e kanë nxitur popullin serb të kryejë krime. Ku ka qenë Akademia e Shkencave, ku ka qenë Kisha, ku ka qenë Universiteti, ku kanë qenë partitë politike? Çfarë ndodhi me Kishën, e cila paralajmëroi se do t’i hapë dosjet e krimeve serbe në Kosovë? Ku mbeti paralajmërimi i Kishës se në emër të popullit serb do të pendohet dhe do të kërkojë falje nga viktimat tona? (…) Në perëndim, Millosheviqin që moti e kanë quajtur “Kasap të Ballkanit” dhe e kanë krahasuar me Hitlerin. Gjermania e kohës së para Luftës së Dytë nuk mund të krahasohet me Serbinë e fillimit të viteve të ‘90. Kur Hitleri filloi të çartet dhe t’i ngjajë një kafshe të tërbuar, e braktisën një numër intelektualësh, shkencëtarësh dhe artistësh më eminentë të popullit gjerman. Edhe pse Serbinë e Millosheviqit e braktisën një numër artistësh, shkencëtarësh dhe intelektualësh, shumica e tyre u vunë në shërbim të tij, përkundër asaj se e dinin që me urdhrin e tij, me miratimin e tij ose, së paku, me dijeninë e tij, çdo ditë “nga dora serbe” e pësonin qindra njerëz të pafajshëm. Tani, të kërkohet nga këta njerëz që të flasin për krimet që janë bërë, do të thotë të kërkohet nga ata që ta pranojnë fajësinë e tyre”. (Miroslav Filipoviq, “Marshi i gjatë drejt së vërtetës për krimet”).

Së katërti, takimi i Tiranës nuk ishte asgjë tjetër, pos një maskaradë e llojit të vet, që i mundësoi Aleksandar Vuçiqit, Joseph Goebbels-it të Ballkanit, të tallet në mënyrën më të rëndë të mundshme me popullin shqiptar.

Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon të shprehë “keqardhje për “fëmijët mrekullueshëm durrsakë, për prindërit dhe për gjyshërit e tyre që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti”, një person që ka qenë pjesë e pushtetit që përgatiti, zbatoi dhe u përpoq të fshehë krimin e gjenocidit në Kosovë, gjatë të cilit u vranë 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 femra shqiptare dhe mbi 10 mijë shqiptarë të të gjitha moshave.

Nuk ka tallje më të madhe për shqiptarët, sesa kur dëgjon nga një person që ka qenë pjesë e pushtetit që gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë shkatërroi 100589 shtëpi shqiptarësh, 88101 stalla dhe objekte ndihmëse, 358 shkolla, 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka, 220 objekte të kultit fetar (xhami, teqe, tyrbe dhe kisha) dhe që mohon krimet e bëra kundër shqiptarëve në Kosovë, të deklarojë  se “Qeveria e Serbisë do të marrë një vendim për të ndihmuar me një vlerë domethënëse parash, që do t’u mundësojë 100 familjeve shqiptare të kenë një kulm mbi kokë”.

Në fund, z. Edi Rama duhet ta ketë të qartë se asnjë fizkulturë e gjuhës nuk mund ta fshehë diellin me shoshë: nuk është refuzimi për të marrë pjesë në një valle me ritmin e “Zhikino Kollos”, ajo që pengon ndërtimin e urave për një të ardhme të begatshme të Ballkanit Perëndimor, por mohimi i gjenocidit është helmi dhe acidi, që pamundëson shërimin e plagëve në Kosovë, si parakusht për ndërtimin e marrëdhënieve të reja në këtë pjesë të Europës.

Nëse vërtet do të zbatohej një “ligj i mirëfilltë antishpifje”, atëherë z. Edi Rama do të duhej të përgjigjej për shpifjet e rënda ndaj atyre që nuk pranojnë “ftesat e stilit të gruas së Bilalit” për të luajtur vallen e orkestruar nga Beogradi!

Liverpooli është kampion i Botës për Klube për herë të parë në histori. Pas katër tentimeve, arrin ta fitojë edhe këtë trofe…

Liverpooli e ka mundur Flamengon në finale të Botërorit të Klubeve, për ta rrëmbyer një tjetër trofe në vitin që po lëmë pas, raporton Gazeta Express.

Skuadra e Jurgen Klopp nuk e kishte aspak të lehtë ndaj super Flamengos dhe kështu, 90 minuta të kohës së rregullt ishin të zjarrta dhe përfunduan 0-0.

Në pjesën e parë të shtesës, në minutën e 99-të, Roberto Firmino shënoi për ta kaluar në epërsi Liverpoolin, pas një kundërsulmi vrasës të ‘Redsave’ që doli të jetë gol i triumfit.

Edhe Shaqiri luajti në këtë ndeshje, vetëm dy minuta, sa për të zbritur në fushë.

Për të do të jetë trofeu i dytë i Kupës së Botës për Klube, pasi e ka fituar edhe me Bayern Munich.