Nga Michael Rubin “19 Forty Five”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë më shumë në mbrojtje të rendit liberal dhe mposhtjes së fashizmit sesa çdo udhëheqës që nga koha e kryeministrit britanik Winston Churchill në Luftën e Dytë Botërore. Burrat, gratë dhe fëmijët ukrainas kanë paguar një çmim shumë të lartë për këtë.

Në dallim nga shumë njerëz në Perëndim, që janë relativisht larg nga konflikti dhe kërcënimi ekzistencial, ukrainasit e kuptojnë shumë mirë koston e lirisë. Ndërsa administrata e presidentit amerikan Joe Biden është e unifikuar në mbështetje të ukrainasve në momentin që ata kanë më shumë nevojë se kurrë, e bënë këtë gjë me vonesë, duke vërtetuar disi batutën ironike të Churchillit: “Amerikanët bëjnë gjithmonë gjënë e duhur, por vetëm pasi në fillim kanë provuar gjithçka tjetër.”

Ukrainasit do të triumfojnë në këtë luftë, madje edhe nëse presidenti rus Vladimir Putin, mund të përdorë nga dëshpërimi armët bërthamore taktike. Për ta shmangur skenarin e fundit, shumë diplomatë perëndimorë mund të kërkojnë kompromis: ta lejojmë Rusinë të mbajë Krimenë apo disa pjesë të vetë-quajturave Republika Popullore të Donetsk dhe Luhansk, të grabitura gjatë agresionit të mëparshëm të Rusisë.

Por ky do të ishte një gabimi rëndë, pasi do të dërgonte mesazhin se agresioni ka pak kosto, dhe do të inkurajonte agresorët e ardhshëm që të angazhohen në të njëjtat taktika, siç po i përdor më butë Kina në Detin e Kinës Jugore, Azerbajxhani në Kaukaz apo Turqia përgjatë kufijve të saj në Mesdheun Lindor dhe Detin Egje.

Kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore është real. Putini është produkt i Bashkimit Sovjetik, ndaj është e shumë rëndësishme të kuptohen ndikimet e tij. Pasi mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Polonisë, intelektuali dhe studiuesi Radek Sikorski de-klasifikoi skenarët sovjetikë që përfshinin përdorimin e armëve bërthamore në një luftë tokësore në Evropë.

Ato tregonin për turpin e Moskës, se udhëheqësit sovjetikë ishin të gatshëm të sakrifikonin polakët për të fituar. Putin ka të ngjarë që t’i konsiderojë ukrainasit rusisht-folës në Donetsk dhe Luhansk, si mish për top për të marshuar në territorin e ndotur nga rrezatimi radioaktiv, nëse ai do të përdorë armë bërthamore me rreze të kufizuar.

Përgjigja e saktë e Perëndimit ndaj një skenari të tillë, është që të mos i dorëzohemi frikës, dhe të vazhdojmë me strategjinë tonë parandaluese, si tani ashtu edhe në të ardhmen. Fakti që Bashkimi Sovjetik dhe pasardhësi i tij Rusia i kanë viktimizuar në mënyrë të përsëritur ukrainasit, vetëm e shton detyrimin për të vazhduar me këtë qasje.

Udhëheqësit sovjetikë vranë qëllimisht 4 milionë ukrainas gjatë Holodomorit, një gjenocid që i parapriu Holokaustit nazist. Fakti që presidenti amerikan George H.W Bush u përpoq më pas që t`u impononte ukrainasve të vazhdonin të ishin pjesë e të njëjtit shtet me torturuesit e tyre, mbetet një njollë e errët në trashëgiminë e presidentit të ndjerë.

Ndërkohë Perëndimi nuk mund të injorojë as faktin që përpara luftës aktuale, Rusia nkishte pushtuar pjesë të mëdha të territorit ukrainas. Fakti që Putini e bëri këtë pavarësisht marrëveshjeve të mëparshme, i jep çdo qeverie të ardhshme në Kiev të gjitha arsyet të ketë frikë nga premtimet e Moskës, por edhe Uashingtonit.

Ukraina e pasluftës do të kërkojë arkitekturë të re të sigurisë, në mënyrë që Kievi të mos ketë nevojë që ta vendosë kurrë sigurinë e tij në mirëbesimin e vendeve fqinjë dhe partnerëve. Ndërsa Ukraina nuk ishte deri në fillim të këtij viti një kandidate serioze për t’u anëtarësuar në NATO, pavarësisht akuzave të izolacionistëve amerikanë dhe apologjetëve të Rusisë, ajo duhet të bëhet tani pjesë e aleancës, madje në mënyrë të përshpejtuar.

Pasi sot Ukraina do të sillte në NATO më shumë aftësi dhe kontribute se sa shumë anëtarë të tjerë të NATO-s. Madje NATO mund të përdorë një pjesë të frymës së jashtëzakonshme luftarake që kanë demonstruar ukrainasit. Në stërvitjet e ndryshme, forcat e NATO-s mund të përdorin udhëzimet e oficerëve ukrainas që kanë tashmë shumë përvojë në betejë.

Përvojat e ushtarakëve në Ukrainë, duhet shndërrohen në udhëzime për trajtimin e oficerëve të ardhshëm të NATO-s, nga Calgary në Kharkiv dhe nga Oslo në Odessa. Pentagoni duhet të zhvendosë ekipet e veta luftarake jo vetëm në Poloni dhe Rumani, por edhe në Ukrainë.

Megjithatë as anëtarësimi në NATO i Ukrainës, nuk do të jetë i mjaftueshëm për të penguar sulmet e ardhshme të Rusisë. Tek e fundit, Putini ose pasardhësit e tij mund të synojnë që ta paralizojnë nga brenda aleancën e sigurisë, duke përdorur lidhjet e saj (dhe ndoshta nëpërmjet ryshfetit të drejtpërdrejtë) në shtete si Turqia, Mali i Zi dhe Kroacia.

Përkundrazi, është gjithashtu koha që ukrainasit të lejohen ta fuqizojnë veten e tyre. Kjo nënkupton një rishqyrtim të qasjes së Kievit ndaj armëve bërthamore. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Shtetet e Bashkuara inkurajuan Ukrainën, së bashku me Bjellorusinë dhe Kazakistanin, që të heqin dorë nga armët e tyre bërthamore.

Siç e ka vënë në dukje opozitari rus dhe mjeshtri botëror i shahut Garry Kasparov, kjo lëvizje e fuqizoi shumë Rusinë në krahasim me shtetet e tjera ish-sovjetike, dhe tregon zbrazëtinë e ankesave të Kremlinit se Perëndimi e poshtëroi Rusinë pas rënies së BRSS.

Vetë Putini i dha fund premtimit të pas Luftës së Ftohtë, se Rusia do të qëndronte e vetme në krye të shumë shteteve ish-sovjetike, por nuk do t’i kërcënonte ato. Po ashtu ai shkeli angazhimet e Rusisë ndaj sovranitetit të Ukrainës të marra në Memorandumin e Budapestit. Perëndimi nuk duhet të lejojë që Moska ta na bëjë sërish budallenj. Qëllimi i Perëndimit duhet të jetë rivendosja e parandalimit bërthamor në Ukrainës, dhe vendosja e armëve bërthamore nën kontrollin e Ukrainës.

Kjo nuk do të rrezikonte ndonjë luftë bërthamore; Përkundrazi, mungesa e një mjeti të tillë parandalues nga ana e Ukrainës, është arsyeja pse kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia është bërë një shqetësim kaq i madh.

Ka ardhur koha për ta përshtatur strategjinë e dikurshme të parandalimit me botën në të cilën jetojmë, dhe jo me parametrat të cilat janë diskutuar dikur nga dëshira apo frika. Pas një gjenocidi të udhëhequr nga sovjetikët dhe dy luftërave të agresionit rus në Ukrainë, është koha t’i jepet kuptim shprehjes “kurrë më”. Edhe nëse kjo është në kurriz të praktikës së vjetër të mospërhapjes së armëve bërthamore.

Shënim:Dr.Michael Rubin është anëtar i think-tankut “American Enterprise Institute”, dhe ekspert mbi çështjet e diplomacisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar të premten pamje nga zhvarrimi që po u bëhet trupave në një varr masiv të gjetur pranë qytetit të Izium-it.

Në një tekst që shoqëronte fotografinë në kanalin e tij Telegram, Zelensky shkroi: “E gjithë bota duhet ta shohë këtë. Një botë në të cilën nuk duhet të ketë mizori dhe terrorizëm. Por e gjithë kjo është atje. Dhe emri i saj është Rusi.”

“Më shumë se 400 trupa u gjetën në vendin e varrimit masiv në Izium. Me shenja torturash, fëmijë, të vrarë si rezultat i sulmeve me raketa, luftëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës,” tha Zelensky.

Rusia lë vetëm vdekje dhe vuajtje pas,” vazhdoi ai, përpara se të zotohej: “Nuk do të ikni. Nuk do të fshiheni. Ndëshkimi do të jetë me të drejtë i tmerrshëm.”

Ndërsa zhvarrosja vazhdon, është e paqartë se si ka vdekur secila viktimë dhe kur. Dhjetëra civilë dhe ushtarë u vranë në bombardimet njëjavore të Izium nga forcat ruse në mars dhe prill.

Një ekip i CNN në vend tha se varret që panë ishin kryesisht individësh, disa të shënuar vetëm me numra dhe të tjerë me emra të plotë dhe detaje të tjera.

Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi dje marrëveshjen e BE-së (Marrëveshja Kornizë Financiare e Partneritetit), e cila do t’i lejojë Shqipërisë të marrë fonde nga Instrumenti i Asistencës së Para-anëtarësimit të BE-së (IPAIII).

Kjo asistencë e para-anëtarësimit mbështet vendet kandidate për në BE dhe kandidatët e mundshëm në miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e BE-së.

Financimi i ri, i cili nuk do të ketë nevojë të shlyhet, do të drejtohet në një sërë sektorësh si reforma në drejtësi, mjedisi, energjia, zhvillimi i sektorit privat, bujqësia, punësimi dhe përfshirja sociale, qeverisja e mirë dhe decentralizimi si dhe qeverisja vendore dhe civile.

Këto 5 “fakte” historike janë të famshme dhe të ditura thuajse nga kushdo…vetëm se shumë i dinë ato gabim.

1 – Kristofor Kolombi

Ju e keni dëgjuar me siguri historinë se: Në vitin 1492, Kristofor Kolombi lundroi oqeanin blu dhe vërtetoi se bota ishte e rrumbullakët. Vetëm se ka një problem: Nuk është aspak e saktë.

Mos u shqetësoni, Toka nuk është e sheshtë. Vetëm se … askush në kohën e Kolombit nuk mendonte se ishte e tillë.

Shumica e njerëzve të arsimuar e dinin që Toka ishte e rrumbullakët që nga shekulli i 3-të. Historia e “zbulimit” të Kolombit që u mësua nga shumë prej nesh nuk u shkrua deri në vitin 1828, plot 336 vite pas udhëtimit të tij.

Burimi i tij: Një tregim i autorit Washington Irving.

Por ky nuk është i vetmi keqkuptim historik rreth Kolombit që ne e kemi marrë si fakt.

Kristofor Kolombi zbuloi Amerikën
Bota e Re ishte e re për Kolombin, por ajo mund të ishte zbuluar më parë nga misionari i lashtë norvegjez, Leif Erickson (dmth, “djali i Erikut”, babai i tij ishte Eriku i Kuq).

Historianët përgjithësisht pajtohen se Leif Erickson zbarkoi për herë të parë në brigjet kanadeze pothuajse 500 vjet përpara se Kolombi të arrinte në Bahamas. Erickson u konvertua në i krishterë nga mbreti Olaf I në atë që tani është Norvegjia.

Ai u nis si një eksplorues dhe tregtar, por edhe për të ungjillizuar kombet e pashpëtuara. Duke u përpjekur të arrinte në Groenlandë, ai lundroi jashtë kursit dhe zbarkoi në Helluland, Markland, të cilin e quajti Vinland (Nova Scotia e sotme).

Ai kaloi një ose dy stinë në Amerikën e Veriut përpara se të kthehej në Groenlandë, ku më vonë u ngjit në fron. Të tjerë mund t’i kenë paraprirë Kolombit dhe madje edhe Erickson-it.

2 – Mizoria e Marie Antoinette 

Nuk ka asnjë provë që Marie Antoinette ka thënë ndonjëherë “Epo, lërini të hanë tortë.” Shprehja e vërtetë në fakt ishte: “Lërini të hanë briosh” por as këtë se ka thënë ajo.

Besimi në arrogancën dhe marrëzinë e monarkëve francezë pak para se ata të zhdukeshin nga revolucioni historik, përmblidhet në idenë se mbretëresha Marie Antoinette, kur dëgjoi se njerëzit po vdisnin nga uria, tha se ata duhet të hanin tortë. Por kjo nuk është e vërtetë.

Sa për udhëheqësit e tjerë legjendarë francezë, Napoleoni në fakt nuk ishte edhe aq i shkurtër sa e ka bërë historia. Në fakt ai ka qenë rreth 1.68.

Gjenerali kishte një gjatësi mesatare për atë kohë… dhe stereotipet për shtatin e tij të shkurtër u përhapën nga propaganda britanike e asaj kohe.

3 – Jezusi lindi më 25 dhjetor

Solstici dimëror festohej nga romakët nga data 17 deri më 25 dhjetor. Ky festival vjetor përfshinte dhënien e dhuratave, kohën e shpenzuar me familjen dhe argëtimin.

Kur perandori Kostandin u konvertua në i krishterë në fillim të shekullit të 4-të, data tradicionale e festës romake u përvetësua nga kisha e krishterë si një festë paralele për të festuar lindjen e Jezusit.

Pashka ishte tashmë një festë, kështu që duhej një festë për të festuar datën e lindjes së Jezusit. Më vonë, festa e Shën Nikollës u asimilua në festime, pasi Shën Nikolla shpërndau dhuratat e famshme më 25 dhjetor.

Por nuk ka të dhëna që sugjerojnë se Jezusi ka lindur në të vërtetë në atë ditë ose ekuivalenti i saj në kalendarin hebre. Nuk ka unanimitet për datën zyrtare, por shumë studiues besojnë se Jezusi historik ka lindur midis viteve 6 dhe 3 para Krishtit, ndoshta disa kohë midis pranverës dhe vjeshtës ashtu siç shpjegohet dhe në Bibël, si një kohë e ngrohtë dhe me diell.

4 – Albert Einstein ishte i dobët në matematikë

Ironia e këtij miti është pretendimi nga të njëjtët persona se fizikanti legjendar Albert Einstein e paskërka falsifikuar Teorinë Revolucionare të Relativitetit.

Ndërsa ai ishte një student i varfër që nuk arriti të ndiqte lëndët që nuk i interesonin, Ajnshtajni shkëlqeu në matematikë dhe aplikimet e saj në fizikë.

5 – Piramidat u ndërtuan nga skllevërit

Skllevërit nuk i ndërtuan piramidat e Egjiptit.

Historiani i lashtë grek Herodoti i përshkroi dikur ndërtuesit e piramidave si skllevër, duke përhapur atë që u bë një mit global. Punëtorët kanë të ngjarë të ishin njerëz të varfër, por ata ishin të respektuar – theksojnë arkeologët që gjetën varret e tyre përreth apo edhe brenda piramidave. Nuk ka asnjë mënyrë që një skllav të respektohej aq sa për të merituar një varrim të këtij stili.

Një mit tjetër në lidhje me piramidat është se ato nuk kanë ndryshuar që nga ndërtimi i tyre.

Fillimisht ama piramidat e mëdha ishin të mbuluara me gur gëlqeror të bardhë të veshur me ar – një shtresë e jashtme që tashmë është zhdukur qoftë si pasojë e kushteve atmosferike qoftë si pasojë e kusarëve dhe piratëve të thesareve!

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Zëri i Amerikës, në njërin nga shkrimet e tij, ka cituar një kabllogram të Departamentit të Drejtësisë dhe inteligjencies amerikane se Rusia, përmes fondit të veçantë të presidentit të saj, Putin, ka financuar Partinë Demokratike në Shqipëri.

Ndërsa më parë, sinjali kishte ardhur përmes një kompanie lobimi në Shtetet e Bashkuara, tani është fjala për dy nga institucionet më serioze dhe më të besueshme të shtetit amerikan: Departamentin e Drejtësisë dhe shërbimin inteligjent.

Lulzim Basha, i cili ka qenë kryetar i PD kur është bërë ky kalim i dollarëve rusë, ka reaguar duke thënë se “PD ka kërkuar të hetohet që në daljen e këtyre pretendimeve dhe se drejtësia hodhi poshtë çdo akuzë”. Ai deshi të nënvizojë se “Partia Demokratike nuk ka marrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”.

Jo rastësisht, informacionin e dhënë nga Departamenti i Drejtësisë dhe shërbimi inteligjent amerikan e mbështet edhe drejtuesi i tashëm i PD-së, Sali Berisha. Natyrisht ai, dhe portalet pranë birit të tij, nuk e mbështetin nga dëshira për të vërtetën, por tani Basha është armiku i tyre politik dhe si i tillë duhet dërmuar. Sidoqoftë, nuk është njëra nga shashkat e tij të hedhura në erë. Ai po vrapon të distancojë Bashën nga PD-ja, pasi e di mirëfilli se kjo ka ndodhur, paratë e dhëna nga shërbimi i fshehtë rus janë dërguar në adresën e dhënë, në kompaninë e lobimit, e jo vetëm tek ajo; e di po ashtu, se në fillimet e ngritjes së strukturave të kësaj force politike, që në janar të fitit 1991, paratë me origjinë sllave, konkretisht serbe, dorëzoheshin te Azem Hajdari, si kontribut i shërbimit të fshehtë serb dhe politikës serbe për të shkatërruar gjithçka.

Të kthehemi te Basha dhe te pyetja e drejtëpërdrejtë: për sa dollarë e shet ai këtë vend?

Lulzim Basha është një figurë politike e dalë nga nëntoka serbe për të qenë drejtuesi i opozitës. Ai ishte një i panjohur, merita e vetme e dukshme e të cilit ishte njohja me zonjën Argita Berisha. Rreth tyre ishte një grup i të rinjve unmikas, që, pasi u trajnuan si ekspertë në ndjekjen e krimeve të supozuara të UÇK-së, apo në ngjarje të tjera të luftës dhe pasluftës në Kosovë, erdhën në Shqipëri dhe, së bashku, u bënë pjesë e opozitës.

Figura rreth të cilit Berisha përqendroi gjithë këtë grup ishte Basha. Ai erdhi  duke deklaruar një pasuri miliona eurosh të fituara me rrogën e angazhimit të tij në strukturat e drejtësisë në Kosovë. Asnjë tjetër, që kishte qenë në të njëjtën kohë me të, ndoshta edhe më gjatë në strukturat e larta ndërkombëtare në Kosovë nuk kishte një pasuri të tillë. Njëri nga të angazhuarit për shumë vite në Kosovë, shqiptar nga viset shqiptare në Maqedoni, me pozicion të njëjtë, ndoshta edhe më të lartë në UNMIK, në deklarimin e tij zyrtar, por edhe në bisedë private, pas kthimit në vendlindje, ku ushtron një post të lartë shtetëror, deklaronte se pasuria e tij ishte dhjetë herë më e vogël nga ajo që kishte deklaruar Lulzim Basha.

Ky i fundit, asnjëherë nuk i justifikoi dot të ardhurat e shumëfishta që i paskësh krijuar në Kosovë, dhe askush nga institucionet përkatëse në Shqipëri nuk ia kërkoi. Shkaku ishte i thjeshtë: ai erdhi në Shqipëri në vitin 2005, së bashku me pushtetin e PD-së, dhe ende pa e ditur se ku ishte godina e Ministrisë së Komunikacionit, u bë ministri i saj.

Le ti marrim gjërat me radhë: Shefi i dikurshëm i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, krejt hapur, deklaronte asokohe në një emision TV se pasuria e tij kapte milionin në euro dhe se, kjo pasuri ishtë vënë para se ai të futet në politikë dhe të jetë pjesë e saj.  Në intervistën e tij, Basha, nën ditirambin e vetvetes, nuk bëri asnjë arsyetim se si ishte bërë djali 31 vjeçar, (kaq ishte asaj kohe kur u bë pjesë e politikës, në janar të vitit 2005), milioner, kur në të gjithë jetën e tij ai kishte vetëm 5 vite punë të rregullt, pa llogaritur këtu atë që mund të ketë fituar kur ka qenë përkohësisht kamerier në Rinas, një punë që unë e respektoj shumë më tepër se ato që shefi i Shqup-it ka bërë më pas.

Deri në fundin e vitit 1999 ishte në Hollandë, ku vazhdonte studimet në njërin nga universitetet e njohura të tij, për të cilin askush nuk është i sigurtë nëse e ka përfunduar. Përralla e tij e afishuar në jetëshkrimin privat se, kur ishte student ka punuar si këshilltar juridik në firmat private holandeze, është e pabukë dhe njëkohësisht e thurur keq. Nuk mund të bënte përmes këtyre “këshillave” as një dhjetëshe nga milioni i parë që ka deklaruar. Jo pak studentë e zënë kohën e tyre në një punë dytësore, por, sipas kushteve, ligjeve dhe mundësive, përmes shpërblimit që marrin mund të mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të jetesës së tyre.

Vetëm nëse kanë pasur “ndihmë” nga ndonjë kompani piramidale në Shqipëri, si Vefa Hollding, me të cilën ishin të lidhur familjarisht çifti Basha, atëherë mund të arsyetohet se “këshilla” juridike e tij, ka qenë e vyer.

Jetën e vërtete profesionale Basha, si shumë të tjerë që më pas u lidhën me PD-në përmes rekomandimit të zonjës Berisha-Malltezi, e filloi në Kosovë dhe pikërisht në zyrat juridike dhe hetimore të UNMIK-ut, ku nuk ishe vetëm një përkthyes i zakonshëm, por shumë më tepër se kaq. I distancuar nga shqiptarët e Kosovës, më tepër një i ri trendi, jo fort i shoqërueshëm, Basha, mrekullisht e gjeti veten në strukturat hetuese të UNMIK-ut dhe u bë një pjesë e rëndësishme e tyre, që nga hetimet ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dorëzimi i dosjes hetimore të Millosheviqit e deri tek historia mafioze e Shtëpisë së Verdhë, një sajesë e gjetur e shërbimit të fshehtë serb, nga e cila sot janë në Hagë disa nga drejtuesit kryesorë të UÇK-së.

Në Kosovë Basha qëndroi diçka më shumë se katër vite. Filloi të punojë në fundin e vitit 1999 dhe u bë pjesë e politikës shqiptare në janar 2005. Në katër vite pasuria e Bashës u bë pak më shumë se një milion euro. Kjo është vetëm pasuria e deklaruar e tij, por le ta marrim të mirëqenë.

Në secilin vit, sipas një llogarie të thjeshtë, Basha paska përfituar dhe ka kursyer njëkohësisht, duke e marrë të mirëqenë deklaratën e tij, 250 mijë euro, ose një pagë mujore prej 20 mijë e 500 euro, me kusht që të mos ketë ngrënë, të mos ketë udhëtuar nga Prishtina drejt Holandës, të mos ketë paguar qira, të mos ketë pirë asnjë gotë ujë, të mos ketë vizituar prindërit në Tiranë, të mos jetë takuar me asnjëri, bile as me mikun e tij, Damir Fazlliq.

Sipas kësaj llogarie, edhe të tjerët, kolegë të tij partiakë të sotëm, që kanë punuar në të njëjtën organizatë dhe jo rrallë edhe në sektorë të njëjtë, duhej të kishin qenë në katër vite milionerë, ndoshta më të pasur se sa zoti Basha, pasi nuk kanë hequr shpenzimet e udhëtimeve të shpeshta nga Prishtina drejt Holandës, kur për më tepër nuk kishte as linjë direkt në ato vite.

Në asnjë rast, shuma e përfituar nga njerëzit që kanë punuar në strukturat e UNMIk-ut në Prishtinë, pra, duke përfshirë rrogat e zakonshme dhe shërbimet, si dietat etj, edhe nga funksionarë shumë më të rëndësishëm se sa Basha apo të tjerët rreth tij, nuk ka kaluar 8 mijë eurot mujore. Në deklaratat e të ardhurave, që bëhen zakonisht për të gjithë punonjësit e ardhur nga vendet evropiane, e që kanë punuar në Kosovë, nuk ka lindur një milioner i ri, si ka ndodhur me Bashën.

Ata, sa më shumë që kanë përfituar, e kanë përfituar më shumë se sa Basha, sepse në shumë raste ishin shefat e tij, aq më shumë janë taksuar, por, edhe sikur të mos ishin taksuar, nuk do të ishin milionerë.

Basha ka pasur  një rrugë për të hequr dyshimet rreth pasurimit të tij. Ai duhet të ketë të gjitha shpërblimet që ka marrë në vite, sepse nuk ka punuar në të zezë, ai duhet t’i ketë të gjitha kontratat e punës që ka bërë, në të cilat përcaktohen qartë shpërblimet e detyrimet, duhet të ketë kalimet bankare nga zyrat financiare të UNMIK-ut drejt llogarisë së tij private, dhe, asnjëra prej tyre nuk është më sekret, sidomos kur deklaron se para se të futej në politikë ka qenë milioner.

A ka qenë kjo e vetmja rrugë e pasurisë së tij?

Prej shumë kohësh ai është akuzuar nga figura të njohura të strukturave të larta drejtuese të UÇK-së se, në punën e tij , ai, jo vetëm që ka hetuar e ndryshuar deklarimet e personaliteteve të luftës, disa nga të cilët janë dënuar në Kosovë, e të tjerët janë në Hagë ose mund të shkojnë atje; por, çka është më e rëndë, se, përmes tij ose njerëzve të lidhur me të, kanë dalë nga fshehtësia dosje që janë të lidhura me hetimin e Millosheviqit në luftën e Kosovës.

Gjithnjë ka dy dosje, ajo hetimore dhe ajo e prokurorisë. Dosja hetimore nganjëherë është që nga “mirë se erdhët” e deri te “natën e mirë”, ajo e prokurorisë, së bashku me materialet shfajësuese është çfarë paraqitet në gjyq.

Kur ndiqja gjyqin e filluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës kundër Millosheviqit, më bënte përshtypje njohuria e tij e thellë, nganjëherë deri në pabesueshmëri, e personave që dëshmonin ndaj tij, dhe, duke qenë i njohur me rrethana që ishin biseduar në mënyrë private, në momentet e pushimeve, ai kishte një përparçsi të pazakontë. I kam pyetur dëshmitarët shqiptarë përse ndodhte kjo, si ishte e mundur që jo pak herë ata ishin gjendur ngushtë , e nga ana tjetër, nga vinte kjo njohuri e gjerë e njeriut të krimit.

Kjo enigmë është e lidhur, gjithnjë sipas përcaktimeve që janë bërë nga figurat e thëna më lart, me një nxjerrje jashtë të skemës hetuese të dosjeve; pra janë dhënë edhe elementë që nuk ishin edhe aq të domosdoshme, por që krijonin bllokimin e dëshmitarëve, sidomos kur ata ishin njerëz të zakonshëm.

Ndërlidhja e mëtejshme e emrit të Bashës me Damir Fazlliq, serbo – boshnjakun e një mijë e një punëve të errëta, për më tepër nipin e shefit të shërbimit sekret serb në kohën e masakrave në luftën e Kosovës, Stanishiq, miqësia e ngushtë mes tyre, punët e përbashkëta, kthimi i Fazlliqit në një mentor të Bashës, sakrifikimi i Olldashit në zgjedhjet bashkiake, shpërfytyrimi Bashës nga një politikan modern, si mendohej të ishte, në një sozie e shefit të tij të çartur mendsh, hija gjithnjë e më e madhe e Fazlliqit mbi ecjen e tij, të gjitha këto, së bashku e veç e veç, kanë bërë që enigmat e misteret të shtohen. Ato bëhen edhe më të ndjeshme kur vetë ai, në një emision televiziv deklaron se bërë milioner në Kosovë.

Pasuria e Bashës tani është shumë milionëshe. Në kohën e qëndrimit të tij si shef i opozitës ai e ka rritur atë, edhe pse në dukje nuk ka pasur fuqi administrative. Në zgjedhjet e fundit politike, sipas një burimi të besueshëm, pasuria e tij është rritur me 2 milionë euro, veç vilave që u shtuan në pasurinë e tij të patundshme. Tani ai është njeri nga milionerët e këtij shteti të varfër.

Nëse do të ishte bërë me punë të ndershme, fantazi, guxim, përkushtim, hallall i pastë. Por ai që 9 vite nuk ka punuar dhe nuk ka pasur asnjë post shtetëror. Është i vetmi që pasurohet në opozitë në mënyrë marramendëse.

Tani, kur nuk akuzohet më nga media shqiptare apo nga shefi i qeverisë, që e kishte xhan, por nga institucione serioze amerikane, justifikohet se, “drejtësia hodhi poshtë çdo pretendim”.

Drejtësia, përmes një precedenti të rrezikshëm ka hedhur poshtë edhe akuzën e provuar në ndërtimin e Rrugës së Kombit, ku munguan 230 milionë euro, dhe gjërat kanë mbetur përgjysmë. Ministër i rrugëve ishte Basha, që ditën sëmurej dhe nuk paraqitej në gjykatë, ndërsa natën bënte llogari të prapështa.

Drejtësia nuk e ka hetuar asnjë herë rastin Basha si ministër i Brendshëm, kur në 21 janar u vranë 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Edhe atëherë, në kohën e pikut të krizës, mes tij dhe Berishës,  kur Basha provoi të flasë disa të vërteta, institucionet e drejtësisë heshtën. Asnjëri nga dy përgjegjësit kryesorë nuk u hetuan, bile as kur provuan të bënin puçin kushtetues ndaj institucionit të prokurorisë së shtetit, në mos zbatimin e urdhërimit për ndalimin e disa krerëve të Gardës së republikës pas 21 janarit.

Drejtësia nuk e ka gjykuar rastin Basha, as kur ai bëri marrëveshjen antikombëtare të Detit, një akt i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, që mbante firmën e tij. Ai e fali lehtësisht çfarë pala greke mendoi se duhej falur dhe është e vështirë të besosh se kjo është bërë vetëm përmes një puthje të Dora Bakojanis, ministria e Punëve të Jashtme të shtetit grek. Basha nuk u gjykua as për këtë.

Në tri rastet kur ai ka qenë titullar i një institucioni, mbi kurrizin e tij rëndojnë faje të mëdha, që nuk janë gjykuar kurrë, ndaj alibia se, “drejtësia hodhi poshtë çdo pretendim” , është ndër ato shashkat e justifikimit bosh dhe pa vlerë.

Drejtësia nuk ka hetuar, jo më gjykuar, rastet e mëdha të korrupsionit të Damir Fazlliqit, të studios Kola-Malltezi, kunatit të Bashës, si përfaqësuesi i Fazlliqit në Shqipëri, lëvizjet e miliona eurove në transaksione të dyshimta, që gjithnjë përfundonin ose në duart e Erion Isufit, kunatit të Bashës, ose të studios Kola – Malltezi.

Jo rastësisht këto lëvizje bëheshin përmes kompanive guaske ose në qarqe të mbyllura bankare. Pra, jo rastësisht, emri i tij shfaqet edhe tani, në lobimin 500 mijë dollarësh, të cilat janë të ditura, të njohura dhe të siguruara si prova nga Departamenti i Drejtësisë dhe strukturat inteligjente amerikane.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, në një deklaratë për mediat u shpreh se PD-ja ka denoncuar publikisht këtë akt kriminal të Lulzim Bashës. Deputetë besnikë të Berishës, si ishin dje ithtarë të Bashës, mes tyre Paloka dhe Pollo kanë kërkuar të kenë sqarime se ku kanë shkuar dollarët rusë.

Por, para se ta bëjë këtë një strukturë politike apo ta kërkojnë zëdhënës politikë, këtë duhet ta bëjë drejtësia shqiptare. Ta bëjë si duhet, deri në fund, pa ngurrim, e, mbi të gjitha, pa frikë.

Bedri Islami

Ditën e sotme është mbajtur takimi i amabasadores Kim me deputetetë të PS e PD, pasi SHBA publikoi një raport ku provohej se Partia Demokratike në vitin 2017 ka marrë fonde nga Rusia. Ambasadorja e SHBA-ve ka shkuar në Komisionin qendror të Zgjedhjeve ku dhe u zhvillua takimi.

Menjëherë pas përfundimit të takimit, deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka zbardhur për mediat bisedën që ka zhvilluar sot me ambasadoren e  SHBA-ve Yuri Kim dhe përfaqësuesve të tjerë të partive politike, Monika Kryemadhi dhe Jorida Tabakut.

  • “Jemi të angazhuar ndaj çdo lloj akti që tashmë disa prej tyre janë bërë publike, siç është ai i Komunitetit të Inteligjencës. Duhet të marrim shembull se si ne partitë politike të mos përfshihemi në këto financime. Këto janë gjera teknike që do i bëjmë në vijim. Do të forcohen dispozitat për fushatën zgjedhore. Fokusi ishte shqetësimi që kanë aleati jonë, SHBA për përfshirjen e influencave të huaja, kryesisht ruse, në partitë politike, por dhe organizmave mediatike. Nuk ishte biseda teknike, apo masat që do merren. U transmetua shqetësimi që u nis nga raporti i fundit. Këto shqetësime janë reale që këto gjëra mos të përsëriten në të ardhmen.”, tha Gjiknuri.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi është shprehur se në takimin e sotëm SHBA ka shprehur shqetësim mbi financimet e huaja të partive politike.

“Përcollën shqetësim që të rrisin vëmendjen dhe çfarë është në fuqinë e tyre për të bërë më mirë që paratë dhe financimet e huaja dhe jo vetëm ato ruse të mos kenë ndikim në politikën shqiptare. Ajo që mund të thuhet është se ka nevojë të kuadrit ligjor që KQZ t’i japin mundësi praktike të hetojnë m thellë me sasinë e parave nga pikëpamja administrative, nga i marrin, si i përdorin, kjo është evidente ndoshta. Një lloj informimi dhe përcjellja e një shqetësimi, nuk u bën diskutime, ata si përfaqësues të PD konfirmojnë nevojën për ta qasur nga pikëpamja rregullatore, në vijim do ketë ndryshime”, tha Celibashi.

Ndërkohë, deputetja demokrate, Jorida Tabaku u shpreh se në takimin me ambasadoren Yuri Kim kanë folur për raportin e SHBA në lidhje me financimin e PD me 500 mijë dollarë nga Rusia dhe qëndrimin larg influencave ruse dhe kineze.

“U diskutua për partitë politike, financimin e tyre dhe qëndrimin larg influencave ruse, kineze, me tepër do ju informoje ambasada”, tha Tabaku pas takimit.

Që nga viti 2014, Rusia ka financuar partitë politike në mbi 20 vende me 300 milionë dollarë për të rritur ndikimin e saj dhe presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik, sipas një zyrtari të lartë amerikan. Pretendimi i Departamentit të Shtetit bazohet në një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane të publikuar të martën.

a.m/dita

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Paqartësi për burimin e fondeve për lobim të PD

Firma lobuese amerikane kishte dekaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera, sipas deklararimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.

Në deklarimet e firmës Muzin për Departamentin e Drejtësisë thuhet se pagesa ishte bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.

Autoritet shqiptare hapën hetime lidhur me këto pagesa, duke thënë se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia Demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke iu shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Më pas prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentash ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën Muzin.

sh-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë shpjegime të ndryshme për pagesën 500 mijë dollarëshe, duke u shprehur në fillim se ajo u dha nga shqiptaro-amerikanët, por më pas është shprehur se “Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnja dhe Mali i Zi, respektivisht për financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorak Dodik për zgjedhjet e vitit 2018 dhe fonde për partinë pro-ruse Fronti Demokratik.

Zyrtari amerikak tha për median se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me aleatë dhe partnerët për të mbledhur më shumë informacion për rrezikun e financimit rus për partitë politike.

“Ajo që është më tronditëse për këtë studim është se shohim praninë e financimit të fshehtë rus në mbarë botën… Po i paralajmërojmë këto parti të huaja dhe kandidatë se nëse pranojnë fshehurazi paratë e Rusisë. Ne kemi mundësinë t’i ekspozojmë, dhe do t’i ekspozojmë”, shtoi ai.

Qeveria nuk ka reaguar aspak pas deklaratës së ambasadores së SHBA-së në Shkup Kejt Meri Bërn e cila vendosi gishtin te korrupsioni, nepotizmi dhe jotransparenca si sfida kryesore që pengojnë vendin në rrugën e zhvillimit, shkruan Alsat.

Edhe një ditë pas kësaj deklarata, nuk ka reaguar as zv/kryeministrja për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska, post i cili në mandatin e kaluar mbante edhe epitetin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit të lartë.

Alsat drejtoi pyetje në LSDM, si e shohin ata deklaratën e ambasadores. Partia më e madhe në pushtet nuk u përgjigj në konferencën për shtyp por na premtoi përgjigje me shkrim. Deri në këtë moment, nuk kemi marrë asnjë koment nga ana e tyre.

Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja thanë se deklarata e Bërns vetëm konfirmon akuzat e opozitës.

“Ky është vetëm konfirmim nga partnerët tanë strategjik se kur është LSDM-ja në pushtet, në Maqedoni lulëzon krimi, korrupsioni dhe nepotizmi. Sa më shpejt që LSDM-ja të ikë nga pushteti, aq më shpejt krimi dhe korrupsioni dhe nepotizmi do të jenë e kaluar kurse Maqedonia do të bëhet vend demokratik”, tha Ivica Tomovski, VMRO-DPMNE.

Ambasadorja Bërns ishte direkte në kritikat e saj gjatë firmosjes së marrëveshjes për grant me Ministrinë e Financave.

“Ne e dimë se një nga sfidat më të mëdha është korrupsioni, i cili minon qeverisjen e mirë dhe saboton konkurrencën ekonomike. Ne e dimë se kjo do të jetë një sfidë sepse mungon llogaridhënia, transparenca. E gjithë kjo ka potencialin ta pengojë Maqedoninë e Veriut nga rruga e përparimit të saj. Zyrtarët qeveritarë duhet t’u përgjigjen këtyre sfidave, të përmbushin pritshmëritë e publikut dhe standardet e anëtarësimit në BE”, u shpreh Krejt Meri Bërns, Ambasadore e SHBA-së.

Bërns kishte një deklaratë tjetër kritike muaj më parë, kur tha se besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor në vend është vetëm 8%. / Alsat.mk

Jam kundër atyre që janë të zemëruar me Albin Kurtin për atë që ka ndodhur dje mes Serbisë dhe Kosovës lidhur me përdorimin e letërnjoftimit nga serbët dhe shqiptarët në kufi, pa pengesa, apo shtesa me letër të bardh, siç ka qenë deri më sot. 
Në Kosovë janë zemëruar pse Albin Kurti po u shet si marrëveshje, një deklaratë verbale të Vuçiq që pranon të zbatojë një pikë nga Marrëveshja e 2011. Shumë nga ata që janë zemëruar, e kanë me faktin që Albin Kurti këtë marrëveshje e ka pas quajtur tradhti ndaj Kosovës dhe ka bërë dhjetëra protesta ndaj saj. Tani vetëm pse po zbaton një pikë të saj, po feston. 
Të zemërohesh për këtë arsye me Albinin, do të thotë të ëndërrosh që Albin Kurti të mbetet ai që ka qenë, një populist primitiv, kundër ndërhyrjes së NATO në Kosovë, kundër Rambujes, kundër shpalljes së pavarësisë, kundër UNMIK, kundër marrëveshjes NATO-Kosovë për mbrojtje të Kosovës, e gjithë marrëzitë që ka bërë gjithë jetën. Kjo mund të shërbejë për ta bërë Albin Kurtin një udhëheqës qesharak, por nuk i vlen Kosovës. Kosovës i vlen një udhëheqës që mbyll Marrëveshjen me Serbinë, me njohje reciproke dhe deri atëherë duke zhbllokuar hap pas hapi gjithë problemet e ngrira. 
Dje vërtet nuk ka ndodhur ndonjë gjë e re për Kosovën por ka ndodhur një gjë e re për Albinin dhe kjo nuk është pak. Njeriu që ka mbjell urrejtje ndaj bisedimeve me Serbinë dhe që ka akuzuar paraardhësit për tradhti, fiks për atë që dje kishte në tavolinë, është gëzuar që Vuçiq ja ka pranuar një pikë nga ajo marrëveshje e Hashim Thaçit. Shikojeni sa i gëzuar është ai dhe gjithë mbështetësit e tij, për të kuptuar se Kosova po ndryshon.  Si mund t’i zemërohesh për këtë gjë. Lëreni njeriun të ndryshojë, lëreni ta kuptojë se vjen nga parapolitika dhe populizmi dhe po kupton se sa punë ka që të rikthehet një herë në vitin 2011, e pastaj të kapë vitin 2019, kur u shpall fitimtar. 
Serbët nga ana e tyre janë edhe më të gëzuar se Albini. Se ata po ashtu vijnë nga një mendësi primitive konflikti. Ata po gëzojnë që Albinit i kanë thënë, po vetëm me gojë, pasi nuk ka pasur nevojë me shkrim se Marrëveshja ka qenë. Ata po gëzojnë që serbët e Kosovës, mund të përdorin letërnjoftimet e Serbisë në kufirin e Kosovës, pa problem, duke unifikuar hapësirën Serbi-Kosovë për llogari të tyre.  Një fitore jo e vogël e tyre dhe kjo, por nuk ke çfarë bën. Në dialog do falësh që të të falin. 
Tani nëse doni ta mërzisni Albinin, i thoni që ke firmosur një pikë të “Ballkanit të hapur” , pasi “Lëvizja e lirë me letërnjoftime në kufi është një nga katër pikat e Ballkanit të Hapur. Por ky do ishte teprim t’ia prishje gëzimin e gënjeshtrave të reja që ka thënë këtë radhë kundër Shqipërisë-tradhtare që lejon lëvizjen e lirë me Serbinë.  
Kjo nuk është zgjidhje. Zgjidhje është t’i thoni Albinit, vazhdo rregullo punën e targave, sipas Marrëveshjes 2011, pasi një qytetar i Kosovës nuk kalon dot nga Kosova në Serbi me targa të Kosovës. Edhe kjo është e shkruar që më 2011 që duhet të rregullohet, por serbët nuk bien dakord të zbatojnë. Diçka kanë pasur inat me udhëheqësit e mëparshëm të Kosovës, të cilët të kompleksuar nga akuzat për tradhti të Albinit, ishin më patriotë se ky përball serbëve. Le të urojmë që Albini ka ndryshuar dhe të bëhet i pranueshëm për palën serbe, që t’i thonë “po” qoftë dhe me gojë edhe për targat. 
Nëse doni të jetoni në të shkuarën, kujtojini Albinit të shkuarën. Por ajo nuk i bën më punë as Albinit. Ai po jep prova se do ta harrojë të shkuarën e vet dhe po merr përsipër të shkuarën e kundërshtarëve të vet. Marrëveshjet e tyre. Lëreni të ndryshojë, qoftë dhe duke lëpirë atë që ka pështyrë. Në fund të fundit, vuajtje për të është nuk është për ju.  

Shtimi i numrit të rruazave të kuqe të gjakut mund të çojë deri në mbylljen e enëve të gjakut. Simptomat më të shpeshta fillestare janë dhembja e kokës, dobësia, të kruarit e lëkurës, marramendja.

Më së shpeshti zbulohet rastësisht kur pacienti shkon te mjeku për shkak të ndonjë problemi tjetër shëndetësor.

Ekspertët këtë gjendje e quajnë policitemi të cilën e karakterizon numri i shtuar i rruazave të kuqe të gjakut – eritrociteve në vëllimin e përgjithshëm të gjakut gjë që mund të çojë deri në mbylljen e enëve të gjakut dhe në gjakrrjedhje.

Shkaktarët e shtimit të numrit të eritrociteve mund të jenë çrregullimet e mekanizmave rregullatorë në vetë palcën kockore (policitemia primare), por edhe gjendjet të cilat çojnë deri në stimulimin e krijimit të shtuar të eritrociteve si përgjigje ndaj ndonjë ngjarjeje në organizëm (mungesa e oksigjenit, sëmundjet malinje, marrja e disa ilaçeve).

Përveç këtyre policitemive absolute, ekzistojnë edhe policitemitë relative.

Nuk ekzistojnë dëshmi të sigurta që policitemia është trashëguese, mirëpo ekzistojnë studime të cilat tregojnë që ekziston rrezik i madh për shfaqjen e sëmundjeve, nëse personi ka kushërinj të afërt të cilët vuajnë nga gjaku i trashë.

Për policiteminë e shfaqur në kuadër të çrregullimeve të palcës kockore, përkatësisht të sëmundjeve mieloproliferative, te më shumë se gjysma e të sëmurëve është konstatuar që ekziston mutacioni i fituar, por jo mutacioni gjenetik.

Në atë rast numri i rruazave të kuqe nuk është i shtuar, por përshtypje e tillë arrihet për shkak të zvogëlimit të vëllimit të plazmës së gjakut (“policitemia relative”), gjë që ndodh te personat të cilët kanë mungesë të lëngjeve në organizëm (dehitradimi, marrja e diuretikëve, djegiet e rënda).

Simptomat më të shpeshta fillestare janë dhembja e kokës, dobësia, të kruarit e lëkurës, marramendja dhe djersitja e shtuar.

I sëmuri gjithashtu mund të vërejë skuqje të theksuar të fytyrës dhe skuqje të syve, ndërkaq, nga ana tjetër, ka përshtypjen sikur “i janë mavijosur” gishtat.

Përveç çrregullimeve në krijimin e rruazave të kuqe të gjakut, të cilat ndodhin në palcën kockore, në trashjen e gjakut ndikon mungesa e ekspozimit të indeve ndaj oksigjenit (qëndrimi në lartësi të mëdha mbidetare, sëmundja kronike obstruktive e mushkërive, pirja e duhanit.

Pastaj, çrregullimet e funksionimit të veshkave (çrregullimet arteriosklerotike të enëve të gjakut, glomerulonefritiset), marrja e ilaçeve dhe dopingu, preparatet të cilat përmbajnë testosteron ose eritropoetin).

Pacientëve të cilët kanë gjak të trashë u bëhet analiza e hematokriteve të cilat tregojnë pjesëmarrjen e eritrociteve në vëllimin e gjakut.

Pas kësaj, caktohet shërimi. Në atë qëllim mund të aplikohet punktimi i venave (“lëshimi i gjakut”) dhe në këtë mënyrë përmirësohet qarkullimi i gjakut.

Nëse kjo nuk është e mjaftueshme, aplikohen ilaçe të caktuara, të cilat veprojnë në zvogëlimin e krijimit të qelizave në palcën kockore.

Për t’u penguar shfaqja e trombëve, jepen ilaçe të cilat zvogëlojnë aftësinë e ngjizjes së gjakut. Të sëmurëve të cilët kanë të kruara u përshkruhet terapia simptomatike.

Ushqimi të cilin duhet ta konsumoni nëse vuani nga gjaku i trashë

Shtoni fara të bluara të lirit në racionin tuaj për të përmirësuar tretjen, që t’ju ndihmojë në eliminimin e tepricave së toksinës, të cilat mund të jenë gjendje e vështirësuar te gjaku i trashë.

Shtoni yndyrat e ngopura në ushqimin tuaj, sepse kanë cilësi veprimi kundër mikrobeve, siç është vaji organik ekstra virgjin i kokosit.

Zgjidhni hidrokarburet e ndërlikuara, të cilat kanë indeks të ulët glikemie, siç janë: orizi i kafenjtë, mollët e papjekura, buka integrale dhe kungujt e dimrit.

Shtoni marrjen e thartirave esenciale yndyrore omega-3 nëpërmjet farërave të bluara të lirit, salmonit, tonit (me nivel minimal të zhivës), vajit të peshkut, avokados dhe arrave.

Shtoni artikuj të papërpunuar të pasur me materie ushqyese në ushqimin tuaj, siç janë frutat e papërpunuara arrore dhe farërat.

Ushqimi të cilin duhet ta shmangni nëse vuani nga gjaku i trashë

Të gjitha hidrokarburet e thjeshta apo të rafinuara (sheqerin, bukën e bardhë, brumërat (makaronat), ëmbëlsirat, tortat, biskotat krokante etj.).

Të gjithë artikujt të cilët përmbajnë sheqer të rafinuar apo zëvendësime sintetike për sheqerin, siç është aspartami. Zgjidhni ëmbëltues natyralë në vend të tyre.

Pijet alkoolike në shumicë, sepse pengojnë funksionimin e sistemit të imunitetit dhe të tretjes.

Artikujt e fermentuar: djathi dhe vera.

Përdorimi i tepërt i kafeinës – derisa konsumimi i matur i kafeinës mund të jetë i dobishëm, marrja e tepërt mund të çrregullojë sistemet e organizmit, duke shkaktuar pagjumësi dhe çrregullime digjestive (kapsllëk dhe/ose diarre).

Pijet e gazuara joalkoolike, të cilat ndryshojnë nivelin e pH-së të gjakut tuaj.

Kërpudhat.

Ushqimi i thartë dhe i marinuar.

Ushqimi siç janë guacat e detit dhe gaforret e detit mund të përmbajnë nivele toksike të zhivës, andaj duhet shmangur. Peshku i ujërave të thella të detit, siç janë toni dhe skumbria, të cilët mund të përmbajnë nivele toksike të zhivës.

Peshqit të cilët kultivohen në hurdha (komercialisht), të cilët përmbajnë PCB dhe nuk janë mjaft të pasur me thartira esenciale yndyrore omega-3, për shkak të ndryshimit të ushqimit të tyre.

Zgjidhni tonin e egër në vend të tyre. Produktet me thartirë dhe produktet e grurit (buka, biskotat krokante, makaronat etj.) të cilat përmbajnë gluten.

Natrium-nitriti gjendet në ushqimin e përpunuar, siç janë salsiçet, produktet e mishit të thatë, prandaj këtë ushqim duhet ta shmangni. Natrium-glutamati (MSG) në shumë artikuj është i pranishëm si shtim i shijes.

Vajrat e hidrogjenizuara apo pjesërisht të hidrogjenizuara (trans-yndyrat) gjenden në shumë artikuj, në ushqimin e fërguar shumë dhe në ushqimin e shpejtë.

Ilaçet natyrale për tëhollimin e gjakut

Burimet e thartirave yndyrore omega-3 me prejardhje shtazore, siç janë peshku, mëlçia e bakalaros dhe vaji i karavidheve të vogla – këto janë disa nga holluesit më të mirënatyralë të gjakut nga natyra, të cilët furnizojnë trupin me doza potente dhe lehtë të absorbueshme DHA dhe EPA të thartirave yndyrore për reduktimin e gjakut të trashë.

Burimet e omega-3 me prejardhje bimore nuk i absorbojnë edhe aq lehtë trupat tanë, mirëpo gjithashtu mund të bëhen ilaç i rëndësishëm për gjakun e trashë.

Vaji i lirit, avokadoja, susami dhe frutat arrore janë burim i madh bimor i thartirave yndyrore të omega-3 dhe ndër disa nga rralluesit natyrorë më të mirë të gjakut.

Në mesin e spektrit të gjerë të përfitimeve të xhenxhefilit, ky ilaç natyral ka veprim të fuqishëm edhe për gjakun e trashë, që mund t’ju çojë në rrezik nga sëmundjet kardiovaskulare.

Përdorni xhenxhefilin me ushqim apo pa ushqim.

Uji është ilaç i mirë, i cili mund të veprojë si hollues natyral i gjakut. Kush nuk pi mjaft uji, posaçërisht ka prirje t’i ekspozohet trashjes së gjakut.

Artikujt të cilët përmbajnë nivele të larta silici janë mënyra e shkëlqyeshme që të mbani nën kontroll gjakun e trashur. Këta artikuj përfshijnë erëza të ndryshme, siç janë çili pluhur, speci i kuq, kanella, rigoni, shafrani dhe moraça.

Pemët e thara shumë dhe bathëzat janë rralluesit më të mirë natyralë të gjakut, siç janë rrushi i thatë, belushi, kumbullat dhe vishnjat. Ato janë antioksidante shumë të mira dhe ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit kardiovaskular.

Ushtrimet gjithashtu bën pjesë ndër holluesit natyralë gjë gjakut, sepse ndihmon që të lehtësojnë qarkullimin e gjakut deri në organe dhe zvogëlojnë probabilitetin e ngjizjes së gjakut. Filloni me ushtrime të kujdesshme dhe të lehta në bazë të përditshme.

Vitamina B6 ndihmon në kontrollin e ngjizjes së tepërt të gjakut.

Shumica e drithërave, patatja e ëmbël dhe bishtajoret, përmbajnë sasi të mjaftueshme të vitaminës B6.

Vitamina E është antikoagulant i fuqishëm dhe i dëshmuar klinikisht që vepron gjithashtu në mënyrë efikase si shumica e ilaçeve për hollimin e gjakut. Mos merrni më shumë vitaminë E sesa ajo që ju është përshkruar, në mënyrë që të mos shkaktoni gjendje të rrezikshme që kanë të bëjnë me gjakrrjedhje.

Ginko biloba konsiderohet një ndër holluesit më efikas të gjakut që njeh njerëzimi, eliminon stagnacionin e gjakut nëpërmjet përmirësimit të rrjedhjes së gjakut deri në organe dhe inde.

Me qëllim të zvogëlimit të të kruarit duhet të mbahet higjiena e lëkurës dhe të shmanget larja me ujë të ngrohtë.