Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës sot në Prishtinë dekoroi romanin “Eskadronët e Vdekjes” të prof. Bardhyl Mahmutit si roman më i mirë, që në mënyrë profesionale dhe dëshmi autentike, dokumenton para botës gjenocidin e ushtruar serb ndaj popullit të Kosovës.

Romani “Eskadronët e Vdekjes” i autorit Bardhyl Mahmuti është vlerësuar si vepra më e mirë kundër gjenocidit serb ndaj shqiptarëve nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, me ç’rast sot u nderua edhe me një mirënjohje.

“Eskadronët e Vdekjes” është një vepër e veçantë si krijim letrar artistik e po ashtu edhe si histori, ngase arrin të paraqesë pothuajse më së miri gjenocidin serb ndaj vendit tonë.

Kështu tha kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, derisa u shpreh se prirja autorit së kësaj vepre në aspektin stilistik letrar, performues dhe historik është fakt që tregon jo vetëm për përkushtimin e shkrimtarit, por edhe një kërkesë të sofistikuar për ndriçimin e luftës së UÇK-së dhe Serbisë.

Galica potencoi se shkrimtari Bardhyl Mahmuti është autori që ka depërtuar në thellësitë epokale të shpirtit farosës të pushtuesit serb, sipas tij duke dhënë romanin më të denjë dhe më të mirë pothuajse deri më sot me temën e gjenocidit.

Pas detajeve të dhëna për autorin dhe veprën “Eskadronët e Vdekjes”, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës i dorëzon mirënjohje shkrimtarit Bardhyl Mahmuti.

Ky u fundit u shpreh falënderues ndaj organizimit të kësaj ceremonie, derisa potencoi se kjo mirënjohje nderon jo vetëm atë, por gjithë të tjerët që janë përkushtuar që të hedhin dritë mbi një krim siç e quan ai aq monstruoz, që sipas tij ka rrezik të mbetet në heshtje.

Mahmuti tha se në prag të 25-vjetorit të një çerek shekulli nga krimi i gjenocidit “nuk mund të jemi të kënaqur nga ajo që kemi bërë deri tani”.

Tutje, ai theksoi se dhënia e mirënjohjes nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, i jep një shtytje të fuqishme të shpërndarjes së romanit, derisa shtoi se kjo do të ndikon që të tjerët të mund të shohin edhe një të vërtetë nga këndvështrimi ynë .

Libri “Eskadronët e Vdekjes” me autor Bardhyl Mahmuti, është botuar nga qendra Gjenocidi në Kosovë-plagë e hapur.

Romani i autorit Bardhyl Mahmuti është i bazuar në ngjarje të vërteta dhe është botuar në shënim të ditës së gjenocidit në Kosovë, 15 janar 2021.

Kjo vepër ka pasur disa botime në shqip, kurse është përkthyer e po përkthehet edhe në disa gjuhë të huaja.

NJOFTIM

Anëtarët e LSHK-së dhe dashamirë të tjerë të letërsisë e të artit njoftohen se sot, më 13.01.2024, në orën 12, në lokalet e LSHK-së, i dorëzohet mirënjohja studiuesit e politikanit prof. Bardhyl Mahmuti për veprën më të mirë që e shpalli LSHK-ja, ESKADRONËT E VDEKJES, kundër gjenocidit serb ndaj shqiptarëve. Vepra ka pasur disa botime në shqip, kurse është përkthyer e po përkthehet edhe në disa gjuhë të huaja.

(Prishtinë, Mahalla e Muhaxherëve, rr. “Jashar Salihu”, Kulla e zotnisë)

Shtetet e Bashkuara ndërmorën një tjetër sulm kundër rebelëve Houthi në Jemen të shtunën herët, pasi zyrtarët thanë se nuk ishin të kënaqur me dëmet e shkaktuara gjatë goditjeve paraprake nga ai i së enjtes.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha se sulmi i së shtunës u krye nga luftanija USS Carney, nga e cila u lëshuan raketa të telekomanduara të tipit Tomahawk me objektiv shkatërrimin e një qendre radarësh, për të cilën tha se përbënte kërcënim të vazhdueshëm për transportin detar.

Zyrtarët amerikanë dhe britanikë shprehën optimizëm të premten se sulmet fillestare të enjten vonë, të cilat tani po cilësohen si dy valë sulmesh, ishin të suksesshme.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës të premten se vlerësimi fillestar tregon se vala e parë e sulmeve të enjten vonë degradoi aftësinë e lëvizjes Houthi për të ndërmarrë sulme të mëtejshme.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se ende vazhdonte një vlerësim më gjithëpërfshirës për sulmet. Më herët, zyrtarë të lartë amerikanë thanë se sulmet kishin dëmtuar ndjeshëm aftësitë e rebelëve.

“Ndihemi shumë të sigurtë për objektivat ku goditën municionet tona”, tha për median të premten Gjenerali Douglas Sims. “Aktualisht ende nuk e dimë vlerësimin përfundimtar të dëmeve të shkaktuara”.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha të enjten vonë se avionët luftarakë, anijet detare dhe nëndetëset amerikane goditën më shumë se 60 objektiva në 16 zona në të kontrolluara nga lëvizja Houthi, përfshirë nyje të komandës dhe kontrollit, depot e municioneve, sistemet e lëshimit të mjeteve ajrore dhe objektet e prodhimit.

Gjenerali Sims tha të premten se SHBA dhe Britania ndërmorën një valë të dytë sulmesh kundër 12 zonave të tjera rreth 30 deri një orë pas sulmeve fillestare.

Në nëntor Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se po shqyrtonte mundësinë për ripërcaktimin e grupit të rebelëve Houthi si një organizatë terroriste, ndërsa ata filluan të godasin anijet civile. Administrata Biden e hoqi zyrtarisht këtë grup nga lista e “organizatave terroriste të huaja” apo “terroristë të përcaktuar globalisht” në vitin 2021, duke zhbërë një masë të Presidentit Donald Trump.

Gjeneral lejtnant Douglas Sims, tha se sulmet e reja amerikane ishin kryer përgjithësisht në zona me popullsi të vogël dhe se numri i të vrarëve sipas tij nuk do të ishte i lartë. Ai tha se sulmet goditën armatimet, radarët dhe vendndodhjet e grupit, përfshirë zonat e thella malore./VOA/

Franz Beckenbauer ka vdekur në moshën 78-vjeçare dhe këtë lajm të hidhur e ka bërë të ditur familja e tij.

Legjenda e futbollit gjerman ka vuajtur për një kohë të gjatë nga një sëmundje e pashërueshme, dhe ishte ajo që e mori nga kjo botë legjendën e këtij sporti.

Fituesi i Kupës së Botës vdiq ditën e diele, teksa tashmë kanë vërshuar edhe homazhet nga bota e futbollit, duke shprehur ngushëllimet.

Beckenbauer, i mbiquajtur “Der Kaiser”, konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit. Beckenbauer ka luajtur në total 621 ndeshje, ku ka shënuar 74 gola dhe ka asistuar 75 herë. Legjenda gjermane nuk është ndëshkuar asnjëherë me kartonin e kuq.

Ndërsa me kombëtaren e Gjermanisë, ai ka luajtur 103 ndeshje, ku ka shënuar 14 gola dhe ka asistuar 10 herë.

Gurët në veshka cilësohen si një ndër komplikacionet më të shpeshta që rëndojnë shëndetin e shqiptarëve.

Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia Ilda Xhelili tregon se si duhet të kujdesemi për të mbajtur sa më larg komplikacionet që vijnë si rezultat i formimit të gurëve në veshka. Çdo ditë organizmi ynë ka nevojë për eliminimin e toksinave (helmeve) dhe mbeturinave që krijohen nga jetesa dhe ushqyerja jonë e përditshme. Në këtë proces të domosdoshëm jetësor, veshkat janë organi më i rëndësishëm i trupit të njeriut. Ato përbëjnë filtrin e gjakut nga mbeturinat. Gjithashtu ato janë edhe rregullatori i bilancit elektrolitik të organizmit tonë. Kur urina grumbullohet në veshka, ajo filtrohet dhe përmes dy tubave të ngushtë (një për secilën veshkë dhe të quajtur ureteri) derdhet në vezikë (fshikëza e urinës). Kur vezika mbushet plot, ajo boshatiset dhe derdhet jashtë nëpërmjet një tubi tjetër më të trashë dhe që quhet uretra. Shpesh, me urinën eliminohen kristale kimike duke filluar nga përmasat e kokrrizave të rërës, të cilat me kalimin e kohës zhvillohen në gurë me përmasa të ndryshme që formohen në veshka ose në rrugët urinare.

Pse krijohen gurët në veshka?

Gurët në veshka krijohen kur urina përmban me shumicë substanca të caktuara. Këto substanca mund të krijojnë kristale të vogla, të cilat me kalimin e kohës bashkohen dhe bëhen gurë. Faktori më i madh i rrezikut për formimin e gurëve është dehidrimi (humbja dhe mosmarrja e sasisë së duhur të lëngjeve. Prandaj pirja e lëngjeve është e rëndësishme për të shmangur dehidrimin. Mbajtja e urinës e holluar shmang pikërisht bashkimin e kristaleve të vogla dhe formimin e gurëve. Si udhëzues për këtë shërben gjithmonë ngjyra e urinës. Urina e qartë është në rregull kurse urina e verdhë ose e errët tregon përqendrim të lartë dhe është shenjë për marrjen e më shumë lëngjeve, sidomos në stinën e verës kur dehidrimi është më i shprehur si rezultat i avullimit apo djersitjes nga vapa e madhe. Rekomandohet pirja e lëngjeve (6-8 gota ujë në ditë ose edhe lëngje të tjera) për të pasur prodhimin e sasisë së duhur të urinës dhe me përqendrimin e duhur. Gurët në veshka janë ndër afeksionet të shpeshta të aparatit urinar. Shpesh ato kanë edhe karakter familjar. Si fenomen vërehet më shpesh në meshkuj se në femra dhe shfaqen kryesisht rreth moshës 20-30 vjeç. Formimi i gurëve favorizohet edhe nga patologji të shumta të zorrëve, procedurat e kimioterapisë, patologji të aparatit urinar, sëmundje të tjera, mënyra e jetesës, mënyra e ushqyerjes e shumë faktorë të tjerë. Rreth 80 për qind e gurëve në veshka janë të përbërë nga kalçiumi dhe minerale të tjera, zakonisht një kombinim i kalçiumit me oksalate, prandaj edhe në shumicën e rasteve rregullimet në dietë janë të domosdoshme për të ndihmuar në parandalimin e formimit të gurëve në vazhdimësi apo në përsëritjen e tyre.

Cilat janë simptomat klinike te pacientët që vuajnë nga kjo patologji?

Kemi parë njerëz që vuajnë nga gurët në veshka të përjetojnë dhimbje të pabesueshme. Gurët zakonisht formohen në veshka, por ata mund të zhvillohen kudo në traktin urinar. Kur gurët janë mjaft të vegjël ata mund të kalojnë pa u vënë re dhe të eliminohen nëpërmjet urinimit. Ndërsa kur përmasat janë të konsiderueshme, lëvizja e tyre përmes traktit urinar bëhet e dhimbshme, kjo për shkak edhe të formës së tyre të çrregullt e me cepa që shkakton dhimbje dhe gërvishtje gjatë kalimit të tyre nëpër rrugët urinare.

Në disa raste, gurët të cilët janë të lokalizuar në veshka, janë të ngulitur e të pozicionuar mirë e nuk mund të lëvizin prej aty. Në këto raste kërkohet ndërhyrje mjekësore nëpërmjet operacioneve ose nëpërmjet thërrmimit të tyre me aparatura të posaçme

Gurët në veshka nuk prodhojnë simptoma klinike derisa ata fillojnë të lëvizin në tubat urinarë përmes të cilëve urina derdhet në fshikëz. Dhimbjet e lëvizjes së gurëve në veshka janë tipike, të mprehta, të forta sikur të zë ngërçi. Dhimbjet shpesh përhapen si valë, ashtu sikundër guri lëviz nëpër traktin urinar. Guri në varësi të përmasave mund të ngeci gjatë kalimit nëpër këto rrugë dhe të bllokojë rrjedhjen e urinës. Kur gurët bllokojnë rrjedhjen e urinës, atëherë shkaktohet ënjtje e veshkave duke provokuar kështu dhimbje të rënda. Dhimbja përfshin ijet, mesin apo edhe zonën gjenitale. Gjithashtu pacientët mund të kenë ethe, të përziera, të vjella, dhimbje në fund të barkut etj. Shumë shpesh lëvizja e gurëve shoqërohet me infeksion urinar gjatë të cilit kemi urinim të shpeshtë e me djegie, urinim me gjak (nga gërvishtjet që shkakton guri nga lëvizjet nëpër traktin urinar), temperaturë, dobësi të përgjithshme etj.

Si vihet diagnoza dhe çfarë rekomandohet?

Për diagnozën në radhë të parë orientohemi nga shenjat klinike që përmendëm më lart, e që janë mjaft tipike. Pastaj si fillim kërkojmë një ekzaminim të urinës dhe në qoftë se izolojmë copëza të gurit kërkojmë ekzaminimin kimik të tij. Mjaft rëndësi ka një ekzaminim ekografik për të parë pozicionimin e gurit në veshka dhe për të përcaktuar terapinë që do të ndiqet. Çdo pacient ka individualitetin e vet në varësi të cilit mjeku përcakton terapinë specifike. E rëndësishme për pacientët është që të dinë se mënyra e jetesës dhe mënyra e ushqyerjes mund të ndihmojnë në parandalimin e formimit të tyre si edhe në shpërndarjen e tyre. Duke qenë se gurët janë të llojeve të ndryshme, është e rëndësishme përcaktimi i përbërjes së tyre dhe ndryshimet në dietën e përditshme ushqimore. Duke qenë se rreth 80 për qind e gurëve kanë në përbërjen e tyre kalçiumin dhe oksalatet, do të rekomandohej që këta pacientë nuk duhet të përdorin në dietën e tyre të përditshme më shumë se 50mg oksalate. Organizmi ynë përmban vetë oksalate, por sasia e tyre mund të rritet nëpërmjet ushqimeve të cilat konsiderohen si burim i oksalateve. Ndër perimet shumë te pasura me oksalate përmendim spinaqin, panxharin, bamjet, majdanosin. Mesatarisht të pasura janë selinoja, fasulet, kungulli i verës, etj. Ndër frutat përmendim manaferrat, boronicën, luleshtrydhen, kivi, rrushi, fiqtë, kumbullat, arrat, bajamet, kikirikët, fara lulëkuqeje, kakao, çokollatë, piperi, çaj i zi etj.

Vlen të theksojmë se vitamina C ndihmon në prodhimin dhe thithjen më mirë të oksalateve në zorrë. Gjithashtu fibrat, që përbëjnë pjesën e patretshme të ushqimeve që përdorim (ato që organizmi eliminon me feçe) ndihmojnë në zvogëlimin e kalçiumit në urinë. Ato lidhen me kalçiumin në zorrë, duke zvogëluar kohën e qëndrimit të substancave ushqimore në zorrë dhe njëkohësisht duke përshpejtuar eliminimin. Këto fibra gjenden me shumicë në elb, thekër dhe oriz, produkte këto të cilat rekomandohen të përdoren në këto raste. Ashtu siç e theksuam edhe më sipër këtyre pacientëve u rekomandohet përdorimi i lëngjeve, sidomos në stinën e verës.

Pronarja e një dyqani në Iran është dënuar me dy vjet burgim, për shkak se kishte publikuar fotografi pa shami në kokë, tha të premten rrjeti amerikan për të drejtat e njeriut, HRANA.

Sipas NRANA, Zeinab Khenyab Pour ishte dënuar në fillim të dhjetorit me tre muaj burgim, në një rast tjetër për “propagandë kundër shtetit”.

Zeinab, e cila vjen nga jugperëndimi i Iranit, kishte tërhequr vëmendje të madhe gjatë protestave gjithëkombëtare, kur autoritetet ia kishin mbyllur dyqanin. Në shtator 2022, vdekja e gruas së re kurde, Mahsa Amini, nxiti protestat më të mëdha në historinë e Republikës Islamike.

Për disa muaj rresht, të rinjtë dolën nëpër rrugë për të demonstruar kundër sundimit islamik. Amini vdiq në paraburgimin e policisë së moralit të Iranit, ku po mbahej pasi ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur siç duhet shaminë e kokës, apo hixhabin.

Protestat e humbën gjallërinë dalëngadalë nga fundi i vitit 2022, pasi protestuesit u përballën me hakmarrje të fortë shtypëse nga forcat e sigurisë. Qindra protestues u vranë dhe mijëra u arrestuan, sipas aktivistëve dhe Kombeve të Bashkuara.

p.c. / dita

Nëse mendoni se njerëzit modern bëjnë gjëra të çuditshme, ju duhet të njihni disa raste historike relativisht të kohëve të fundit. Paraardhësit tanë bënin gjëra shumë më absurde dhe madje ishin të lejuar me ligj!

Më poshtë janë 10 qëndrime që më herët ishin krejtësisht të pranueshme.

Trajtimi me kokainë

100 vjet më parë, kjo substancë nuk konsiderohej e rrezikshme. Përkundrazi, mund të merrej në çdo farmaci. Kokaina u rekomandohej edhe fëmijëve si pilula gjumi. U përdor gjithashtu për të kuruar kollitjet dhe për të lehtësuar dhimbjen e dhëmbëve. Dhe si çdo ilaç tjetër, kishte shumë reklama të pikave dhe shurupit të kokainës.

Dërgimi i fëmijëve me postë

Tingëllon si një shaka, por në fillim të shekullit të XX, ishte absolutisht e ligjshme që të dërgoje një foshnjë me postë tek të afërmit tuaj. Kostoja e transportit kushtonte rreth 15 cent, me kusht që fëmija të peshonte jo më shumë se një dërgesë standarde. Ndoshta në këtë mënyrë, prindërit kursenin para kur dërgonin fëmijët tek gjyshërit e tyre.

Kafaze në dritare për foshnjat

Në vitet 1930, në Britani, ju mund të shihni kafaze teli në dritaret e shumë shtëpive. Me këto objekte artificiale, foshnjat thithën ajrin e pastër, ndërsa nënat e tyre ishin të zëna me punët e shtëpisë. Është e pabesueshme, por këto kafaze janë konsideruar të sigurta. Çfarë mendonin prindërit e asaj kohe?

Hermitët e kopshtit

Disa njerëz të pasur kanë bërë që njerëzit e tjerë të vuajnë vetëm për të përmbushur tekat e tyre të çmendura. Në shekullin e tetëmbëdhjetë, në Evropë, ekzistonte mënyra e të pasurit në kopsht të një “Garden hermit” personal. Ata e kishin të ndaluar të laheshin, të prisnin flokët, thonjtë dhe duhet të jetonin në një “shpellë” artificiale. E gjitha bëhej me qëllim që të tregonte  “dekorimin e gjallë” për mysafirët e tij.

Trajtim i dyshimtë

Në të kaluarën jo aq të largët, mjekët nuk kishin idenë për nevojën e dezinfektimit dhe përdorën të gjitha llojet e metodave të çuditshme: gjakderdhje për të gjitha sëmundjet, prerja e gjuhës për të “kuruar” belbëzimin, lobotomi dhe goditjet elektrike. Edhe për mjekët më të suksesshëm në atë kohë, për shembull, si kirurgu ortopedik amerikan Lewis Sayre , operacionet me një rezultat vdekjeprurës nuk ishin një gjë e rrallë.

Lodra radioaktive

Në vitet ’50 të shekullit të XX, rrezatimi nuk u pa me aq shqetësim sa sot: thjesht nuk konsiderohej të ishte shumë i rrezikshëm. Lojërat “Atomike”, si mini-laboratori që mund të shihni, ishin shumë të njohura. Ky përmbante elementë radioaktivë si: polonium dhe uranium, por, sigurisht, në doza mikroskopike.

Kopsht zoologjik për njerëzit

Shumë kohë më parë, ekspozitat e aziatikëve dhe afrikanëve si njerëz të egër ishte një “argëtim” popullor në Perëndim. Dhe shumë herë u vendosën pranë majmunëve, për të “testuar” teorinë e Darvinit.

Kjo praktikë e turpshme u miratua për një kohë të gjatë, dhe kjo foto tregon kopshtin zoologjik të Belgjikës në vitin 1958.

“Ekskursione” për azil

Në të kaluarën, pacientët në mjediset psikiatrike u trajtuan në mënyrë të tmerrshme dhe të dobët. Kjo ndodhi edhe me pagesën e mirëmbajtjes së këtyre njerëzve për të dashurit e tyre.

Por kjo dukej pak për pronarët e këtyre institucioneve psikiatrike, të njohura si azil’. Ata vendosën të organizonin një biznes të vogël. Për një tarifë të moderuar, çdokush mund të hyjë dhe të shohë të sëmurët mendorë dhe madje t’i ndëshkojë me një shkop.

Koleksione të pjesëve të trupit

Sot, vetëm një psikopat do të grumbullonte pjesë të trupit si trofe. Por shumë kohë më parë, kjo ishte një praktikë e zakonshme: njerëzit e nivelit të lartë kishin koleksione të veçanta të pjesëve të trupit njerëzor dhe nganjëherë ushtarët i merrnin në dorë kafkat e armikut të tyre. Ishte pikërisht ajo që bëri një marinar i Luftës së Dytë Botërore, siç mund të shihet në imazhin e mëposhtëm, me kafkën e një ushtari japonez.

Rekomandimi i duhanit gjatë shtatzënisë

Në ditët e sotme ka shumë ligje që ndalojnë pirjen e duhanit në vende të caktuara, por 70 vjet më parë mjekët amerikanë rekomanduan që gratë shtatzëna të pinë duhan për të luftuar kapsllëkun. Gratë u lejuan të pinë duhan në spital pas lindjes. Nuk e imagjinojmë dot nëse mjekësia do ta kishte ende atë mendim.

a.c./dita

Dikush që luan futboll duke pasur 3 këmbë, binjakë që kanë jetuar dhe si kanë folur kurrë askujt përveç njëri tjetrit, një tjetër burrë që kishte 24 personalitete. Të gjithë këto kanë qenë njerëz dhe kanë ekzistuar dikur, ndonëse para kësaj ne i kemi parë vetëm si personazhe fiktivë nëpër përralla.

“Njeriu i pyjeve”- Petrus Gonsalvus

Të gjithë e dinë historinë e “E bukura dhe bisha”, të cilët u dashuruan me njëri tjetrin. Por shumë pak e dinë që kjo histori ka ndodhur vërtetë dhe personazhet kanë jetuar. Gjithçka nisi në 1537-n, në Tenerife, ku  lindi një fëmijë jo i zakonshëm.

I gjithë trupi i tij ishte i mbuluar me flokë. Prindërit mendonin se djali kishte një çrregullim të shkaktuar nga djalli dhe kur mbushi 10 vjeç, ia shitën atë piratëve francezë.

Ata e quajtën “Njeriu i pyjeve” dhe e prezantuan me mbretin e Francës, Henri II.

Ky i fundit, vuri ri se djaloshi ishte shumë i shkathët dhe inteligjent. E shkolloi, e edukoi dhe pasi mbreti vdiq, gruaja e tij u kujdes për të, derisa e martoi me zonjushën e bukur të quajtur Catherine.

Futbollisti legjendar, Francesco Lentini

Ai lindi në Itali më 1889-n. Thuhet se ai do të kishte një vëlla binjak, por diçka nuk shkoi siç duhet dhe trupi i vëllait të tij u ndërthur tek shtylla kurrizore e Lentini-it. Kështu, ai kishte 3 këmbë.

11 vëllezërit dhe motrat ishin normalë dhe prindërit refuzuan ta rrisnin. E  dërguan në jetimore  dhe aty hodhi hapat e parë drejt futbollit dhe performancave në cirk.

Fëmija tmerrësisht i zgjuar, Christian Heinrich Heineken

Ky djalë, lindi në 1721-in në Gjermani. Babai i tij ishte arkitekt, ndërsa e ëma artiste dhe kimiste shumë e zonja. Kur ishte vetëm 10 muajsh, ai nisi të fliste duke përsëritur emrat e objekteve. Ndonjëherë formonte edhe fjali.

Memoria e tij ishte e pabesueshme dhe kur ishte vetëm 1 vjeç mund të të përmblidhte “New Testament” në latinisht. Kur mbushi 3 vjeç ai jepte leksione rreth historisë daneze. Fatkeqësisht, jeta për të zgjati vetëm 4 vite, për shkak të intolerancës ndaj glutenit, sëmundje rreth të cilës asokohe s’kishte asnjë informacion.

Njeriu me 24 personalitete

William Milligan kishte një çrregullim shumë të rrallë psikologjik. Ai zotëronte rreth 24 personalitete, të cilët nuk ishin përgjegjës për njëri tjetrin. Vetë William mund të kontrollonte vetëm personalitetin e tij, Billy-in, por jo të tjerët.

Në mendjen e tij kishte gra, burra, fëmijë dhe njerëz me nivele të ndryshme inteligjence që kishin karaktere dhe gjuhë të ndryshme.

Binjaket e heshtura (June dhe Jennifer)

Në 1963-in në Barbados lindën 2 binjake, që më pas u quajtën “binjaket e heshtura”. Vajzat nuk flisnin me askënd përveç njëra tjetrës në një gjuhë që e kuptonin vetëm ato. Prindërit u përpoqën t’i ndanin vajzat që të komunikonin edhe me njerëz të tjerë. Kjo e bëri edhe më keq situatën.

Kur binjaket u kthyen nga studimet e mbronin edhe më shumë veten dhe njëra tjetrën nga bota. Kalonin shumë kohë në dhomën e tyre. Krijonin poezi dhe histori( të frikshme) dhe i shkruanin në ditaret e tyre. Kur  u lodhën duke shkruar për krimet e të tjerëve, nisën të binin krime vetë.

Pasi gjykata mori dënimin për to, i dërguan në një spital psikiatrik. Ndonëse vajzat ishin të ndara, ia dilnin të ishin identike në çdo moment. Edhe kur pozonin merrnin të njëjtin kënd. 11 vite më pas, një gazetare e cila i ndihmoi të trajtoheshin në një tjetër spital tregon se njëra prej binjakeve i tha: “Do të më duhet të vdes.” E pyetur pse, ajo i ishte përgjigjur gazetares: “Sepse kështu e vendosëm ne.” Dhe në fakt, vdiqën.

Në analizën vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrja, njëkohësisht zv/kryeministre, Belinda Balluku bëri një pasqyrë të akseve rrugore të cilat pritet të dorëzohen përgjatë vitit 2024.

“Unaza e madhe e Tiranës do të përthithë të gjithë trafikun qe vjen nga autostradat, përfundon edhe ajo në dhjetor 2024. Turistëve nuk do i duhet të kalojnë qytetin mes për mes, por duke përdorur këtë unazë të madhe, mund të aksesojnë pika të ndryshme.

Fazat e para të Korridorit 8 do të dorëzohen, përfundojmë edhe me lidhjet Orikum-Dukat. Palasë-Dhërmi është thuajse e përfunduar. Korëë – Ersekë po ashtu është drejt fundit, Qafa e Buallit – Martanesh, një rrugë e kërkuar nga banorët do të dorëzohet edhe ajo. Rruga që lidh aeroportin e Vlorës me autostradën Fier-Vlorë, është një tjetër aks që dorëzohet. Në 2024 nisim fazën e kolaudimit për aeroportin e Vlorës.

ë gjithë këto kanë edhe një element inovativ që dorëzohet gjatë 2024, qendra e monitorimit të trafikut. Monitorimi do përbëhet edhe nga Urgjencat, Emergjencat Civile, Policia e Shtetit dhe shumë trupa të tjera. Kjo qendër do kryejë edhe një nga funksionet e reja që do jetë në akset e funksionit të pagesës”, tha Balluku.

Balluku bëri bilancin e vitit 2023, ndërsa u shpreh përgjatë këtij viti priten të përfundojnë vepra të rëndësishme infrastrukturore. Ajo renditi Tunelin e Llogarasë, aksin Thumanë-Kashar si dhe Rrugën e Arbrit.

Balluku theksoi se nevoja për të investuar në rrugë vjen dhe për shkak të shtimin të vizitorëve të huaj dhe vendasve, një sfidë kjo, që sipas saj qeveria po e përballon me sukses.

Ajo theksoi se tuneli i Murrizit nuk ka marrë asnjë para shtesë nga buxheti i shtetit për vonesat kalendarike, por kostot janë përballuar nga fondi fillestar.

“2024 do të shënojë dy momente të rëndësishme; dorëzimin e tunelit të Llogarasë, që ka qenë një ëndërr për shumë qeveria, por që u realizua nga qeveria Rama. Do të përfundojë  dhe do hapet në fillim të sezonit veror të 2024, ka qenë proces i gjatë, por i mirë studiuar. Ka pasur sfidat për sa i përket gjeologjisë,. Por ka pasur gjeologji të qëndrueshme dhe nuk kemi ndaluar nga kalendari,. 30 qershor 2024 vepra do të dorëzohet. Një lajm tjetër të mirë, kemi nisur vitin me një inspektim në aksin Thumanë-Kashar. Është kërkuar edhe nga kompania koncesionare që të vijohet dhe të dorëzohet sa më parë.  Thumanë-Kashar do të futet në funksion gjashtë verës 2024. Një kalavar i gjatë përfundon në 2024, që mund ta themi këtë dhe ta garantojmë, të një gëzimi të madh për MIE, por edhe për të gjithë shqiptarët që aksesojnë zonën e Dibrës, që në 26 dhjetor kemi përfunduar gërmimet në tunelin e Murrizit . Unë e kam ndjekur atë proces nga maj i 2019. Nuk është harxhuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit për të mbështetur vonesat për Rrugën e Arbrit.  Në dhjetor të 2024, ndoshta dhe më shpejt, me përfundimin e tunelit të Murrizit ku janë hedhur qindra tonë hekur për ta mbajtur dhe garantuar atë, Rruga e Arbrit do të përfundojë”, tha ajo.

Shkruan: Zekerija Idrizi

O Kryehero i yni kombëtar – Kryelegjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu!

Si çdoherë, por kohët e fundit seç ndjej një mall të madh të kuvendoj me Ty shtruar dhe shqiptarçe për fatet e kombit e të atdheut.
Kryehero, dekadat e fundit kanë rënë dendur dhe rrufeshëm re të zeza mbi qiellin tonë iliro-dardano-arbëror. Ato po sjellin shi, breshër e stuhi në tokën tonë, që po kanosin ta përbaltin dhe zhbëjnë ADN-në, indin, substancën dhe shtetet tona kombëtare shqiptare.

Kryehero, Ti me vigjilencën, largpamësinë heroizmin dhe luftërat tua i preve hovin në rrënjë hordhive barbare turko-osmano-aziatike. Mbrojte heroikisht, me nder dhe respekt të lartë kauzën tonë kombëtare dhe çlirove trojet e Arbërit nga pushtimi otoman. Rrjedhimisht Ti mbrojte edhe Evropën dhe kulturën e qytetërimin perëndimor nga “kultura” beduineske aziatike. Kësisoji, Ti ndoqe me fanatizëm dhe përkushtim të thellë rrugën e perandorëve, Lekës së Madh – Aleksandrit, Konstandinit dhe Justinianit të Parë.
Në këtë formë, lufta dhe heroizmi Yt hynë gjenealisht në analet e historiografisë sonë. Historia Yte është shënuar me germa të arta në librat dhe dokumentat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Lapidaret dhe bustet Tua janë themeluar e ngritur gjithandej qyteteve tona arbërore dhe kudo metropoleve të botës. Ato janë dëshmi e rrallë që faktojnë kulturën dhe qytetërimin tonë kombëtar dhe evropian.
Kryehero, kohët e fundit ca shqipfolës, që flasin shqip, por, mjerisht, ëndërrojnë e përsiasin turko-arabo-aziatikisht, kanë stërkequr si mos më keq imazhin tonë të pastër kombëtar, duke na dhënë një hije dhe imazh fundamentalist në sytë e diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e qindra shqipfolësve si myxhahedinë, në luftë të shenjtë në emër të Allahut, në frontet e luftës në Siri e Irak ishte fatal për kombin tonë.
Fyerja e personalitetit Tënd nga pseudo-historianë dhe shqipfolës fundamentalistë është fakt tmerrues. Lemeritës ishte fakti që busti Yt mori shuplaka dhe nënçmime në qytetin legjendar të Kaçanikut në Kosovë. Madje akoma më fatal ishin rastet e mbulimit me pelerinë të përmendores Tënde në qendër të Tiranës nga radikalë shqipfolës me rastin e faljes së bajrameve në sheshin e kësaj kryeqendreje. Rrëqethës është edhe fakti tjetër i mosreagimit të kreut të Komunitetit Mysliman në Shqipëri ndaj këtij akti të turpshëm!
Kryehero, ultrafundametalizmat religjiozë të shqiptfolësve myslimanë e ortodoksë kanë ngritur kokën dhe po paradojnë në trojet tona “ushtarakisht”. Rrezik i madh i kanoset rinisë sonë nga talebanizimi dhe sirianizimi, si dhe laicitetit dhe sekularitetit të shteteve tona. Ata po mëtojnë të rrënojnë vlerat tona kulturo-qytetëruese kombëtare e perëndimore dhe dëshirojnë të implementojnë sistemin teokratik të sheriatit e Islamit politik. Neo-otomanistët tanë vajtojnë për rikthimin e Perandorisë Otomane te ne në Gadishullin Ilirik.
Po ky rrezik po i kanoset shqiptarëve edhe nga helenizmi greko-bizantin. Autoqefaliteti i Kishës Ortodokse Shqiptare është përdhosur keqas me instalimin në krye të saj të satrapit grek Anastas Janullatos. Për pasojë, mjerisht, janë asimiluar në grekë shumë shqiptarë ortodoksë, pikërisht siç ishin asimiluar më herët masovikisht edhe shqiptarët ortodoksë në Maqedoni, në Greqi e Mal e të Zi.
I dashur Kryehero, fajin më të madh në këtë drejtim e kanë shumë nga kleri fetar, hoxhallarë, imamë, dhaskalë e mitropolitë.
Paramendo absurdin: historianët turko-otomanë kërkojnë me ngulm rishkrimin e historisë sonë, duke instistuar që Perandoria Otomane të konsiderohet çliruese dhe jo pushtuese e Arbërisë! Madje-madje, ata konsistojnë edhe në faktin që nuk është ushtruar dhunë dhe terror nga otomanët ndaj popullatës shqiptare në trojet tona etnike!
Jo vetëm që është ushtruar dhunë por edhe gjenocid, kulturocid dhe urbicid mbi etnosin dhe trashëgiminë tonë të begatë kulturo-qytetëruese kombëtare …

Pavarësisht këtyre fakteve tronditëse dhe tmerruese anti-shqiptare, Personaliteti dhe e mbarë historia dhe veprimtaria Yte gjigante e përmasash historike e legjendare vazhdon të trajtohet me kujdesin, konsideratën dhe respektin më të lartë kombëtar nga të gjithë atdhedashësit që kanë gjakë të pastër kastriotik e iliro-dardano-arbërorë. Historianët, sociologët dhe filozofët e mendimtarët tanë kanë shkruar e botuar qindra libra dhe mijëra kumtesa nëpër seminare, tryeza e simpoziume shkencore për jetën dhe veprën Tënde.
Historia yte lavdiplote bashk me betejat Tua legjendare u mësohet fëmijëve tanë qysh nē djep dhe në shkollat parafillore dhe ato fillore.

Dhe një proces i këtillë edukativo-arsimor do të vazhdojë të zhvillohet me fëmijët dhe nxënësit tanë sa të ekzistojë Shqipëria Natyrale dhe e tërë gjithësia.

ZGJOHU NGA VARRI KRYEHERO, GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU, DHE NA UDHËHEQ EDHE NJËHERË NË LUFTËN TONË KUNDËR SLLAVËVE PËRTEJKARPATIANË DHE GJITHË TRADHTARËVE ANTI-KOMBËTARË!

Pjesëz nga dorëshkrimi im aktual “LETËR KRYEHEROIT TONË KOMBËTAR GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU”

Ministria e Jashtme e Spanjës tha të hënën se qytetarët kosovarë do të hasnin në telashe ta vizitonin ligjërisht atë dhe vendet e tjera të zonës Schengen që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, sikur ato të mos pajtoheshin për ta njohur pasaportën e zakonshme kosovare.

“Të gjitha shtetet e [Zonës] Schengen që nuk e njohin [Kosovën] e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Elena Aljarilla Cortezon, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme spanjolle.

Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Por, vetëm më 5 janar u bë e qartë se ata do të mundë ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare.

Cortezon theksoi për REL-in se Spanja e mbështet dhe do të vazhdojë ta mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë, “si një mënyrë e zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe kërkon ta kufizojë ndikimin e saj tek qytetarët”.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportës e kanë përshëndetur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva./rel