Rexhep Qosja-Në qoftë se shkoni te varret e Prishtinës, për të marrë pjesë në ndonjë varrim apo për të vënë lule në varrin e një familjari, të afërmi a miku, kur të ktheheni nëpër rrugën që lëshohet teposhtë, ndaluni e shikoni djathtas dhe besoj se do të shihni edhe diçka që s’e keni parë dhe që s’do të donit ta kishit parë.

E do të shihni dy rrugica, të shënuara për t’u mbajtur në mend.

E para, është rrugica në fillim të së cilës, në anën e poshtme, të majtën, është vënë një si tabelë me emrin e babait të Shqipërisë, babait të shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemalit. Si duket ajo tabelë, si duket mbajtësja e asaj tabele, si duket i gjithë fillimi i asaj rrugice me emrin e Ismail Qemalit? Vështrojeni mirë foton që po ia bashkëngjis këtij postimi! Jam i bindur se pamja që do të shihni do t’ju pikëllojë e do t’ju mërzisë pamasë!

Është një përmendore e Ismail Qemalit në sheshin para ndërtesës së dikurshme të Rilindjes së dikurshme e rrethuar me një rrethojë që s’ mundëson të shihet sa duhet e si duhet ajo përmendore. Në qoftë se ndaleni e i afroheni asaj përmendoreje artistike, të dinjitetshme, do të pyesni veten: po ç’do në Prishtinë edhe një Ismail Qemal, edhe një Ismail Qemal ashtu i fyer ashtu siç është fyer në fillim të rrugicës që të çon te varret e Prishtinës!

E dyta, është rrugica, dy rrugica më poshtë se ajo me emrin e Ismail Qemalit në fillim të së cilës, në anën e poshtme, të majtën, është vënë një tabelë me emrin e Mithat Frashërit, të birit të Abdyl Frashërit – ideologut dhe diplomatit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të Lidhjes së Prizrenit. Ajo tabelë, mbajtësja e tabelës, fillimi i rrugicës me emrin e Mithat Frashërit të pikëllojnë, të trishtojnë dhe të mërzisin edhe më shumë se rruga me emrin e Ismail Qemalit.

Mithat Frashëri në kohën e komunizmit ishte i mallkuar: i mallkuar në Shqipërinë shtetërore dhe i mallkuar në Kosovë! Dhe ishte i mallkuar pse kishte qenë themelues e kryetar i Ballit Kombëtar. Por ata që ia kanë vënë emrin në rrugicën pak metra para varreve të Prishtinës dhe lejojnë që emri i tij në atë tabelë, në fillim të rrugicës, të duket aq mjerueshëm ndoshta kanë harruar: se Mithat Frashëri ishte politikan, diplomat, shkrimtar, studiues shkencor, publicist, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, kryetar i këtij Kongresi, anëtar i Komisionit të këtij Kongresi, që do të hartojë alfabetin e gjuhës shqipe; ishte autor i një vargu veprash letrare, publicistike e shkencore, ishte autor i veprës Shqiptarët dhe sllavët, ishte politikani dhe intelektuali ndër më të shquarit shqiptarë të kohës së tij që deri në vdekje nuk do të pushojë të shkruajë e të flasë për copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, për pushtimin e Kosovës prej Serbisë e të trojeve të tjera shqiptare prej Serbisë, prej Malit të Zi e prej Greqisë, për padrejtësitë tragjike që fuqitë e mëdha evropiane i kishin bërë popullit shqiptar.

Shikojini mendueshëm fotot e dy rrugicave ku janë vënë tabelat me emrat e Ismail Qemalit dhe Mithat Frashërit!

Besoj se mbasi t’i shihni do të bëni pyetjen:

Pse lejohet një fyerje e një përçmim i tillë i historisë dhe i kulturës sonë?

Pse lejohet një fyerje e një përçmim i tillë i historisë dhe i kulturës sonë në Kosovën e lirë dhe të pavarur?

Shkojmë në varret e Prishtinës të pritur prej Ismail Qemalit e Mithat Frashërit dhe kthehemi prej varreve të Prishtinës të përcjellë prej Ismail Qemalit e Mithat Frashërit siç i pamë të fyer!

A ka komunë Prishtina? A ka deputetë ajo komunë?

A ka Kuvend Kosova?

A ka deputetë Kosova?

A ka Ministri të Kulturës, Ministri të të Arsimit, a ka institucione të kulturës, që merren me historinë  e me trashëgiminë tonë kulturore?

A kanë deputetë Prishtina e Kosova të cilët do ta mbrojnë historinë e Kosovës dhe historinë shqiptare në përgjithësi prej falsifikimeve, prej shpërfytyrimeve, prej privatizimeve, prej degradimit, prej mospërfilljes, prej fyerjeve, prej përçmimeve të ndryshme që po i bëhen sot prej shumë kujt e me shumëçka, në rend të parë prej atyre që do të duhej t’i trajtonin me dinjitetin e merituar, të kujdeseshin e t’i ruanin, por hiç më pak prej disa partive, prej të pushtetshmëve dhe të partishmëve, të cilët edhe historinë kombëtare po e keqpërdorin pa skrupuj për t’u mbajtur në pushtet sa më gjatë!

Deri kur?

Sidomos pas vitit 1981 historia shqiptare, letërsia shqipe, figurat e mëdha historike, politike, shkencore, letrare është dashur të mbrohen prej nënçmimeve e fyerjeve që ju bëheshin prej shovinistëve serbë. As pesimistët më të mëdhenj s’kanë mundur të mendojnë se këtë histori e këto figura të mëdha kombëtare sot duhet të mbrohen edhe prej shovinistëve tonë brendakombëtarë në një pjesë të medieve tona!


Bedri Islami -Në ditët e fundit, duke marrë shkas nga përvjetori i 20-të i vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari, u bënë aq shumë manifestime dhe përkujtesa, sa që mund të mendoje se gjithçka në këtë muaj vjeshte është e lidhur vetëm me emrin e tij. Ish presidentë dhe presidentë, ish kryeministra e shefa qeverie, ministra e sejmenë, të urtë dhe të çartur, të hedhur tej dhe të futur rishtas në politikë, njerëz që kanë pasur miqësi me të dhe të tjerë që thanë, “na u lirua një vend”; ata që e kanë mallkuar dhe që e kanë dashur, ata që e përbuzën sa ishte gjallë dhe që fërkuan duart pas vdekjes; ata që e quajtën sharlatan dhe spiun i sigurimit të shtetit dhe ata që e deshën përnjëmend, familjarë e të largët, të gjithë u ndalën, në atë shumësi sa ishin, për t’u betuar, për të shenjuar një luftë të re, kësaj radhe me çdo çmim, edhe pse çmimi që pagoi Hajdari ishte tepër i lartë për të dhe familjen e tij.

Mbrëmë në darkë, duke hyrë 14, pra dita e sotme, disa do të kujtojnë grushtin e shtetit që desh realizuan, disa do të kujtojnë se si arkmorti i shkretë u përdor si dash i mesjetës për të shembur dyert e Kryeministrisë; dhe, vetëm më të afërmit do të kujtojnë se si ky arkmort u braktis në shkallët e qeverisë, sapo u dha “kushtrimi” se u rrëzua qeveria dhe se si, thujase asnjëri nga këto që derdhin lotët e shumtë sot, nuk ishte në aktin e varrimit të të ndjerit.

Nuk ishte as Berisha, që mori urdhrin për të futur bishtin ndër shalë, dhe, si nuk e kishte pritur, për të kthyer prapsht taborret që çirreshin “duam babë Saliun”,nuk ishte as ai Spahia i legalistëve, që u bë pjesë e një pakti republikan; nuk ishte, jo që jo, Basha, që asaj kohe mund të ishte duke llogaritur punët në Rinas; nuk ishte as Meta që po i drejtohej postit të zevendeskryeministrit; nuk ishte as Kryemadhi, sepse atëherë Azemi ishte njeriu i rrezikshëm i tyre, të cilin, megjithatë, herë pas here, e përdornin si top, majtas e djathtas…; nuk ishin e nuk kishin se të ishin as këta pinjollët e rinj të pëdëistëve, që tani rrahin gjoksin dhe duan të bëjnë një “revolucion të vonuar pëdëist”.

Më 14 shtator Azemin, deri tek shkallet e qeverisë, e përcollën qindra vetë; në krye të tyre ishte Izet Haxhia, që nuk e dinte se duke shkuar drejt shkallëve të qeverisë me këtë arkmort, po i përgatiste një të tillë jetës së tij; ndërsa, nga shkallët e qeverisë dhe deri tek vendpushimi i fundit, e përcollën vetëm miqtë  tij të ngushtë, që, pavarësisht se si e kishin njohur atë, ndjenin dhimbje.

Ndoshta shumë njerëz e kanë harruar, por në zgjedhjet e 31 marsit 1991, Azemi ka qenë kanditat e më pas deputet i qytetit të Shkodrës. I lagjes Guerile, apo si i thonin me të vjetrën, Kiras. Çuditërisht, pikërisht në atë lagje ku edhe kanë ndodhur shumë krime e janë ngritur shumë enigma pas vitit 1990. Edhe vrasjet e fundit kanë ndodhur në atë lagje, por banorët e qetë të Kirasit, nuk janë të fajshëm për këtë.

Ka qenë pikëpyetje e madhe nëse Shkodra do e pranonte Azemin si deputet të saj. Shkodra dikur nuk kishte pranuar si deputet një figurë të shquar si Bajram Curri, të cilin e kishte dashur e nderuar mijëra herë më shumë se Azemin, gjithnjë me arsyetimin se, Curri është burrë i shquar, atdhetar i madh, por Shkodra ka njerëzit e saj. Nejse, Bajram Curri, me elegancë dhe finesë, ishte refuzuar, Azemi ishte pranuar.

Në njërin nga takimet me banorët, Berisha, asaj kohe në fillimet e agresivitetit të tij të mëpasmë, i merakosur nëse Azemi mund të fitonte, mori përgjigen e pamenduar nga një banor i vjetër: “Edhe Nexhmijen, po e solle ti, e pranojmë. Vetëm të jetë e ytja”.

Pra, nuk kishte pasur lidhje me njeriun, por me pritshmërinë. Koha kishte ndërruar. Ishte e mjaftueshme të kishe vetëm një shenjë partiake dhe askush nuk do të pyeste se cili je, çfarë bën, i kujt je.

Në të gjithë rrethin e Shkodrës fitoi PD-ja në marsin e vitit 1991, vetëm në Koplik fitoi Çun Jonuzi. Një komunist i vjetër, shumë më libral se të gjithë demokratët deputetë sëbashku.

Për herë të parë Azemin e kam parë në Shkodër me 1 prill 1991. Ai kishte qenë edhe më herët, por nuk më kishte rastisur. E pashë në ballkonin e selisë së PD-së në Shkodër, që asaj kohe ishte në qendër të qytetit. I kreshposur, i nervozuar, emocional, deri në shkallafatje, si i thonë në Shkodër.

Ishte një ditë e bukur. Shkodra ishte zgjuar e shqetësuar, një nerv i pagjetur, por i ndjeshëm rridhte mes trupit të pritjes njerëzore dhe askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte. Lajmet ishin kontradktorë. Qytetet i  kishte fituar PD-ja, që disa ditë më parë kishte bërë një meting dhjetra e dhjetra mijra vetësh; fshatrat i kishte fituar PP, pas një metingu në pallatin e Kongreseve dhe një fjale të vakët të Ramiz Alisë.

Në sallën e pallatit të Kongreseve, mezi e mbushur, njerëzit ishin të angështuar, me kostume, shumica të zinj, kollare dhe këmisha të bardha.

Në sheshin e PD-së  liderët ishin me pardesy të bardhë. Të gjithë, njëri pas tjetrit, si një shenjë njohjeje.

Edhe Azemi kishte veshur pardesynë e tij. Në mëngjes kisha takuar edukatoren e tim biri që po qante e ngashëryer. I kishin thënë se disa qindra vaporë të mëdhenj po prisnin në Bari e Brindizi, plot me ndihma, nëse do të kishte fituar PD-ja. “Na iku shansi, – më tha”. Vaporët po kthehen prapsht”. E kishte aq seriozisht, sa që nuk arrita t’i thoja asgjë, megjithëse ishte motra e një mikut tim të afërt. Kishte filluar koha e marrëzive. Sapo kishim dalë nga një çmenduri, po shkonim drejt një tjetre.

Me kolegun tim, Jani Malo, dolëm nga zyrat e gazetarëve të shtypit qendror në Shkodër dhe u ndalëm. Azemi po fliste. Poshtë brohorisnin dhe pse nuk e dëgjonin mirë. Kur bëhej qetësi, zëri i tij ngrihej. U shtanga. Ai bënte thirrje për përmbysje, për gjak, për ngritje, për gjithçka që një njeriu normal, sidomos në fillim prillin e vitit 1991, as që i shkonte ndër mend.

-Po ky hajvan, çfarë thotë? , i mëshova Janit. Kërkon të përmbysë Shkodrën? Për cilët kërkon shkatërrim e dhunë?

Jani më tërhoqi krahun dhe më tha të mos flas, se njerëzit janë të acaruar dhe se mund të ndodhte gjithçka.

Azemi vazhdonte të fliste dhe u tregoi njerëzve rrugën nga duhej të demonstronin, pasi votat u ishin vjedhur, pushteti u ishte grabitur, se komunistët po përgatiten për grusht shteti etj.

Njerëzit u vunë në lëvizje. Njëri pas tjetrit. Radhët po shtoheshin dhe shkuan aty ku i ftonte deputeti i sapozgjedhur. Deputetët e tjerë, të gjithë banorë të Shkodrës, nuk ishin aty. As Pjetër Arbnori dhe Ali Spahija nuk ishin. Kur turma lëvizi kërcënueshëm, por ende e pakët, Azemi nuk u duk më.

Në darkë kishte qëndruar në shtëpinë e një mikut tonë, Markut. Kishte ngrënë tri vezë dhe fasule dhe, pasi ishte mbështjellë nën një fustan të zonjës së shtëpisë, ishte struktur në sediljen e pasme të automjetit dhe kishte udhëtuar drejt Tiranës.

Askush nuk e di se çfarë është biseduar me disa nga drejtuesit e PD-së në heshtjen kohore mes mitingut në sheshin kryesor të qytetit dhe deri tek largimi i tij në mesin e natës.

Në mëngjes ai kishte qenë në njërën nga kafet kryesore të qytetit, ndërsa, në të njëjtën orë, në Shkodër kishte filliuar dy prilli.

Dhe fundi i 2 prillit dihej. Katër të vrarë, të gjithë të rinj, më i moshuari Nazmi Kryeziu dhe më i riu Arben Broci.

Arbeni ishte varë i pari. Sipas raportit të komisionit parlamentar, të prirë nga PD-ja, Broci ishte vrarë nga një armë e prodhimit artizanal. Autopsia e tij nuk është bërë asnjëherë. Azemi e harroi shpejt shokun e tij student, ashtu si shumë fillestarë të tjerë e harruan Azemin.

Ndoshta jam i pasaktë, ndoshta jam i gabuar: por që asaj dite kam pasur e vazhdoj të kem bindjen se e keqja në Shkodër, e që nuk po ndalet, filloi pikërisht nga 1 prilli i vitit 1991, që nga çasti kur Azem Hajdari bëri thirrjen e parë të hapur për përmbysje, për dhunë dhe marrjen e pushtetit përmes rrugës.

Që nga ajo ditë, e cila çuditërisht është filmuar vetëm nga TV i Malit të Zi, ardhjet e Azemit në Shkodër ishin të pakta. Nuk ishte më deputet i qytetit. Sa herë që prishej me të vetët, me këta që sot i ngritën dy monumente, ia përmendin 2 prillin dhe e akuzonin se pikërisht ai qëndronte pas vrasjeve të asaj dite.

Azem Hajdari nuk është heroi im. Nuk mund të bëhem kaq qaraman dhe pabuks, sa që të bëj një njeri të zakonshëm, i cili edhe nga të vetët është akuzuar dhjetëra herë që në dhjetor 1990 u dërgua nga Sigurimi i Shtetit, me patllake në xhep, një hero të jetës sime apo statura e një njeriu nga i cili duhet të marrim shembull.

Vdekja e tij e parakohshme ishte e pikëllueshme. Njeriu që e vrau ishte si ai, i zakonshëm, hasmëruar me gjysmën e qytetit të tij.

Komunistët kishin ideal Qemal Stafën, dhe, kur dua të krahasoj dy jetët, më merret fryma, pasi asnjë krahasim nuk qëndron. Qemali, Brutusi i letërsisë, njeriu i një zjarri të jashtëzakonshëm, mund të ishte ideali i një rinie që po lulëzonte gërmadhash.

Kushdo le ta ketë atë heroin e tij. Është në të drejtën e secilit.

Por unë kujtoj gjithnjë një letër që para shumë viteve më ka dërguar një njeri i shquar i gjithë diturisë sonë, mes të cilës më shkruante se “Azem Hajdari është fillim i kriminalizimit të Shkodrës”.

Të jetë e vërtetë?

Nuk dua të kem hero një njeri, të cilin, edhe të vetët, sa ishte gjallë, e kriminalizuan dhe kur e nxorrën në pritë, e bënë hero.

Hipokritët janë si helmi, sa më shumë kohë të kaloni me ta, aq më shumë do t’ju dëmtojnë pa e kuptuar.

Hipokritët janë si helmi, sa më shumë kohë të kaloni me ta, aq më shumë do t’ju dëmtojnë pa e kuptuar.

Para se t’i njihni ata vetë ju filloni të humbni besimin tek vetja, të ndiheni inferior e të pasigurt. Më poshtë do t’ju njohim me 7 sjellje tipike të hipokritëve.

  1. Nuk ndalin asnjëherë se bëri thashetheme. Kjo ndodh sepse ata nuk janë përgjithësisht të kënaqur me veten. Për të luftuar këtë, hipokritët bëjnë thashetheme për të ulur të tjerët.
  2. Ata ndihmojnë njerëzit vetëm kur kanë ç’të përfitojnë. Njerëzit hipokritë gjithmonë mendojnë për veten e tyre, para së gjithash.
  3. Ata përpiqen të tërheqin vëmendjen kudo që janë sepse hipokritët duhet të ndihen të vlerësuar nga të tjerët për shkak të faktit se ata nuk kanë mësuar se si ta kultivojnë këtë gjë për vete.
  4. Duan t’i bëjnë përshtypje të tjerëve

T’i bësh përshtypje dikujt është më se normale, por kur të bëhet mënyrë jetese, ju keni të bëni me një hipokrit. Hipokritët janë aq të fokusuar në atë që mendojnë të tjerët sa humbasin kontaktin me atë që ata besojnë dhe vlerësojnë vetë.

5. Ata kanë qejf të mburrem

Kjo vjen nga dikush me vetëbesim të ulët, dikush që përpiqet krijojë një imazh të rremë për veten, thjesht si një mjet për të bërë përshtypje.

6. Ata respektojnë vetëm njerëzit me pozitë ose që kanë një post më lartë se ata .

7. Kritikojnë të tjerët që duken më mirë se ata

Në rrugëtimin e saj transformues, për t’u shndërruar në një qytet europian, Tirana ka rrëmbyer një tjetër vlerësim të rëndësishëm në Lisbonë.

Pas çmimit në Barcelonë për sheshin “Skënderbej” dhe atij në Londër për Pazarin e Ri, kryeqyteti shqiptar është përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare, si një ndër qytetet që ka pësuar transformimin më të thellë në Europë.

Kandidatët e finalistët për të rrëmbyer Çmimin e Aksionit më Transformues 2018 u zbuluan në Festivalin URBACT, i mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, ku kryeqyteti shqiptar u rendit mes Bolonjës dhe Ghentit.

Çmimi, i cili jepet nga ICLEI – Qeveritë Lokale për Qëndrueshmërinë, Rajoni Bask dhe Qyteti i Aalborg (Danimarkë), shpërblen veprat transformuese në vijim ose të përfunduara në kategori socio-kulturore, transformimin socio-ekonomik dhe teknologjik.

Nga një garë e fortë prej 40 aplikimesh u përzgjodhën tre qytete: Tirana (Shqipëri), për rritjen e hapësirës së gjelbër urbane rreth qytetit, duke luftuar shtrirjen urbane; Qyteti i Bolonjës (Itali), për marrëveshjen e bashkëpunimit me qytetarët e tyre, për të rritur angazhimin qytetar dhe rigjenerimin e qendrave urbane; si dhe qyteti i Ghent (Belgjikë) për transformimin e sistemit vendor të ushqimit të qytetit, nëpërmjet modeleve të pjesëmarrjes së qeverisjes.

Anëtarja e jurisë dhe kryetarja e Komisionit, Cor Lamers, tha: “U ndjeva jashtëzakonisht e lumtur kur zbulova se Çmimi i Aksionit më Transformues 2018, tërhoqi aq shumë aplikantë nga e gjithë Evropa. Këto projekte pjesëmarrëse i bëjnë komunitetet dhe ekonomitë tona lokale më përfshirëse, të gjelbra dhe të qëndrueshme. Si rezultat, ata u japin qytetarëve tanë një cilësi më të mirë jetese. Shpresoj se këto nisma do të shërbejnë si shembuj që do të përsëriten kudo dhe do të krijojnë një reaksion zinxhir të aksioneve transformuese në rajonet dhe qytetet tona”.

Duke përgëzuar kandidatët e përzgjedhur, Hakan Lucius, anëtar i jurisë dhe shefi i Divizionit të Shoqërisë Civile, në Bankën Europiane të Investimeve, tha: “Duke përfaqësuar diversitetin gjeografik të Evropës, këto tre qytete arritën të adresonin komponentë të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht përfshirjen sociale, zhvillimin urban dhe ushqimin, duke përfshirë në mënyrë kuptimplotë të gjitha palët e interesuara. Veprimet e tyre inovative janë sfida kryesore për të ardhmen tonë të përbashkët dhe duhet të jenë frymëzues për të gjithë aktorët e angazhuar për qëndrueshmëri”.

Pylli Orbital, një balancë mes qytetit dhe rizbulimit të natyrës

Në një kohë kur disa vende po flasin për mure, Tirana është duke ndërtuar një “mur” pemësh, për t’i dhënë oksigjen qytetit. Objektivi strategjik numër një i Planit të Përgjithshëm Vendor të Boerit, propozon një “Pyll Orbital” prej 2 milionë pemësh, që do të rrethojnë Tiranën, e që do të shërbente si një brez i gjelbër, për të parandaluar shtrirjen urbane.

Mos e nënvlerësoni fuqinë e fëmijëve,” thotë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: “Një qytet për fëmijët tanë, është një qytet për të gjithë ne. Unaza pyjore është dendësuar nga “pemët e ditëlindjeve” të fëmijëvë, të cilat janë mbjellë nga prindërit. Ne jo vetëm krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, por gjithashtu rrisim fëmijë që do ta mbajnë të sigurt të ardhmen”.

Versioni zyrtar i iOS 12 do të lëshohet më 17 Shtator për të gjithë dhe do të jetë i disponueshëm për iPhone 5s dhe të gjitha modelet më të reja.

Ndërsa për përdoruesit që kanë të instaluar versionin beta, që sonte është i disponueshëm versioni Golden Master që është gjithashtu edhe versioni final i iOS 12.

iOS 12 përqëndrohet kryesisht tek performanca e pajisjeve më të vjetra të cilat do të punojnë më shpejt duke përgjysmuar kohën e hapjes së një aplikacioni. 

iOS 12 mund të instalohet në të gjitha pajisjet që aktualisht punojnë me iOS 11.

A ka zbritur në vitin 1960 Ernesto Che Guevara në Shqipëri? Përse vizita është kryer në fshehtësi të plotë?

Njerëzit e moshës së mesme janë duke u këshilluar që të kenë ditë pa alkool për të përmirësuar shëndetin.

Mosha 45 deri në 65 vjeç kanë më shumë gjasa se çdo grup tjetër të konsumojnë më shumë alkool.

Shëndeti Publik në Angli thotë se futja e ditëve të rregullta pa alkool, mundësisht dy ditë radhazi do të përmirësojë gjumin ndërsa zvogëlon edhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës, problemeve të mëlçisë, kancerit dhe presionit të lartë të gjakut.

Ndërsa me këtë apel për pushimin deri në dy ditë pa konsumuar alkool besohet se njerëzit do ta kenë më të lehtë ta zbatojn sepse sipas Julia Verne njerëzit e kanë të vështirë ta zvogëlojnë dozën.

“Njerëzit na kanë thënë gjithashtu se ideja për një ditë pa pije është shumë më e lehtë për t’u menaxhuar, sesa prerja, për shembull, nga një gotë e madhe verë në një gotë të vogël verë”, u shpreh Verne.

Edhe për Duncan Selbie, shefin ekzekutiv të Shëndetit Publik vendosja e një objektivi për të pasur më shumë ditë pa pije çdo javë është një mënyrë e thjeshtë për të pirë më pak dhe për të zvogëluar rreziqet për shëndetin tuaj.

Një sondazh i mëparshëm që u bë me rreth 9.000 të rritur nga YouGov sugjeroi se njerëzit do të gjenin zvogëlimin e pirjes së tyre, duke ushtruar më shumë ose duke shkurtuar pirjen e duhanit.

“Air Albania”, kompania e parë ajrore shqiptare, ku aksioner është edhe shteti shqiptar, ka nisur fluturimin e parë Tiranë-Stamboll, me studentët e ekselencës.

I pranishëm në këtë ceremoni, kryeministri Rama u uroi studentëve rrugë të mbarë, ndërsa iu drejtua duke u thënë se ata janë fytyra e ndritur e gjeneratës tjetër. I pranishëm në Rinas në ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ai tha se studentët e ekselencës janë këmba më e mbarë për të nisur historinë e fluturimeve të kompanisë së parë ajrore shqiptare.

“Këtë fluturim të parë të muajit të testit e bëjnë studentët dhe maturantët e ekselencës, është një fluturim simbolik. Gjatë gjithë muajit do të ketë disa të tillë. Arsyeja se përse na shkoi mendja te ju, është sepse jeni, fytyra e ndritur e gjeneratës tjetër dhe meritoni që të keni të gjithë vëmendjen dhe respektin dhe njëkohësisht edhe një dhuratë simbolike për gjithçka keni bërë. Erdha vetëm të përcjell grupin tuaj dhe jam i bindur jeni këmba më e mbarë për kompaninë tonë të flamurit. Tani do ia jap fjalën një vajze, që e kam takuar për herë të parë në gjimnazin ‘Ali Demi’ në Vlorë, ndërsa sot është studente e ekselencës por nuk jam i autorizuar ta ndaj publikisht, por i uroj vërtetë t’ia dalë”, tha Rama.

Pasditen e së premtes, avioni Airbus 319, që si stemë ka flamurin shqiptar, u ul në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ku do të zhvillohet dhe një ceremoni inaguruese.

Fluturimet e para do të jenë drejt Stambollit, ndërsa “Air Albania” do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore europiane si Roma, Londra apo Milano.

Agimi (70) e pret autobusin urban çdo ditë në të njëjtin stacion. Për metro nuk ka dëgjuar asnjëherë, madje as nuk e di se çfarë është. Të riut që po i fliste për këtë çudë, ai ia zgurgulloi sytë.

“Sot gjithçka u dalë”, thotë ai, duke mos e ditur se çfarë të mirash sjell ky sistem transporti. 

Aksidente më pak, krijim i kapacitetit në transportin publik, e kursimi 20 për qind të energjisë në krahasim me transportin rrugor, janë vetëm disa prej të mirave që do i sillte kryeqytetit një metro. 
  
Por, ndonëse udhëtimi me sistemin e metros është i dobishëm, një sistem i tillë transporti është thuajse i parealizueshëm në kryeqytet, qoftë për shkak të kostos së ndërtimit, qoftë për sipërfaqen ku do të ndërtohet. 
  
Kështu vlerëson edhe kyeshefi i Infraksosit, Agron Thaçi. 
  
Thaçi deklaron se në rast se ndërtohet një metro në Prishtinë do të ketë shumë përfitime, por më kryesoret sipas tij janë rritja e mobilitetit, krijimi i kapacitetit në transportin publik, zvogëlimi i numrit të aksidenteve dhe kursimi i 20% të energjisë, në krahasim me transportin rrugor. 
  
Por, thotë ai, studimet e kanë eliminuar këtë lloj të transportit për Prishtinën. Për prishtinasit, autobusi vazhdon të mbetet opsioni kryesor i trasnportit. 
  
“Studimet e mëparshme që janë bërë në këtë drejtim e kanë eliminuar këtë lloj të transportit, duke i dhënë prioritet sistemit të transportit publik me autobus”, ka thënë Thaçi. 
  
Një mundësi e tillë e ndërtimit teknikisht është e mundur në 2/3 e qytetit, mirëpo duhet bërë analiza cost/benifit, dhe një studim i detajuar, që sipas Thaçit ky sistem të mos ketë gjatësi më pak se 30 km. 
Por, në qoftë se një sistem i tillë transporti do të ndërtohej në kryeqytet, sipas Thaçit duhet të ketë dy linja. 
  
“E para: Xhamia e Llapit- Banka e Lubjanes- hotel Grand- Fakulteti Filozofik- Rrethrrotullimi- Spitali- Rruga B- Banesat e bardha; ndërsa linja e dytë nga Xhamia e Llapit- Rruga Agim Ramadani- Menza e studenteve- Komviktet- Furra e Qerimit- Xhambazët – Banesat e bardha”, ka thënë ai. 
  
Në anën tjetër, për shkak të konfiguracionit dhe sipërfaqes brenda territorit të kryqytetit, Shaban Buza, profesor në fakultetin e inxhinierisë, mendon se është i vështirë ndërtimi i metros në Prishtinë. 
  
Ai e anashkalon mundësinë brenda kryeqytetit, duke e marrë parasysh mundësinë që ky sistem të krijohet në bashkësi komunash. 
  
“Nëse e marrim si bashkësi komunash me Fushë – Kosovën, Obiliqin e Lipjanin, atëherë mund të konsiderohet si mundësi me shumë vështirësi, kur dihet se dy lumenj janë të mbuluar”, ka thënë ai. 
  
Sa i përket kostos, sipas tij, duhet bërë një hulumtim i detajuar dhe gjithëpërshirës. 
Nëse llogaritet një ndërtim i sistemit të metros, kosotja do të prekte shifrën afërsisht katër miliard euro, pasi që Prishtinës i duhet sistem prej 30 kilometrave me 25 stacione ndalesë, dh kështu do t’a përfshinte gjithë qytetin. 
Krahas ndërtimit të një metroje, në disa zona të qytetit, në pamundësi të shtrirjes së rrjetit të metros, si shkak i ndërtimeve të ngjeshura, opsion mbetët hapja e tuneleve, kostoja e të cilit për kilometër mund të jetë 100 milion euro. 

Mirëpo, se a ka buxhet Komuna e Prishtinës të krijojë një sistem së paku 30 kilometërsh, është një pikëpyetje, duke e ditur se rritja e buxhetit nga viti në vit nuk është shumë e madhe. Buxheti i Prishtinës për vitin 2018 është nëntë milionë euro më shumë se ai i vitit të kaluar. 
  
Për këtë vit, komuna e Prishtinës ka 71 milionë euro, prej të cilave ka ndarë 25 milionë euro për investime/ndërtime kapitale në krahasim me vitin 2017 që ka pasur 62 milionë euro. 

Edhe pse, në shumë qytete, e njejta gjatësi kilometrash, ka kushtuar shumëfish. 
Njëri nga këto qytete, Singapori është duke e ndërtuar metron 30 kilometra, çmimi i së cilit arrin në 18 miliard dollar, duke shpenzuar kështu 600 milionë dollar për kilometër. 

Në anën tjetër, qyteti i Nottinghamit të Anglisë disponon sistem të tramvajve me 32 kilometra. Para se të ndërtohet, projekti ishte i ndarë në dy faza, fillimisht në fazën e parë janë ndërtuar 14 km me 23 stacione ndalesë, me një kosto prej 282 milion euro. Ndërsa për fazën e dytë të ndërtimit të projektit ishin shpenzuar 437 milion euro, duke e funksionalizuar kështu rrjetin e tramvajve prej 32 km me 34 stacione ndalesë. 

Ndryshe, komunikacioni rrugor në Prishtinë ballafaqohet me probleme të theksuara ndër të cilat janë: numri i madh i atutomjeteve të udhëtarëve, rrjeti rrugor i pamjaftueshëm për të përballuar kërkesat, rrugët e ngushta, numri i madh i kalimtarëve, pamundësia për zgjerimin e rrjetit rrugor. 
  
Kjo gjendje ndikon që veturat e udhëtarëvë(individual) të jenë si mjet primar për transport brenda zonave urbane. Por, numri i madh i tyre krijon një kaos dhe vetëm sa rrit nivelin e ndotjes së ambientit. Kjo dukuri është parë në dimrin e vitit 2017, nga publikimi i të dhënave të Indeksit të Kualitetit të Ajrit (AQI – Air Quality Index) nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Për ditë me radhë, gjatë muajve nëntor, dhjetor dhe janar, AQI tregoi nivele të larta të ndotjes së ajrit në Prishtinë, deri në pikën ku indeksi shkonte më lart se 500. 
  
Premtime për ndërtimin e një metroje ka pasur që nga viti 2013, nga kandidati i atëhershëm për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 
  
Sipas planit për Prishtinën, kjo parti kishte planifikuar që qendrën e Prishtinës ta zhvillojë në atë mënyrë që trafiku urban me autobusë të zëvendësohet nga trenat dhe tramvajet dhe do ta lidhte qendrën e Prishtinës me hekurudhën dhe autostradën. 

Edhe pse, si duket, sipas kryetarit të tanishëm të LDK-së kushtet për ndërtimin e metros kanë ekzistuar para pesë viteve. Problemi i vetëm në atë kohë për kandidatin Mustafa ka qenë komplikimi i unazës në qendër. Mirëpo, Mustafa nuk arriti ta fitojë garën për të parin e kryeqytetit, kështu që plani i tij nuk arriti të realizohej. 
  
Por, një ndërtim i tillë nuk u përjashtua as nga programi i partisë që fitoi Prishtinën për herë të parë, Lëvizjes Vetëvendosje. Shpend Ahmeti, kryetar i atëhershëm nga VV, në vitin 2014, deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që Prishtina të ketë tramvaj. 
Ahmeti, përfundoi mandatin e tij të parë në vitin 2017, dhe një gjë e tillë nuk ndodhi. 
  
Megjithatë, në zgjedhjet e fundit lokale, Arban Abrashi kandidati i LDK-së për Prishtinën, në mesin e 12 projekteve, kishte futur edhe planin për të cilin do të punohej gjatë mandatit katërvjeçar, realizimin e metros përmes formave të partneritetit publik-privat.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/metroja-e-dobishme-por-e-parealizueshme-per-kryeqytetin-576204/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Arbana Xharra-Ndërkohë që Presidenti i Turqisë Erdogan është duke mbetur pa para, ai është tani, më shumë se çdo here më parë, duke përdorur fenë për të “ushqyer” Ballkanin, veçanërisht shtetet që janë më të ndjeshme ndaj ndikimit islamik.

Bosnja është në ballë të axhendës ambicioze islamike të Erdoganit, ku ai nuk 
kursen burime politike, kapitale apo financiare, madje edhe nën 
vështirësitë e tij të tanishme ekonomike, për të shtrirë ndikimin e tij 
dhe për ta distancuar Bosnjen sa më shumë nga BE-ja.

Boshnjakët padyshim se nuk mund të mbijetojnë thjesht duke qenë muslimanë të 
devotshëm, me përqindjen e papunësisë së të rinjve në gati 60 përqind. 
Turqia nuk ka gjasa të rimëkëmbet ekonomikisht në një të ardhme të 
afërt, dhe premtimet e Erdogan për të ofruar ndihmë financiare dhe 
investime do të bien në ujë përballë krizës së tij financiare.

Lufta e fjalëve, hiperinflacioni, sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe 
investimet e pamatura mbi paratë e huazuara e kanë ulur me të madhe 
vlerën e Lires Turke. Pesë vjet më parë, $ 1 ishte me vlerë 2 lira; sot,
gjashtë lira shkëmbehen për një dollar, por kjo nuk i ka dekurajuar 
udhëheqësit boshnjakë që të kërkojnë bashkëpunim më të afërt me 
Erdoganin.

Bakiri Izetbegoviç, kreu musliman boshnjak dhe kryetari i presidencës 
trepalëshe të Bosnjës, deklaroi në Maj (përpara mijëra emigrantëve turq 
dhe mbështetësve boshnjakë të Erdoganit që kishin udhëtuar nga e gjithë 
Evropa në Sarajevë) se “Perëndia i dërgoi kombeve tona një person për 
t’i kthyer ata në fenë e tyre … Ai është Rexhep Tajip Erdogan. Ne 
qëndrojmë në këmbë me ndihmën e Perëndisë”. Turma brohoriste kur një 
udhëheqës i diasporës turke e barazoi dhe e idealizoi Sarajevën si 
“Jeruzalemi në zemër të Evropës”.

Bosnja ishte më shumë se e gatshme të hapte derën për presidentin turk që të 
organizonte një tubim zgjedhor në Sarajevë, veçanërisht pas refuzimit të
BE-së për të lejuar atë të bënte fushatë në shtetet anëtare. Për 
Erdoganin, Ballkani është rajoni që mund ta vendosë atë në një pozitë 
për të realizuar qëllimin e tij politik për ringjalljen e disa dukurive 
të Perandorisë Osmane, duke minuar ndërkohë ndikimin e BE-së në këto 
vende.

Bosnja përbëhet nga dy entitete: Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, 
popullsia e të cilës përbëhet nga boshnjakë myslimanë dhe kroatë 
katolikë; dhe Republika Srpska, ku serbët ortodoksë janë shumicë. Rreth 
gjysma e qytetarëve të Bosnjes 3.8 milionë janë myslimanë, shumë prej të
cilëve e konsiderojnë Erdoganin si udhëheqës të tyre të besuar, nëse jo
shpëtimtarin e tyre.

Për më shumë se një dekadë, Erdogan ka investuar shumë në përhapjen e 
ndikimit të tij në shtetet e Ballkanit dhe Bosnja ishte dhe është ende 
një nga objektivat kryesore të tij. Ai premtoi një investim shumë 
miliardësh për autostradën kryesore që do të lidhë Serbinë dhe Bosnjën. 
Turqia dhe Bosnja nënshkruan marrëveshjën për ndërtimin e autostrades që
lidh dy kryeqytetet e Ballkanit, një projekt që llogaritet të kushtojë 
rreth 3.5 miliard dollarë, mirëpo që ende nuk ka nisur për shkak të 
mungesës së burimeve financiare.

Ndërkohë që Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) – një “makineri” 
përmes të cilit Turqia përhapë axhendën e saj islamike në Ballkan – ka 
përfunduar më shumë se 800 projekte të vogla në Bosnje, kryesisht që 
kanë të bëjnë me institucionet fetare.

Krerët evropianë tashmë kanë shprehur shqetësime lidhur me ndikimin e Turqisë 
në Ballkan. Vetëm pak muaj më parë, Presidenti francez Emmanuel Macron 
deklaroi: “Nuk dua që një Ballkan të kthehet drejt Turqisë apo Rusisë”.

Gjatë fjalimit të tij në muajin Maj në Sarajevë, Erdogan u bëri thirrje 
mbështetësve të marrin pjesë aktivisht në politikën evropiane për të 
kundërshtuar sentimentin anti-turke. “Duhet të jeni në ato parlamente në
vend të atyre që tradhtojnë vendin tonë”, tha ai, duke iu referuar 
ligjvënësve evropianë me rrënjë turke.

Në një bisedë me ne, Orhan Hadzagic, analist politik nga Bosnja, tha se 
Erdogan nga boshnjakët konsiderohet më shumë se vetëm një udhëheqës i 
huaj. Ai pyet se, “Nga vizita e fundit e Erdoganit në Bosnje, cili ishte
përfitimi për qytetarët boshnjakë nga ajo tubim elektoral, një ngjarje 
që paraqiste krerët e dy partive që mbështesin haptazi njëri-tjetrin?”

Hadzagic është i bindur se vendi i tij po e rrezikon hyrjen në BE duke hapur 
dyert për Erdogan, nga ku ai po sfidon direkt Brukselin. “Shumë OJQ”, 
tha ai, “janë të afërta meTurqinë; ato marrin mbështetje financiare për 
të ndryshuar imazhin negativ dhe perceptimin rreth sundimit autoritar në
rritje në Turqi, në mesin e boshnjakëve “.

Një shumicë e madhe e boshnjakëve nuk sheh ndonjë alternativë drejtë 
Bashkimit Evropian, ata janë të pasionuar në mbështetjen e tyre ndaj 
Erdoganit. Në një sondazh të kryer nga Instituti Ndërkombëtar 
Republikan, i publikuar në mars të këtij viti, thotë se 76 për qind e 
boshnjakëve janë deklaruar se kishin qasje pozitive rreth rolit të 
Turqisë në vendin e tyre.

Për Erdogan, Bosnja zë një vend të veçantë dhe ai do të përpiqet të mbajë 
imazhin e tij aty si një udhëheqës fetar dhe shpëtimtar ekonomik. “Lista
e përparësive të Erdoganit po rritet, kështu që Bosnja është në mënyrë 
të pashmangshme duke zbritur në atë listë,” tha Hadzagic, “i cili do të 
zvogëlojë [ndikimin e Erdoganit] mbi shtetin, organizatat joqeveritare 
dhe mediat këtu në Bosnje. Si pasojë, kjo do të çojë në uljen e ndikimit
të Ankarasë në Bosnje”.

Si i tillë, Erdogani është duke e rritur fokusin e tij në mediat vendore 
dhe institucionet joqeveritare në Bosnje duke u ofruar atyre ndihmë 
financiare për të mbështetur axhendën e tij politike. Por edhe kjo po 
bëhet financiarisht e rëndë, duke e bërë më të vështirë të vazhdojë me 
fushatën e tij mediatike.

Sead Numanoviç, një gazetar i mirënjohur nga Bosnja, na tha se “BE dhe SHBA 
janë ende (dhe kam frikë se do të vazhdojnë të jenë) shumë pasivë në 
Ballkan, ky mjedis i jep një hapësirë shtesë Erdoganit për të punuar 
lehtësisht me axhenden e tij anti perëndimore “. Kjo shpjegon pse Partia
e AK Erdogan ka hapur kohët e fundit një zyrë në Sarajevë, dega e saj e
parë zyrtare në Ballkan.

Zëdhënësi i Ambasadës Turke në Sarajevë tha për “Foreign Policy” se Turqia e 
mbështet fuqishëm procesin e anëtarësimit të Bosnje dhe Herzegovinës në 
NATO-s dhe BE. “Turqia nuk është [në Bosnje] të shtrijë ndikim, por të 
inkurajojë stabilitetin politik për hir të të gjithë rajonit”.

Xhemal Ahmeti, historian dhe ekspert për çështjet e Evropës Juglindore, tha se
myslimanët e Bosnjes aktualisht janë më besnikët ndaj autokratit turk.

“Muslimanët boshnjakë kanë humbur shpresat se shteti i tyre trinitar do të bëhet 
një anëtar i BE. Kjo është arsyeja pse ata mbështeten në Turqinë për të 
mbijetuar, duke qenë se ata si një sendviq mes katolikëve, kroatëve 
konservatorë dhe juridiksioneve ortodokse “, tha Ahmeti për të shtuar se
“Paradoksalisht, ndërsa myslimanët boshnjakë kërkojnë mbrojtjen e 
Erdoganit nga ortodoksët (serbët dhe rusët), aleatët e ngushtë të 
Erdoganit janë Putini dhe [kryeministri i Serbisë] Vuçiç.”

Krerët dhe qytetarët boshnjakë duhet të kuptojnë se Erdogan po lëviz gjithnjë e
më afër Rusisë dhe Iranit. BE-ja tashmë e ka bërë të qartë, veçanërisht
në lidhje me të drejtat e njeriut, lirinë dhe demokracinë, të cilat 
janë parakushte për anëtarësimin në BE, prandaj Bosnja nuk duhet të 
flirtojë me Erdoganin për shkak se ai i ka braktisur në mënyrë flagrante
parimet themelore të BE-së dhe zhvillimi i një demokracie të plotë në 
Bosnje nuk i shërben interesit të tij.

Tani është në dorë të liderëve boshnjakë të përcaktojnë fatin e tyre, të 
cilat duhet të lidhen në mënyrë të pashmangshme me anëtarësimin e plotë 
me BE në qoftë se duan të rriten e të përparojnë ndërsa përqafojnë 
demokracinë e plotë.

Kjo nuk sugjeron që ata të shkëpusin marrëdhëniet me Turqinë si një fuqi 
rajonale, me të cilën ata do të duhet të intensifikojnë zhvillimin e një
marrëdhënie reciproke fitimprurëse sapo Erdogani të largohet nga skena 
politike.

Ata duhet të jenë të kujdesshëm në marrëdhëniet e tyre me Erdoganin, i cili
po i manipulon duke e përdorur Islamin për të ndjekur axhendën e tij të
rrezikshme politike.

Ky shkrim është në bashkëautorësi me profesorin e Universitetit te New Yorkut, Alon Ben Meir


Skender Jashari -Si sot, ashtu edhe gjatë viteve 1878-1959( madje edhe në kohën e Millosheviqit), luhej e njejta lojë! Ndryshim kufijsh si atëherë edhe sot! Kërkuesi i ndryshimit të kufijëve është i njejti subjekt-Serbia! Çështja e ndryshimit të kufijve është aktualizuar sidomos këta shekujt e fundit, gjegjësisht mund të përmendim afërsisht nga Kongresi i Vjenës i 1815, u trajtu si çështje më serioze!

Derisa në fund të këtij shekulli, është formulu në një akt konkret juridik, që trajton atë! Vlimi i luftërave për kufij e influence, ishte tejet i theksuar pas Revolucionit teknologjik të 1688, e kjo në kontinentin Europian është theksuar sidomos pas Revolucionit Francez të 1789, ku do vijnë Bashkimet Kombëtare të Gjermanisë, Italisë, Luftërat e Napoleonit, Austro-Hungarisë, Prusisë etj( të përmasave që bota nuk i kishte parë deri në këtë kohë)! Europa në Konferencën e Hagës, miratoi 3 traktate( Konventa) dhe 3 deklarata plotësuese, e mbajtur nga 18 maj 1899, nënshkruar më 29 korrik të atij viti dhe të hyra në fuqi më 4 shtator 1900, mes tyre Konventa për Zgjidhjen Paqësore të Mosmarrëveshjeve Ndërkombëtare ( me të cilën u formu edhe Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit), derisa konventat tjera kishin të bënin me të Drejtën e Luftës! Në Konferencën e Dytë të Hagës, e mbajtur nga 15 qershor deri 18 tetor 1907( e thirrur nga Teodor Rusvelt-presidenti i SHBA-së, që në 1904), e që traktatet dhe deklaratat u nënshkruan më 18 tetor 1907, kurse hynë në fuqi më 26 janar 1910. Në këtë rast, Konventa për Zgjidhje Paqësore të Mosmarrëveshjeve Ndërkombëtare, është konfirmim i Konferencës se Hagës të 1899.

Më pas, kjo materje është trajtuar në instanca të ndryshme edhe nga Organizatat Ndërkombëtare! Sot, kemi një numër të konsideruar të akteve normative, mes tjerash edhe: Protokoli i Gjenevës i vitit 1924 ; Pakti Briand-Kellogg ( Traktati i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve për Heqjen e Luftës, si Mjet të Sigurisë Kombëtare) i 1928; Akti i Përgjithshëm i Rishikuar, për Zgjidhjen Paqësore të Mosmarrëveshjeve Ndërkombëtare, adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 28 prill 1949 ; Konventa Europiane për Zgjidhjen Paqësore të Mosmarrëveshjeve e Këshillit Europian, të 29 prill 1957 ; Doracaku për Zgjidhjen Paqësore të Mosmarrëveshjeve mes shteteve, të Kombeve të Bashkuara ; Rezoluta e adoptuar e Asamblesë së Përgjithshme, 2625(XXV), 24 tetor 1970 etj. Të gjitha këto i japin prioritet dialogut, pastaj edhe institucioneve të tjera të emërtuara si Gjykata e Përhershme e Arbitrazit etj! Krijimi i Bashkimit Europian, integrimi në të, kërkon plotësim kriteresh politike, ekonomike dhe administrative, të specifikuara si Kriteret e Kopenhagës të 1993. Në këtë rast kriteret politike, theksohen shteti ligjor, stabiliteti i institucioneve dhe garantimi i demokracisë etj. Praktikisht as Kosova nga fundviti 2000, kur është krijuar ndarja faktike, deri më sot, nuk ka krijuar integrim efektiv të pjesës së Veriut! Në këtë rast, në Kosovë, Institucionet e Sigurisë së Kosovës, dështuan të vendosin institucione stabile, shtetin ligjor, demokracinë në Kosovën Veriore, edhe përkundër tentimit fëmijërorë, amatorë të gjoja intervenimit të Policisë së Kosovës në 26 korrik 2011! Njejtë as Serbia, në Luginë të Preshevës, që më 2000-2001, pas Luftës së UÇPMB-së dhe terrorit të paparë të Serbisë mbi këtë territor etnik Shqipëtar, nuk ka plotësu kriteret për anëtarësim në BE, madje as kriteret politike, ekonomike dhe administrative! Duhet sqaruar, sepse me lindjen e UÇPMB-së dhe sidomos analizimi i vajtjes së kësaj lufte dhe përfundimi i saj, mund të kuptohet që do “ndodhë” diç në relacionet Kosovë-Serbi!

Menjehërë doli në skenë “ndarja e veriut”! Po ashtu në rastin e nisjes së ndërtimit të Autostradës E 75, edhe banorët lokal të Luginës së Preshevës, kishin nuhatur, që Serbia dëshironte ta ndryshonte trasenë e kësaj autostrade, duke tentu për ta bartur atë nëpër maje të Kodrave të Boshtranit( ku Shqipëtarët e Luginës e njihnin si vijë ku sërish do vendoset kufiri, në rastin e Bashkimit me Kosovën)! Në aspektin historik, mirfilli dihet që komuna e Preshevës dhe Bujanovcit, nga Serbia është pushtuar më 16-18 tetor 1912, kurse komuna e Medvegjës, është pushtuar gjatë Kongresit të Berlinit! Po ashtu Sanxhaku i Novi Pazarit u pushtu gjatë vitit 1912 nga Serbia, e që deri në këtë kohë ishte nën pushtimin Osman, ndërsa prej 1878-1908 ishte nën administrim ushtarak Austro-Hungarez, e para 1878 ishte nën Pushtimin Osman! Lugina e Preshevës( komunat Preshevë dhe Bujanovc) me rastin e okupimit jugosllav më 1945 shkëputen nga Kosova, duke ia bashku Serbisë e që më pas përligjen edhe me ligje konkrete. Derisa me Kushtetutën e Serbisë të 17 janar 1947 dhe pasuar me ligje e akte tjera juridike, fshatrat e Karadakut: Staneci, Seferët, Caravajka, Peçenët, Maxhera, Depca, Ranatoci që ishin pjesë të komunës së Gjilanit, i bashkohen komunës së Preshevës. Po ashtu fshatrat Konçul dhe Dobrosin që më 1946-1948 ishin të komunës së Ranillugut, iu bashkuan komunës së Bujanovcit, derisa fshatrat Pribovc e Zarbincë më 1947-1949, iu bashkuan komunës së Bujanovcit! Kurse komunat veriore të Kosovës( Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani), iu bashkuan Kosovës, në vitet 1956 dhe përligjen më 1959, e që këto më parë ishin pjesë të Sanxhakut të Novi Pazarit! Serbia në vazhdimësi, kërkoi ndryshim të kufijve, madje edhe ato i bëri edhe me forcën e armës nga 1878 e deri në Luftën e fundit në Luginë të Preshevës më 2001. Duke e patur parasysh edhe projektin serb, që nga Rankoviqi, Tito, Millosheviqi, e njejtë edhe nga zyrtarët e tashëm të Serbisë, për ndarje të Kosovës, ndryshim kufijësh etj! Serbia sot, ka kuptuar që ndodhet në pozitën afërsisht të ngjajshme, siç ne Shqipëtarët, u ndodhëm gjatë viteve 1878-1912!

Sot asnjë vend Euro-atlantik nuk është aleat i Serbisë, armiqësimi i popullit serbë shkaku i bombardimit të NATO-s( e udhëhequr nga SHBA), por edhe aleancave serbo-ruso-osmane, vazhdimisht ishte e orientuar nga orienti! Derisa të gjitha vendet kufitare me Serbinë, janë anëtare të NATO-s, kanë patur probleme të rënda me Serbinë( kujto Hungarinë; Bullgarinë, Kroacinë, Bosnjën, Shqipëtarët)! Duke e pa këtë situatë, dhe mos shpëtimin e saj përmes Rusisë, Serbia, dëshiron që të japë disa territore që sot etnikisht banohen nga Shqipëtarët, që së paku të nxjerrë territore të banuara me Serbë( të cilat i kishte serbizu, e që ishin toka po ashtu të banuara me Shqipëtar), për më shumë të krijoj pecedencë, që të kërkojë pastaj edhe 49% të Bosnjës, kurse Rusia të përligjë ndarjet në Gjeorgji më 2008 dhe të Ukrainës! Serbia duke tentu të merrte tërë Kosovën, dhe atë me forcën e armëve, duke mos u lënë asgjë Shqipëtarëve, kreu Luftën e 1998-1999, por që shkaktoi reagimin ndërkombëtar( disfatën më të madhe nuk e kishte humbjen e Kosovës, por humbjen e çdo aleati perëndimorë dhe armiqësimin e popullit serbë me Perëndimin dhe lidhjen e Shqipëtarëve vetëm me vendet Perëndimore e sidomos me SHBA-në dhe shkëputjen e Shqipëtarëve nga çdo lidhje lindore-islamike)! Serbia po ashtu humbi edhe një Luftë Speciale, të cilën e kishte filluar që nga 1844( e që nga maji 1453 deri më 1981, ortodoksët sllav-grekë e kishin fitu kundër neve Shqipëtarëve me ndihmën edhe të Perandorisë Osmane). Lufta Speciale ishte që neve Shqipëtarëve t’na islamizonin, t’na identifikonin si turq, boshnjak, musliman serbë, apo tek e fundit edhe si Shqipëtar musliman( të tipave që mohojnë Historinë, Heronjët, Kishat Shqipëtare, e që këto ua falin Serbisë)!

Këtë Luftë Speciale Serbia e filloi sidomos në vitet 1990-1992, me shkollimin në vendet arabe e hoxhallarëve vehabi, në frymën e terrorizmit islamik, anti-perëndimorë( veçanarisht anti-amerikan). Betejën e fundit të kësaj Lufte Speciale, Serbia e humbi me rënijen e radikalizimit, ekstremizimit, rekrutimit, organizimit të grupeve terroriste islamike për të shkuar në Siri( pra në fund të viteve 2014-2015!). Viteve të fundit, në vazhdimësi ndëgjohen deklarata nën panikë të zyrtarëve të Serbisë, që Shqipëtarët po zgjohen në Novi Pazar, Luginë, Iliridë; Shqipëtarët duan “Shqipërinë e Madhe”; Shqipëtarët janë duke “pushtu” Serbinë jugore; populli serbë ka mortalitet më të lartë, kurse Shqipëtarët ende janë me natalitetin më të lartë në Europë; Serbët janë duke u shpërngul nga Kosova, nga Lugina etj. Negociatorët tonë, do duhej që të kenë parasysh, që orientimi politik, gjeostrategjik, dhe të gjitha aspektet tjera që janë në disfavor të Serbisë, janë pakthim për së paku disa dekada! Largimi i Serbisë nga Rusia dhe orientimi Euro-atlantik, është tashmë shumë i vështirë, edhe për faktin që Serbia do duhej të pranonte koncesione jo vetëm përballë Shqipëtarëve, por edhe të tjerëve( Hungarezevë, Kroatëve, Boshnjakëve, Bullgarëve etj)! Por neve Shqipëtarëve s’do duhej lejuar t’na përfaqësonin askund, njerëzit që ende kanë mentalitetin orientalist-islamik, komunist, sllavist-titist.

Përfaqësuesit tanë, të mos ndjehen inferiorë para aleatëve tonë Euro-Atlantik, për faktin që subkoshienca e tyre mba ende deficitin e pësuar nga të qenit islamik, por të jenë vetëm Shqipëtar( si Fe të ketë Shqiptarinë)! Pas gjithë këtyre, e vetmja çfarë i mbetet Serbisë, është të krijojë një kufi etnik, të pranuar edhe nga Shqipëtarët miopist, që t’i ruaj tokat Shqipëtare( që tashmë i ka spastru etnikisht)! Andaj Lugina e Preshevës, duhet të Bashkohet me Kosovë, kurse Zubin Potoku, Leposaviqi e Zveçani, s’do duhej pranuar që të ndahen, derisa krijimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive në asnjë mënyrë s’do duhej pranuar! Derisa mbetja e Veriut, si zonë e trazuar, është më shumë në dëm të Serbisë, sesa të Kosovës, sidomos për rrugën e saj të integrimit Euro-atlantik( derisa mirfilli dihet që nga kontrabanda nuk mund të jetojnë gjithë qytetarët serbë të veriut, por vetëm kriminelët)! Shqipëtarëve na intereson çdo marrëveshje, dialog, me të cilin do avanconim Interesin tonë Kombëtar, si Bashkimin e Kombit tonë, Bashkimin e Kosovës me Shqipëri( për të rritur ndikimin në Ballkan, dhe për t’i ndihmu Trojeve tjera Shqipëtare), Bashkimin e Luginës me Kosovë, avansimin e Intereseve të Kombit tonë në Trojet tona dhe në Botë! Sot është Orëzeza për Serbi! Sot është Ora për Shqipëtarët! Më:12.09.2018 Skender Jashari i burgosur politik nga EULEX, për rastet e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë e marrur nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik! Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.