Arvizu: Më vjen keq për Bashën, nuk do doja të isha në vendin e tij. PD ka nevojë për ndihmë
“Shuplaka” për PD-në: Nuk mjafton të valëvitësh flamurin amerikan dhe të thuash se je antikomunist. Është viti 2013. Shqipëria ka ndryshuar, bota ka ndryshuar. Nuk do doja të isha në vendin e Bashës. PD ka nevojë për ndihmë
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, në një intervistë për Top Story, të reklamuar si intervista e fundit e tij, thotë se ai gjeti një Shqipëri të dëshpëruar dhe po largohet duke lënë pas një situatë më optimiste.
Megjithatë Arvizu është i shqetësuar për gjyqësorin dhe drejtësinë në Shqipëri, duke thënë se nuk ka bërë hapa para gjatë kohës që ai qëndroi këtu.
Arvizu tha se i qëndron krahasimit të zgjedhjeve të vitit 2013 me zgjedhjet e vitit 1992, pasi thotë se zgjedhjet e vitit 2013 ishin një pikë kthese.
“Ky nuk ishte një rotacion normal,” tha Arvizu, duke shtuar se rezultati i zgjedhjeve rrëzoi çdo pritshmëri.
Arvizu tha se beson se ky mund të jetë shansi më i mirë i fundit për Shqipërinë.
Sulmet e Jozefina Topallit ndaj tij, Arvizu i cilëson si të papranueshme. Ai thotë se ato shprehje ishin të tepruara madje edhe për standardin e Topallit.