b_115_98_16777215_0___images_5Komentet_artistet-lista.jpgZbulohet nga arkivi i Ministrisë së Brendshme lista e plotë origjinale me emrat e shkrimtarëve, regjisorëve, kompozitorëve, këngëtarëve dhe aktorëve që do të arrestoheshin menjëherë, sapo në Tiranë të shfaqeshin turbullirat politike, ose ndonjë rebelim sporadik, kundër pushtetit komunist.

Ndërsa në rast lufte, disa prej tyre do të vriteshin menjëherë. Kjo listë është firmosur nga katër shefa të seksionit operativ, të cilët janë: Astrit Meçaj, Arif Selmanhasko, Shefqet Metaj, Baudin Kazani. Firmat e tyre në fund të listës tregojnë se gjithçka  është e prekshme dhe ekskluzive. Ndërsa për formulimin e saj janë përdorur raportimet e mbi 500 spiunëve me pseudonime që qarkullonin atëherë me shumicë nëpër qarqet artistike. Lista e arrestimit të tyre është ndarë në dy grupime, ku në grupin  e parë përfshihen artistët shqiptarë që kishin njerëz jashtë shtetit, ose që kishin korrespondencë, apo komunikim me persona të huaj. Ndërsa në grupin e dytë janë përfshirë artistë, që siç thuhet në krye të listës, i përkasin grupimeve kundërevolucionare brenda Shqipërisë. Grupi i parë i artistëve ishte në kompetencë të kundërzbulimit, ndërsa grupi i dytë nën vëzhgimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Këto lista janë hartuar pas raportimeve të njëpasnjëshme të spiunëve vullnetarë, ose të atyre që paguheshin nga policia e fshehtë. Por shumica e raportimeve vinin nga vetë kolegët artistë që ata kishin afër. Në këtë listë të grupit të parë bëjnë pjesë artistë, shkrimtarë, regjisorë, punonjës të Akademisë së Arteve, të Radio Televizionit, të Kinostudios, piktorë, skulptorë, këngëtarë të Operas dhe Baletit, etj. Përpara se të botojmë listën duhet të sqarojmë se një pjesë  e tyre nuk jetojnë më, ndërsa pjesa dërrmuese vazhdon aktivitetin artistik. Në këtë listë janë këta emra: Margarita Xhepa, Brixhida Xhepa, Ndrek Luca, Rikard Ljarja, Bardhyl Martiniani, Dionis Bubani, Gjergj Mazreku, Saim Kokona, Thoma Afezolli, Ndrek Shkjezi, Ramazan Hysa, Robert Ndrenika, Vladimir Kasa, Sali Shijaku, Diana Diamanti, Tom Mahmati, Besa Imami, Shefki Shkodran, Ermal Kaceli, Koço Zhogo, Ibrahim Tukiçi, Eduard Hila, Irma Gjergo, Lorenc Zadrima, Mira Miho, Anesti Fundo, Kristina Ligori, Nuri Hamzaraj, Ndoc Gora, Sanije Mara, Thanas papadhopulli, Hasan karagjozi, Nihat Uruçi, Haki Katroshi, Abdurrahman Hysa, Nadia Pashai, Margarita Kristidhi, Mira Gjoni, Mina Shakla, Edlira Topçiu, Tom Nikolli dhe Faik Islami. Të gjithë këta persona të sipërshënuar, në bazë të aktivitetit të tyre të përditshëm ishin persona nën vëzhgim, të cilëve në raste të ndryshme u ishte marrë edhe ndonjë deklaratë e inçizuar, nga copëzat e bisedave të përditshme, ku ata kishin shprehur pakënaqësinë ndaj pushtetit. Ose thjesht, ishin ankuar në ndonjë rast të veçantë për vështirësitë ekonomike, ose për mungesën  e lirisë artistike. Sipas udhëzimit, këta persona do të prangoseshin në rast se jepej ndonjë situatë e jashtëzakonshme. Në bazë të këtyre orientimeve, gjithmonë në varësi të situatës, në raste revoltash ata do të burgoseshin menjëherë. Ndërsa në rast të pushtimit të territorit nga ndonjë luftë rajonale apo botërore, shumica e tyre do të vriteshin. Kjo sepse ata konsideroheshin si armiq të vërtetuar të pushtetit, të cilët në mënyrë të fshehtë ushtronin axhitacion e propagandë kundër sistemit komunist. Në kohë paqeje, aktiviteti i tyre do të mbahej nën vëzhgim të plotë, derisa të bënin ndonjë veprim që cënonte në mënyrë flagrante kodin e këtij sistemi. Dhe me informacionin e parë, ata do të futeshin në qelitë e burgjeve, duke kaluar më parë në dhomat e torturave.
Grupi i kundërrevolucionarëve
Në krye të listës që shoqëron emrat e mëposhtëm shkruhet si një lloj titulli, kjo shprehje: “Persona të regjistruar që i përkasin grupimeve kundërrevolucionare”. Në këtë grup, i cili konsiderohej si grupi kryesor që duhej të goditej bënin pjesë mjaft figura të letërsisë dhe arteve. Emrat që përfshihen në këtë listë janë: Vaçe Zela, Helena Kadare, Limoz Dizdari, Ferial Alibali, Marie Kraja, Roza Anagnosti, Fatos Arapi, Vladimir Prifti, Gaqo Çako, Liliana Cingu, Natasha Lako, Dhimitër Anagnosti, Alfons Gurashi, Saimir Kumbaro, Sulejman Mato, Mërkur Bozgo, Yllka Mujo, Tonin Kroniqi, Skënder Moçka, Stefan Hajmeli,  Manushaqe Çoçoli, Keti Ciko, Zina Paskali, Bardhyl Fico, Vasil Melo, Shpresa Nishani, Liri Brahimi, Hysen Sala, Nikolin Gurakuqi, Ilia Petropulli, Piro Mani, Tomor Meçe, Shpresa Mysliu, Thoma Nova, Syrja Roi, Orhan Bega, Harallamb Qesko, Luigj Mazi, Ylli Tako, Plureat Sula, Emin Cangonji, Izmini Kokobobo, Adelina Mamaqi, Grigor Harizi, Ilia Terpini, Maksim Dashi, Petrit Ndroqi, Perikli Jorgoni, Vasillaq Vangjeli, Kujtim Farka, Qenan Toro, Valter Qari, Kujtim Shehu, Fadil Rama, Gjinofefa Voci, Lazër Vlashi, Loni Papa, Luan Myftari, Abdurrahim Buza, Kadri Sulkuqi, Ramadan Karanxha, Zeqir Sulkuqi, Sotiraq Dhima, Xhovalin Shestani, Hysen Koçi, Shkëlqim Basha, Agim Qirjaqi, Arqile Ndini, Demokrat Shahini, Kristaq Katundi, Sali Brari, Tonin Shiroka, Ermelinda Pema, Fehim Ibrahimi, Petro Zheji, Zamira Berati, Kristaq Katundi, Qamil Grezda, Ardan Cerga, Maksim Kopali, Arben Imami, si edhe disa emra të tjerë të cilët nuk lexohen qartë për shkak të defekteve të makinës së shkrimit, me të cilën është shkruar lista.  Pra, të gjithë këta persona në atë kohë ndiqeshin dhe përgjoheshin nga persona të posaçëm të cilët ishin infiltruar brenda grupeve të tyre të punës. Ose thjesht, ata raportoheshin periodikisht nga kolegët e tyre të afërt, të cilët përveç punës  së përditshme kishin edhe një mision tjetër “të posaçëm”.
Pasojat e artistëve
Ndrekë Luca përcaktohej si një person i rrezikshëm për sistemin dhe ai së bashku me disa të tjerë ishin parashikuar edhe në planin rezervë të zhdukjes. Së bashku me Vasil Melon Dionis Bubanin dhe Sulejman Maton. Kjo ndodhte sepse ata nuk i bindeshin, ose nuk njehsoheshin dot me radikalizmin e persekucioneve komuniste. Pra, konsideroheshin si të papajtueshëm me sistemin. Tani, duket sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe se publikimi kësaj liste nuk i shton ndonjë koleksion njohurish lexuesve të sotëm. Aq më tepër atyre që nuk e njohin terrorin psikologjik dhe fizik të diktaturës. Por në fakt nuk është kështu. Sepse midis këtyre emrave që përmendëm më sipër, ka prej atyre që e kanë pësuar me burgosje, si psh, Edi Hila, etj, ka prej atyre që janë pezulluar fare nga profesioni si Ferial Alibali, ose që janë dëbuar në gurore si Bardhyl Martiniani. Por ka edhe prej atyre që nuk e duruan dot presionin  e përndjekjeve dhe kaluan në vetëvrasje, si Harallamb Qesko. Pra, ekzistenca e emrit të tyre në këtë listë, i kushtoi shumë artistëve të mësipërm. Ata nuk e dinin atëherë se kjo listë e posaçme ekzistonte. Por e dinin se përgjoheshin, ndiqeshin, ose raportoheshin. Dhe gjithmonë ishin nën presion të rëndë psikologjik. Ka edhe prej atyre që nuk e humbën kurrë humorin dhe vazhduan jetën e normale, duke u kufizuar me njohjet e reja, ose me diskutimet për sistemin. Është ndofta një fat i madh që ata nuk e morën vesh asnjëherë se bënin pjesë në listën e njerëzve të dyshimtë, sepse atëhere pasojat e tronditjes mund të ishin  edhe më të mëdha. Të jetosh natë e ditë i përgjuar nga të tjerët, kjo ishte alternativa e jetës që u kishe rënë atyre për pjesë. Dhe shumica e përballuan sfidën.
Gjithmonë ka një por…
Por një pjesë e tyre u lodhën nga presionet dhe u dorëzuan. Dhe kjo bëri që ata të pranonin ofertën e Sigurimit të Shtetit për t’u bërë spiunë. Kështu që nuk është fare çudi, që një pjesë  e emrave të këtyre disidentëve, disa vite më vonë gjenden edhe në listat e spiunëve. Por ky numër është i pakët në raport me pjesën tjetër të qëndrestarëve. Nëse do të flasim me përqindje, duhet të themi se vetëm 10% e individëve të kësaj liste u rekrutuan nga Sigurimi i Shtetit. Dhe kështu një ditë ata që përndiqeshin vetë prej të tjerëve, tani filluan të spiunojnë kolegët e tyre më të afërt. Sepse historia e diktaturës 45 vjeçare ishte aq e ngatërruar saqë askush nuk e përcakton dot se çfarë ndodhi me ne, në këto vite të komunizmit. Na duhej të ndaleshim në këtë pikë, sepse së shpejti parlamenti shqiptar do të detyrohet të hapë dosjet e ish-spiunëve. Dhe natyrisht, aty nuk do të mungojnë, madje do të jenë me shumicë edhe emrat e shkrimtarëve, apo artistëve. Por nga ky kontingjent artistësh, do të gjenden shumë pak emra spiunësh.
Përbërja e listave
Shkrimtarët e kësaj liste sapo nisnin një subjekt romani dhe sapo e diskutonin atë me shokun më të afërt, kjo merrej vesh menjëherë, në kupolën e Ministrisë së Brendshme. Po kështu edhe planet krijuese të piktorëve, skulptorëve, dirigjentëve, regjisorëve, këngëtarëve, etj. Sepse artistët e kësaj liste ishin gjithmonë nën një vëzhgim të rreptë. Madje, edhe pas vitit 1985, kur u duk se arti po liberalizohej, përsëri ndaj këtyre personave përdorej fjala e urtë: “Kujdes, se lumi fle, por armiku rri zgjuar”.

Koment nga lista
Në krye të kësaj liste është këngëtarja e famshme shqiptare, Vaçe Zela dhe në mbyllje të listës është ministri i sotëm i Mbrojtjes, Arben Imami. Në dokumentin që shoqëron këtë listë thuhet tekstualisht se: “personat e poshtëshënuar janë me aktivitet shoqëror të rrezikshëm dhe të dyshimtë që cenon parimet e moralit komunist”. Ndërsa, në krye të listës është shënuar: “Personat që duhet të arrestohen në rast të ndonjë rebelimi”. Në listën e hartuar nga Sigurimi i Shtetit, e cila bën fjalë për artistët që do të arrestoheshin në rast turbullirash, ekziston edhe një detaj i veçantë me familjen Kadare. Sepse në këtë listë mungon krejtësisht emri i Ismail Kadaresë, si person me precedentë kundër pushtetit. Dhe aty gjendet vetëm emri i Helena Kadaresë, e cila sipas Ministrisë së Brendshme përbënte një precedent të rrezikshëm për pushtetin komunist. Kjo vërteton edhe njëherë se shkrimtari  Ismail Kadare kishte megjithatë një celulë antikomuniste brenda familjes së tij, ku e para ishte motra e tij dhe e dyta, sipas këtij dokumenti ishte bashkëshortja e tij. Dhe fakti që Helena Kadare ndodhej në këtë listë tregon para se gjithash se regjimi nuk i besonte aspak Ismail Kadaresë. Por ajo që bie në sy në vështrimin e parë të kësaj liste është fakti se aty Sigurimi i Shtetit ka shpallur si armiq, ose së paku si kandidatë për armiq, shumë emra femrash. Njëra prej tyre, padyshim do të ishte ylli i muzikës shqiptare, Vaçe Zela e cila me zërin e saj, kishte tronditur të gjitha skenat ku kishte shkelur. Vaçe Zela qysh në moshë të re kishte vizituar shumë skena të botës, ku padyshim kishte shkëlqyer dhe njëkohësisht kishte parë botë me sy. Ajo nuk mund të njehsohej me ngushtësinë e metodikës së Realizmit Socialist dhe për këtë arsye shprehej shpesh e pakënaqur nga kjo ngushtësi. Dhe midis femrave të tjera të kësaj liste mund të përmendim, Margarita Xhepën, Yllka Mujon, Diana Diamantin, Ferial Alibalin, Liljana Cingun, etj. Padyshim të gjitha yje të kulturës shqiptare. Dhe kjo tregon se diktataura verbohej nga yjet.
Një popull i përgjuar
Nga kjo listë duket sikur në atë kohë të gjithë përgjoheshin dhe thuajse të gjithë ishin kandidatë për në burg. Por duket se ata që shkëlqenin në fushat e tyre menjëherë viheshin nën vëzhgimin e Ministrisë së Brendshme. Që nga Rikard Ljarja, e deri te Vladimir Prifti. Që nga Gaqo Çako, e deri te Sali Shijaku. Secili prej tyre në atë kohë mbahet mend se bënte piktura ose këndonte këngë për Enver Hoxhën, por kjo nuk mjaftonte që të fitonte besimin e nomenklaturës. Sepse Ministria e Brendshme nuk kishte besim tek askush. Prandaj, thuajse i gjithë populli ishte nën përgjim. Ata përgjoheshin nga Sigurimi i Shtetit, por edhe nga komshinjtë, apo kushërinjtë e tyre. Regjisorët e Kinostudios ishin shumë të ekspozuar para këtij rreziku, sepse ata punonin me grupe njerëzish dhe qëndronin për një kohë të gjatë me xhirime larg familjeve. Dhe për këtë arsye Dhimitër Anagnosti, Sajmir Kumbaro e Vladimir Prifti jetonin vazhdimisht nën mosbesimin e njerëzve të pushtetit. Në vitin 1978 të tre emrat e mësipërm ishin regjisorë të shkëlqyer dhe të tre njiheshin për alergjinë kundër politikës partiake. Asnjeri prej tyre nuk kishte pranuar të bëhej anëtar i partisë së Punës dhe në krijimtarinë e tyre brilante sistemi kishte vërejtur një lloj ndikimi modernist, me aq sa mund të lejonin në atë kohë kushtet kufizuara të Kino- Studios “Shqipëria e Re”, apo Televizioni shqiptar. Në vitin 1978, Anagnosti kishte një sërë filmash të realizuar. Ai kishte mbyllur me sukses filmin “Lulëkuqet mbi mure”, në vitin 1976 dhe filmin, “Monumenti” në vitin 1977. Por deri atëherë, Anagnosti kishte realizuar një koleksion të tërë brilantesh të kinematografisë. Ndërsa, Saimir Kumbaro duke qenë në një moshë më të re, kishte më pak filma të realizuar, por me mjaft cilësi të lartë. Pikërisht, në atë kohë, Kumbaro sapo kishte mbaruar xhirimet e filmit brilant, “Koncert në vitin 1937”, i cili jo vetëm që u prit mirë, por zhurma e kësaj pritjeje i shqetësoi zyrtarët e shtetit. Si përfundim, ata e kuptuan se paralelizmi i zyrtarëve të dikurshëm ishte i qartë me atë të mediokërve të socializmit, ku të dy palët karakterizoheshin nga dallkaukllëku. Por kujdesi i Kumbaros për të mos u kuptuar krahasimi me aktualitetin, i kishte lënë bisedat e qeveritarëve deri në kufijtë dyshimeve. Ata pyesnin për skenat filmike, por nuk e vërtetonin dot, se ku ishte vënë pasqyra e ngjashmërisë me ta. Ndërkaq, për këtë arsye filmat e tij të mëvonshëm u panë me lente zmadhuese për ndonjë gabim ideologjik. Dhe kështu, filmi i tij”Nxënësit e klasës sime”, i xhiruar në vitin 1984 pati shumë rixhirime për të ardhur në parametrat pranuese të nomenklaturës së pushtetarëve. Por Sajmir Kumbaro përveç të tjerave ishte një njeri që reflektonte mirësi dhe afrimitet me njerëzit. Atë e donin të gjithë dhe ndikimi i tij ishte i jashtëzakonshëm në shoqërinë e kineastëve. Për këtë arsye, Kumbaro shprehej shpesh me humor kundër kastës së burokratëve dhe idiotëve të Byrosë Politike. Kjo e ka vënë atë në qendër të ndjekjeve dhe të listës së mësipërme. Ndërsa Vladimr Prifti kishte shkëlqyer me dokumentarët dhe filmat televizivë.
Arben Imami, i fundit në listë
I fundit në këtë listë, është Arben Imami. Në atë kohë, ministri i sotëm, Arben Imami ishte ende në një moshë të re dhe ai sapo kishte nisur xhirimet, apo përgatitjet e xhirimeve për një film studentor, të Viktor Gjikës. Ndofta, këtu bëhet fjalë për filmin, “Në çdo stinë, ku Imami ka rolin e një studenti të violinës. Por pikërisht në atë moshë, Imami kishte shfaqur një lloj rebelimi në sjelljen e tij për mungesën e argëtimeve të kohës dhe për mosvëmendjen ndaj rinisë. Ai shprehej hapur me shokët e vet, kundër disa gjërave si, puna vullnetare, zboret, kufizimet e modës, flokët, pantallonat etj, etj. Por kaq mjaftonte që në atë kohë të shpalleshe armik i pushtetit. Kjo ka ndodhur pikërisht me njeriun që më vonë do të bëhej mbështetje për kryeministrin Berisha, madje edhe një patericë më tepër për pushtetin e diktaturës së re, siç ishte ajo e Berishës, apo e Nanos, ku ai ka qenë vazhdimisht në rolin ministrit. Kjo lloj diktature e re e të dy kryeministrave, blu dhe rozë nuk kufizonte më modën e flokëve, por të godiste me levë pas koke, ose të priste kokën, nëse bëheshe kundërshtar i saj. Kjo madje ka ndodhur edhe me vetë Imamin, gjatë një rasti të vetëm kur ai u shpall si kundërshtar i Berishës. Dhe bilanci ishte ky: Gjashtë dhëmbë të thyera dhe 11 goditje me levë, pa llogaritur shkelmat dhe shkopinjtë e gomës”. Megjithatë jemi ende në vitin 1978, kur Imami ishte një student me një lloj garancie për karrierën e ardhshme. Pikërisht atëhere, ai shquhej për shfaqje liberale. Dhe së bashku me studentin tjetër, Ardian Cerga u shpallën si rrezik për sistemin dhe u vunë në listën e të rrezikshmëve. E vërteta është se deri atëhere Imami dhe Cerga, ashtu si moshatarët e tyre, kishin mësuar vetëm se si të deheshin dhe se si t’i propozonin ndonjë femre për të ngrënë ndonjë darkë. Por edhe për këtë, në atë kohë mund të bëheshe kandidat për në burg. Sidoqoftë, jeta e Imamit në atë kohë gjendej në rrezik
Publikimi i listës
Në lidhje me botimin e listës  së zbuluar në arkivën e Ministrisë së Brendshme në vitin ’78 për arrestimin e artistëve në rast rebelimi, gjatë ditës së djeshme kemi pasur disa reagime pro dhe kundër botimit të kësaj liste.  Natyrisht, pjesa më e madhe e personave që përmenden në atë listë janë njohur më parë dhe në rrethana jashtë gazetës, me këtë ngjarje, por botimi i saj në gazetën tonë ka shërbyer si një kujtesë për kohën e dikurshme. Ajo që duam të themi në sqarimin ndaj lexuesve është fakti se me botimin e kësaj liste ne nuk duam të pagëzojmë disidentë, apo të mbivlerësojmë ndokënd, por duam të paraqesim një të vërtetë të nxjerrë nga arkivi i Ministrisë së Brendshme. Me sa kemi mundur të konstatojmë edhe pjesëmarrësit në këtë listë nuk duan të keqpërdorin këtë detaj, dhe as të vetëshpallen sot si disidentë të dikurshëm, por gjithsesi ndjehen disi të lehtësuar nga kjo gjë. Në rradhë të parë ata ndjehen të lehtësuar nga fakti kur mësojnë se kanë ecur në një rrugë të minuar, ku për fatin  e tyre të mirë mina nuk ka plasur. Pra, për fatin  e tyre të mirë arrestimi nuk është kryer, sepse situata të jashtëzakonshme nuk kishte. Dhe në radhë të dytë ata sot ndjehen krenarë që diktatura i njihte si kundërshtarë, apo që asnjëherë nuk u bënë palë me sistemin e barbarisë. Natyrisht, me këtë botim nuk synojmë të bëjmë ndonjë “skup”, por për të vënë në vend një të vërtetë dhe për të ndihmuar njerëzit  e dikurshëm të kulturës, që të mos lodhen dhe të mos kacavirren duke marrë sot, rolin e disidentit. Ilir Bushi