Artistët: Bekimi, Aleksandër Moisiu i dytë i shqiptarëveBruna Merko

Një ditë zie për artin dhe artistët shqiptarë pas vdekjes tragjike të një prej emrave më të shquar të Kosovës, duke e cilësuar atë si Aleksandër Moisiu i dytë.

Ai ishte një nga legjendat e kinemasë, duke i dhënë vetes rastin të prek Hollivudin, por mbi të gjitha duke na dhënë ne shqiptarëve shansin e madh që ta kishim atë. Një aktor që kurrsesi nuk mohoi origjinën e vet, madje përkundrazi e lartësoi atë në kinematë më të mëdha të botës.

Një nga aktorët dhe mik i Bekim Fehmiut, Çun Lajçi shprehet për “Botën sot” se shqiptarët kanë humbur një ikonë të kinemasë, por ai në këtë ditë zie për të gjithë ne, nuk ka sesi të mos shpreh edhe mangësinë për të pranuar dhe nderuar ashtu si e mertironte aktori i përmasave botërore. “Ishte ikonë, idhulli im, edhe është pak për të thënë për Bekimin. Ai ishte më shumë se sinonim i artit shqiptar. Pavarësisht prej gojë kqinjëve, pavarësisht prej kolegëve, pavarësisht prej kritikut shqiptar që gjithmonë e ka injoruar sepse gjithmonë e ka penguar krenaria e tij artistike edhe shqiptare në mes të Beogradit”, shprehet aktori Lajçi. “Yjet nuk priten gjithmonë siç pritet një aktor i thjeshtë. Yjeve gjithmonë duhet t’ua krijosh edhe qiellin blu që të ketë veprimtarinë e vetë dhe ne këtë nuk ia ofruam Bekimit. Nuk i krijuam këto rrethana që ta kemi në mesin tonë. Fatkeqësia më e madhe e kombit është thënia se ai nuk bëri asgjë për ne. Bekimi bëri gjithçka për ne sepse Bekimi ishte vetë arti, arti krijues, prejardhja e tij gjithmonë mbeti shqiptare dhe unë nuk e di pse e pengoi popullin tim që atë ta quanin atë aktor joshqiptar. Ai kudo që të jetonte në Beograd, Sofje, Berlin, Hollivud, Bekimi ishte shqiptar dhe kudo që shkoi ai ishte shqiptar. Fatkeqësia më e madhe e popullit tim ishte se asnjëherë në jetë nuk i dha një zgjidhjeje”, thotë Lajçi duke shtuar se ai do të mbetet gjithmonë Aleksandër Mosiu i dytë. Ndërsa aktorja e mirënjohur, Ilire Vinca, ashtu si çdo artist tjetër, edhe ajo shprehu dhembjen e madhe për këtë humbje tragjike. “Kur të flasësh për Bekim Fehmiun nuk ke sesi të mos ndjesh dhembje dhe krenari në të njëjtën kohë. Ai është një emblemë e artit dhe të artistit botëror, ai është një emblemë e një personi me një karakter shumë të fuqishëm që asnjëherë nuk e harroi origjinën dhe u përplas më vështirësitë që ia solli koha dhe rrethanat në të cilën jetoi”, tha znj.Vinca. Sipas aktores Bekim Fehmiu ka qenë një motiv për shumë shqiptarë, shumë artistëve dhe shumë poetëve, ka qenë frymëzim i gjithë gjeneratave që merren me artin. “Kështu që humbjen e tij e konsideroj si një humbje e dimensioneve shumë të mëdha. Arti botëror në përgjithësi ka humbur një njeri shumë të madh, kurse ne e ndjejmë dhembjen dhe krenarinë për atë personalitet shumë të lartë të kulturës shqiptare”, u shpreh aktorja për gazetën. Ndërsa drejtoresha e TK, Burbuqe Berisha u ka shprehur familjarëve ngushëllimet për humbjen tragjike. “Më lejoni t’ ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta me rastin e humbjes së njeriut Tuaj të dashur, aktorin tonë të madh z. Bekim Fehmiu. Me krijimtarinë e tij kinematografike dhe teatrale, aktori Bekim Fehmiu ka bërë emër në mbarë hapësirën artistike dhe kulturore të botës shqiptare dhe ndërkombëtare duke ngritur lartë pietetin më të lartë të identitetit tonë kombëtar.”, shkruan në telegramin ngushëllues, znj.Berisha.

Gjithashtu me këtë rast edhe, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, deklaroi se i kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjes së z. Fehmiu. “Një aktorë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe prezantues i vendit tonë. Padyshim se z. Fehmi ka luajtur një rol të rëndësishëm për popullarizimin e Kosovës dhe popullit të saj në faza të ndryshme. Ai nuk ka jetuar në Kosove që shume vite dhe ka ardhur rrallë këtu, por e ka një rol të pazëvendësueshme dhe një rol meritor në kulturën e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.