Arrestohet konsulli maqedonas në Peru
Policia e Perusë javën e kaluar ka arrestuar konsullin e nderit të Maqedonisë në këtë shtet latinoamerikan. Bëhet fjalë për konsullin e nderit Dejan Atanasovski, i cili për ngjarjen që ka ndodhur është xhiruar edhe nga një televizion lokal peruan.
Atanasovski sipas televizionit, kishte maltretuar fqinjët e tij në banesën ku po jetonin. “Fqinjët e revoltuar kanë thirrur policinë për ti mbrojtur, por konsulli i revoltuar ka sulmuar edhe policinë”, ka raportuar televizioni „Frecuencia Latina“.
Sipas lajmit të publikuar, konsulli maqedonas ka qenë i njohur për policinë për raste të tilla të dhunës dhe reagimeve represive.
Ministria e Jashtme në Shkup ka reaguar sot lidhur me incidentin, duke theksuar se rasti me konsullin është një skenar i përgaditur nga televizioni i pavarur peruan, vetëm për rrënimin e imazhit të tij si diplomat.
MPJ informoi se konsulli Atanasovski ka angazhuar avokatin e tij për të ngritur kallëzim penal kundër televizionit peruan.