Arrestohet Ajsela Lula, mori mito 10 mijë euro
Punëtorja e Drejtorisë së Kadastrit në Prizren, Ajsela Lula, ka përfunduar në pranga mëngjesin e së hënës. Ajo është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka marrë mito prej 10 mijë euro, në kompensim të lëshimit të një flete poseduese të falsifikuar. Zyrtarja komunale është prangosur së bashku me dy të dyshuarit e tjerë, Ibrahim Ahmeti dhe Muhamet Syla, përderisa mbi ta rëndon dyshimi se kanë kryer vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare mitmarrjes dhe mashtrimit. Arrestimi i këtyre personave ka të bëjë me ngastrën kadastrale 142/2, pronë e “KBI Progres” në Prizren. Tri vjet më parë dy të dyshuar e kishin shitur këtë pronë për një shumë prej 90 mijë eurosh te viktima H. B., përderisa për t’ia dëshmuar viktimës pronësinë e kësaj parcele kishin nxjerrë një fletë poseduese të falsifikuar. Për ta siguruar këtë fletë poseduese, dy të dyshuarit i kishin paguar të dyshuarës Ajsela Lula shumën prej 10 mijë euro. I tërë ky mashtrim është zbuluar nga Policia e Kosovës falë ankesës që ka ardhur nga vetë viktima. Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë Komunale të Prizrenit, përderisa tre të arrestuarit me urdhër të po kësaj prokurorie janë dërguar në mbajtje 48 orësh.