Arrestohen për mitmarrje 3 inspektorë
Vrasja e Ibrahim Ismailit dy muaj më parë, ka vazhduar me një skenar tjetër. Një i afërm i të ndjerit i cili aso kohe kishte fshehur pistoletën e të vrarit Ismaili, prej dy muajsh kërcënohej nga 3 inspektorë të korruptuar policie, të cilët në vend që ta denonconin rastin, e përdorën atë për të përfituar ndonjë para’. Inspektorët kërkuan para, me kërcënimin se do ngrinin padi penale ndaj të fshehësit të provës. Por i lodhur nga kërcënimi, i afërmi i të vrarit Ibrahim Ismaili, e ka paraqitur në polici shantazhin dhe inspektorët e korruptuar. Mbrëmë, dy inspektorët e policisë dhe shefi i tyre u arrestuan gjatë një aksioni policor në lagjen Çairçanjë në Shkup, në momentin kur tentonin të shkëmbenin paratë e marra nga mitmarrja, në një pikë këmbimore aty pranë.
‘Mbrëmë, dy nga inspektorët e dyshuar realizuan një takim në lagjen Autokomandë me të dëmtuarin, i morën parat që policia i kishte shënjuar më parë, të cilët më pas me një veturë të markës Audi A4 u nisën drejt lagjes Çair, ku tentuan të shkëmbenin paratë e mara si mitmarrje, me para të prerjeve më të vogla në përfaqësinë e Western Unionit në rrugën Cvetan Dimov. Gjatë këtij tentimi për të shkëmbyer këto bankënota, inspektorët u arrestuan dhe u dërguan në stacion policor’, u shpreh Ivo Kotevski – zëdhënës i MPB-së.