Ardhmëria e pasigurt e të rinjve
Mefail ISMAILI
Edhe pse është një e vërtetë shumë e hidhur, por është realitet, që shumica e të rinjve struganë nuk kanë para vetes asnjë të ardhme të sigurt, sepse ata kohën e tyre të lirë e nuk e kalojnë duke mësuar, duke u marrë me aktivitete sportive ose kulturore, por rrinë gjithë ditën dhe natën nëpër kafeteri në të cilat luajnë poker njëjtë si në “facebook”.
E gjithë kjo që ndodh me të rinjtë e Strugës, mund të thuhet që është një pakujdesi e prindërve të tyre, por nuk duhet të mos theksohet se kjo ndodh edhe për shkak të lënies anash nga autoritetet lokale dhe qeveritare të cilët, gjatë gjithë vitit nuk u mundësojnë asnjë aktivitet sportiv, kulturor madje as edhe kushte ku të organizohen ato aktivitete, ndërsa kur organizohen fushatat zgjedhore, pikërisht këta të rinj janë ata që shfrytëzohen nga funksionarët lokalë dhe qeveritarë, duke vrapuar pas nevojave të tyre të ndryshme.
Arta Poshka Qoku, psikologe në SHMK gjimnazi “Ibrahim Temo” në Strugë, për “Koha e Re” lidhur me këto problematikë të rinisë, ka deklaruar se mungojnë stimujt shoqërorë për të aktivizuar dhe për të rritur interesin e fëmijëve për organizimin e aktiviteteve sportive dhe artistike. “Për këtë organizim mungon infrastruktura, interesi i pushtetit lokal, iniciativa e prindërve, interesi i Ministrisë së Kulturës e tjerë. Pas gjithë këtyre mungesave, të pakta janë mundësitë që të rinjtë e fëmijët të marrin iniciativë për të ndërmarrë aktivitete që do jenë tërheqëse për ta”, ka deklaruar psikologja Qoku.
Ajo ka shtuar se interneti është mënyra më e lehtë, më e lirë gjithashtu edhe më e kapshme për të përmbushur interesat dhe kohën e të rinjve. Por kjo normalisht mban edhe rreziqet pas vetes.
“Një fëmijë duke ndenjur para kompjuterit, pas një kohe humb edhe aftësitë për socializim, për vetiniciativë. Dhe, kështu fitojmë një rini ose fëmijë që janë pasivë dhe jo selektivë para asaj që ofron interneti, dhe me kalimin e kohës ballafaqohemi me probleme të tilla, si loja e pokerit nga fëmijë të mitur”, ka nënvizuar Qoku. Psikologja Arta Poshka Qoku gjithashtu ka shtuar se ky është një problem global që përballet rinia, fëmijëria e bashkë edhe prindërit me ta. Shkak për këtë mund të jetë edhe kriza globale.
“Kjo domethënë kriza që detyron prindërit të ballafaqohen me luftën për ekzistencë me çka neglizhohet kujdesi për zhvillimin adekuat të edukimit të fëmijës. Shkak tjetër e posaçërisht për pokerin një lojë bixhozi që një kohë ka qenë privilegj i aristokratëve, është interneti që mundëson që kjo të jetë e kapshme për çdo njeri, aq më tepër për fëmijët që e kanë dyfish të ndaluar, si fëmijë e si aristokratë”, ka shtuar Qoku.
Qoku ka shtuar se ky është edhe një shkak që të gjitha institucionet e lartpërmendura të vetëdijesohen për të vepruar në një kohë kur problemi nuk ka marrë përmasa më të mëdha dhe e gjithë shoqëria të vijë në një gjendje pa kthim.