Lajmi i hapjes së Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit dhe mobilizimi i përgjithshëm në mbrojte të tij, la pothuajse në heshtje të plotë faktin se në Maqedoni me 4 shkurt të këtij viti  u dënuan me burg të përjetshëm Harun Aliu, Ismail Etemi dhe Bashkim Bajrami.

Dënimi i tre pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në mesin e të cilëve edhe Kryetari i Alternativës Kombëtare, z. Harun Aliu dhe apatia shqiptare në mobilizimin për mbrojtjen e tyre dëshmon për realitetin tragjik të ndërgjegjësimit tonë kombëtar.

Edhe pse nënshkruese e peticionit kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit, Bashkimi Demokratik Shqiptar, gjithashtu mendon që:

–          këto iniciativa nuk duhet të lënë në harresë se në Maqedoni disa ditë më parë u dënua me burg të përjetshëm lideri i Alternativës Kombëtare;

–          këto iniciativa nuk duhet të lënë në haresë konfirmimin e dënimit nga Gjykata Supreme, me 190 vjet burg për të dënuarit në procesin e montuar për “Rastin e Brodecit”;

–          këto iniciativa nuk duhet të lënë në harresë se në Maqedoni burgjet janë të stërmbushura si asnjëherë më parë me shqiptarë të dënuar në proceset e montuara gjyqësore;

Alternativa Kombëtare ka qenë forcë politike konkurrente e Bashkimit Demokratik Shqiptar. Por konkurrenca politike nuk mund të na verbojë dhe të mos shohim se lideri i kësaj force politike, njëherit një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, është viktimë e politikës së montimit të proceseve gjyqësore si shumë bashkëluftëtarë të tij të ish UÇK-së.

I rikujtojmë opinionit publik shqiptar se në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare, qofshin politike, qofshin të karakterit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dënohet dhuna që autoritetet e Shkupit përdorin gjatë hetuesisë për të detyruar të arrestuarit të pranojnë veprat që nuk i kanë kryer.

Bashkimi Demokratik Shqiptar apelon për krijimin e një këshilli kundër proceseve të montuara gjyqësore mbi bazat e urrejtjes etnike dhe fetare në Maqedoni.

Nuk duhet të presim që pas viteve të shumta të torturave, të maltretimeve dhe vuajtjeve nëpër burgjet maqedonase një komision parlamentar të konstatojë pafajësinë e shqiptarëve, siç ndodhi me të dënuarit e procesit të montuar për “Rastin e Sopotit”.

Është moment i fundit që të mobilizohemi si shqiptar për lirimin e menjëhershëm të njerëzve që padrejtësisht mbahen nëpër burgjet maqedonase;

Vetëm të mobilizuar në përputhje me nevojën e kohës mund të kërkojmë mbështetje nga demokracitë perëndimore që të ushtrojnë presion dhe t’ua bëjnë të qartë autoriteteve të Shkupit se pa lirimin e të gjithë të pafajshmëve, pa dëmshpërblimin e njerëzve që vuajnë padrejtësisht nëpër burgje dhe pa ndërprerjen e montimit të proceseve gjyqësore, rruga e Maqedonisë drejtë institucioneve demokratike euro-atlantike është e mbyllur!

Bashkimi Demokratik Shqiptar
28 shkurt 2010