Analistët: Maqedonia nuk rrezikohet nga trazirat
Maqedonia nuk rrezikon të përfshihet nga vala e protestave që prej pesë ditësh ka futur në kaos Bosnjën. Analisti, Albert Musliu vlerëson se pavarësisht pakënaqësive, shoqëria në Maqedoni është shumë e stigmatizuar për të ngritur zërin kundër padrejtësive. Ndërkaq për Vlladimir Misev, politikat sociale të qeverisë arrijnë që të mbajnë nën kontroll, revoltën e qytetarëve.
“Nuk besoj se në një të ardhme të afërt në Maqedoni të ndodh kjo, jo për shkak të papjekurisë së qytetarëve, por për shkak të një lufte dhe stigmatizimi që iu është bërë edhe grupeve qytetarëve, edhe grupeve intelektuale, mjekëve, akademikëve..që te ata shkakton hezitim që të reagojnë ndaj padrejtësive sociale, juridike..por nëse varfërimi vazhdon si paraqitje të thellohet mund të presim në Maqedoni edhe ajo të ndodh, sepse qytetarët kur nuk kanë zgjidhje tjetër, i drejtohen rrugës”, u shpreh Albert Musliu, analist.
Misev thotë se pushteti megjithë një sërë shkeljesh ka reaguar në kohë me joshjen e popullatës përpara se ajo të hidhet në protestë duke ju ofruar rritje të vogla pensionesh dhe ndihmash sociale.
“Maqedonia si shtet dhe ne si qytetarë jemi larg të kultivuarit të ndjenjës së protestës, prandaj nuk konsideroj se ka hapësirë për shqetësim më serioz për një gjë të tillë. Por edhe politikat e qeverisë, jo vetëm të VMRO DPMNE-së por edhe atyre më herët, përmes ndihmave sociale, pensioneve, subvencioneve për bujqit, mendoj se deri diku blihet paqja sociale me qëllim që të shmangen protestat e tilla si në Bosnje”, deklaroi Vlladimir Misev, analist.
Prej kohësh ndjenja e protestës në Maqedoni është zbehur ndërkohë që qytetarët më shumë mund të nxiten politikisht ose etnikisht për protesta por jo kur bëhet fjalë për shkelje të vazhdueshme të të drejtave dhe statusit social të tyre. Madje sipas një ankete të Institutit për demokraci, 70% e qytetarëve asnjëherë nuk kanë marrë pjesë në ndonjë demonstratë. Semra Jakupi