image

E plotë, çdo fjalë e thënë në sallën e gjyqit nga i pandehuri, përplasjet me dëshmitarin Selmani. I pandehuri deklaron se është i fuqishëm, fjalë fyese dhe kërcënime për numrin dy të Policisë së Shtetit. Në vijim, Bare i drejtohet dëshmitarit: Gramoz, ti dhe Tur Daja, homoseksualë!
Gramoz Selmani përballet me Aldo Baren, për herë të parë pas vrasjes së vëllait të këtij të fundit nga Artur Daja. Tentativa të shumta vrasjeje, të cilave Selmani ka mundur t’u shpëtojë duke emigruar për shumë vite në Greqi. Por me dëshminë e tij, Selmani dje ka thyer mitin e ngritur rreth vetes të Aldo Bares, duke e akuzuar këtë të fundit se ai bashkë me vëllanë kanë ardhur për të vrarë Tur Dajën në lokal, madje kanë qëlluar të parët në tavolinën ku kanë qenë ulur. I pandehuri ka reaguar menjëherë, duke deklaruar se ai nuk ka qenë ditën kur ka ndodhur ngjarja dhe se e ka mësuar nga shoku i vëllait të tij, Enver Rabija. Por, dëshmitari ka reaguar duke i thënë se jo vetëm që kishte qenë, por kur iu plagos vëllai, ai ka ikur me vrap, duke mbajtur përpara për krahu edhe të plagosurin Rabija. Pikërisht në këtë moment të seancës, Aldo Bare, i njohur ndryshe edhe si Alfred Shkurti, e ka humbur qetësinë apo ironinë e shfaqur gjatë seancave të mëparshme, duke kaluar në kërcënime serioze për jetë njerëzish. Gjatë debatit me dëshmitarin Gramoz Selmani, i cili ka rrëfyer me detaje zanafillën e konfliktit mes Aldo Bares dhe shokut të tij të ngushtë, Artur Daja, i pandehuri kërcënoi Agron Kuliçin dhe familjen e tij, duke akuzuar se e ka mësuar dëshmitarin për të dhënë këtë version të ngjarjes. “Jam i fuqishëm, do vijë dita…(kërcënon the fyen Agron Kuliçin)”, – deklaroi në sallën e gjyqit Bare, duke vijuar me fjalë fyese dhe kërcënuese ndaj Kuliçit dhe familjes së tij. Dëshmitari, edhe pas sulmeve personale dhe kërcënimeve të të pandehurit, ka vijuar dëshminë e tij pa ndryshuar asnjë fjalë nga ato që kishte deklaruar një seancë më parë.  

Dëshmia e Gramoz Selmanit, përplasjet me Aldo Baren

Në dëshminë e tij, e cila herë pas here është shoqëruar me reagime nga ana e të pandehurit Aldo Bare, dëshmitari Selmani ka shpjeguar fillimisht se si u vra Genci Kashari, ku në momentin e ngjarjes ai ndodhej me viktimën dhe me Artur Dajën. Më pas, dëshmitari ka treguar edhe për vrasjen e Nimet Zenelit. I pyetur nga prokurori se ku ka banuar përgjatë vitit 1997, Selmani i është përgjigjur se ka banuar në Lushnje, ndërsa para trazirave ka qenë në Greqi. Më pas, ai ka dhënë shpjegime mbi njohjen me Genci Kasharin, për të cilin deklaroi se e njihte dhe se “është vrarë në një tavolinë ku isha ulur dhe unë. Në lokalin e Xhevat Dajës, në një tavolinë ishin ulur Artur Daja, Lorenc Daja dhe Genci Kashari. Po hanin drekë. Duke kaluar më thirri Turi: “Mozi, hajde pi një birrë”. U ula. Pak momente më vonë, pashë që po vinte një makinë e zezë, tip “Audi” dhe menjëherë qëlloi me breshëri në drejtimin tonë. U futa poshtë tavolinës. Genci më ra në shpatull i vrarë. “Audi” teksa po largohej u përplas me një “Saurel”. Turi doli duke gjuajtur me automatik. Unë pashë dy veta që po iknin me vrap. Ishte Fred Shkurti dhe një person tjetër. Fredi atë personin e mbante për krahu dhe qëllonte në drejtimin tonë me automatik. Turi vajti tek makina, hyri brenda dhe i mori një pistoletë nga dora të plagosurit, duke e qëlluar atë dhe shoferin. I qëlloi në kokë. E pyeti Turin kush ishte, më tha: “Ishte Ramadan Shkurti”. Pas këtij episodi, dëshmitari Selmani ka folur mbi njohjet me viktimën Nimet Zeneli dhe vrasjen e tij. “Po, Nimetin e njoh si lushnjar. E vranë për mua. Ka qenë dimër. Ngjarja ndodhi në Kolonjë të Lushnjes. Unë, së bashku me Masarin, mik i imi dhe Nimetin vajtëm në Bubullimë, që të merrnim gështenja. Ishim me një “Fuoristradë” të bardhë. Po ktheheshim, kur në kthesë të Bubullimës pashë dy veta, Arben Boriçin dhe Ilir Stërgun. Ishin në dyqan dhe dolën në rrugë. Ishin të pajisur me armë. Gjuajtën tek e tek. I thashë shoferit shpejt se do na vrasin. Masari u hutua dhe makina ra në kanal. Masari dhe Nimet Zeneli ikën me vrap fushës. Unë hyra poshtë makinës. Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu po i ndiqnin me vrap. Unë u largova. Kur, pashë që mbrapa dyqanit ishte Fred Shkurti dhe Enver Dondollaku. Gjuajtën me breshëri, por unë hyra në një shtëpi aty pranë. Dolën banorët dhe më pyetën ç’kisha. U thashë që donin të më vrisnin. Nimeti ra në kanal, ku dhe është vrarë. Masarin e takova në shtëpi. Më tha: “Ik se do të vrasin”. Ata donin të më vrisnin, sepse isha mik me Tur Dajën. Më dogjën shtëpinë, më vranë vëllanë, m’i dogjën të tëra. Vëllanë e madh ma morën peng”, – dëshmoi Selmani, duke shtuar për veprimet e kryera pas këtyre ngjarjeve. “Do largohesha për në Greqi. Masari vajti te vjehrri im në Bitah, për të më marrë disa ndërresa. I bënë pritë. E vranë. Pyeta mikun e tij Thimi, që ishte me të, kush e vrau? Më tha se nuk e dinte, pasi ishin një grup prej gjashtë personash. Më pas shkova në shtëpinë e Masarit dhe takova vëllanë, të cilëve u thashë se Masarin e kanë vrarë”.

Replikat mes Aldo Bares dhe Gramoz Selmanit

Aldo Bare: Sot ke pasur shansin që të tregohesh i pastër, dhe po ta kishe bërë këtë unë do të të falja, për Zotin që do të të falja për atë që bëre. Kur më ke njohur për herë të parë, kur më ke parë për herë të parë?

Gramoz Selmani: Për herë të parë të kam parë në Lushnje dhe të kam parë para viteve ‘90. Të kam njohur si lushnjar, si djalë shumë të mirë.

Aldo Bare: Ditën që erdhi makina, “Audi” i zi dhe ti ishe ulur te kafja me Tur Dajën dhe ata të tjerët, ke parë gjë disa persona të armatosur tek lokali?

Gramoz Selmani: Jo s’ka pasur asnjë person të armatosur te lokali kur po vinte makina. Makina po vinte shumë avash me rreth 20 kilometra në orë, dhe kur u afrua aty filloi të gjuante me xhama mbyllur. Dhe unë u ula poshtë dhe Artur Daja gjuajti nga mbrapa makinës. Mbrapa makinës ishte i ulur Ramadan Shkurti me Enver Rabian. Ndërsa para ishe ti Bare me shoferin.

Aldo Bare: Ne paskemi filluar të gjuajmë me xhama mbyllur, ndërsa ti je ulur poshtë tavolinës dhe na i paske parë të gjitha këto ngjarje nga poshtë tavolinës. Dhe më pas, më paske parë dhe mua të zbrisja nga makina, të lija vëllanë tim të plagosur dhe të ikja me një tjetër.

Gramoz Selmani: Po, kjo është e vërtetë, pastaj ty të panë të gjithë, edhe vetë Lorenc Daja.  

Aldo Bare: E habitshme që poshtë tavolinës i ke parë të gjitha këto, po pastaj ku shkove ti?

Gramoz Selmani: Pastaj ika tek Sulovari dhe i thashë për ngjarjen, dhe ai më tha që të mos përfshihesha dhe të largohesha, pasi Tur Daja nuk ishte shoku im dhe kishte vrarë nja katër veta. Kaq më ka thënë.

Aldo Bare: Nuk është e vërtetë, pasi ti ke vajtur te Sulovari dhe i ke thënë që ke qëlluar drejt makinës “Audi” të zi që po vinte dhe kur pe që ishte vëllai im brenda, i ke thënë Tur Dajës që mos të gjuante, por ai vazhdoi dhe vrau vëllanë tim. Madje Sulovari të ka thënë që shko kërkoi falje Aldos, se ai është burrë dhe do të të falë. Pastaj ti ishe ulur në kafe, ç’ne që po shikoje nga makina që po vinte në rrugë dhe që ishte e zezë. Është absurde. Kur një person është ulur në kafe, s’ka punë të shikojë se çfarë makinash kalojnë në rrugë.

Gramoz Selmani: Nuk është e vërtetë që i kam thënë këto gjëra Sulovarit.

Aldo Bare: Domethënë vajti gjithë kjo makinë me mua budallain brenda për të vrarë Tur Dajën, dhe aq më shumë që ne paskemi gjuajtur me xhama të mbyllur. Dhe të gjithë ju na qenkeni ulur poshtë tavolinës, ndërsa Tur Daja si trim i ka dalë para plumbave? Turi s’kishte frikë, por ti e di që ai është homoseksual. Ke qenë ndonjëherë në burg?

Gramoz Selmani: Kam qenë në burg 14 vjeç për vjedhje.

Aldo Bare: Nuk ke qenë vetëm për vjedhje, ti je futur në burg edhe për vrasje. Po ditën kur u vra Nimet Zeneli, ku isha unë, ku më ke parë?

Gramoz Selmani: Pasi na doli para makinës Arben Boriçi me Ilir Stërgun, kur zbrita u futa poshtë makinës. Më pas, dola nga makina dhe dole ti para meje, por unë ika, kalova rrugën dhe iu ngjita kodrës dhe u futa në një shtëpi ku pashë ngjarjen. Ti ishe te një lokal ulur dhe po gjuaje, ndërsa pashë Boriçin dhe Stërgun që po gjuanin tek për tek dhe po ndiqnin Masarin dhe Nimet Zenelin. Ata ishin rreth 400 metra larg.

Aldo Bare: Po ti ishte poshtë makinës, të paskan zënë makinat. Pastaj ti më paske parë mua 100 metër larg dhe më paske kaluar para hundës dhe nuk je trembur nga të shtënat. Edhe unë të isha kur të më gjuante dikush, do ikja dhe s’do shikoja se kush ishte mbrapa. Pastaj paske parë nga aq larg, rreth 400 metër larg Boriçin dhe Stërgun që po ndiqnin shokët e tu, dhe unë në lokal po gjuaja 100 metër larg! Dhe unë s’paskam pasur fuqi.

Gramoz Selmani: Po të pashë edhe ty.

Aldo Bare: Jam akoma i fuqishëm…(kërcënon the fyen Agron Kuliçin)t. Thuaj edhe një herë që më ke parë mua tek Tur Daja dhe tek vrasja e Nimet Zenelit?

Gramoz Selmani: Po, të kam parë.

Deklarata e Aldo Bares: Në momentin që ka ndodhur kjo përplasja me makinën, nuk ka asnjë në atë lagje që të dëshmoj ashtu si Selmani. Makina është goditur e para nga 4 “Kallash”-ë dhe kanë hedhur edhe bomba. Makina ka qenë në ecje dhe është goditur dhe më pas është luajtur me dy personat e plagosur që ishin ende gjallë. U vra në fillim shoferi dhe u plagos vëllai im bashkë me një tjetër. Enver Rabia ishte brenda në makinë dhe ma tha gjithë këtë ngjarje, unë nuk isha atë ditë aty dhe nuk ka nga të më ketë parë Selmani. Unë nuk isha brenda në makinë dhe më thanë të tjerët. Arsyeja pse u godit makina ku ishte vëllai im, ishte pasi një ditë para ishte goditur me snajper Tur Daja. Dhe Alfred Haxhia e dinte këtë gjë dhe këta të zgjuarit, Gramoz Selmani dhe Tur Daja mendonin se kjo makinë që po kalonte kishte brenda persona të Komitetit të Shpëtimit. Se unë do të çoja një makinë për të vrarë Tur Dajën, kur unë mund ta vrisja dhe do ta vrisja me duart e mia. Një shok e shpëtoi Enver Rabian dhe unë arrita ta gjeja dhe ai më tregoi se Gramoz Selmani dhe Tur Daja kanë qëlluar makinën ku ishte im vëlla dhe e kanë vrarë.

Avokati Meçi: Pyetja e vëllezërve të Tur Dajës, jashtë territorit shqiptar

Në fillim të seancës, e cila nisi me 50 minuta vonesë, avokati i Aldo Bares ka paraqitur një kërkesë para gjykatës, duke konsideruar si të pavlefshme deklarimet e dhëna para hetuesve në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Athinë nga tre vëllezërit e Tur Dajës, Lorenci, Afrim dhe Stiliani. Në bazë të ligjit, bazuar në “Të drejtën ndërkombëtare”, sipas avokatit, ambientet e ambasadës nuk njihen si territor shqiptar në procedime penale. Tre vëllezërit Lorenc, Afrim e Stilian Daja janë marrë në pyetje për këto ngjarje në ambientet e ambasadës tonë në Athinë.

Marre nga gazeta”Standart”