ALARMANTE: PO ZBRAZET KOSOVA LINDORE ?!
Shqiptarët në Kosovën Lindore, përveç dhunës, diskriminimit dhe shtypjes në forma te ndryshme nga pushtuesi serb, ata po përballen edhe me varfërinë dhe papunësinë.
Pushtuesi serb me qëllim i ka lënë te pazhvilluara ekonomikisht këto vise shqiptare. Kjo është edhe një formë presioni për t’i zbrazur këto troje që historikisht kanë qenë shqiptare.
Përkundër kësaj gjendjeje, popullata shqiptare e kësaj ane është e harruar si nga institucionet e Kosovës, po ashtu edhe nga ato të Shqipërisë. Ato jo vetëm se nuk kanë bërë asgjë për t’ju ndihmuar shqiptarëve atje, por për më keq, këto treva i cilësojnë si pjesë të Serbisë. Kjo ka ndikuar që shqiptarët atje të jenë të harruar, pa kurrfarë mbështetje, si rrjedhojë, të nëpërkëmbur dhe të diskriminuar nga ana e Serbisë, e cila shpeshherë iu ka mohuar edhe të drejtat elementare të njeriut.
Me liberalizimin e vizave për Serbinë gjendja e tyre është duke u përkeqësuar edhe më shumë. Të rinjtë shqiptarë të kësaj ane po e braktisin vendin e vet dhe po emigrojnë në vendet perëndimore, çoftë për të mos u përballur me padrejtësitë e përditshme, çoftë për të kërkuar punë dhe për t’i shpëtuar familjet e tyre nga varfëria e skajshme.
Lëvizja për Integrim dhe Bashkim është e shqetësuar me këto fakte rrëqethëse. Kërkojmë urgjentisht të ndërmerren hapa konkret sepse sa më shumë që të zgjasë kjo gjendje tepër shqetësuese në Kosovën Lindore, aq më shumë do të kemi zbrazje të këtyre territoreve nga shqiptarët.
Koha nuk pret, shqiptarët po ikin nga vatrat e veta shekullore. Ne duhet ta ndalim këtë zbrazje, ne mund ta ndalim eksodin e shqiptarëve atje, sa nuk është bërë vonë.
Zgjidhja e vetme dhe e drejtë është: këto treva t’i bashkohen Kosovës. Prandaj, në përmbushje të këtij qëllimi kërkohet aksion i fuqishëm politik, reagim i vendosur mbarëkombëtar dhe unitet veprues të politikës shqiptare.