Zejnulla VESELI
Shkup, 24 qershor – Ministria e Financave ka miratuar ato projekte shqiptare të cilët edhe janë kërkuar nga ministrat e Bashkimit Demokratik për Integrim. Para se të përpilohet propozim-rebalanci, ministri Stavrevski ka realizuar takime me të gjithë ministrat, përfshirë këtu edhe ata të BDI-së, të cilët kanë kërkuar miratimin e projekteve që tashmë janë paraparë në rebalanc. Kështu ka thënë për gazetën KOHA zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Ivana Bilbilovska, duke demantuar se Ministria e Financave qëllimisht ka lënë anash vendbanimet shqiptare.
Ajo ka fajësuar ministrat shqiptar të qeverisë, sipas të cilës, kanë mundur të dorëzojnë projektet prioritare derisa rebalanci është diskutuar me ministrin Zoran Stavrevski, pasi siç është shprehur Bilbilovska, edhe në mbledhjen e qeverisë, rebalanci është votuar edhe nga ministrat shqiptarë. “Në takim me ministrin Stavrevski, i cili është takuar me të gjithë ministrat, projektet që kanë qenë primare, janë miratuar. E pse nuk janë projektet që ju i përmendi, pyesni ata. Ata duhet të dinë saktë sa para kanë kërkuar nga buxheti për realizmin e projekteve kapitale në vendbanimet shqiptare”, ka thënë Bilbilovska. Zëdhënësja e Financave ka thënë po ashtu se kërkesa e analistëve shqiptarë që ekspertë të profileve të ndryshme të kyçen në përpilimin e buxhetit, është e papranueshme për Ministrinë dhe qeverinë. “Përpilimi i buxhetit bëhet në koordinim me të gjithë ministrat e qeverisë. Po ashtu, para përgatitjes së Buxhetit, ministri i Financave realizon takime pune me të gjithë ministrat përfshirë këtu edhe ministrat e BDI-së, sepse ata më së miri i dinë prioritetet e dikastereve që drejtojnë. Më pas, rishikimi i buxhetit shqyrtohet dhe miratohet në Qeveri në prezencën e gjithë ministrave. Prandaj, nëse në buxhet nuk parashihen mjete plotësuese për projekte shqiptare, atëherë faji qëndron tek ministrat që nuk kanë dorëzuar listë se cilat projekte shqiptare duhet të përfshihen me rishikimin e buxhetit”, thotë Bilbilovska. Ndryshe, në rishikimin e buxhetit 2010 janë paraparë rreth 3 miliard denarë për Agjencinë për ndërtimin e rrugëve shtetërore, gjegjësisht 1 miliard denarë më pak se sa me buxhetin e viti 2010. Prioritet, Agjencia u ka dhënë ndërtimit të rrugës Radovish-Strumicë, Kuklish-Bansko, ski qendrës Kozhuv, qarkores së Ohrit, rrugës anësore për Manstir, korsi e tretë për në Pletvar…, ndërsa Rruga e Arbërit dhe Autostrada deri në vendkalimin kufitar të Bllacës nuk është parë edhe në këtë rebalanc. Gjithashtu, shkurtime të mjeteve janë vërejtur edhe për ndërtimin e ujësjellësit në Komunën e Tetovës dhe Likovës. Shkurtime janë bërë edhe në buxhetin e Ministrisë së Pushtetit Lokal, Ministrisë së Ekonomisë dhe dikastereve tjera.

Buxheti shkurtohet vetëm për shqiptarët

Partia Demokratike Shqiptare ka akuzuar të enjten qeverinë se rebalanci i buxhetit, i cili është në procedurë parlamentare, ka goditur vetëm institucionet shqiptare. Me këtë rast, anëtari i Kryesisë Qendrore të PDSH-së, Imer Aliu ka thënë para gazetarëve se buxheti skajshmërish i është shkurtuar vetëm shqiptarëve, ndërsa i janë rritur mjetet Ministrisë së Punëve të Brendshme për 12 milionë euro. “Shkurtohen mjetet edhe për integrimet euroatlantike, me çka edhe një herë bëri me dije se integrimi i vendit në BE dhe NATO nuk paraqet prioritet për këtë qeveri. Shkurtohet mjetet edhe për përfaqësim të drejtë të shqiptarëve. Ju merren mjetet teatrove shqiptare, shkurtohen mjetet për shkollat dhe spitalet në hapësirat shqiptare, nuk ka mjete për projekte në infrastrukturë në hapësirat shqiptare…”, tha Aliu, sipas të cilit, me këtë buxhet të shkurtuar u jepet goditja përfundimtare institucioneve në hapësirat shqiptare. “BDI në cilësinë e vasalit të Gruevskit, përsëri hesht e në anën tjetër si sehirxhi marrin pjesë në tubimet e VMRO-DPME-së, ku lartësohen projektet njënacionale të maqedonasve, enden e sorollaten me Gruevskin për të prerë shiritat, kurse pozita e shqiptarëve dita ditës rëndohet duke marrë trajtën e kolonializimit të skajshëm”, deklaroi Aliu. Ai tha se PDSH-ja, në marrëveshjen e saj politike, në një nga shtyllat e saj parasheh ndarje proporcionale të buxhetit që do të thotë, marrje e hises në buxhet si dhe mekanizma për realizimin e saj nëpërmjet demokracisë konsesuale. (U.H.)