Akuza për keqpërdorime fondesh të grumbulluara nga besimtarët islam kanë shpërthyer në xhaminë Isa Beu, e cila udhëhiqet nga imami i shkarkuar Ramadan Ramadani.

 Kjo bëhet e ditur për agjencinë e lajmeve INA nga besimtarë dhe pjesëtarë të xhematit të kësaj xhamie, të cilët rastin e kanë denoncuar edhe pranë Myftinisë së BFI-së në Shkup, duke nxjerrë në sipërfaqe një fond parash të keqpërdorur prej mijëra eurosh.

 “Janë grumbulluar para për xhaminë pikërisht për muajin e Ramazanit dhe për këtë është njoftuar edhe Myftinia, e cila ka njohuri për këtë keqpërdorim, por kërkojmë që të mos heshten gjërat dhe të dalin në shesh”, ka kërkuar një besimtarë për agjencinë e lajmeve INA, i cili frekuenton xhaminë Isa Beu, por së fundi atij i është ndaluar prania në këtë xhami dhe kryerja e obligimeve fetare.

Në xhaminë Isa Beu vazhdon të ushtrojë detyrën imami i shkarkuar Ramadan Ramadani, i cili vazhdon të mos i bindet urdhrave të institucionit më të lartë fetar Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni (BFIM).

Drejtuesit e BFIM-së i ka apeluar Ramadanit që të largohet nga detyra dhe të mos keqpërdor xhaminë Isa Beu për siç u theksua qëllime vehabiste dhe politike.

Përkundër thirrjeve, imami Ramadani ka vazhduar të injorojë vendimet dhe thirrjet e BFIM-së, duke e konsideruar se ka mbështetjen e xhematit. Këto probleme shkaktuar edhe një incident të dhunshëm në xhami në prag të fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit. (INA)