Ai që i thotë jo vetvetes nuk mund t`i thotë po Zotit.
Aurel Dasareti, , Arizona
Jemi një komb, të një gjaku, të një fisi e të një fare, kurse dallimet fetare duhet trajtuar vetëm si çështje besimi. Mbi çdo gjë patjetër kombësia të fitojë dhe, duke u nisur nga ky qëllim “gjithsekush çdo besim ta respektojë”. Kjo për arsye se të gjithë fetë kanë një themel të përbashkët ashtu që, për ata që besojnë “zoti është një”.
Ti nuk duhet të kërkosh një doktrinë të përkryer por një përkryerje të vetvetes. Hyjnorja është brenda teje, jo në koncepte apo libra.
Dija e popujve është një dhe e njëjtë, s`mund të ketë dy a më tepër, ekziston vetëm një. E vetmja gjë që kundërshtoj tek fetë dhe Kishat është mungesa e tolerancës. Asnjë i krishterë apo mysliman s`do të pranojë me vetëdije që besimi i tij i sigurt, i vlefshëm, i shenjtë nuk është i privilegjuar por motër e të gjithë besimeve nëpërmjet të cilave shfaqet e vërteta.
Nuk duhet lejuar simbolet fetare në shkolla e universitete. Trojet shqiptare e kanë definuar qartë ndarjen e kishës nga shteti dhe të shkollës nga feja. Feja mbetet vetëm çështje private e individit. Armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm akoma orvaten t`i keqpërdorin institucionet fetare si mjete për të sjellë përçarjen dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve.
Duhet kundërshtuar me kohë orvatjen e klikave të huaja për t`i përçarë shqiptarët sipas feve, duke ngritur besimet fetare “në parim kombësie” dhe duke u përpjekur t`i presin hovin zgjimit të ndjenjave tona kombëtare. Bëjë thirrje për bashkim kombëtar mbi fetë, si dhe mbi krahinat dhe partitë. Bëjë thirrje për bashkim vëllazëror kundër pushtuesve dhe lakmive shoviniste, sa edhe kundër atyre forcave reaksionare të brendshme, forca antikombëtare, që pengojnë bashkimin e popullit duke bërë përçarje fetare, kundër atyre që keqpërdorin fenë duke u lidhur me të huajt dashakeqës.
Le të përkujtojmë lavdinë e së kaluarës shqiptare ashtu edhe për begatinë e kohëve të perënduara, të vihet kombësia mbi dallimet partiake, krahinore e fetare, të përshkruhet gjendja e mjerueshme e asaj pjese të kombit tonë nën okupim dhe të dalin qartë rreziqet që i kanosen Shqipërisë etnike, të cilën populli i saj do ta mbroj me çdo kusht, të tregohen mundësitë e plota të një të ardhmeje të lumtur në një atdhe të ribashkuar të lirë e të përparuar.
Nuk mund të ekzistojë një jetë fisnike dhe e lartësuar pa njohur djajtë e demonët si dhe pa luftuar paprerë kundër tyre.
Duhet propaganduar fuqishëm popullin shqiptar që opinioni botëror të njihet me prejardhjen e tij të lashtë dhe fazat nëpër të cilat ai është detyruar të kalojë gjatë rrjedhës së shekujve, për të arritur deri në ditët tona.
E duam vendin tonë, por i duam edhe po aq miqtë tanë të sinqertë që përkujdesen për drejtësinë dhe të vërtetën.
Nuk duam që populli shqiptar të asimilohet, të bjerrë tipin e vet karakteristik, doket e veta, kulturën, gojëdhënat e veta, folklorin e vet muzikor dhe gjuhën e vet.
Bëjë thirrje që “kalemxhinjtë” të zotërojnë plotësisht lëndën para se të shkruajnë në mediumet e huaja. Dhe, jam i bindur për forcën e të dhënave dhe argumenteve, për triumfin e drejtësisë e të çështjes kombëtare që unë dhe atdhetarët tjerë të mirëfilltë mbrojmë. Duke iu drejtuar lexuesve të huaj, krahas qartësisë së qëllimit, në letrat tona të ndihet edhe një nëntekst i fuqishëm polemik kundër keqdashësve. Le të shprehet temperamenti i shkruesit, zemra e zjarrtë e patriotit, horizonti i tij i gjerë kulturor dhe diplomacia superiore./
/A.D. në www.lajmet.com