Ahmeti: Largimi i BDI-së nga qeveria i dëmshëm për Maqedoninë
Shkup, 17 prill – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka mohuar të shtunën mundësinë për largimin nga Qeveria, nëse edhe deri në qershor nuk zgjidhet problemi i emrit me Greqinë. Ndërkohë ka shtuar se pavarësisht mos pajtimeve për disa çështje me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE, raportet mes tyre funksionojnë siç duhet.
“Largimi nga Qeveria i BDI-së nuk mendoj që do të ishte zgjidhja më e mirë për Maqedoninë. BDI kontribuon, punon që të arrihet një zgjidhje e përbashkët për të dy palët. Të gjithë e dimë se kontesti i emrit dhe mos zgjidhja e tij është pengesa kryesore e mos anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe fillimin e negociatave për BE-në. Ne duam që të jemi pjesë e dobishme, të kontribuojmë dhe sa më parë ky problem të zgjidhet. Nuk ka largim nga përcaktimet tona për bashkëqeverisje. Sigurisht që dallime për çështje të caktuara mund të ketë, kurse parimet kryesore për koalicion sigurisht që respektohen nga të dy palët”, ka thënë kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Lidhur me reagimet e shumta të Brukselit rreth ligjit për anti -diskriminim Ahmeti vlerëson se duhet të punohet me opinion publik, me qëllim të shmangies së keqkuptimeve eventuale, pasi sipas tij qëndrimet janë mjaft konservatore për këtë çështje. Madje, kreu i BDI-së Ali Ahmeti edhe njëherë ka theksuar se partia e tij do të kërkojë aplikimin e Bandenterit në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, ky ndryshim është i domosdoshëm për rritjen e besimit të shqiptarëve te ky institucion dhe që mos të përsëritet fati i njëjtë që pësoi ligji për përdorimin e simboleve kombëtare.
“Gjithçka nuk parashihet në detaje në Marrëveshjen e Ohrit. Ndryshimet kushtetuese duhet të jenë në frymë të Marrëveshjes së Ohrit dhe kërkesat e BDI-së mendoj që janë shumë arsyeshme dhe shumë të logjikshme dhe forcojnë besueshmërinë te fryma që buron nga marrëveshja e Ohrit. Ne do ta arsyetojmë me argumente shkencore që ky ndryshim është i arsyeshëm dhe dobi prurës për Maqedoninë por edhe për forcimin e besueshmërisë te komuniteti shqiptar për Kushtetutën e Maqedonisë”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. Ndryshe, kryeministri Gruevski, një ditë më pare ka thënë se është i gatshëm për dialog, por nuk do të mbështesë diçka që nuk është e shëndoshë për sistemin gjyqësor dhe që del mbi Marrëveshjen e Ohrit.