Ahmadinejad dhe homologu turk Gul
Presidenti tha se marrëveshja me Turqinë dhe Brazilin nuk përsëritej

Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad, thotë se Irani nuk do të pranojë bisedimet për programin bërthamor, nëse Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendos sanksione të reja ndaj vendit të tij.

Ai paralajmëroi gjithashtu se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Brazili ishte një rast i vetëm dhe nuk do të përsëritej.

Zoti Ahmadinejad, i ndodhur në Ankara me rastin e një takimi për sigurinë, i bëri thirrje Rusisë të mos mbante anën e armiqve të Iranit.

Megjithëse Moska ka qënë shpesh e kujdesshme ndaj veprimeve të ashpra ndaj Iranit, e mbështet projekt-rezolutën e fundit të OKB-së.

Presidenti iranian paralajmëroi se SHBA-ja do të humbte nëse kaloheshin masat e reja dhe i bëri thirrje presidentit Obama ta rishikonte qëndrimin.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka rënë dakord për të vendosur sanksione të reja ndaj Iranit.

Këto masa shtrëngojnë kufizimet financiare dhe inspektimet e dërgesave në Iran dhe edhe zgjerojnë një embargo të armëve.

Diplomatët presin që sanksionet të votohen të mërkurën dhe ka pak dyshim që rezoluta do të miratohet.