Shkruajnë: Xhemil  ZEQIRI –Fadil SHYTI

  (Ky shkrim është vazhdim i shkrimit të  dat. 3 mars 2010)

-Mashtruesve politikë që po krekosen në Prishtinë, Tiranë Shkup e gjetiu, kinse, “pavarësia e Kosovës u bë fakt i kryer”-përditë e më shumë po u bien pendlat, ngazëllimi i tyre foshnjor përditë sa vjen e po zbehet; kur populli po e kupton qartë se, gjithçka ishte dhe mbeti mashtrim-vetëm brenda kornizave të një “autonomie të zgjeruar”-siç do të shprehej çetniku, Vuk Drazhkoviq; kur do të thoshte botërisht: “Nëse shqiptarëve ua japim pavarësi të plotë, përsëri do të ngritej në luftë Serbia;  -ndërsa, nëse nuk ua japim shqiptarëve një “autonomi të zgjeruar”- që, do të ishte afër statusit të republikës, përsëri, do të ngriteshin në luftë shqiptarët e Kosovës”.

-Prandaj, atëbotë u gjet një lloj “modus –vivendi” –një lloj baraspeshë midis  diplomacisë evro-ndërkombëtare dhe asaj serbe, që, statusi i Kosovës të “zgjidhej drejt” me Paketën “ e famshme” të  Ahtisarit.

Prandaj, jo më kot politikanët përparimtarë danezë janë shprehur hapur

( para artikullshkruesit Xh. Z), kur i kanë shprehur keqardhjen që:

 “I nderuar mik Zeqiri, na vjen keq që edhe kësaj radhe, edhe pas kësaj lufte, Kosova nuk do arrijë pavarësinë e saj që i takon”.

–Dhe, kanë shtuar më tej: “Por, dije, se, kjo ndodhi mbase, jo vetëm për fajin e diplomacisë ndërkombëtare, por edhe për faktin që, politikanët shqiptarë -me në krye Ibrahim Rugovën, nuk ishin aspak këmbëngulës, por lëshuan pe –përballë këtyre opsioneve politike”.

-Se, vërtetë nuk kemi pavarësi , ashtu si na takon është mohimi i paturpshëm i një Referendumi dhe e drejta për Vetëvendosje i kombit tonë, për ardhmërinë e tij! Nuk është aspak logjike as e drejtë që, një klikë reaksionare të vendosin siç është më së keqi; për fatin e një kombi, të vendosin që vendi të ricopëtohet me decentarilzim, të vendosin një klikë politikanësh të pacipë, që si tuxharët e pashpirtë të shesin pasurinë e atdheut me kushte tepër të pafavorshme, të vendosin që, ta nëpërkëmbin klasën punëtore duke e lënë rrugëve atë; pa punë e pa ardhmëri;  të vendosin që, legjislativi dhe ekzekutivi të bien tërësisht në vartësinë e të huajve!!!

-Prandaj, si pasojë e këtyre “kompromiseve”  të paturpshme, tani, krejt natyrshëm mbi supet e atdheut të shumëvuajtur po bien e do të bien më tej, mënyrra tepër të rënda! Prandaj, krizat ekonomike, politike, sociale, morale, kulturore, shkencore e të tjera, janë tepër të theksuara në Kosovën shqiptare dhe në vise të tjera ku i kanë shtrirë shigjetat vrastare kolonizatorët dhe okupatorët sllavo-xhelatë.

-Se, nuk kemi pavarësi që na takon a nuk flet fakti tepër i hidhur kur policia e Kosovës (SHPK-ja) është e detyruar t´i persekuton bijtë e bijat shqiptare të Lëvizjes Vetëvendosje, është e detyruar nga UNMIK-u dhe EULEX-i, që, padrejtësisht ta ndjekë udhëheqësin e rinisë e të popullit shqiptar, Albin Kurtin.

-Po, a nuk i bëri dikur po këto turpe e krime në kohërat e errëta të Titos e të pas-titoizmit, ish-policia e Kosovës, duke i ndjekur, vrarë e burgosur bijtë e bijat çlirimtarë/e, të Kosovës?!

-Po, a nuk është ky një “ves” i keq i mercenarizmit nën diktate të huaja dhe me bekimin e turpshëm të pushtetarëve të ethshëm për pushtet dhe të pajtuar me- pa shtetsi, të pajtuar me “autonomi të zgjeruar” sipas recetave drazhkoviqiste, sollanjane, çerdominiviqe dhe ahtiosaroviqe… !  

-Përderisa, padrejtësitë ekonomike, madje, brenda popullit të Kosovës –kur, një kombësi me 5% privilegjohet; si ajo e stimulimit të kolonëve serbë që tani po ri-kthehen në Kosovë; kur, qeveria e Kosovës atyre iu ndërton shtëpi dhe ua jep peshqesh nga 20.000 euro për të hapur biznese etj…

-Ndërsa, përditë po lexojmë dhe po dëgjojmë sesi shokët e komandantit legjendar, Adem Jashari po ngelin rrugëve të papunë e pa shtëpi, ndërsa ata që i pranuan turpet e dështimeve të fitoreve kombëtare; tani, krenohen dhe krekosen gjatë festave siç qe ajo e “flakës së janarit”.

-Kur jemi duke trajtuar çështjen e riatdhesimit: shtrojmë pyetjen; pse askush nga mërgimtarët shqiptarë që janë dëbuar me zjarr e hekur nga regjimet serbe; nga vatrat e veta nga Kosova Lindore dhe nga Kosova qendrore etj, nuk stimulohet as ndihmohet të riatdhesohet; a nuk është kjo një aparteid i llojit të vet. Pra, ata që sot gojën e kanë plot demokraci, nuk po hezitojnë që, për interesat e tyre personale, partiake e grupore të bëjnë një segregacion të tillë që vërtetë është i palejueshëm sipas konventave ndërkombëtare; që u përkasin lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të kombeve.

Serbia, si fajtore e kësaj tragjedie do të duhej të detyrohej nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm -ta bënte këtë!

Tani, kur po i shkruajmë këto radhë, ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta së shpejti do të vizitojë Beogradin; vallë a do të ketë kurajën që ta ngritë këtë çështje përballë “shenjtorëve” serbo demokratë të B. Tadiqit?!

-Gjithashtu, një segregacion i pashembullt për Ballkanin dhe Evropën sot; po bëhet edhe ndaj shqiptarëve që jetuan në trojet e veta në ish-Jugosllavi dhe në Greqi; të cilët për më tepër se një shekull u detyruan që nga dhuna serbo-malazeze dhe maqedonase t´i lënë vatrat e tyre stërgjyshore.

-Përse, nga qeveria “demokratike” Tiranës, e Prishtinës dhe politikanët shqiptarë të Shkupit dhe ata në Podgoricës nuk organizohen ministri për riatdhesimin shqiptarëve që nga Toplica, Tregu i Ri, (Novi Pazari), Mitrovica, Malësia e Madhe, Manastiri e deri në Çamëri?!

-Përse, bashkësia ndërkombëtare nuk e ngre zërin e arsyes edhe për padrejtësitë që iu kanë bërë kombit tonë për më tepër se një shekull.

-Përse, shtetet “demokratike” që sot po ndajnë miliona euro e dollarë për riatdhesimin  kolonëve të huaj në tokat shqiptare; nuk e ndajnë asnjë qindarkë leku, për shqiptarët?!

-Në qoftë se bashkësia ndërkombëtare kërkon me ngulm që të riatdhesohen kolonët serbo-malazezë e të tjerë; edhe për qeveritarët shqiptarë do të nderin e tyre dhe në përgjegjësinë e tyre morale dhe kombëtare-por, edhe historike që të interesoheshin me vendosmëri që këta qindra e madje – miliona refugjatë shqiptarë të riatdhesoheshin në trojet e veta…

-E, kjo natyrisht se nuk do të arrihet kurrë me përpjekjet dhe zhurmat politike foshnjore që:  “të hapen kufijtë ballkanik dhe evropianë,  “të fitohet e drejta e vizave edhe për shqiptarët”.

Nuk bëhet Shqipëria Etnike, duke u zbrazur popullsia e saj nga vatrat stërgjyshore.  

–Nuk evropianizohet Shqipëria sipas standardeve të vërteta demokratike  evropiane duke u bërë ricopëtimi dhe dezintegrimi i saj!  

-E, kjo fatkeqësisht po bëhet përditë para syve të botës.

Shqipëria Etnike, bëhet Shqipëri demokratike duke e forcuar identitetin e saj, ekonominë e saj, politikat e saj kombëtare, policinë dhe ushtrinë e saj – e jo duke e bërë të varur nga qarqe armiqësore dhe jo serioze të fqinjëve të saj –siç është Greqia e cila jo rrallëherë deklarohet hapur se ka pretendime territoriale për “Vorio-Epirin” siç e quan ajo Shqipërinë e jugut. Greqia, e cila etje për gllabërimin e një pjese detare; që nesër padyshim -do t´i spërkaste me gjak shqiptarësh atdhetarë, brigjet e Jonit.

                            Vijon

Danimarkë -Suedi, 11 Mars 2010