Shkruajnë: Xhemil  ZEQIRI –Fadil SHYTI (Ky shkrim është vazhdim i shkrimit të  dat. 23 shkurt 2010)  

Nga kjo politikë reaksionare e udhëheqjes shqiptare,  çështja shqiptare në rrezik!

Për t´i mbuluar disfatat e tyre politike, ekonomike, sociale, ushtarake, shkencore e të tjera elemente që e mbajnë në këmbë të veta e forcojë dhe e përparojnë një komb, këta zotërinj duke e lidhur qerren pas “aleatëve” “shpëtimtarë” i sollën dhe po i sjellin Shqipërisë Etnike vuajtje të papara e të padëgjuara deri në këto kohë mizerable, që e kanë mbërthyer kombin tonë.

-Është bërë sinonim i politikës ditore, jo ribashkimi kombëtar, por, bashkimi me Evropën!!!

 Askush me mend në kohë nuk është kundër këtij bashkimi “administrativ”, shtetesh me kufij të hapur, që së paku bile, në planet dhe strategjitë e tyre pretendojnë përparime e zhvillime të vendeve të këtij kontinenti; pa e harruar të theksojmë faktin se, jo gjithçka në oborret politike, ekonomike, sociale, ushtarake, shkencore e kulturore, të këtyre shteteve shkon si në vaj ulliri; kur dihet fakti që jo rrallëherë këto shtete konfrontohen apo thënë më “butë” kanë mospajtime rreth pikëpamjeve të ndryshme për të ecur më tej drejt një “amerikanizimi” apo bashkimi evropian. Pastaj, nuk duhet harrua fakti, që, jo të gjithë popujt e këtyre shteteve janë të pajtimit kjo të arrihet duke bërë kompromise, kinse “në emër  të demokracisë” të humben “diçka” nga pavarësitë e shteteve dhe të popujve. Njihet tashmë nga të gjithë ajo e famshmja Lëvizje Anti-Globaliste, e cila përbëhet jo vetëm nga elementë majtistë revolucionarë komunistë, -që objektivë parësore e k: thyerjen e rendit të korruptuar kapitalist dhe politikën reaksionare të imperializmit, pavarësisht në çfarë formash o kalibri paraqitet ajo në shtetet kolonialiste, fashiste qofshin të vogla apo të mëdha, -në rastin konkret fjala vjen: imperializmi sllav u vu pa rezerva në përkrahje të kolonizatorëve-okupatorë serbo-maqedon…

-Ngjarjet e vetëm para pak viteve, kur u zhvilluan luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, treguan se, popujt u solidarizuan kundër këtyre rrymave të egra fashiste dhe në emër të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, në emër të demokracisë, me një fjalë; në emër të lirisë – u përkrahën popujt që ranë pre e sulmeve imperialiste.

Jo, të gjitha meritat i përkasin këtij apo atij krahu politikë të faktorëve relevantë që sot i kthjellojnë apo i errësojnë qiejt e shteteve.

-Nëse duam të jemi realistë nga ky aspekt merita kanë pothuaj të gjithë njerëzit përparimtarë; -pa dallim ideje, (bindje politike), feje që i përkasin rajonit euro-atlantik.

-Fjala vjen, jo vetëm senatorët demokratë, në Amerikë ndikuan fuqishëm në përmbysjen më të shpejtë të regjimit fashist të S.Millosheviqit, por, merita të pakontestueshme kanë edhe republikanët; po kështu mund të bëjmë një paralele midis rrymave politike, në Ballkan dhe në Evropë.

-Pse të mos e themi hapur, që edhe Lëvizja Anti-Globaliste, e kishte rolin e vet historik, pavarësisht, që kjo Lëvizje ende nuk ka marrë fuqishëm, vendin e vet të merituar që padyshim i takon?!

-Duam të theksojmë me këtë rast që: Lëvizja Anti-Globaliste ka merita të theksuara për faktin që, nuk është e pajtimit për shumë pika, të kontestueshme që, ky bashkim evropian të bëhet pa menduar dhe analizuar saktë fitoret dhe humbjet e popujve të Evropës dhe të Ballkanit, të bëhet ky bashkim pa menduar gjatë, pra, një bashkim “ad hoc”, sipas parimit, për inate të sime vjehërr do të flë me mullinxhinë”!

Kjo Lëvizje kërkon me të drejtë që në emër të kësaj ideje (bashkimit evropian) të mos nëpërkëmben vlerat e  kombeve dhe të popujve të shteteve të varfra; në emër të kësaj ideje të mos shfrytëzohen pasuritë tokësore nëntokësore dhe detare të këtyre vendeve. Në emër të këtij bashkimi të mos dominojnë kolonizatorë e shtypës të mbrojtur nga fuqitë e mëdha dhe të bëjnë zhvillimin e tregtisë së lirë në disfavor të këtyre-të fundit.

Ne, jemi të ndërgjegjshëm për sfidat e brendshme dhe të jashtme që i kishte dhe i ka sot Shqipëria Etnike; por, për shkaqe të kësaj gjendje të rëndë që po kalon vendi pas tri luftërave, askush -sipas mendimit tonë -nuk e ka të drejtën që apriori,(nga lart); pa vullnetin e kombit shqiptar madje, duke shkelur dhe Kushtetutën e Shqipërisë së sotme administrative; të vendosë për gjithçka që i teket një politikani, partie apo koalicioni partish deri në parlamentet e “dy –tri” Shqipërive  në Ballkan; të vendosë në dëm të kombit tonë. Raste të tilla kemi sa të duam nga Tirana, Prishtina, Shkupi, Preshevë e deri në Ulqin.

-Marrëveshjet që i kanë bërë këta zotërinj mendjelehtë, duke humbur pjesë jo të vogla të tokave shqiptare e, madje së fundi iu vërsulën edhe detit,; -sot e tutje i kanë kushtuar dhe do t´i kushtojnë tepër shtrenjtë edhe në ardhmen e kombit shqiptar.

Sa e sa shkelje të rënda janë bërë këto 20 vite nga “bajraktarë” e “pashallarë” të mjerë kryeministra e ministra; në vendimet e tyre; për të vetmet arsye sepse, ato kompromise në dëm të kombit iu kanë dhuruar pushtet dhe iu kanë dhënë mundësitë që, “brenda natës”, këta politikanë sharlatanë, të bëhen milionerë.

Populli, deri tani ka heshtë, por kjo heshtje si duket nuk do të zgjasë gjatë; kohëve të fundit po shihen shenja pozitive, pra, po zgjohet nga letargjia dhe po i ikën opiumi, që partitë e tyre ia patën hedhur për vite të tëra…

Dëshmi më e mirë për këtë janë protestat në rrugë nga Tirana në Prishtinë për kushte më të mira; për ngritje pagash e të tjera; lufta kundër papunësisë, lufta kundër korrupsionit dhe goditjet e herë pas hershme që Gjykata e lartë po i jep regjimit despotik, me farsa lustrash demokratike, të Berishës. A nuk jemi dëshmitarë që, mbi 20 shkelje të rënda ligjore nga kjo qeveri “kukull” në shërbim të huajve; armiq të Shqipërisë –kujtojmë serbin Damir Fazlliq e të tjerë; kjo gjykatë i ka rrëzuar e bërë të pavlefshme…

                 Vijon

 Danimarkë -Suedi, 28 shkurt 2010