image“Më kërcënojnë dhe më shajnë, më thonë se do t’ma djegin shtëpinë, dhe unë skam ku të shkojë. Dje kam qenë në stacion policor dhe i kam njoftuar ata se e lëshoj shtëpinë nga dhuna, nga kërcënimet që më bëjnë mua si shqiptar. Pyes publikisht ministren dhe zëvendësministrin se a ka siguri në këtë shtet për të gjithë njësoj”, thotë Musli Ahmedov shqiptarë nga qyteti i Velesit

Urim HASIPI/KOHA

Tetovë, 15 qershor – Jeta e shqiptarëve që jetojnë ne rajonet ku ata janë pakicë është bërë tmerr i vërtetë. Një rajon i këtillë është edhe Velesi, ku vetëm në qytet jetojnë afër 20 familje shqiptare, por në lagjen “Kliment Ohridski”, jeton vetëm një familje shqiptare edhe atë 8 anëtarëshe. Nga viti 2008 e këndej, për kryefamiljarin Musli Ahmedov, siguria e tij dhe familjes është vënë në pikëpyetje. Të paktën kështu tregon ai për gazetën KOHA, duke theksuar se civilë maqedonases pa ndërprerë e sulmojnë dhe e kërcënojnë që të lëshojë shtëpinë e tij me të vetmin qëllim – sepse është shqiptarë. Musliu, 65 vjeçar, thekson se rastin e ka paraqitur në stacionin policor në Veles, tek Avokati i Popullit, OSBE, ndërsa ka katër vite që askush nuk kujdeset për sigurinë e familjes së tij. Sipas tij, për sulmet që i janë bërë familjes së tij i ka drejtuar edhe një letër ministres Gordana Jankullovska, ku i tregon se nuk i është dhënë ndihmë nga ana e policisë dhe nuk janë marrë masa ndaj sulmuesve. “Kam probleme me maqedonasit që nga viti 2008. Rastet janë shpeshtuar që nga muaji i kaluar dhe është bërë e pamundshme të jetoj në shtëpi. Më kërcënojnë dhe më shajnë, më thonë se do t’ma djegin shtëpinë, dhe unë skam ku të shkojë. Dje kam qenë në stacion policor dhe i kam njoftuar ata se e lëshoj shtëpinë nga dhuna, nga kërcënimet që më bëjnë mua si shqiptar. Pyes publikisht ministren dhe zëvendësministrin se a ka siguri në këtë shtet për të gjithë njësoj”, thotë Musli Ahmedov shqiptarë nga qyteti i Velesit.
Ai thotë se për këtë rast ka njoftuar edhe Avokatin e Popullit, OSBE-në, partitë politike shqiptare… “Unë skam ku të largohem, jetoj me ndihmë sociale dhe jam i papunë. Gjithnjë jam nën kërcënim të personave të nacionalitetit maqedonas, të cilët vijnë me shkopinj druri tek shtëpia. Policia qëndron aty, por nuk i arreston. Unë i kam larguar fëmijët nga shtëpia dhe i kam nxjerrë afër tregut në Veles, sepse nuk kanë siguri në lagjen ku jetojmë. Mund të na kërcënojnë, shajnë, rrahin e çka mos. Njëherë ma kanë sulmuar vajzën me thikë dhe kam frikë se mos po përsëritet sërish. Alternativa e vetme është që të shes shtëpinë atje dhe të transferohem në Shkup ose diku tjetër ku ka më shumë shqiptarë”, rrëfen Ahmedov. Sipas tij, vajzat e tij shkojnë në shkollë me maqedonas, por problemet që i ka këto katër vite e këndej janë më të vështira se edhe gjatë konfliktit të vitit 2001. Rastin në fjalë e konfirmojnë edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ku sipas zëdhënësit Borçe Peshevski, “qytetari nga Velesi disa herë është ankuar në polici dhe se janë marrë masa”. “Qytetari që është ankuar në Sektorin e Punëve të Brendshme në Veles ka parashtruar më shumë ankesa ndaj personave të caktuar. Nga ana e SPB-së në Veles pas këtyre ankesave janë ftuar personat e denoncuar dhe të njëjtit janë paralajmëruar dhe u është treguar për pasojat ligjore se nëse vazhdojnë me sjelljet e tyre, do të sanksionohen në bazë të ligjeve në fuqi”, tha Peshevski. Ndërkaq, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, i kontaktuar për këtë rast, tha se ka pranuar ankesë nga personi në fjalë ditën e mërkurë dhe se në këtë drejtim, do të kërkohet sqarime nga institucionet të cilët janë të adresuara në parashtresë.

Huliganët maqedonas me drunj në duar duke sulmuar familjen e Musliut