Shkëndija, ndeshjet e Europa League do t’i luaj në Kumanovë
Edhe përkundër paqartësive të shumta në klub, kryetrajneri i Shkëndijës nga Tetova, Qatip Osmani gjatë ditës së djeshme filloi me përgatitje për sezonin e ri. “Për problemet administrative nuk jam në dijeni, sepse ato nuk i takojnë fushës sime. E imja është që të merrem me planprogramin e stërvitjeve të skuadrës për edicionin e ri, në të cilin na presin sfida të shumta, duke nisur nga ndeshjet e Europa league, që stratojnë me 5 korrik.
Prandaj dita e enjte ka qenë vendimtare për të fillimin stërvitjeve, sepse nuk kemi kohë ose më mirë me thënë do të ngelim mbrapa në çdo aspekt”, është shprehur trajneri kuqezi, Qatip Osmani.
Sipas këtij të fundit, nëse shkohet sipas planit të paraparë që më herët, Shkëndija deri më 16-17 qershor do të qëndroj në Tetovë, kurse më pas transferohet në Slloveni ose Austri, ku edhe janë paraparë të zhvillohen katër ndeshje miqësore.
Me 30 qershor pritet rikthimi në Tetovë, ndërsa me 5 korrik është ndeshja e parë europiane.
Ai shton se Shkëndija ndeshjet e Europa League do t’i zhvillojë në Kumanovë.
“Po, siç është caktuar ndeshjen e parë në eliminatorët e Ligës së Europës e zhvillojmë me 5 korrik, pra ka mbetur më pak se një muaj. Sa jam i njoftuar ndeshjet si vendas do t’i luajmë në Kumanovë tek stadiumi i Bashklimit, pasi stadiumi i qytetit në Shkup nuk besoj se do të jetë gati deri në atë kohë”, sqaron numri një i pankinës së Shkëndijës, Osmani.
Për Shkëndijën, pjesëmarrja në garat europiane do të jetë një eksperiencë e re, pasi sezonin e kaluar mori pjesë në garat eliminatore të Ligës së Kampionëve.
Në kampionatin e fundit, ajo zuri vendin e tretë me 66 pikë, pas Vardarit (kampion) dhe Metalurgut.