47271_2.jpg

Një njeri aq krijues e i vullnetshëm, ishte edhe një maniak i përsosmërisë, një individ i egër, pa shumë skrupuj, me një karakter shumë të vështirë”. Jobsi arrinte t’i egërsonte dhe t’i dëshpëronte njerëzit rreth tij. Por personaliteti dhe produktet qenë të ndërlidhura, ashtu siç janë të ndërlidhura hardueri dhe softueri në produktet Apple”. Këto fjali janë shkëputur nga libri “Steve Jobs”, biografia e autorizuar e themeluesit të kompanisë “Apple”. I përkthyer nga Taulant Hatia e redaktuar nga Miranda Haxhia, ai mban siglën e botimeve “Pegi”. Ky libër rrëfen jetën e themeluesit të kompanisë “Apple” nga lindja e deri në vdekjen e tij të bujshme. Walter Isaacson, drejtor ekzekutiv i Institutit Aspen, ka qenë president i CNN-it dhe kryeredaktor i revistës “Time”. Përveç biografisë së Steve Jobsit, ka shkruar edhe biografitë, shumë të suksesshme, të Benjamin Franklinit dhe Albert Ajnshtajnit. Por kur Jobs i propozoi që të shkruante për të,

Isaacson ngurroi. “Mora vesh se donte që t’i shkruaja biografinë. Kisha botuar një të tillë për Benjamin Franklinin dhe po shkruaja atë të Albert Einsteinit.

 

Në fillim reagova i habitur dhe i thashë, gjysmë me të qeshur, në e shihte veten si pasues të natyrshëm të këtyre lloj njerëzve. Ngurrova, ngaqë mendoja se ndodhej në mes të një karriere me luhatje e do të kishte ende shumë të panjohura. “Jo tani, – i thashë. – Ndoshta pas një apo dy dhjetëvjeçarësh, kur të dalësh në pension”, – shkruan në libër biografi.

 

E megjithëse nuk pranoi që t’i shkruante biografinë, ata komunikonin me raste. “Një herë i dërgova një e-mail ku e pyesja nëse ishte e vërtetë, siç kishte dëgjuar vajza ime, se logoja e kompanisë “Apple” ishte zgjedhur për nder të Alan Turingut, pionierit britanik të kompjuterëve, i cili theu kodet gjermane gjatë luftës dhe vrau veten duke ngrënë një mollë të lyer me cianur. M’u përgjigj se do të kishte dashur të ishte kështu, po nuk ishte”, – shkruan Isaacson. Kjo u bë shkas për shkëmbimin e disa letrave rreth historisë së hershme të kompanisë “Apple” dhe biografit iu duk sikur kishte nisur të mblidhte materiale për këtë temë, sikur të kishte vendosur të shkruante librin.

 

Por, kur doli biografia e Einsteinit, Jobs shkoi në një veprimtari që Isaacson kishte organizuar në Palo Alto, e mori mënjanë dhe i tha edhe një herë se tema e tij ia vlente. Ja si e kujton këtë takim autori: “Më hutoi kjo këmbëngulje. Njihej si person që e ruante fort privatësinë, ndërsa unë nuk kisha arsye të besoja se kishte lexuar ndonjë nga librat e mi. Ndoshta më vonë, vazhdova t’i thosha…” Mbase Isaacson do të vazhdonte ta shtynte shkrimin e kësaj biografie, nëse s’do të ndërhynte gruaja e Jobs. “Në vitin 2009, gruaja e tij, Loren Pauelli më foli hapur: ‘Nëse ke ndërmend të bësh ndonjë libër për Steve-in, bën mirë ta bësh tani.”

 

Sapo kishte marrë përsëri pushimet për arsye shëndetësore. I thashë se kur ma kishte parashtruar në fillim idenë, nuk e dija që ishte i sëmurë. Nuk e di pothuajse askush, ma ktheu”, – shkruan biografi. I kishte telefonuar përpara se të bënte një ndërhyrje kirurgjikale për kancerin e përsëri nuk i kishte treguar, tregonte e shoqja. “Atëherë vendosa ta shkruaja librin. Jobsi më habiti pa masë, kur më tha se nuk donte të kontrollonte asnjë pjesë të tij, madje nuk donte as ta shihte përpara se të shtypej”, – shpjegon autori. “Është libri yt”, i pat thënë. “Madje, as kam për ta lexuar.” Më vonë, nga vjeshta, dukej se kishte ndërruar mendim për bashkëpunimin, për shkak të disa ndërlikimeve të tjera nga kanceri, të cilat biografi nuk i dinte. Nuk po u përgjigjej telefonatave, prandaj, edhe ai e la mënjanë për ca kohë projektin. Më poshtë po japim një copëz rrëfimi prej tij.

RRËFIM MBI RRËFIMET

“Si fëmijë, gjithnjë e kam parë veten si person të prirur ndaj shkencave humane, megjithëse më pëlqente elektronika”, më tha. “Pastaj lexova diçka, ku njëri nga heronjtë e mi, Edwin Land i Polaroidit, fliste për rëndësinë e njerëzve që qëndrojnë në kryqëzimin ndërmjet shkencave humane dhe atyre natyrore, dhe kuptova se doja të bëhesha edhe unë i tillë.” M’u duk sikur po më sugjeronte tema për biografinë (dhe në këtë rast, kjo temë doli mjaft e vlefshme). Aftësia krijuese që lind kur një personalitet i fortë ndihet si gërshetim i fushave shoqërore dhe shkencore, ishte tema që më kishte interesuar më tepër në biografitë e Franklinit dhe Einsteinit dhe besoj se ajo do të jetë pika kyç në krijimin e fushave novatore në shekullin e njëzetenjëtë. E pyeta Jobsin përse donte që t’ia shkruaja unë biografinë. “Mendoj se je i zoti që t’i bësh njerëzit të flasin”, u përgjigj. Nuk e prisja këtë përgjigje. E dija që do të më duhej të intervistoja dhjetëra njerëz që ai i kishte pushuar nga puna, i kishte keqtrajtuar, braktisur apo qe inatosur me ta në ndonjë farë mënyre, prandaj kisha frikë se nuk do të ndihej rehat me mua, nëse do të shkoja t’i pyesja të gjithë. Dhe në të vërtetë u tremb pakëz, kur i shkuan fjalët e njerëzve të intervistuar.

 

Por, pas disa muajsh nisi t’i nxiste vetë që të më flisnin, edhe armiqtë, apo edhe ish-të dashurat. Nuk u përpoq të vendoste kufij në asgjë. “Kam bërëplot gjëra për të cilat nuk ndihem krenar, si për shembull, kur lashë shtatzënë të dashurën në moshën njëzetetrevjeçare dhe se si e trajtova këtë fakt”, më tha. “Po nuk kam në dollap ndonjë skelet që nuk dua ta nxjerr.” Nuk kërkoi kurrë të kontrollonte ato që shkruaja, as më kërkoi t’i lexonte paraprakisht. Ndërhyri vetëm kur botuesi duhet të zgjidhte kopertinën. Kur pa një variant të bërë gati qysh më parë, iu duk aq i shëmtuar, sa kërkoi të merrte pjesë vetë në skicimin e të resë.

 

Më zbaviti kjo gjë, por edhe nuk doja ta lodhja, kështu që pranova menjëherë. Përfundova duke mbledhur më tepër se dyzet intervista dhe bashkëbisedime me të. Disa ishin formale, në sallonin e shtëpisë së tij në Palo Alto, të tjera gjatë shëtitjeve të gjata ose përmes telefonit. Gjatë atyre dy viteve që e vizitoja, u bë tepër i afrueshëm dhe i hapur, megjithëse ndonjëherë dëshmoja atë që kolegët e tij të vjetër, në kompaninë “Apple” e quanin “fushë të shtrembërimit të realitetit”. Ndonjëherë ndodhte që, pa qëllim, nuk gjallëroheshin kujtimet, siç mund të na ndodhë të gjithëve; ndonjëherë tjetër e shtynte tepër larg variantin e tij të realitetit për veten dhe për mua. Për ta verifikuar dhe për t’i dhënë sa më shumë jetë historisë së tij, intervistova më tepër se njëqind shokë, të afërm, rivalë, kundërshtarë dhe kolegë të tij.

 

As gruaja e vet nuk vuri kushte, nuk kërkoi të kontrollonte ndonjë gjë e as ta lexonte paraprakisht atë që do të botoja. Në të vërtetë, më nxiti fort të tregohesha njësoj i ndershëm si me dobësitë, ashtu edhe me arritjet e tij. Është një nga gratë më të zgjuara dhe më me taban që kam njohur ndonjëherë. “Në jetën dhe personalitetin e tij ka pjesë të tëra që duken lëmsh dhe kjo është e vërtetë”, më tha qysh në fillim. “Nuk duhet t’i pastrosh. Ai di ta dredhë për shumë gjëra, por ama, historia e tij është e veçantë, kështu që do të më pëlqente ta tregoje me besnikëri.”