image

Kuvendi do të zhvillojë sot ora 10:00, raundin e dytë të votimit për presidentin e ardhshëm të Republikës. Kuvendi nuk ka as sot, një emër për të votuar për Presidentin e ri të vendit. Takimi i shumëpritur mes kryeministrit  Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama vendosi urat  e komunikimit mes  mazhorancës dhe opozitës, por  nuk prodhoi një emër konsensual  për Kreun e ri të Shtetit,  duke djegur kështu edhe këtë  raund që kërkon 84 vota deputetësh.

Sipas kryeministrit Berisha maxhoranca është e vendosur të kërkojë konsensusin sipas asaj që përcakton Kushtetuta në raundet e para të votimit. Ndërsa, kryetari Rama theksoi se në takim nuk ishte folur për emra dhe se kishte kërkuar që “të ndërtohet një kornizë parimore brenda së cilës mund të gjendet konsensusi dhe opozita mund të japë konsensusin”.

Në seancën e radhës të së enjtes Kuvendi vendosi me 74 vota pro dhe 57 kundër, që raundi i dytë i votimit për presidentin e ri të zhvillohej më datë 4 qershor. Opozita nga ana e saj kërkoi që votimi i dytë të mbahej më 5 qershor, dhe ishte votimi në parlament që përcaktoi 4 qershorin si datën e raundit të dytë.

Të enjten (31 maj) Kuvendi konsumoi raundin e parë pa votim, pasi në konkurrimin për garën presidenciale nuk u paraqit asnjë kandidat zyrtar. Më herët maxhoranca propozoi kandidaturën e gjyqtarit Xhezair Zaganjori për postin e Kreut të shtetit, por pa e depozituar zyrtarisht në komisionin e Ligjeve, ndërkohë që opozita u shpreh kundër saj, duke e konsideruar kandidaturë të njëanshme nga ana e shumicës.

 

SEANCA PLENARE NDIQET NGA TRUPI DIPLOMATIK 

10:08 Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë, pritet të ndiqet me interes edhe nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë. Pak minuta para fillimit të seancës plenare ka mbërritur në godinën e parlamentit, kreu i prezencës së SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu dhe ambasadori i BE-së Ettore Sequi.