imageShkup – Shoqata e të burgosurve dhe të persekutuarve shqiptarë në Maqedoni (SHBPSHM) me 7 qershor, para Qeverisë do të protestojë me moton “t’i tregojmë botës se kush janë shqiptarët”. Ketë paralajmërim të mërkurën e bëri kryetari i shoqatës, Shpëtim Pollozhani në debatin rreth projekt-ligjit të ri për rehabilitimin ish të burgosurve politik, të propozuar edhe nga partia në pushtet – BDI. Organizator i këtij debati ishte Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve, ndërsa përveç Shoqatës së të burgosurve politik, morën pjesë edhe përfaqësues nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, ekspertë juridik si dhe intelektualë.

“Qëllimi i protestës nuk do të jetë të demonstrojmë dhunë, por të dhunuarit dhe të persekutuarit shqiptarë nga regjimi i mëparshëm komunistë. Duhet t’i tregojnë botës se më të padrejtë, një numër i madh i shqiptarëve me vite të tëra kanë mbajtur burgje dhe është koha që ta padisim shtetit për keqtrajtimet dhe ekzekutimet që u janë bërë intelektualëve tanë nga periudha 1944 deri në vitin 1991”, tha Pollozhani. Në protestën e 7 qershor, sipas Pollozhanit, personat që kanë të përgatitur paditë kundër shtetit, do të lënë nga një kopje para hyrjes së Qeverisë. Ndërkaq sa i përket propozim-ligjit për rehabilitimin e ish të burgosurve politikë, i propozuar nga partia politike shqiptare në pushtet,. Pollozhani përsërit kërkesën për miratimin sa më të shpejtë të ligjit, porse ka vërejte për mangësitë që i kanë ky propozim-ligj.

“Kështu siç është i propozuar, është i papranueshëm për nr si shoqatë, ndërkohë që në bashkëpunim me ekspertë juridik, kemi tekst versionin tonë të ligjit dhe ia kemi dorëzuar BDI-së për shqyrtim”, informoi Pollozhani. Nëse vërejtjet tona nuk përfshihen në projekt-ligjin e përgatitur nga BDI, vazhdon më tej Pollozhani, atëherë do të kërkojmë nga e njëjta parti të pranojnë dhe të dorëzojnë për miratim ligjin e shoqatës i përgatitur në vitin 2005. “Nëse nuk përfshihen në plotësimin e Ligjit edhe vërejtjet tona si shoqatë, atëherë ne do të insistojmë të miratohet një ligj tjetër i hartuar nga Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, ku do të përfshihen të gjitha kategoritë e persekutuara politike shqiptare, që nga viti 1944 deri më 1991, që do të thotë – të përfshihen të gjithë ata njerëz të pushkatuar me gjyq, ose pa gjyq, partizanë, njerëz të internuar, të dënuar nga gjyqet popullore, gjyqet e rregullta të parregullta, gjyqet ushtarake etj”, thotë Pollozhani. Sipas të dhënave që posedon kjo shoqatë, në Maqedoni janë rreth 4000 shqiptarë, viktima të ishregjimit, por viktima edhe pas pavarësisë, pasi një pjesë e tyre kanë vuajtur dënimin për shkaqe politike.