image

Shqipëria karakterizohet nga një popullsi me moshë relativisht të re, megjithatë mbetet ende sfidë moshimi i popullsisë. Popullsia e moshuar, për shkak të zhvillimeve demografike, pritet të dyfishohet në 20 vitet e ardhshme, bëri të ditur sot për ATSH-në Enida Xhumari, specialiste e promocionit shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë. Për një sërë arsyesh, ndër të cilat ekonomike, sociale, etj, numri i lindjeve në vend ka rënë, megjithatë Shqipëria ende është vend me popullsi të re, ku gati gjysma e popullsisë është nën 25 vjeç. Ndërkohë, pjesa e popullsisë nën 15 vjeç është ulur ndjeshëm dhe përbën një të katërtën e popullsisë së vendit. Mosha mesatare e popullsisë në 2007 ishte 32.5 vjeç nga 27.4 vjeç në 1990. Xhumari tha se struktura moshore e popullsisë ka ndryshuar ndjeshëm. Kështu, në 2007, sipas të dhënave, personat 65 vjeç e lart përbëjnë 9 përqind të popullsisë gjithsej, mjaft më e ulët se në vendet fqinjë dhe Evropë, që varion nga 15- 20 përqind. Ndërkohë, plakja e popullsisë ndikon mbi sistemin e pensioneve, shërbimet shëndetësore dhe produktivitetin ekonomik.