MK_KSNë ditën e dytë të embargos që autoritetet kosovare e vendosën për importin e prodhimeve nga Maqedonia, në vendkalimin kufitar Bllacë, sot kolonat e kamionëve qëndronin në zonën ndër- kufitare. Ndonëse kompanitë janë informuar për embargon, sot kishte më pak kamionë që ishin nisur drejt kufirit me Kosovën.

‘Kamionët të ngarkuar me prodhime nga Maqedonia e kalojnë kufirin e Maqedonisë, por më pas mbeten të bllokuar në kolonë në kufirin me Kosovën’.

Një pjesë e agro –ekonomistëve vlerësojnë se arsyet për të cilat autoritetet kosovare i mbyllën kufijtë për prodhimet nga Maqedonia, janë të paqarta – kur dihet se nga Kosova në Maqedoni importohet vetëm 3% miell, ndërsa importin më të madh të miellit Maqedonia e ka me Serbinë.

“Supozojmë se në pyetje është tjetër gjë, se mund të ketë ndonjë marrëveshje,që në vend të kompanive tona, të hyjnë kompani tjera. Dhe kjo mund të jetë vetëm pretekst dhe në një mënyrë më legale të vijnë firma tjera në vend të firmave tona – dhe kështu të suspendohet importi i prodhimeve tona”, tha  Boris Anakiev, agro- ekonomist.

Dje kryeministri Gruevski tha se po bëjnë përpjekje për bisedim me autoritetet kosovare për të gjetur zgjidhje për këtë problem, por ai gjithashtu shtoi se në qoftë se nuk gjendet zgjidhje, të gjitha opsionet janë të hapura. Embargoja do të ketë impakt serioz ndaj firmave maqedonase që eksportojnë në Kosovë, kur dihet se Maqedonia në Kosovë eksporton nëntë herë më shumë sesa importon prej atje.
Ndryshe, vetëm për shtatë muaj kompanitë nga Maqedonia kanë eksportuar mallra në vlerë prej 160 milionë dollarë ndërsa kanë importuar vetëm 17 milionë