Po krijohet “Republika Srpska” në Kosovë
Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka thënë se regjimi çetnik i Beogradit po i organizon serbët e veriut të mos integrohen në institucionet e Kosovës, por që në Kosovë, dalëngadalë, të lindë edhe një “Republika Srpska”.
Veprimtari Adem Demaçi, në një intervistë dhënë gazetës “Illyria”, pasqyron pikëpamjen e tij se a po humb apo po fiton Kosova nga bisedimet e Brukselit, bën me dije se pse nuk e ka zgjedhur asnjëherë veriun e Kosovës për të biseduar me serbët atje për normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët. Ai tregon se a duhet EULEX-i të largohet nga Kosova dhe kur e si duhet të ndodhë kjo, si dhe ofron këndvështrimin e tij nëse Serbia më parë do ta njohë Kosovën apo do të bëhet pjesë e BE-së, si dhe tregon nëse do t’u përgjigjet zgjedhjeve të 3 nëntorit në rast që nga fletëvotimet largohen simbolet dhe fjala “Republikë”.
“Illyria”: Cili është mendimi juaj, a po humb, apo po fiton Kosova nga bisedimet e Brukselit mes kryeministrit Thaçi e Daçiq?
Demaçi: Pyetja juaj në shikim të parë duket e shkurtër dhe e thjeshtë, mirëpo ajo “vret” shumë edhe në gjerësi edhe në thellësi. Në njërën anë është Kosova e vockël me shumë probleme të mëdha që ngërthen në vete, e të cilat po mundohet t’i zgjidhë sipas interesave të veta, ndërsa në anën tjetër i kemi Bashkimin Evropian (Brukselin) e NATO-n (SHBA-të me shumicën e shteteve të Evropës Perëndimore) me plot projekte e synime për rregullimin e zgjidhjen e përplot problemeve të botës sipas interesave të tyre. Pak më tutje, në Lindje, përtej Uralit e deri te Oqeani Paqësor, kemi dy kolosë të tjerë, Kinën dhe Rusinë, që gjithashtu kanë projektet e synimet e tyre për rregullimin e zgjidhjen e problemeve të shumta botërore, gjithashtu sipas interesave të tyre. Le ta çojmë vëmendjen tonë edhe pak më thellë dhe do ta shohim Kosovën tonë të vockël potencialisht në sferën e interesave politike e ekonomike të SHBA-ve dhe të BE-së, dhe që realisht varet qind për qind, për gjithçka, prej tyre. Fqinjë ne e kemi Serbinë që është 85 për qind në sferën ekonomike të BE-së e të SHBA-ve, ndërsa politikisht në sferën e Rusisë e nga pak edhe të Kinës. Nëse lexuesi im i nderuar dëshiron t’i ketë parasysh faktet e përmendura më sipër, nuk do ta ketë vështirë ta marrë me mend se nëpër çfarë sikletesh politike e diplomatike është duke kaluar Kosova jonë e vockël. Edhe Serbia është duke kaluar nëpër siklete të hatashme, mirëpo ajo, ndonëse është fajtore dhe gjynahqarë i madh, nuk po pushon së vepruari të ruajë, madje edhe t’i zgjerojë padrejtësisht interesat e veta në kurriz të Kosovës së gjorë e martire. Miqtë tanë, në përpjekjet e veprimet e veta për t’i përmbushur interesat e veta politike, ekonomike e gjeostrategjike, po i harrojnë fare interesat tona themelore kombëtare e qytetare. Mirëpo, ç’është e vërteta, edhe miqtë tanë amerikanë e evropianë na ndihmuan jo pak gjatë kryengritjes sonë çlirimtare, prandaj meqë ne nuk jemi popull jomirënjohës, edhe neve po na duhet të flijohemi jo pak për përmbushjen e disa synimeve të miqve tanë. Mirëpo, miket tona të mëdha, Amerika e Evropa, duke u munduar që, mbi flijimet tona të reja e të panumërta, si e si t’ia hapin shtegun Serbisë çetnike për të hyrë në Bashkimin Evropian e pastaj eventualisht edhe në NATO, sikur po kërkojnë pak si tepër prej nesh. Ndërkaq, miqtë tanë të mëdhenj neve po na thonë se meqë jemi miq, interesat e tyre janë edhe interesat tona, prandaj ne duhet të bëhemi të dëgjueshëm dhe të veprojmë pa u ndalur drejt normalizimit të marrëdhënieve tona me Serbinë. Mirëpo, për habinë e gjithë botës, sa më shumë që miqtë tanë po i bëjnë lëshime Serbisë në kurrizin tonë, aq më të zëshëm po bëhen Nikoliqi e Daçiqi, se nuk na pranojnë dhe as që nuk do të na pranojnë kurrë e përjetë si shtet të pavarur e sovran! Ja, lajmi më i ri nga goja e Daçiqit, se ai, si “kontribut” për “normalizimin” e marrëdhënieve me Kosovën do ta kërkojë rehabilitimin politik të Rankoviqit, i cili është sinonim i të gjitha të zezave që pësuan shqiptarët nga çetnikët e Beogradit! Ja edhe një “margaritar” tjetër të politikës aktuale të regjimit të Beogradit, një faktor politik në krye të regjimit të Beogradit kumtoi para ca ditësh, se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën do të vlejnë për ne vetëm derisa atje të qëndrojë EULEX-i! Domethënë, nuk po nënshkruajmë kurrfarë marrëveshjesh me krerët e regjimit serb, por vetëm po rrahim ujë në havan! Por, a kemi shteg tjetër përveçse të bëhemi të dëgjueshëm? Jo! Nëse duam ta ruajmë miqësinë tonë me Amerikën dhe Evropën ne duhet të vazhdojmë të rrahim ujë në havan me Serbinë! Pra, si po e shihni, pyetja juaj gati mbeti pa përgjigje, por përgjigjja është se derisa në Serbi të jenë në pushtet mbeturinat e çetnikëve, edhe të neofashistëve, bisedimet me ta do të jenë rrahje e ujit në havan.
“Illyria”: Z. Demaçi, besoni se serbët e veriut do të integrohen në jetën institucionale të Kosovës?
Demaçi: Jo. Regjimi çetnik i Beogradit po i organizon ata ashtu që ata të mos integrohen në institucionet e Kosovës, por që edhe në Kosovë, dalëngadalë, të lindë edhe një “Republika Srpska” bashkë me një Dodik sikurse që ndodhi në Bosnje e Hercegovinën e nakatosur.
“Illyria”: Z. Demaçi, jeni konsideruar si figurë që keni punuar në relaksimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve brenda Kosovës. Pse asnjëherë nuk keni tentuar të shkoni në veri për të biseduar me serbët lokalë atje?
Demaçi: Sepse atje ka shumë pak serbë lokalë, se shumica syresh atje janë sigurimca dhe kriminelë lufte të grumbulluar nga Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe nga Lika e Kroacisë.
“Illyria”: Pritet ndonjë vizitë e juaja në veri?
Demaçi: Jo.
“Illyria”: Prisni se Serbia më përpara do ta njohë Kosovën, apo më parë do të bëhet pjesë e BE-së?
Demaçi: Më parë pres që në Serbi të largohen nga pushteti çetnikët e neofashistët, pastaj të normalizohen marrëdhëniet Kosovë – Serbi, në fund Kosova e Serbia të anëtarësohen në BE njëkohësisht.
“Illyria”: Z. Demaçi, mendoni se EULEX-i duhet të largohet nga Kosova?
Demaçi: Mendoj, para së gjithash, që institucionet e prokurorive, të gjyqeve dhe të policisë të Kosovës duhet të depolitizohen.
“Illyria”: Dhe, në fund, z. Demaçi, na thoni, nëse hiqet fjala ‘’Republikë’’ nga fletëvotimet e 3 nëntorit, do të dilni të votoni?
Demaçi: Do të pyesja se në cilin shtet ndodhem?