Profili i 3 kandidatëve/ Kush pritet të zgjidhet Kryeprokuror i përkohshëm
Kush janë tre kandidatet ende në garë, që pritet të votohen të hënën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm?
Le t’i shohim sipas një rendi alfabetik;
41-vjeçarja Arta Marku u diplomua në shkollën e magjistraturës në vitin 2001. Një vit më pas u emërua në Prokurorinë e Shkodrës ku mbajti detyra të ndryshme, që nga shefe e njësisë task forcë në 2006 e deri zëvendës drejtuese deri në 2016.
Zonja Marku e ka nisur karrierën e saj në kohën kur kryeprokuror në Shkodër ishte Ulsi Manja, ndërkohë që prej 16 vitesh dosjet e hetuara prej saj dhe të përfaqësuara në Gjykatë kanë qenë fare të pakta. Një ndër to është dosja ndaj pedagogut Fran Qafa, i cili më pas mori pafajësinë në Gjykatë.
Në fakt për numrin e pakët të dosjeve të hetuara, zonja Marku u pyet edhe nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve, të cilëve iu përgjigj se ajo kishte firmosur mjaft dosje të hetuara prej kolegëve dhe të përcjella në Gjykatë.
Ermira Tafani, 45 vjeç, e diplomuar si juriste në Tiranë, e ka nisur punën si juriste në vitin ’96 dhe prej 21 vitesh punon si prokurore në Elbasan. Zonja Tafani me gradën doktore-shkencash është e diplomuar gjithashtu edhe në ekonomik.
Një nga dosjet e bujshme që hetoi prokurorja Ermira Tafani është ajo e bandës se Kateshit që gjatë vitit ’97 mori në kontroll Elbasanin. Po ashtu prokurorja Tafani ka hetuar edhe Maksude Kadenën, e njohur si Sudja, një nga çështjet më të bujshme të firmave piramidale, që u përcoll më pas në Tiranë. Prej një muaji Ermira Tafani është prokurore për hetimin e veprave kundër pasurisë dhe ato ekonomike.
Prokurori përballë dy grave është Ferdinant Elezi, 49 vjeç, baba i dy vajzave. I njohur edhe si ish-shef policie në dy komisariate, Ferdinant Elezi e ka nisur karrierën e tij si oficer i policisë gjyqësore në Elbasan në vitin 1994. Pesë vjet më vonë ai u emërua Prokuror në qytetin e Kavajës e më pas edhe shef i kësaj prokurorie. Më pas ai u emërua kryeprokuror Apeli në Tiranë për të marrë më tej detyrën e kryeprokurorit të Apelit Durrës.
Dosjet më të bujshme të dërguara në Gjykatë prej tij janë ajo e kontrabandës së cigareve apo ajo për skandalin e tokave në Durrës. Zoti Elezi mban gradën e doktorit të shkencave dhe profesor i asociuar.